Kokëdhima: Programi ynë,konkurrues edhe me PS-në e PD-në

Majli

Primus registratum
Kokëdhima: Programi ynë,konkurrues edhe me PS-në e PD-në

Kryetarja e Lidhjes së Blertë Shqiptare flet në prag të zgjedhjeve për alternativën e të Blertëve

Lindita Çela

TIRANE - Kryetarja e Lidhjes së Blertë Shqiptare, Brixhida Kokëdhima, thotë se programi politik i partisë që ajo drejton është po aq politik sa edhe ai i partive të mëdha, madje ajo shton se është konkurrues me ta. Kokëdhima shpjegon pse mori përsipër te drejtojë të Blertët dhe pse Shqipërisë i kanosen rreziqe mjedisore.
Znj. Kokëdhima, ju jeni e para grua shqiptare që arrin në politikë një post kaq të lartë drejtues si kryetare partie. Si u futët në politikë?
Në politikë u futa pasi mora pjesë aktivisht dhe në vijë të parë në krah të bashkëshortit tim, në rezistencën që u organizua vitin e kaluar kundër planit të qeverisë Nano për të sjellë plehrat e Italisë në Tiranë, Fier e Shkodër. Protesta jonë ishte e ashpër dhe ne ishim të vendosur të mos i lejonim plehrat italiane të pushtonin vendin tonë të vogël, edhe pse ishim të ndërgjegjshëm se po luftonim kundër interesave të z. Nano dhe kundër një afere të frikshme korruptive të tijën me qarqe të politikës së lartë italiane.
Atë kohë unë lexova shumë për mjedisin dhe rreziqet që i kanosen atij, studiova shumë raste dhe shembuj të dëmtimit me pasoja katastrofike të mjedisit në vende të varfëra me qeveri të korruptuara si e jona, që kishin bashkëpunuar me mafien e plehrave të vendeve si Italia. Isha bindur se Shqipëria nuk do ta kishte të lehtë të mbronte dhe të zhvillonte siç duhet mjedisin dhe shëndetin e njerëzve, për sa kohë ajo nuk do të kishte një projekt politik dhe një alternativë të Blertë. Në këto kushte, duke qenë e përkrahur dhe e mbështetur plotësisht nga bashkëshorti im, e pranova me kënaqësi ofertën e aktivistëve të Blertë shqiptarë, që për muaj të tërë kishin luftuar përkrah nesh për t’u bërë kryetare e Partisë Lidhja e Blertë. Për një kohë të shkurtër u familjarizova me idenë dhe fillova të organizoj menjëherë përmbushjen e përgjegjësive të mia, duke ngritur gjithçka pothuaj nga e para.
Biznesi dhe politika ambientaliste duket sikur e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pse zgjodhi të Blertën gruaja e një biznesmeni?
Biznesi dhe politikat ambientaliste nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Biznesi zhvillohet nga njerëz të ndryshëm që udhëhiqen në punë dhe në jetë nga ideale të ndryshme, por çka është karakteristike për ta, është dëshira dhe përpjekjet e tyre për të arritur sukses brenda kuadrit ligjor të një vendi. Kuadri ligjor dhe politikat e zhvillimit nuk janë përgjegjësi e bizneseve. Një vend i vogël si Shqipëria duhet t’i ketë prioritete zhvillimin e qëndrueshëm dhe politikat e blerta. Për këtë përgjegjëse janë institucionet që prodhojnë politika dhe jo sipërmarrësit. Madje paradoksale dhe këtë unë e nënvizoj, se Nano dhe ministrat e tij që duhet të prodhonin e zbatonin politika për mbrojtjen e mjedisit, i janë bashkuar aferave më të rënda korruptive për të bërë biznes me mjedisin shqiptar në favor të kompanive e qeveritarëve të vendeve të tjera që nuk i lë njeri të bëjnë biznes duke shkatërruar mjedisin e vendeve të tyre. Sigurisht që ka te ne e kudo gjetkë njerëz që shfrytëzojnë mungesën e ligjeve ose i shkelin ato në dëm të mjedisit, ashtu siç ka biznesmenë me ndërgjegje që e duan vendin dhe vlerësojnë mjedisin dhe pasuritëe tij, që e kanë kuptuar se pasuritë e tyre nuk kanë vlerë në një vend me ajër të ndotur, me tokë të helmuar, me blerim të munguar, me zhurma dhe ndotje të jashtëzakonshme.
Bashkëshorti im, kur flitet për Shqipërinë dhe pasuritë e saj, është më i blertë se të blertët vetë dhe ju siguroj, se e ndien dhe konsideron çdo pëllëmbë e çdo vlerë nga vendi ynë, njësoj si pasurinë e tij.
Politikat mjedisore i bëjnë mirë të gjithëve pa përjashtim. Ato mbrojnë shëndetin e qytetarëve, vlerësojnë dhe rivlerësojnë pa fund çdo pasuri të një vendi, pavarësisht se ato janë publike apo private. Kështu që gruaja e një biznesmeni është në detyrën e vet kur mbron politikat mjedisore.
Të Blertët lindin përherë si lëvizje qytetare dhe në fund konsolidohen në një parti politike. Në rastin e Lidhjes së Blertë duket se ka ndodhur e kundërta. Sa politike është politika juaj?
Unë vij nga një lëvizje qytetare, siç ishte lëvizja kundër plehrave, lëvizja kundër shkatërrimit të potencialeve turistike të bregdetit dhe vendit tonë (Lëvizja kundër TEC-eve e rafinerive në bregdet), lëvizja për të rivendosur ekuilibrat e shkatërruar në deltat e lumenjve, në pyjet dhe plazhet tona etj. Qëndrimi i pashembullt e korruptiv i qeverisë së zotit Nano për të bërë biznes me ajrin, ujin, tokën, jetën, pozitën gjeografike, burimet natyrore dhe historinë e identitetin tonë kulturor e etnik solli krejt natyrshëm domosdoshmërinë e institucionalizimit politik të reagimeve qytetare në një lëvizje politike të mirfilltë, siç është Lidhja e Blertë Shqiptare.
Për t’ju përgjigjur edhe pjesës së fundit të pyetjes suaj, dua të shtoj se politika jonë është aq politike sa çdo program tjetër politik i majtë, i djathtë, monarkik, republikan etj. Politika jonë nuk është thjesht dhe vetëm në mbrojtje të mjedisit. Programi ynë politik është plotësisht e thellësisht i bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe i jep përgjigje e zgjidhje të gjitha problemeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare. Ky program është konkurrues, madje më i mirë e më cilësor se programi i PD-së dhe s’ka të krahasuar me programin dhe demagogjinë e shpërfytyruar të PS-së. Verifikimi e realizimi i objektivit tonë për të qenë poli i tretë i politikës shqiptare është vetëm çështje kohe.
Çdo të thotë për kushtet e Shqipërisë një politikë e blertë?
Do të thotë të hedhim poshtë sloganin bajat e të pakuptimtë të Nanos “Mbro të ardhmen”. Cilën të ardhme të mbrojmë? Atë të ardhme që rrezikohet nga zoti Nano dhe diktatura e tij e korrupsionit dhe e monopoleve? Të ardhmen e zotit Nano dhe oligarkisë së tij të korruptuar politike e financiare? E ardhmja e shqiptarëve nuk është e lidhur me zotin Nano. Përgjigjja jonë është: E ardhmja është e Blertë! Do të thotë se ne përshëndesim hapjen dhe ndryshimin e opozitës, forcimin dhe rritjen e respektit për të dhe pranojmë se ndryshimi fillon nga vetja, ndryshimi nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm sasior, ndryshimi nuk duhet të ngjajë si kozmetikë. Por opozita nuk ka ndryshuar mjaftueshëm. Përgjigjja jonë është: E Blerta është i vetmi ndryshim i qartë në politikën shqiptare të vitit 2005!
Një politikë e BLERTE për Shqipërinë do të thotë një politikë kombëtare, në shërbim e interes të shqiptarëve, jetës, ekonomisë, mirëqenies dhe shëndetit të tyre. Një politikë e Blertë për Shqipërinë do të thotë stop shkatërrimit të shtëpisë sonë të përbashkët, do të thotë një politikë krejt e re, me njerëz të rinj, me botëkuptim dhe mentalitet të ri, me vizion dhe këndvështrim të ri, me karakter e personalitet të spikatur. Pjesën tjetër të përgjigjes lexojeni te programi i LBSH-së në adresën www.teblertet.org dhe në dokumentet e tjera të partisë sonë.
Nuk mendoni se një alternativë e tillë politike është më tepër luks sesa domosdoshmëri për shqiptarët?
Lidhja e Blertë është thjesht dhe vetëm një alternativë politike. Kjo do të thotë se tani qytetarët mund të zgjedhin në vend të PS-së ose PD-së t’i përfaqësojë politikisht Lidhja e Blertë Shqiptare.
Politikat e aplikuara nga qeveritë socialiste këto vite e kanë varfëruar popullin shqiptar. Varfëria dhe lakmia për fitim e kanë dhunuar dhe shkatërruar mjedisin, i kanë bërë shqiptarët që ta sfidojnë natyrën dhe shfrytëzojnë atë në mënyrën më të keqe.
Dëmet janë të pallogaritshme dhe në shumicën e tyre të pakthyeshme si humbja e tokave, shembjet, erozioni që kanë çuar në humbje të pasurisë dhe burimeve të jetës për shqiptarët, prerja e pyjeve, humbja dhe dëmtimi i plazheve, liqeneve, lumenjve, shkatërrimi i peizazhit e shumë e shumë dëme të tjera.
Të Blertët janë opsion i qartë në mbrojtje të pasurive tona të çmuara, të cilësisë së jetës dhe shëndetit të njerëzve. Të Blertët janë alternativa e zhvillimit të qëndrueshëm për të cilën Shqipëria si asnjëherë tjetër ka nevojë. Nuk duket luks, apo jo?
Znj. Kokëdhima, ju kandidoni për deputete në qytetin e Fierit, zona 66. Përse zgjodhët pikërisht këtë zonë?
E zgjodha menjëherë Fierin e pikërisht këtë zonë sepse unë kam jetuar në Fier vite të rëndësishme të jetës sime, kam krijuar familjen time atje dhe kam lindur fëmijët, kam hedhur bazat e karrierës personale, kemi patur sukseset e para të sipërmarrjeve familjare dhe i falem këtij qyteti dhe ndjehem e detyruar ndaj tij, ndaj kam dëshirë të madhe që të kontribuoj aty me energjinë, përkushtimin, aftësitë dhe punën time që qyteti të ndryshojë në këtë fillim shekulli.
Pothuaj çdo kandidat për deputet para zgjedhjeve merr rolin e plakut të Vitit të Ri. Ju çfarë dhuratash konkrete do t’u shpërndani votuesve tuaj?
Do t’i mbaj fshehur për t’i bërë surprizë për Vitin e Ri!
Sa deputetë shpreson të fitojë PLBSH-ja në zgjedhjet e 3 korrikut dhe a është ky një matës për rëndësinë e kauzës suaj?
PLBSH-ja është një parti e re dhe e mirëkupton çdo sjellje dhe reagim të votuesve shqiptarë. Ne do të punojmë për të liberalizuar tregun e politikës dhe për t’i afruar një alternativë serioze e të besueshme qytetarëve tanë. Ne nuk kemi ku të shkojmë. Do të luftojmë të rregullojmë vendin tonë. Asnjë rezultat nuk na trishton apo dekurajon. Objektivi ynë afatshkurtër është kalimi i pragut elektoral dhe prezenca në Parlament. Objektivi ynë final është të jemi Poli i Tretë politik në spektër. Kauza jonë është shumë e rëndësishme për sot dhe për nesër dhe ne jemi të vendosur ta çojmë atë përpara. E ardhmja është e blertë.
Mendoni se ekzistenca e një grupi parlamentar do të ishte e mjaftueshme për të imponuar politika mjedisore në ligjvënësin shqiptar?
Vetëdija e qytetarëve tanë mjafton për të imponuar politika të blerta. Të gjithë jemi nga pak ose tërësisht të blertë. Vetëm se nuk e kemi vënë re këtë gjë më parë. Vetëm se nuk kemi qenë të vetëdishëm për këtë. Pikërisht këtë vetëdije synojmë të zgjojmë për të ndërtuar të ardhmen tonë dhe jo për të mbrojtur të ardhmen e të tjerëve.
Në Shqipëri ka mbi 57 parti. Ç’strategji do të ndjekë partia juaj për t’u evidentuar si forcë politike?
Partia jonë është duke ndjekur një strategji të qartë dhe është e evidentuar tashmë në spektrin politik shqiptar me identitet dhe profil të qartë politik. Ne i kemi ofruar elektoratit një program politik ambicioz, i cili është i mbështetur në zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve, në mbrojtjen dhe zhvillimin e potencialeve natyrore dhe të trashëgimisë kulturore, zhvillimin e arsimit dhe të burimeve njerëzore, të investimeve, të biznesit etj. Ne jemi përqendruar veçanërisht te rinia, gratë dhe emigrantët tanë në botë.
Lidhja juaj familjare me biznesin, gjykoni se do ta pengojë apo do ta ndihmojë nismën tuaj?
Absolutisht që do ta ndihmojë. Bashkëshorti im është një mbështetje e madhe jo vetëm për mua, por edhe për të blertët. Ai na mbështet hapur dhe pa kursim, sepse ai vetë është tërësisht i blertë.

Të Blertët: Kokëdhima censurohet qëllimisht

“Shprehim keqardhjen që pas 15 vjetësh demokraci, mediat shqiptare ende nuk janë çliruar nga pushteti i censurës dhe vazhdojnë të përçudnojnë dhe të shtrembërojnë fjalën e lirë”. Kështu ka reaguar dje Partia Lidhja e Blertë Shqiptare, pas publikimit të një interviste të kryetares së kësaj partie, znj. Brixhida Kokëdhima, në një nga të përditshmet shqiptare. Sipas deklaratës për shtyp të kësaj partie, intervista në fjalë është shkurtuar qëllimisht, duke deformuar mesazhin dhe opinionin që znj. Kokëdhima ka dashur t´i përçojë lexuesit. Këto ndyshime, thuhet në deklaratë, jo vetëm kanë censuruar mendimin e kryetares së kësaj partie, por në mënyrë servile kjo gazetë ka luajtur rolin e avokatit të qeverisë. Nga intervista janë hequr pikërisht ato fraza ku znj. Kokëdhima kritikon qeverisjen e deritanishme dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. “Censuruesit e kësaj medieje, në mënyrë të qëllimshme kanë hequr paragrafë të tërë të intervistës, që kanë lidhje me z. Nano dhe qeverisjen e tij të korruptuar. Po ashtu, gërshërës së tyre nuk i kanë shpëtuar as paragrafët që shpalosin vizionin e Partisë Lidhja e Blertë dhe alternativat që kjo forcë e re sjell në spektrin politik shqiptar. Dhe kjo nuk është krejt e rastësishme ose punë e një redaktori që shkurton fjalë, për shkak të hapësirës së kufizuar”, - thuhet në deklaratën për shtyp. Për t´i dhënë mundësi lexuesit të njohë alternativat e të Blertëve dhe opinionin e kryetares së Lidhjes së Blertë Shqiptare, znj. Kokëdhima, në lidhje me qeverisjen e sotme dhe dështimet e saj, gazeta “Shekulli” boton me kërkesë të Lidhjes së Blertë versionin e plotë të kësaj interviste.


10/06/2005
KATEGORIA: Politike
 
Top