Nje tjeter artikull per t'u risjelle.
Polemika në mes dy politikanëve dhe shkrimtarëve më të njohur shqiptarë: Konica e Noli. Dy artikujt e tyre të plotë të botuar në "Liria Kombëtare" dhe "Dielli" në vitet 1925-26
Konica Nolit: "Zogu na mundi se ishte më i zoti se ne"
Ahmed Zogu nga ana tjatër, me instiktin genial të tij, e vuri turmën nën një disiplinë e cila, sado e mërzitshme, është më e dobishme se anarqia jonë. Edhe në këtë shesh na mundi Ahmed Zogu. I mir' ai lik. Ahmed Zogu është mundës. Ne më të mirë se ay jemi të mundur. I mirë' a i lik, Ahmed Zogu ka fituar besimin e popullit shqiptar dhe jashtë besimin e Fuqive të mbëdha. Ne më të mirë se ay, s'kemi ditur të fitojmë besimin e kërkujt. Munt ta urrejmë Ahmed Zogun, po duhet ta njohim se është më i zoti, shumë më i zoti, se ne. N'Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtërngon dorën mundësit. Po ne s'jemi amerikanë. "Battuts et pas contenst" si thotë Frengu me ironi-të rrahur dhe jo të kënaqur-neve s'na pëlqen të heshtim po duam të dalim në marketë dhe të zëmë vajtimet
Dashnor Kaloçi
Në faqet e sotme speciale të "Gazetës", po botojmë një polemikë në mes dy politikanëve dhe shkrimtarëve më të njohur shqiptarë të shekullit kaluar: Fan Noli e Faik Konica. Kjo polemikë në mes këtyre dy gjigandëve të letrave shqipe, është zhvilluar në vitet 1925-1926 kur Konica ishte në Amerikë dhe drejtonte Shoqërinë "Vatra", kurse Fan Noli ishte vendosur në Gjenevë dhe drejtonte KONARE-në (Komiteti Nacional-Revolucionar) që financohej nga Moska. Debati në mes tyre nisi pasi më 16 shtator 1925, Fan Noli botoi i pari në gazetën "Liria Kombëtare" të Gjenevës, një artikull në të cilin merrte në mbrojtje Qeverinë shqiptare që ai e drejtoi si Kryeministër për gjashtë muaj. Po në atë artikull, Noli godiste Zogun e Qeverinë e tij që kishte riardhur në pushtet duke e rrëzuar atë, si dhe aludonte hapur për ish-mikun e tij Faik Konica, duke thënë se ai i kishte lëshuar armët dhe ishte pajtuar me Ahmed Zogun, i cili kishte qenë armiku kryesor i tyre. Disa kohë pas këtij artikulli në gushtin e vitit 1926, Faik Konica i përgjigj Fan Nolit duke shkruar në gazetën "Dielli" të Shoqërisë "Vatra" të Bostonit, ku ai ishte Kryetar i saj. Si artikulli i Nolit ashtu dhe ai i Konicës, që botohen më poshtë, janë të plotë dhe pa shkurtime.
Noli kundër Zogut dhe aludimet për Konicën
Imzot Noli edhe "Vatra"
Gazetës "Dielli", Boston. "Lirisë Kombëtare", Genevë. Zoti Drejtor, mësova me hidhërim të thellë që Kuvendi i Vatrës ka vëndosur të mabnjë një qëndrim të paanshëm kundrejt Mydyrit të Pasiçit, që quhet-faqe mender- Presëident i Republikës Arnaute. Këtë Atitudë e proponoj Komisioni i vjetër dhe e pëlqeu Kuvendi për dy shkake: 1) se qeveria e kaluar qe aq' e keqe sa e sotmja, 2) se po të kundërshtohet qeveria e sotme, munt të prishet Shqipëria. As njera prej këtyre të dy arsyeve nukë qëndron më këmbë përpara një kritike të paanëshme dhe gjakftohtë. Qeveria e Qershorit 1924 nukë qe ideale, vërtet. Mungesat e saj, s'munt t'ja dij askush më mirë se i nënëshkruari që e ka parë maqinën e saj të punojë përs'afërmi. Po, passi t'i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: 1) Njerzit e saj qenë patriotë të kulluar: Hipnë në fuqi me dëshirën e popullit dhe pa asnjë ndihmë të jashtëme. S'kanë dhënë shteteve fqinjë asnjë copë të tokës shqiptare për të qëndruar në fuqi. Përkundër fituan përfundërisht për Shqipërinë të katërmbëdhjetë fshatrat e Korçës. 2) Qenë mprojtës të pasurive, të shtetit: Nuku u dhanë kapitalistëve të huaj pasuritë e Shqipërisë për të fituar simpathinë dhe përkrahjen e tyre. 3) Qenë të nderçëm: bënë kyursime të çudiçme, lajtën borxhe prej miliunash të guvernave të kaluara dhe ballancuan buxhetin pa kleçka me një tepricë prej një miliuni franga ar, vepra keto të gjitha të Gurakuqit që vdiq me 450 lireta në xhep, të cilat ia kishte dhënë hua një mik ca ditë më parë. 4) Qenë liberal: Kishte liri të plotë shtypi, ndonëse në kohë të tyre nuk dolli as një numër gazete i cili të mos përmbante kritika të ashpëra kundër tyre. "Dielli" s'ua kurseu kritikat kurrë, po asnjë herë dhe as një numër nuku u ndalua. 6) Qenë njerëz të kanunit: Kishin një ushtri dhe një xhandarmëri, në mos ideale dhe moderne, po të paktën Kombëtare dhe të regullueshme, e cila mpronte kanunin dhe s'i binte në qafë popullit. Ja tani pasqyra e qeverisë së sotme, në qoftë se munt të quhet qeveri një çetë e hurit dhe e litarit: 1) Janë tradhëtorë: Hipnë në fuqi me ndihmën e Pasiçit dhe, për të qëndruar në fuqi, i falën Serbisë, copra të tokës shqiptare, të fituara me një mijë mundime. 2) Janë kusarë të pasurive të shtetit: U shesin kapitalistëve të huaj pasurit' e shtetit me ryshfete e me kondita skandalloze për të fituar simpathin e tyre. 3) Janë çkatëronjës: Çkallmojnë buxhetin duke ballancuar me kleçka për sy e faqe, e duke krijuar në realitet një deficit prej tre miliuansh të paktën, i cili do të rritet me kredite të pazakonshme. 4) Janë kriminelë: Me anën e veglave të tyre kanë asasinuar prapa kurrizit katër patriotë antiserbë si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi dhe Zija Dibra dhe duzuina të tjerë, emrat e të cilëve ca i dimë dhe ca do t'i mësojmë më vonë. 5) Janë tiranë: Të gjitha lirit' e popullit janë marrë nëpër këmbë. Liria e shtypit nuk ekziston. "Dielli" që mban një paanësi mirëdasëshme është ndaluar. 6) Janë armiq të kanunit: Çkatërruan ushtrinë dhe xhandarmërinë kombëtare dhe lëshuan bashipozukët për të shtypur, për të plaçkitur e për të terrorizuar popullin e mjerë. Cili do të jetë përfundimi po të vazhdonjë ky regim tradhëtorësh, kusarësh, kriminalësh, tiranësh e bazipozukësh? Një katastrofë tragjike si ajo e 1914-ës, të cilën munt ta refuzojnë t'a shohin vetëm ata patriotë që janë verbuar krejt, ata që u lodhë nga lufta dhe i hodhë armët, dhe shtrihen në gjumë, duke pritur shpëtimin nga Fati, dhe nga Zagolli sy-gjarpër, zëmër-vrer, gjak-kalbur e shpirt-shitur, nga Esadi i dytë, i cili çier, copton e thëthin kufomën e Shqipërisë me egërsinë e një monstri të pronjve të Afrikës. Ne jemi të mëndjes që coptimi i Shqipërisë do të jetë një pun' e mbaruar, po të mos e çlirojmë nga coptonjsi i saj: Vatra është e mëndjes që coptonjsi s'duhet ngarë dhe rri e paanëshme. Atituda e Vatrës s'ësht as e mënçur, as e hieshme, as e nderçme: S'ësht e mënçur, se Zogu u çporvua në dritën e fakteve, e hodhi vetë maskën, dhe na del përpara siç ka gënë gjithnjë. Më 1914, aliat i Arif Hikmetit dhe partizan i harfeve arabishte, merret vesh me Easdistët e Shqipërisë Mesme dhe në një mbledhje solemne të popullit të Matit, zbret flamurin e Shqipërisë dhe ngre flamurin e Turqisë për hesap të Pasiçit: vegël e serbëve gjithnjë, ka mundur t'i gënjejë të gjithë patriotët, veç katër gegëve me mënt si Bajram Curri, Gurakuqi, Mustafa Kmja dhe Elez Jusufi, rëmben fuqinë. Lidhet me Esadistët dhe u jep shkelmin të gjithë elementëve të mira: i mundur dhe i dëbuar prej këtyre, kthehet prapë me fuqi serbe si Esadi dhe nis coptimin e Shqipërisë sistematikrisht e tamam sipas planit të tij me ata shokë të brendshëm e me ata përkrahës e mirdashës të jashtëm. Pra ësht e pamundur të jenë me mënt në kokë ata që presin shpëtimin pikërisht andej nga vjen coptimi. Atituda e Vatrës nuk është e hieshme: Vatra militante, që ka luftuar për idealet e larta patriotike me aqë lavdi, s'munt e s' duhet kurrë t'i hedhë armët dhe të kapitullonjë me Pasiçin e me Esadin e dytë, dhe të lozë tangon groteske të paanësisë, kur idealet e saj merren nëpër këmbë dhe Shqipëria po greminoset në varr e në vdekje të turpëshme. Atituda e Vatrës nuk është e nderçme: Vatra lë në baltë Vatranët e Shqipërisë dhe vë në gjumë jo vetëm antarët e saj, po dhe të gjithë atdhetarët toskë e të padjallzuar, të cilët do të zgjohen kur do të jetë nofta tepër vonë, kur t'i dogjen pësëri shtëpitë e kur të marrin prapë arratinë. Prita mjaft me shpresën që faktet e ashpra t'jua mbushin kokën që e keni humbur toruan fare. Po tani s'munt të heshtë më. Ndonëse pak vonë, Thashë e fola, s'ju kam faj. F.S. Noli.
Konica i përgjigjet Fan Nolit
Shtylla e Faik Konitzës "Ca njerëz të lodhur, ca të tjerë të trashë"
N'artikull kundrë Vatrës të botuar te "Liria Kombëtare" (N.8) Fan Noli thotë se ca njerëz, që kishin lëftuar gjeri die, sot janë të lodhur dhe i hothnë armët. Mundet. Po ka edhe ca të tjerë truri i të cilëve është ntrashur dhe s'janë të zotë të kuptojnë kur një lodrë merr funt: Më kujtojnë fjalën e filosofit gjerman Schopenahuer për atë që vazhdojnë së lojturi pasi ka rënë perdia. Unë i lodhur s'jam aspakë, dhe do t'isha gati të vazhdoja luftën me forcë të papakësuar- po të kish lufta nonjë qëllim. Po qëllim lufta s'ka dhe s'munt të ketë. Fan Noli dhe unë kemi lëftuar disa vjet që t;i japim Shqipërisë një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmed Zogu ka lëftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmed Zogu na mundi dhe na mundi me themel. Ndryshimi në mes të Fan Nolit dhe meje, është se unë e di se jemi të mundur dhe të mundur paq, kurse ish shoku im s'ka haber që hëngrëm dru. Ahmed Zogu na ka mundur në shesh. Ahmed Zogu dhe ne duallmë përpara popullit për votë. Ahmed Zogu mori kurdoherë shumicën dhe kurdoherë na mundi. Ahmed Zogu me ca bashipozukë dhe 104 rusë (Njëqint e katër, fakt na burim diplomatik i huaj) na mundi në shesh të luftës, ndonëse ne kishim një "ushtri"dhe përmi 20.000 vullnetarë gati. Ikmë duke britur se ordit e Serbisë shkelnë Shqipërinë, kur dijim shumë mirë se ishin vetëm një grusht rusësh. Deshmë të tregojmë se të paktën në sheshin e dipllomatisë kemë më tepër zotësi se Ahmed Zogu. Po dhe në këtë shesh, maloku genial na mundi. Ne çfaqmë zotësinë që kemi duke mos e bërë dot "guvernën" t'onë të pranohet dhe të njihet nga bota e qytetëruar, duke çkënaqur me talljet tona në Genevë, ata nga të cilat ka nevojë Shteti ynë, dhe duke vënë në dyshim Fuqitë e perëndimit me intrigat t'ona me Bolshevikët. Ahmed Zogu, nga ana tjatër, qe i zoti të fitojë besimin e Evropës dhe t'Amerikës në pakë kohë, e bëri guvernën e tij të pranohet zyrtarisht, ngreu kreditin e Shtetit jashtë dhe fitoj në sytë e Botës emrin e një udhëheqësi të vërtetë. Ne me frazat tona bombastike, kallmë anarqinë anë mb'anë të Shqipërisë kurse stërvitja jonë intellektuale duhej të na kishte bërë të zotët, të paktën në theori, t'i jipnim popullit një frymë regulle. Ahmed Zogu nga ana tjatër, me instiktin genialtë tij, e vuri turmën nën një disiplinë e cila, sado e mërzitshme, është më e dobishme se anarqia jonë. Edhe në këtë shesh na mundi Ahmed Zogu. I mir' ai lik. Ahmed Zogu është mundës. Ne më të mirë se ay jemi të mundur. I mirë' a i lik, Ahmed Zogu ka fituar besimin e popullit shqiptar dhe jashtë besimin e Fuqive të mbëdha. Ne më të mirë se ay, s'kemi ditur të fitojmë besimin e kërkujt. Munt ta urrejmë Ahmed Zogun, po duhet ta njohim se është më i zoti, shumë më i zoti, se ne. N'Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtërngon dorën mundësit. Po ne s'jemi amerikanë. "Battuts et pas contenst" si thotë Frengu me ironi-të rrahur dhe jo të kënaqur-neve s'na pëlqen të heshtim po duam të dalim në marketë dhe të zëmë vajtimet. Po të kishim prova se populli është i helmuar nga ndodhja e sotëme dhe pret shpëtimin prej nesh, vazhdimi i kundërshtimit do të kish një kuptim. Por populli është i kënaqur, dhe pozita e Ahmed Zogut është e patundshme. E vetma mënyrë që të përmbyset Ahmed Zogu, është një kompllot kundër jetës së tij, dhe e di që këtë mendim e ushqejnë shumë. Po unë në kompllote s'bëhem shok i kurkujt: se, përveç principeve që m'a ndalojnë, e di që fundi do të jetë çkatërrimi i Shtetit. Unë, me budallallëkun t'im, thom se kemi arrijtur në një fazë kritike të jetës së Shqipërisë: dhe besoj se e vetma mënyrë për të shpëtuar Shtetin, është një pajtim i ndershëm i të mundurve dhe mundësin. Por ne që diç e dimë veten, është një çap i hidhur. Ata që s'duan ta bëjnë, le të vazhdojnë së gdhënduri, pishë e së gëlltituri teneqe vajguri, dhe le t'i vënë zjarrin Shqipërisë. Gazeta (me editor të fshehtë) që del në Genevë nën emrin "Liria Kombëtare" boton në Nr. 8 një artikull të Fan Nolit kundër Vatrës. Nuk do të humbasim kohë t'i bisedojmë ato që thotë, se i kemi biseduar disa herë dhe nuk është nevoja t'i përsëritim: Cili është ay që munt të mbajë të qeshurit kur Fan Noli thotë se "Guverna" e Qershorit ka qenë një guvernë popullore? Një guvernë popullore nuk e mbyll Parlamentin, dhe në e mbylltë, nukë ri pa bërë menjëherë zgjedhje të ra. "Guverna" e Qershorit nuk ish tjatër gjë, veçse një tirani militariste.
Lista duhet plotësuar
N'artikull të përmëndur më sipër, Fan Noli numëron fajet e vërteta ose imaginare t'Ahmed Zogut dhe mirësitë imaginare ose të vërteta të të Fan Nolit. Që të plotësohet lista, shtojmë dhe ne ca items. Ndër të ligat e Ahmed Zogut duhen nëmëruar dhe këto dy: më 1920, kur Fan Noli vajti në Shqipëri, Sulejman Delvina i dha urdhër policisë të mos e qasë: policia e përzuri Fan Nolin, i cili u kthye në Bari me vaporin që kish vajtur. Ahmed Zogu ndodhej asi kohe në Mat dhe s'dinte gjësendi. Kur u kthye në Tiranë dhe mësoj, i qortoj ministrët pët masën që kishin marrë kundrë Fan Nolit, të cilin pak kohë pastaj e thirri të kthehet në Shqipëri. Dy vjet më vonë, miqt e Nolit dëshirojn që ky të bëhej mitropolit, po gjejnë kundërshtime shumë të mbëdha. Ç'të bëjnë? Ven e i luten Zogut t'i përkrahë. Zogu ndonëse e kishte Nolin kundërshtar, nguli këmbë që Noli medoemos të dorzohej mitropolit, dhe u dorzua. Nër të mirat e fan Nolit duhen nëmëruar këto: vajti në Genëvë si "Kryeministër" i Shqipërisë: dhe në një fjalë zyrtare që mbajti, shau Lidhjen e Kombeve, shau Shtetet e Bashkuara t'Amerikës , shau tërthori Inglinë, dhe na bëri qesharakë në sy të botës së qytetëruar. U kthye në Shqipëri, dhe ca javë më vonë hapi mardhënie zyrtare me Sovjetin, ndonëse din, ose duhet të dinte se Rusia Boleshevike është në luftë me Fuqitë e perëndimit që kanë bërë dhe njohur Shqipërinë si Shtet më vete. Me këtë çap, Noli e shpuri Shqipërinë mu-në buzë të varrit dhe një qime afër vdekjes.
Dako II
Që Fan Noli të mendojë ndryshe nga ne, që të përpiqet të na japë të kuptojmë lajthimin t'onë në qoftë se lajthitemi, është një e drejtë që nuk ja mohojmë. Atje ku na çudit të gjithëve është se gjer tani më Gusht 1925 ka heshtur. I bëmë të njohur me kabllo që në funt të Shën Ëndreut 1924 se organizata jonë është e mëndjes që e hupmë luftën por një guvernë më të mirë dhe që e quajmë për detyrë paskëtaj të hapim mardhënie pajtimi me mundësin. Shëtita kollonitë që t'a parashtroj atë politikë dhe t'u jipja rrastin shqiptarëve që të çfaqnin pëlqimin a mospëlqimin e tyre. Hapmë shtyllat e "Diellit" për çdo bisedim, duke botuar dhe korespodencat me t'ë ashpërat kundrë Guvernës së Zogut. Më në funt erdhi kuvendi i XIV, dhe u shtrua dhe atje çështja e qëndrimit që duhet të mbajë Vatra. Në të gjitha këto shtatë muaj, dera ishte e hapur dhe asnjeri s'kish më tepër se Fan Noli të drejtën të dhe lirinë që të hynte, të na çfaqte mendimin e tij dhe të na fitonte me vete. Po Fan Noli s'bëri zë. Tani që u mbarua Kuvendi dhe që u mbyll dera për këtë çështje gjer më Korrik 1926, vetëm tani Fan Noli na del me kundërshtime jashtë kohës, posi një njeri që kërkon të hyj nga penxheria, dhe përpiqet të prishë disiplinën e Vatrës. Me methudha të padrejta, me methudha që s'janë as për "Fair" as prej "sport"i. Ç'faj tjetër kish bërë Dakua?
Gazeta Shqiptare
23 Prill 2002