Interviste me nje rrepist-emigrant shqiptar ne Greqi

astronaut

Primus registratum
Interviste me nje rrepist-emigrant shqiptar ne Greqi

E Hene, 04 Gusht 2003 "Koha Jone"


ADHUROJ ARISTOTELIN DHE SNOOP DOGG

Flet rrepisti shqiptar i Athines, Arban Perlala

Nga Gazmend KAPLLANI

Arban Perlalen e kam njohur ne nje situate tragjike per te. Ne vitin 1999 u arrestua ne qender te Athines i akuzuar se hodhi molotof kunder policise gjate nje manifestimi te nxenesve kunder reformes arsimore. Kaloi ne biruca dhe u keqtrajtuar eger. Ne krah te tij u gjenden atehere gazetaret me me ze greke si Pavlo Cima qe ben hulumtim te vecante mbi episodin ne fjale duke vertetuar pafajesine e tij; prane tij u gjenden gjithashtu mesuesit e tij, shoket e tij te shkollet dhe Sindikata e Arsimtareve (OLME).

Kjo eshte nje eksperience qe Arbani kerkon t'a fshije nga mendja duke thene se "gjithcka ve s'te vret dot te ben me te forte". Pasioni i tij eshte muzika rap. Madje jo thjesht pasioni i tij por jeta e tij. Arban Perlala ose G.BANI sic njihet me emrin e tij artistik njihet si nje nga "personazhet" me te talentuar dhe premtues te skenes underground te muzikes rap ne Greqi. I mencur dhe mjaft mediatik fiton simpatizante gjithmone e me te shumte: kompozon kenge per seriale te ndryshme sic ishte rasti i serialit te njohur '10 minuta predikim' , ben turne i ftuar ne gjithe Greqine dhe enderron diten qe do jape koncertin e tij te pare ne Shqiperi.

Sa vjec erdhe ne Greqi?

Ne Greqi erdha 12 vjec. Arsyeja e vertete ishte per te operuar syrin qe rrezikoja t'a humbja pas nje aksidenti shume serioz ne Shqiperi.

Dhe si erdhe, me vize?

Jo aspak. U nisa bashke me babain tim dhe hyme ne Greqi ne menyre ilegale. Babai im u perpoq shume ne Shqiperi qe te gjenim dy viza por dyert e ambasades ishin te mbyllura per ne dhe fatkeqesisht ne nuk kishim aq para sa t'i blenim vizat ne tregun e zi. Familja ime kalonte kohe shume te veshtira atehere dhe nuk kishim me kohe as te kerkonim per hua sepse gjendja e syrit tim ishte shume e keqe. Mbaj mend qe kaluam nga Kapshtica me ndihmen e nje Shqiptari qe dinte rrugen.

Si te duket tani qe po kaloje kufirin si klandestin vetem 12 vjec?

Si me duket? Nuk di cfare te them. Nuk ja uroj askujt dicka te tille. Megjithate ne kufi ndodhi dicka qe nuk do t'a harroj kurre ne jeten time. Ne nje moment ne dolem ne nje fshat kufitar qe e quanin Leropigi dhe aty ndaluam sepse s'dinim nga te shkonim me. Fshataret kur pane babain tim me djalin e tij te vogel, na thane ne dialektin Arvanitas qe te kerkonim ndihme nga posta ushtarake. Babai im nuk donte sepse kishte frike qe do na kthenin pas. Nderkohe ushtaret e kishin marre vesh dhe erdhen dy ushtare qe na morren dhe na cuan tek ai qe dukej se ishte komandanti. Menduam qe kaq e patem dhe do na kthenin pas. Nuk do ta harroj asnje here ne jetem time se ai qe ishte si komandanti i ushtareve kur kuptoi problemin qe kisha une me syrin, ne vend qe te na arrestnte na dha dhrahmi per marre taksine qe te shkonim urgjentisht ne spitalin e Kosturit... Aty mjeket na ndihmuan mjaft qe te na percilnin ne Athine te beja operacionin ne sy i cili doli me sukses

Mund te me thuash mbresat e tua te para nga _bota e re' ku erdhe? A ishte e veshtire te pershtateshe ne kushtet e reja, te mesoje gjuhen etj?

Gjuha greke ne fillim, mu duk shume e huaj dhe te them te verteten jo dhe shume interesante. Nuk ishte per shembull si Italishtja qe me ishte mesuar veshi duke e degjuar nga televizori. Por tani 10 vjet me pas, Greqishtja eshte gjuha ime e dyte pas Shqipes... Jo vetem flas por edhe mendoj ne Greqisht.

Megjithese kushtet qe u gjenda ishin shume te veshtira, kureshtja me shtyti t'a mesoje ne kohe rekord.

Me the pak me pare qe ne kufi u gjend nje ushtar qe ne vend qe te arrestonte te ndihmoi duke te dhene para. Pas pothuajse 5 vjetesh te arrestojne dhe te keqtrajtojne keqas ne qender te Athines...

-Po i ngjan nje filmi shume te trishtuar. Sepse pervec te tjerave policet qe me arrestuan me godisnin pikerisht tek syri sapo i thashe qe te kishin kujdes sepse kam problem... C'fare te thuash. Kjo eshte bota, njerezore dhe c'njerezore njekohesisht. Degjo, mua nuk me pelqen te flas shume per kete aventure c_njerezore qe kalova ne moshen 17 vjec. Le te flasin me mire vargjet e nje kenge ne diskun ne gjuhen shqipe qe po pergatis.

"Ofendime, arrestime/ ne biruca keqtrajtime/

ne Janar te _99/ erdhi burgu ne jeten time/..."

Mendon se policia u soll keshtu ndaj teje sepse ishe nje emigrant, sidomos nje emigrant nga Shqiperia?

-Megjithese jo te gjithe policet, por shumica m'u u sollen ne menyre c'njerezore dhe shkaku kryesor ishte qe isha Shqiptar...

Ka ndikuar kjo histori ne menyren se si mendon njerezit, miqte, shoqerine, shtetin, emigracionin...?

-Ne fillim ndikoi shume. Shume muaj pas gjithe _shetitjeve' qe bera neper biruca, nuk flija dot i qete dhe shikoja enderra te tmerrshme... Por me kohe u shuajt. E verteta eshte qe i thashe trurit dhe shpirtit tim _ose do t'a tejkaloshe kete ferr ose e ke humbur betejen me jeten'. Megjithate nga arrestimi dhe nga burgu mesova shume gjera qe nuk mund ti mesosh ne asnje shkolle shteterore apo private. E para, mos ki kurre besim tek ata qe veshin uniforma. Qofte edhe uniformen e postjerit. Sa me larg tyre. E dyta, qe njerezit qe me te vertete te duan dhe te respektojne duken ne raste te tilla. E treta, qe Shteti nuk eshte i drejte dhe sa me shume e quan vehten e tij perfekt aq me shume gabon.

Si erdhe ne kontakt me muziken Rap dhe cfare ishte ajo qe te terhoqi ne kete muzike?

-Ishte tingulli nga nje pjese Rap e Public Enemy qe me terhoqi vemendjen. E degjova ne vitin 1992 ne nje biliardo ne Rubik. Fillova te kerkoja dhe te interesohesha per kete lloj muzike megjithese ishte shume e veshtire per shkak se ishte viti i dyte qe Shqiptaret shijonin kenaqsine e muzikes Rap. Kerkova kudo per kaseta dhe u gjenda tifoz i Run Dmc, Fugges, 2Pac, Cypress Hill qe ishin repistat top qe degjohenin ne ate periudhe. Nga ana tjeter ekzistonte nje skene qe ishte me mainstream. Ishte skena e muzikes qe transmetonte kanali muzikor MTV. Disa nga artitet qe me pelqenin me shume ishin Dj Bobo, Dr. Alban, 2Unlimited, Sash dhe grupe te tjera qe bashkonin Teknon me Rap.

Kur erdha ne Athine ne vitin 1996 u futa me shume ne ambientin e kultures HipHop. Ne Athina kishte reth 10 vjete qe qarkullonin albume Rap ne gjuhen Greke. Ne muret e qytetit dhe te linjes se trenit, ekzistonin kudo figura Graffiti. Ne rruge megjithate nuk shikoje shume te rinj me rroba te gjera. Nuk ishte si tani qe eshte bere mode dhe i veshin te gjithe. Atehere une dhe shoket e mi greke ishim nga te paktet qe visheshim me rroba te gjera. Kalonim ne rruge dhe nga mbrapa degjoheshin fraza: ua sa te gjera qe i kaaa ose na shanin por nuk na dhimbte koka per guston e shumices.

Luajti rol historia e persekutimit tend qe te merreshe me rap?

-Jo, por sigurisht e forcoi me shume lidhjen time me kete kulture.

Grupi yt R.R.M sot perbehet nga tre Shqiptare, dy greke dhe dy Afrikane. Si u gjendet me njeritjetrin?

-Me pelqente ideja e shoqerise me moshatare te te gjitha kombeve. Ne radhe te pare i njihja ne shkolle, pastaj i takoja ne klubet e sapohapura ne Athine ku kercenin rap adoleshntet e te gjitha kombesive. Fillova te bej shoqeri me Amerikane, Afrikane, Greke, Bullgare, Rumune, Polonez, Filipinez, Francez etj. Pastaj ne vitin 1997 krijova grupin R.R.M.. Ne fillim ishim kater bashkemoshatare Shqiptare. Tani, sic e the edhi ti ne grup gjendemi gjithesej tre Shqiptare, dy Greke dhe dy Afrikane. Kemi bashkunime me repista Franceze Zviceriane, Filipineze, kemi marre pjese ne seriale televizive, koncerte, konkurse, emisione ne radio etj. Pjestaret me aktive jemi: personi ne fjale (G.Bani) dhe Argiri (Argy Diamond). Une kam firmosur me kompanine diskografike "LektikoEpeksergastiki", kurse Argy Diamond nuk ka vendosur akoma me ke kompani do bashkpunoje.

Qellimi juaj cili eshte?

-Nje dhe vetem nje. T'a marrin vesh edhe te tjeret qe Grupi R.R.M. eshte nje nga mrekullite e shate botes qe i kane ndodhur skenes inernacionale te underground Rap...

Aha... Kujtova se repistet nuk jane ambicioze...

Repistet jane njerez si te gjithe njerezit e tjere. Dhe vuajne nga dashuria per jeten dhe dashuria per vehten...

-Kundershtaret tuaj thone se muzika rap eshte muzike heretike, agresive, kunder ndjenjave... Eshte e vertete kjo?

Jo nuk eshte aspak e vertete. Muzike heretike? Perse? Sepse nuk biem dakord me te gjitha budalleqet dhe plehrat raciste qe na ofron per te ngrene cdo nate TV-hija. Agresive? Perse? Sepse flet per mbresat nga arrestimet qe u behen repistave dhe artistave graffitti? Po, jemi edhe agresive. Me ata qe shqetesohen nga fakti qe une jam repist, Shqiptar, Afrikan, Grek ose dicka tjeter. Atehere do bej cfare me kalon nga dora qe mos te kalosh nga lagjja ime! Keshtu eshte se keshtu duhet te jete! Kush jane me agresive ne apo policia dhe grupet e djathta ekstremiste qe na gjemojne dhe na kercenojne gjithe kohen? Kunder ndjenjave? Ai qe e thote kete duhet te jete ose trap ose satrap... Po a flasin vargjet tona per ndjenjat ose nuk flet askush! Degjoni pak Lareyn Hill, Notorius B.I.G ose 2Pac dhe pastaj flasim prape...

-Sikur te thoshin krahasoje muziken rap me dicka...

Nje autobuz qe nxe gjithe boten, gjithe racat, gjithe ngjyrat...

-Megjithate mua meben pershtypje qe ti je nje njeri qe beson tek Zoti dhe kendon rap. Per disa kjo tingellon paksa paradoksale...

Po te me pyeste ndokush "Cfare te ben te besosh tek Zoti?", do ti pergjigjesha: Eksistenca e Tij. Po te me pyesesh "Perse shkruan Rap?", do te thosha : Sepse e ndjej. Besoj se Zoti ekziston kudo!

-Vargjet e tua jane ne greqisht dhe ne shqip. Perse nuk kendon vetem shqip ose vetem greqisht. P.sh. ka grupe emigrantesh shqiptare ketu ne Greqi qe kendojne rap vetem ne shqip dhe nuk duan te kendojne ne greqisht...

Vargjet e mia jane ne Greqisht, ne Shqip edhe ne Anglisht. Une keshtu u rrita. Me shoke Shqiptare, Greke dhe popuj qe flasin Anglisht. Grupet e tjera ndoshta nuk jane rritur keshtu. Jo se eshte ndonje gje e keqe, thjesht keshtu eshte. Besoj se kam per t'ju thene gjera te gjitheve dhe jo vetem Shqiptareve...

-Ti e ndjen ndonjehere qe i perket dy boteve njekohesisht, qe je pezull mes dy boteve? Si e ke zgjidhur problemin e identitetit tend?

"Nuk na kupton askush/ na u tha loti ne sy/

nuk na duan as ketu/ nuk na duan as aty/..."

Tani qe the identiteti mu kujtua nje histori. Isha nje dite ne autobus me DogMan (nje shokun tim Afrikan nga grupi). Prapa meje degjoj nje Shqiptar qe i drejtohet shqip DogManit: "O magjyp, po ma solle doren me afer, do t'a fus me grusht"... Tani po te me pyesesh se ke dua une me shume DogMan nga Afrika apo ate gjallese qe fliste shqip, une te them pa frike DogManin.

Por njekohesisht e ndjej si detyrim moral te mbeshtes atdheun tim kur baltoset nga te tjeret, nga gojrat e disa neperkave idiote qe llomtisin tere diten rrugeve ose ne televizor. Shqiperia per mua ka nje domethenie teper te madhe, keshtu qe nuk mund te lejoj asnjeri te flase pa ditur. Nuk jam fanatik dhe as fashist por me pelqen t'i themi gjerat ashtu sic jane....

-Cfare eshte racizmi?

Sipas mendimit tim racizmi eshte civilizimi i idioteve...

-Perse behet dikush racist sipas teje?

Ka nje mije arsye pse dikush behet racist... Por une mendoj dhe e them nga eksperienca ime qe po t'a shohesh mire nje njeri qe eshte racist do zbulosh qe ai urren vehten e vet...

-Brezi i ri i emigranteve eshte i interesuar per muziken rap?

Shume fare

-Perse?

Shume e thjeshte: sepse ndjejne qe historia perseritet. Cfare ndodhi ne Amerike me AfroAmerikanet, po ndodh ne Europe dhe sidomos ne Greqi me emigrantet...

-Cili eshte rapisti qe ti adhuron me shume?

Une! Pastaj Snoop Dogg.

-Bota qe jetojme eshte e bukur apo e shemtuar?

Bota qe jetojme, eshte ashtu sic e ndertojme.

-Bota e emigranteve qe jetojne ne Greqi si eshte?

No Comment!

-Sikur neser te vije policia ne shtepi dhe te te thote: "je i paligjshem duhet te te perzeme ne Shqiperi"? Si do ndjeheshe?

Back to the home! (qesh)

-Cilat jane gjerat per te cilat e quan vehten me fat qe erdhe ne Greqi dhe cilat jane gjerat qe te kane plagosur me shume?

Para se gjithash sherimi i syrit tim! Pastaj kultura dhe njohurite qe permbledhin filozofet e lashte Helenas. Pa dyshim njoha dhe njerez qe nuk do kisha mundesine t'i njihnja ne Shqiperi. Ajo qe me ka plagosur me shume eshte racizmi. Tani me mungon vendi ku linda dhe ku kalova femijerine time...

-Permende filozofet e lashte greke... Cili eshte filozofi qe te pelqen me shume?

Aristoteli, sepse i donte poetet dhe vdiq emigrant dhe i huaj!

-Domethene?

Kam degjuar qe Aristotelin nuk e bene kurre qyetar te Athines sepse qe te beheshe qytetar i Athines duhet te kishe gjak athinjot! Keshtu Aristoteli vdiq me Leje Qendrimi... (qesh)

-Si e sheh te ardhmen tende ne Greqi?

Si ne te gjithe boten, te ndritshme!

-Do doje te shkoje ne Shqiperi te jepje nje koncert?

Sa asgje tjeter. Nese ndonje manaxher do kontaktonte me mua ose me manaxherin tim qe te organizohej dicka e tille do isha shume i kenaqur. Une po pergatis edhe disk ne gjuhen Shqipe, pikerisht duke menduar per nje koncert ne Shqiperi.

-Sikur te jepej mundesia t'i drejtoje nje mesazh bashkemoshatareve te tu emigrante shqiptare ne Greqi cfare do t'u thoshe?

Te dashur bashkemoshatare sapo nisem nje bashkepunim me grupin 2DIE4 (Mesazh per nje te huaj) qe trajton temen e indentitetit. Une tani po pergatis dy disqe. Nje ne Greqisht dhe nje ne Shqip. Ne Greqi gjendem ne BarCode Crew bashke me Lektikos Epeksergastis, TangRam, Thitis, Esco, DonG dhe te tjere, kurse per sa i perket skenes Shqiptare, kemi familjen "NgaJuguNeVeri" bashke me MJ Xhelo, I Panjohuri, 2DIE4, Krazy Girl, DarioG dhe ClowD. Priten levizje mat!

-Nuk ke frike nga megalomania?

Nga megalomania qe nuk i demton te tjeret, aspak! Don Kishoti eshte heroi im, armiqte e mi jane mullinjte me ere...

-Sikur te vinin para dilemes: zgjidh mes shpetimit te se dashures ose njerezimit, cfare do zgjidhje?

Njerezimin. Fatkeqesisht....
 

MIR SALIU

Primus registratum
Re: Interviste me nje rrepist-emigrant shqiptar ne Greqi

ASTRONAUT, Arbanin e kam njoft personalisht dhe e kam pare kur ka plagosur syrin (me kapsolle)..
 
Top