Re: Jep doreheqjen RUSMALI
Rusmajli me te vertete qenka me i zoti nga c'e kujtoja /ubb/images/%%GRAEMLIN_URL%%/smile.gif :
Ikën Rusmali: Berisha po mbron korrupsionin
"Denoncova korrupsionin e Shehrit te Kryeministri, por s‘mora përgjigje"
Në dukje i qetë, me stilin e tij paksa teatral të të folurit, Ilir Rusmali në mënyrë jo dhe aq të papritur ka komunikuar dje paradite dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë. Zyrtarisht, ai ia ka atribuuar këtë veprim kërkesës që opozita kishte bërë një ditë më parë, për dorëheqjen e tij, pas publikimit të një afere korruptive në të cilën ishte përfshirë vëllai i ministrit Rusmali. "Mbrëmë PS ka kërkuar publikisht dorëheqjen time, për një çështje që nuk ka lidhje me personin tim. Mbrëmë PS zyrtarisht është vendosur në anën e korrupsionit për të rikrijuar kornizën që në jemi përpjekur ta thyejmë me forcë. Ndryshe nga sa priste zëdhënësja e PS-së, jam këtu që të deklaroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Drejtësisë në emër të këtij morali dhe të kësaj beteje për luftën kundër korrupsionit". Por kjo ishte vetëm pamja e parë e një situate edhe më të komplikuar. Ministri i dorëhequr e ka vazhduar komunikimin e tij me mediat, duke hedhur akuza të forta jo vetëm në drejtim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, por edhe të shefi të ekzekutivit. "Unë besoj dhe kam përshtypjen që edhe ju e besoni që e gjithë kjo ngjarje është shumë më tepër sesa përmasat e zotit Shehri", tha Rusmali duke shtuar se për shkeljet e ligjit dhe korrupsionin që kishte konstatuar në sistemin e burgjeve shqiptare kishte nisur në drejtim të Kryeministrisë dy kërkesa për lirimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nga detyra.
"Në atë kohë unë e kam vënë në dijeni Kryeministrin për këto kërcënime dhe i kam thënë Kryeministrit: ose funksionari publik të pushohet nga puna, sepse vepron në mënyrë të kundërligjshme, ose ministri i Drejtësisë lë vendin. Të dy bashkë në detyrë nuk mund të rrinë. Dhe këtij qëndrimi i kam qëndruar deri në fund". Në këtë mënyrë, Rusmali, i cili deri pesë muaj më parë konsiderohej si krahu i djathtë i Berishës, jo vetëm për pozicionin që mbante në kabinet si zëvendëskryeministër, por edhe për marrëdhëniet e afërta që ai kishte krijuar prej kohësh me Kryeministrin, tashmë duket në pozita mjaft akuzuese ndaj shefit të tij. I pyetur nga "Shqip" lidhur me motivet e refuzimit të shkarkimit të Shehrit nga ana e Berishës, ministri i dorëhequr tha se për të marrë një përgjigje për këtë gjë duhet të drejtoheshim te Kryeministri. "Unë mund t‘ju vë në dispozicion dokumentet që kam përgatitur në atë kohë, unë mund t‘ju vë në dispozicion dokumentet me të cilat unë shoqërova kërkesën e dytë për largimin e zotit Shehri. Janë të gjitha gjëra shumë të rënda dhe që nuk kanë lidhje me tendera", tha Rusmali, por pa dashur të shpjegojë se përse ai nuk kishte mundur të merrte një shpjegim, qoftë edhe jozyrtar nga Kryeministri.
I bindur, të paktën kështu u shpreh publikisht, se është viktimë e "luftës së ashpër" që ka bërë ndaj korrupsionit, Rusmali në mënyrë disi lakonike lëshon një tjetër deklaratë me drejtim jo shumë të paditur: "Unë di të kuptoj që në betejën kundër korrupsionit nganjëherë njerëzit duhet të tërhiqen, sepse korrupsioni është i fortë".
akuzat
"Shehri më ka kërcënuar me përgjimet"
"Historia ime me zotin Shehri mbyllet në momentin që ai me veprim aktiv ka lejuar që të lirohen të burgosurit nga burgjet shqiptare në kundërshtim me ligjin. Në atë kohë ka filluar incidenti". Ministri i dorëhequr i Drejtësisë nuk i ka kursyer akuzat ndaj ish-vartësit të tij, përplasja me të cilin duket se u kushtoi vendin e punës që të dyve. Sipas Rusmalit që me ardhjen e tij në krye të dikasterit të Drejtësisë kishte konstatuar shkelje ligjore në lirimin e padrejtë të një numri të burgosurish, për të cilat, sipas tij, përgjegjësia kryesore binte mbi drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Sajmir Shehri. Nisur nga kjo situatë, ministri kishte kërkuar largimin nga detyra të vartësit të tij, por duket se kishte ngecur përballë vlerësimit që kishte Kryeministri për këtë çështje: "Kërkesa ime e parë për shkarkimin e zotit Shehri mban datën 9 maj 2007".
Ndërkaq, Rusmali ka deklaruar dje se kërkesa për shkarkimin e Shehrit, është shoqëruar nga presione të shumta ndaj tij si ministër. "Në atë kohë, zoti Shehri në kundërpërgjigje i ka bërë kërcënime të drejtpërdrejta ministrit të Drejtësisë, për kaseta apo regjistrime që paska me familjarët e tij", tha Rusmali që gjithsesi, nuk duket se është trembur shumë nga këto presione, pasi pak kohë më pas ai ka nisur një tjetër kërkesë në drejtim të Kryeministrisë. Objekti i njëjtë, shkarkimi i Shehrit, por edhe përgjigjja e njëjtë: heshtje.
Ministri i dorëhequr nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e tenderit për të cilën flitet në bisedën e regjistruar midis vëllait të tij, Edmondit, dhe drejtorit të Policisë së Burgjeve, që njëkohësisht ishte edhe kryetar i komisionit të tenderit, Zija Teferiçi. Ndonëse nuk është prononcuar për regjistrimin dhe vërtetësinë e tij, Rusmali ka thënë se tenderi i përkiste një periudhe të kaluar kur ai ende nuk ishte vënë në krye të dikasterit të drejtësisë. "Tenderi nuk është i tanishëm. I përket një periudhe shumë muaj më parë dhe tenderi nuk ka lidhje me motivet për të cilat unë kam kërkuar, jo shkarkimin e drejtorit të Policisë së Burgjeve. Kam kërkuar shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për një grup rrethanash dhe faktesh tepër të rënda që cenonin integritetin e institucionit, i pari mbi të gjitha lirimi i kundërligjshëm i të burgosurve tepër të rrezikshëm". Për të gjitha këto, ministri deklaroi se ishte i gatshëm të hetohej, madje e kërkoi me ngulm këtë gjë nga Kryeministri, strukturat e tij të specializuara, por edhe nga prokuroria shqiptare: "Çështja është tepër konkrete, çështja mund të hetohet. Mund të hetohen personat e përfshirë në atë çështje, sikurse mund të evidentohet shumë kollaj padijenia e ministrit në çfarëdo lloj rrethane ndaj historisë së tenderave, pamundësia e ministrit në çfarëdo lloj rrethane për të ndikuar në tenderat që zhvilloheshin diku gjetkë dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë".
Gjithsesi, optimizmi i zotit Rusmali nuk ka munguar teksa në përfundim të komunikimit me mediat është shprehur se në funksionin e tij politik, beteja e tij kundër korrupsionit do të vazhdojë me më shumë vendosmëri me të gjitha ato mjete që si do të ketë në dispozicion.
Përgjimi
Asnjë fjalë për vërtetësinë
Megjithëse ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me tenderin e zhvilluar për rikonstruksionin e paraburgimit në Durrës, ish-ministri nuk e ka mohuar që zëri i cili i kërkon favorizim të një firme në këtë tender, kryetarit të komisionit, në bisedën e përgjuar, është zëri i vëllait të tij, Edmond Rusmali. "Tenderi i përfolur është anuluar një herë për mangësi të rënda nga komisioni i tenderit i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Por në atë kohë unë nuk isha fare ministër", tha Ilir Rusmali, duke pretenduar edhe një herë se gjithçka ishte sajuar për t‘i bërë atij presion. Por ajo që të gjithë prisnin të merrnin përgjigje nuk është përmendur fare. Prania e vëllait të tij në zyrën e Teferiçit dhe kërkesa për ndërhyrje në tender. Për sa kohë që askush nga familja Rusmali nuk e ka kundërshtuar këtë fakt mjaft domethënës, ministri i dorëhequr do ta ketë të vështirë të bindë opinionin se regjistrimi është një montim i qëllimshëm.