Intervistë ekskluzive e Kryetarit të FBKSH-së, Zotit Gafurr Adili
Intervistë ekskluzive e Kryetarit të FBKSH-së, Zotit Gafurr Adili për Kosovapress-in, të cilën aktualisht mund ta gjeni edhe në faqet e së përditëshmes "Epoka e re".
Kombi Shqiptar i ndarë padrejtësisht duhet dhe do të bashkohet, vetëm kështu ai mund të jetë i lirë dhe pavarur
Nëse Evropa dëshiron të ketë paqe e stabilitet dhe të jetë një Evropë e bashkuar, fillimisht kjo paqe e ky stabilitet duhet të arrihen në Ballkan, duke stimuluar shtetet etnike. Pra, konkretisht Shqipëria Etnike, Bullgaria Etnike, Greqia Etnike, por edhe Serbia Etnike. Në fakt kur i themi Serbisë, Serbia Etnike ajo e di se ku i ka kufijtë, dhe ata prandaj nxitojnë të thonë Serbia e Madhe në mënyrë që menjëherë të hedhin idenë, e cila fatkeqësisht qarkullon në mënyrë naive edhe te ne shqiptarët, pra idenë e "Shqipërisë së Madhe", këtë term fashist që nënkupton minus 30-40% të trojeve etnike shqiptare. Ne nuk kërkojmë "Shqipërinë e Madhe", sepse sikur ta kërkonin atë, atëherë ajo Shqipëri do të ishte deri në Danub, por ne kërkojmë Shqipërinë Etnike, që ne fakt është Shqipëria Reale, me shqiptarë, aty ku i thuhet bukës bukë e ujit ujë, kërkojmë tokat tona të copëtuara padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës më 1913, ka theksuar në nje intervistë për Kosovapress Mr. Gafurr Adili, kryetar i FBKSH-së.
Kosovapress: Çfarë mund të na flisni për FBKSH-në ?
Adili: Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar është bashkim forcash politike, shoqatash joqeveritare, intelektualëve atdhetarë dhe i masave të gjera popullore pa dallim krahine, feje apo ideje, por që punojnë, veprojnë dhe luftojnë për ribashkimin e kombit shqiptar në një shtet të vetëm të lirë, të pavarur dhe demokratik në Ballkan me emrin Shqipëri e Ribashkuar.
Kosovapress: A mund të na thoni kur dhe ku është themeluar FBSHK-ja ?
Adili: FBSHK është themeluar në korrik të vitit 2002 me ç’rast është mbajtur Kuvendi i saj në mënyrë legale në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, në të cilin Kuvend kanë marrë pjesë mbi 90 delegatë nga të gjitha hapësirat shqiptare, si dhe nga diaspora shqiptare. Kuvendi ka miratuar Platformën Politike dhe Statutin e FBKSH-së, si dhe gjithashtu ka zgjedhur edhe organet e tij drejtuese, si Këshillin e Përgjithshëm Drejtues dhe Kryesinë Qendrore prej 25 anëtarëve. Nga delegatët është zgjedhur edhe kryetari i Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar.
Kosovapress: Cili është dallimi mes FBKSH-së dhe AKSH-së ?
Adili: Fillimisht është një problem, sepse njerëzit nuk dallojnë se çka është FBKSH dhe çka AKSH. Pak prej njerëzve e dinë që AKSH është themeluar më herët, dhe se data e themelimit të saj është 4 tetor 1999. Që atëherë janë bërë përpjekje të mëdha që kjo AKSH, kjo strukturë ushtarake të ketë një formacion politik që do ta drejtojë atë, sepse dihet që lufta është vazhdim i politikës, por me mjete të dhunës.
Kosvapress: Kur keni vendosur që AKSH-së t'i bëni krahun politik ?
Adili: Këtë vendim e kemi marrë, sepse gjatë luftërave të mëhershme na ka munguar një organizim i tillë. Realisht te ne kanë ndodhur disa fenomene e që për mendimin tim, fenomeni i parë ka qenë, sepse organizatat ilegale kanë pasur në programet e tyre Ribashkimin Kombëtar, por derisa nuk arritëm të organizojmë formacion ushtarak ngelën në aktivitetin e tyre të propagandës. Gjatë viteve 90-ta ka pasur disa parti politike, të cilat në programet e tyre kanë pasur Ribashkimin Kombëtar, ka pasur edhe disa iniciativa të Kuvendeve mbarëkombëtare si Tetova 1, Tetova 2 dhe Kuvendi i Stambollit, të cilat në fund edhe nuk përfunduan me sukses.
Mirëpo, kur doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ajo nuk pati një strukturë politike drejtuese, por vetëm një drejtori politike. Është mëse e arsyeshme, sepse kishte dhunë dhe represion dhe UÇK-së jemi të gjithë të vetëdijshëm iu desh të futet në veprime luftarake, ndoshta të parakohshme të një lufte frontale, sepse dihet që suksesi i UÇK-së gjatë luftës guerilje ishte shumë i mirë, por dhuna dhe represioni serb e detyroi UÇK-në, të dalë në luftë frontale dhe gjatë kësaj kohe nuk pati mundësi të bëjë bashkimin e të gjitha forcave politike ne nje front politik. Gjithashtu, dihet fare mirë që në Kosovë ka pasur edhe formacione të tjera politike që kanë qenë pro luftës, si UPSUP-ja dhe parti të tjera politike, por këta nuk ishin të bashkuar dhe të unisuar, nuk kishin një Këshill Politik, që në momentet e luftës do të merrte kompetencat e Qeverisë së luftës, që do të përfaqësonte luftën si para faktorit kombëtar, ashtu edhe para atij ndërkombëtar.
UÇK-ja, në kuadër të shtabit të saj, krijoi një drejtori politike, d.m.th. krijoi një drejtori politike sikurse që kishte edhe drejtoritë e tjera si atë të logjistikës e shumë të tjera.
Duke analizuar këto rrethana, këto situata të reja, në të cilat jemi ne, pasi nuk jemi në dhunë dhe represion të vazhdueshëm siç kemi qenë gjatë asaj periudhe, tani ne shqiptarët konkretisht do të përpiqemi ta organizojmë luftën tonë për Ribashkimin Kombëtar Shqiptar në një formacion politik, me bindjen se formacioni politik do të përfshijë të gjitha formacionet politike tjera dhe të gjithë intelektualët atdhetarë, i cili në momentet e duhura do të arrijë që edhe të përballet me faktorin ndërkombëtar, paraprakisht të kërkojë zgjidhjen kombëtare të çështjes së Ribashkimit Kombëtar Shqiptar, duke u bazuar në konventat ndërkombëtare.
Kosovapress: Sa mendoni se shqiptarët punojnë në drejtim të ribashkimit kombëtar ?
Adili: Fatkeqësisht mua më vjen keq kur them që pak jemi duke punuar të gjthë ne, sidomos intelektualët shqiptarë, sepse janë konventat ndërkobëtare, të cilat secilit popull ia njohin të drejtën e vetëvendosjes. Është konventa e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së, e cila krijon një komitet special në kuadër të OKB-së dhe kjo konventë ngarkon komitetin special që të mbështesë moralisht dhe materialisht të gjitha lëvizjet çlirimtare. Pra, pikërisht këtu ne nuk kemi qenë të organizuar, ne nuk kemi ditur t'i kërkojmë komitetit të OKB-së që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së UÇK-në ta emërtojë si organizatë çlirimtare, kur dihet fare mirë që në fillim është quajtur terroriste, e shumë terme e epitete të tjera të ndryshme. Prandaj, ashtu si dikur më parë edhe tani kur trojet shqiptare dhe shqiptarët anembanë Shqipërisë Etnike, dalë nga dalë po rrëshqasin edhe më thellë në ferrin e kolonializmit sllavo-grek, tashmë edhe me bekimin e një pjese të mirë të faktorit ndërkombëtar dhe sidomos evropian, një pjesë e shqiptarëve, përfshirë këtu edhe intelektualë bëjnë sehir. Kjo është e pajustifikueshme. Megjithë këtë FBKSH dhe strukturat e saj kombëtare të organizuara po punojnë dhe do të punojnë edhe më me zell dhe më fuqishëm për ta penguar këtë mortajë, e cila një pjese të politikës aktuale shqiptare si në Tiranë, Prishtinë po ashtu dhe Shkup as i bënë përshtypje. Ata janë të zënë gjoja me politikën e "integrimeve" që në të vërtetë nuk ka të bëjë aspak me politikat integruese ballkanike as evropiane, sepse nuk mund të integrohet kështu kurrë një komb që është i ndarë në pesë shtete me mbi pesëdhjetë për qind të territoreve dhe popullit të tij të kolonizuar. Herët apo vonë shqiptarët do ta kuptojnë këtë politikë mashtruese, të cilën qarqe të caktuara ndërkombëtare po mundohen të na e servojnë nëpërmjet mashave të tyre të ngujuara në politikën aktuale shqiptare.
Kosovapress: Cilët do të jenë hapat e juaj konkret në këtë drejtim ?
Adili: Ne do të bëjmë përpjekje të arrijmë që Kombet e Bashkuara, FBKSH-në me krahun e saj ushtarak, Armatën Kombëtare Shqiptare (AKSH) ta cilësojnë, ashtu siç është, lëvizje çlirimtare, sepse në momentin që do pranohet si levizje çlirimtare, siç ka qenë rasti edhe me organizatën çlirimtare të Palestinës, ai komitet, pra OKB-ja obligohet që të përkrahë moralisht dhe materialisht levizjet çlirimtare. Pra, ne duke pasur një mbështetje të tillë si shqiptar dhe përmes apeleve, memorandumeve, faktori shqiptar ka mundësi që faktorit ndërkombëtar t'i kërkojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pazgjidhur shqiptare. Njëra prej zgjidhjeve është që ne në FBKSH e kemi potencuar dhe vazhdojmë ta potencojmë është ajo se duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin e tipit të Londrës, e tipit të ambasadorëve, sepse aty fillon edhe ndarja e trojeve shqiptare. Në këtë konferencë ndërkombëtare do të duhej të revidoheshin pa asnjë dyshim vendimet e vitit 1913 dhe e dyta popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje. Ne duhet te arrijmë gjithashtu, të mbajmë një referendum mbarëkombëtar, ku populli shqiptar do të duhej të deklarohej pro bashkimit kombëtar, ose kundër bashkimit kombëtar. Nëse mbi 50% e popullit do të deklarohej kundër bashkimit kombëtar atëherë edhe ne do te ndërprisnim aktivitetin tonë, sepse nuk guxojmë të dalim kundër vullnetit të sovranit popull, por jam mëse i bindur që po të krijoheshin kushtet që të mbahej një referendum i tillë populli shqiptar do të jetë pro bashkimit kombëtar që vjen nëpërmjet rrugës demokratike që ne e kemi të përcaktuar edhe në platformën e FBKSH-së. Vetëm atëherë shqiptarët do të realizojnë aspiratën e tyre shekullore. Vetëm kështu shqiptarët do të realizonin amanetin e dëshmorëve ndër shekuj me radhë, ashtu si edhe betimin e tri UÇK-ve për Ribashkim kombëtar shqiptar.
Kosvapress: Ku konkretisht vepron FBKSH-ja dhe AKSH-ja ?
Adili: FBKSH-ja është e ndarë në organizimin e Frontit në gjashtë zona. Në zonën 1 është Republika e Shqipërisë, apo Shqipëria Londineze (siç e quajmë ne); Zona 2 është Kosova historike, (këtu përfshihet Kosova Lindore dhe ajo Veriore); Zona 3 është Lugina e Vardarit; Zona 4 në Mal të Zi; Zona 5 Çamëria dhe Zona 6 Diaspora. Duke u nisur nga kjo formë e organizimit ne kemi deklaruar që AKSH-ja nuk vepron aty ku është uniforma shqiptare, pra AKSH-ja nuk vepron në Shqipëri, sepse është ushtria shqiptare, AKSH-ja nuk vepron në Kosovë sepse është TMK-ja dhe krahas TMK-së është edhe KFOR-i. Nuk veprojmë këtu, sepse në një shtet nuk mund të ketë dy ushtri, përveç në rastin e një ushtrie okupatore dhe një ushtrie çlirimtare. Konkretisht AKSH punon dhe vepron në trojet e Shqipërisë Etnike, aty ku çizmja e kolonizatorëve sllavë ende sundon. Ne kemi deklaruar, por kemi edhe vendime publike që AKSH-ja do të futet në veprime të drejtëpërdrejta dhe do të luftojë për ribashkim kombëtar, atëherë kur do të shteren të gjitha mjetet dhe rrugët politiko-diplomatike. Ndërsa në momentin që do të realizohet ribashkimi kombëtar do të kemi një ushtri të vetme - Ushtrinë Kombëtare Shqiptare.
Kosovapress: Në Kosovë kanë ndodhur disa fenomene si ai i paraqitjes së maskave me uniformë të AKSH-së. Ç'do të thoni ju për këtë, sepse ju edhe më parë keni deklaruar në shtyp se ata nuk i përkasin AKSH-së ?
Adili: Secili popull në gjirin e vet ka hajdutë. Edhe populli shqiptar ka matrapazë dhe hajdutë, ndërkohë dihet fare mirë se asnjë ushtri nuk grumbullon mjete. Ju e dini që edhe UÇK-ja, nuk ka grumbulluar mjete, pavarësisht që UÇK-ja nuk kishte një strukturë politike drejtuese (nuk kishte mundësi të bëhej kjo e thashë edhe më herët ), por ka pasur fondin "Vendlindja thërret" dhe me grumbullimin e mjeteve financiare për UÇK-në ka qenë i autorizuar vetëm fondi "Vendlindja thërret". Edhe UÇPMB-ja ka pasur fondin e vet, po ashtu edhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka pasur fondin "Liria kombëtare".
Në këtë kontekst janë absurde veprimet që kanë bërë dhe mund të bëjnë persona të tillë të papërgjegjshëm në Kosovë, por jo vetëm në Kosovë, të cilët manipulojnë për hesap të interesave të tyre duke vjedhur edhe me porosi të shërbimeve te huaja antishqiptare si serbe, apo dhe të tjera. Këto maska në emër të AKSH-së kanë pasur për qëllim, pos vjedhjes së paskrupullt, të godasin AKSH-në duke e kompromituar atë në sy të popullit shqiptar, sepse qëllimi i tyre dihet. Një fenomen i tillë ka ndodhur edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Jemi fare mirë të vetëdijshëm se të gjithë ata që nuk luftuan, por rreziteshin në bregdetin e Shqipërisë, në momentin kur hyri KFOR-i në Kosovë blenë uniforma dhe emblema të UÇK-së dhe u futën në Kosovë, duke grabitur popullin, dyqanet, banesat me qëllimin e vetëm që ta kompromentojnë UÇK-në.
Këta shërbëtorë të armikut me vetëdije ose pavetëdije i shërbyen armikut dhe të njëjtën vepër po e kryejnë edhe sot. Ne kemi shumë raste, sidomos kemi një rast, ku janë arrestuar tre persona të tillë nga Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH) dhe pastaj ata kanë treguar se kanë bërë punë të këqia të porositur nga shefi i policisë në Tetovë. Pra, këta hajdutë janë porositur të vishnin uniformën e AKSH-së me emblemën e saj dhe të plaçkisin e të torturojnë popullin.
Kosovapress: Në vitin 2005 parashihet fillimi i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ju si FBKSH si e mendoni zgjidhjen e statusit të Kosovës ?
Adili: Ne mendojmë që viti 2005 do të jetë një vit që në Ballkan do të ketë lëvizje të mëdha. Para se të flas për problemin e Kosovës është fenomeni i Malit të Zi. Dihet fare mirë që Mali i Zi është në një Union me Serbinë dhe në vitin e ardhshëm Mali i Zi, do të ketë edhe një referendum për shkëputje nga Serbia, pra vjen shpërbërja e Unionit Serbi-Mal i Zi. Por, neve na shqetëson fakti se në ç'situatë do të jenë shqiptarët që jetojnë nën pushtuesin malazias, do të bëjnë gabimin që bënë shqiptarët nën IRJM, sepse dihet fare mirë që politikanët shqiptarë në të gjitha hapësirat shqiptare atëherë, në vitin 1992, e përkrahën dhe e mbështetën pavarësine e IRJM-së dhe nuk e kushtëzuan atë me realizimin e të drejtave më elementare kombëtare. Ndërsa ne kemi informacione dhe bëjmë përpjekje që faktori shqiptar në Mal të Zi, partitë politike në Mal të Zi, Shoqatat dhe intelektualët shqiptarë të jenë të unifikuara gjatë procesit të shkëputjes së Malit të Zi dhe me shpalljen e sovranitetit të Malit të Zi të dinë të avancojnë në drejtim të çështjes kombëtare të tyre në këto hapësira. Ndërsa, problemi i Kosovës dihet fare mirë që deri tani vetem është folur që Kosova duhet t'i përmbushë standardet. Logjikisht jo vetëm Kosova, por unë kam bindjen që as një shtet nuk mund t'i përmbushë ato standarde, e aq më pak Kosova që institucionet e saj nuk kanë kurrfarë kompetence. Parlamenti i Kosovës, Qeveria dhe të gjitha institucionet në Kosovë nuk kanë kompetenca, kjo është parë në shumë raste. Vlen të përmendet rasti kur Kosovës iu morën 2500 hektarë tokë nga "kontrata” e Serbisë me IRJM-në, që iu dhurua kësaj të fundit. Nuk është ndonjë fatkeqësi që IRJM vazhdon të mbajë 2500 hektarë të Kosovës, sepse kjo tokë, sikurse edhe pesëdhjetë për qind e trojeve shqiptare, aktualisht pre e kolonializmit sllav në Ballkan, ka qenë dhe do të mbetet tokë e Shqipërisë Etnike dhe popullit të saj, pra, nuk është ndonjë tragjedi, por me këtë rast këtu u panë moskompetancat e Parlamentit të Kosovës, i cili miratoi një rezolutë kundër marrjes së kësaj toke, të cilën ish-administratori i Kosovës këtë vendim e hodhi në koshin e plehrave.Neve na habit dhe iriton fakti përse politika shqiptare në Kosovë deri tani nuk ka këmbëngulur që fillimisht në Kosovë të njihet statusi, që nënkupton marrjen e kompetencave institucionet vendore dhe pastaj do të kishte mundësi reale në përmbushjen e standardeve. Mesa ne kemi informacione në faktorin ndërkombëtar ekzistojnë dy opcione për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe këtë mund ta themi me plot përgjegjësi. Është opcioni evropian, i cili pretendon Kosovën protektorat, kuptohet pa Kosovën veriore, pa Kosovën Lindore, që të ketë një status special dhe të quhet tampon zonë mes Shqipërisë dhe Serbisë. Po ashtu, është edhe një opcion tjetër që qarkullon, mendohet që e përfaqësojnë SHBA-të, ku parashihet që Kosova të këtë një pavarësi (po flas përsëri Kosova protektorat) të kushtëzuar dhe kjo pavarësi e kushtëzuar nënkupton mohimin e së drejtës për t’u bashkuar me Shqipëri. Ne si FBKSH, pra Kryesia Qendrore e FBKSH-së, i kemi hedhur në diskutim në radhët e Këshillave të Frontit dhe në gjithë anëtarësinë tonë të gjitha këto opcione dhe do të prononcohemi përpara vitit 2005, ku do të dalim me një qëndrim, por jam mëse i bindur që ne nuk do të pranojmë asnjë opcion, sepse Fronti do të përkrahë si rrugë të parë ribashkimin kombëtar. Ne nuk jemi parti, por Lëvizje politike dhe si Front nuk jemi për opcione të tilla me prerogativa të çthurjes së mëtejshme të kombit shqiptar dhe tërësisë së tij territoriale dhe historike, sepse atëhere nuk do të quheshim FRONT PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR, por do të quheshim me të drejtë Fronti për opcione.
Kosovapress: Po cili është opcioni juaj i pranueshëm ?
Adili: Ne kemi kërkuar përmes një apeli në janar të këtij viti që për t’u zgjidhur problemet në Ballkan të organizohet një konferencë ndërkobëtare. Kemi deklaruar edhe përmes intervistave edhe gjatë proceseve gjygjësore, por edhe gjatë takimeve që kemi pasur me faktorin ndërkombëtar. Pikërisht ne kërkojmë Ribashkimin Kombëtar Shqiptar, pikërisht ne themi se paqja në Ballkan sigurohet vetëm me krijimin e shteteve etnike dhe të gjithë ata që dëshirojnë edhe në të ardhmen që Ballkani ende të quhet dhe te mbetet "fuqi baroti", nuk janë paqedashës. Pikërisht këtu qëndron ajo pika esenciale dhe dalluese në mes atyre që duan Ballkanin të jetë vatër e luftës dhe sa herë që t’u dojë qejfi ta ndezin flakë, dhe ne shqiptarëve dhe FBKSH-së, që Ballkanin e duam të jetë njeherë e përgjithmonë në paqe, stabilitet, sepse në këtë rast edhe Evropa do të ketë paqe e stabilitet dhe do të jetë një Evropë me të vërtetë e bashkuar. Por, fillimisht kjo paqe e ky stabilitet mund dhe duhet të ndërtohet në Ballkan, duke stimuluar shtetet etnike. Pra, konkretisht Shqipëria Etnike, Bullgaria Etnike, Greqia Etnike edhe Serbia Etnike. Në fakt kur i themi Serbisë, Serbia Etnike ajo e di se ku i ka kufijtë, dhe prandaj ata nxitojnë të thonë Serbia e madhe, në mënyrë që menjëherë të hedhin idenë, e cila fatkeqësisht qarkullon në mënyrë naive edhe te ne shqiptarët, pra idenë e "Shqipërisë së Madhe," këtë term fashist që nënkupton minus 30-40% të trojeve etnike shqiptare. Ne nuk kërkojmë "Shqipërinë e Madhe," sepse sikur ta kërkonin atë atëherë ajo Shqipëri do të shtrihej deri në Danub. Ne kërkojmë Shqipërinë Etnike, që është SHQIPËRIA REALE, aty ku bukës i thuhet bukë e ujit-ujë, kërkojmë tokat e coptuara padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës më 1913.
Kosovapress: Përderisa ju keni një strukturë ushtarake që nuk vepron në Kosovë dhe nuk bëni akte kundërnjerëzore, pse disa njerëz arrestohen nga UNMIK-u, KFOR-i në emër të AKSH-së edhe pse në të gjtha proceset gjyqësore nuk është vërtetuar fajësia e tyre, çka mund të thoni ju për këtë ?
Adili: Për mendimin tim jo vetëm në Kosovë, por edhe në IRMJ, arrestohen të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk pajtohen me gjendjen ekzistuese. Pra jemi dëshmitarë që arrestohen edhe ushtarë të UÇK-së. Rasti më unikat është edhe arrestimi i Fatmir Limajt dhe dërgimi i tij në Hagë. Të barazosh çlirimtarin Fatmir Limaj që u detyrua të marre pushkën për të mbrojtur familjen dhe popullin e tij nga politika hegjemoniste dhe militarizmi sllav (drejtuar qoftë nga krimineli Millosheviq dhe shumë të tjerë, sepse nuk është vetëm ai krimineli), nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, e cila na proklamohet ne shqiptarëve nga faktori ndërkombëtar. Këtë ne ua kemi thënë edhe përfaqësuesve të Havier Solanës, por edhe shumë delegacioneve të huaja. Unë Fatmir Limajn nuk kam pasur fatin ta njoh, por e konsideroj bashkëluftëtar, sepse këtë e ka dëshmuar në luftë dhe pas luftës në Kosovë. Po ashtu edhe burgjet në IRMJ janë të mbushura plot e përplot me djemë, të cilët kanë qenë ushtar të UÇK-së, të cilët në një moment mund të thonë jemi me AKSH-në dhe mund të jenë edhe në FBKSH. Pra, faktorin ndërkombëtar, me atë sllav i unison fakti, sepse mbushin burgjet që të friksojë rininë shqiptare. Mirëpo, me plot përgjegjësi ju them se po gabohen rëndë, sepse ne FBKSH-ja jemi Front politik dhe në qoftë se pas këtyre luftërave nuk kemi fituar në aspektin politiko-juridik, pra sepse nuk arritëm qëllimin për të cilin luftuam dhe derdhëm gjak, shqiptarët kanë fituar dy gjëra shumë madhore, kanë vrarë frikën dhe është lartësuar trimëria shqiptare, ndërsa atdhedashuria kurrë nuk i ka munguar shqiptarit, pavarësisht se ç’mund të përrallisin si dikur edhe tani ca "politikanë" e "liderë" odash të vjetra apo të rinjë qofshin ata. Me këto metoda që përdorë faktori ndërkombëtar në bashkëveprim dhe koordinim me serbosllavo-maqedono-malazezët duke i mbushur burgjet me shqiptarë, si në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po ashtu ne Kosovën protektorat dhe në IRMJ, duhet të dinë, sidomos faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë i vetëdijshëm, se çdo dhunë dhe represion do të ngrejë edhe më lart vetëdijen kombëtare. Në shumë takime me ndërkombëtarët FBKSH ka theksuar vitin 1992, kur Kosova shpalli pavarësinë, përmes formës më demokratike referendumit. Kosova nuk gëzon pavarësinë, të cilën e shpalli me referendum popullor, pastaj Lugina e Preshevës, apo Anamorava nuk e ka autonominë me të drejtë bashkimi me Kosovën, shqiptarët në IRMJ gjithashtu nuk gëzojnë kurrfarë autonomie në asnjë aspekt. Në kohën kur populli shqiptar nuk gëzon pavarësinë e tij edhe pas luftërave çlirimtare që zhvilloi ai, madje faktori ndërkombëtar as që e ka në plan këtë gjë, sepse Rezoluta 1244 po shkelet nga vetë ata. Sipas kësaj rezolute faktorit ndërkombëtar në kohën që po ju konvenon Rezoluta 1244 që shqiptarët të mos kenë kompetenca ua mbanë atë si aureolë mbi kokë, ndërsa në anën tjetër vetë e ka shkelur këtë rezolutë, sepse Rezoluta 1244 e njeh integritetin e teritorit të Kosovës, kurse sot mbi 30% e territorit të Kosovës nuk administrohet nga KFOR-i dhe UNMIK-u, por është i pushtuar nga Serbia. Është më tepër se abnormale dhe e neveritëshme të insisitohet edhe më tej t’i hidhet hi në sy popullit shqiptar se kështu do të realizohej pavarësia e Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare nga kolonializmi sllav. Edhe më i neveritshëm është insistimi banal i liderëve aktualë në skenën politike shqiptare në këtë politikë thellësisht mashtruese, si në Shqipërinë Londineze, Kosovë e IRMJ, sepse siç i thuhet një fjalë: "…fshati që duket kallauz nuk do…"
Kosovapress: Gjykata e Tiranës ju ka liruar si të pafajshëm, mendoni se është bërë legjimitet për veprimtarinë tuaj ?
Adili: Mua më ka ardhur keq kur jemi arrestuar dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë kanë thënë: "Ja, Shqipëria po na arreston ajo nuk do bashkimin kombëtar," sepse ne shqiptarët në të shumtën e rasteve nuk bëjmë dallimin në mes shtetit dhe qeverisë dhe popullit. Ne si popull duhet të jemi mëse të sigurt që qeveritë shkojnë e vijnë, ata ndërrohen si kuajtë e karrocës, ndërsa Shqipëria dhe populli i saj do të dijë të vlerësojë punën e atyre që sakrifikojnë për të.
Ne e kemi respektuar shtetin shqiptar dhe e respektojmë edhe sot. Ne mund të konfrontohemi me politikën shqiptare, Qeverinë shqiptare dhe jemi konfrontuar dhe do të konfrontohemi, përderisa Qeveria shqiptare nuk merrë guximin të zbatojë Kushtetutën e Shqipërisë dhe përderisa Qeveria shqiptare shkelë Kushtetutën e Shqipërisë, sepse në kushtetutën e saj në preambulën e saj të parë theksohet aspirata shekullore e popullit shqiptar për indentitet dhe bashkim kombëtar.
Kemi thënë publikisht që Qeveria shqiptare është servile dhe ky servilizëm është parë mirë me rastin e mosmiratimit në parlament të rezolutës për Çamërinë dhe e dimë shumë saktë që vetëm përmes një telefonate kërcënuese të Nikollas Geixh-it (emri i vërtetë i të cilit është Nikos Gaxojanis), se "nëse ju do të miratoni rezolutën për Çamërinë, ne do t'i largojmë gjithë shqiptaret që janë në Greqi," është mbyllur me turp kapitulli i popullit shqiptar të krahinës së Çamërisë që ende është i hapur dhe do zgjidhje të drejtë. Jo rastësisht nuk shkuan atë ditë në parlament 4 deputetë, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Fatos Nano dhe Ilir Meta dhe jorastësisht shtrohet pyetja se këta kanë qenë ndër liderët e viteve 90-ta. Pra, me Qeverinë shqiptare ne kemi dashur të kemi raporte të mira dhe dëshirojmë të kemi raporte të mira, por nëqoftëse kjo qeveri do t’u shërbejë sllavëve, të cilëve sa herë atyre t’u teket duan të fusin përçarjen ndërshqiptare, ndër të cilat ishte edhe rasti kur u shkrua se gjoja AKSH-ja i ka bërë atentat Fatos Nanos.
Ne kemi thënë që AKSH-ja nuk ka plumba për shqiptarët dhe ajo ishte një shpifje tipike e sllavo-maqedonëve, të cilët dëshirojnë që neve të na konfrontojnë, pra FBKSH-në, me Qeverinë shqiptare, me partitë politike, pra me një fjalë të realizojnë përçarjen ndërshqiptare aq të dëshiruar nga ta. I tillë ishte edhe arrestimi ynë, por ne kemi deklaruar se ua falim, sepse kemi një mision shumë madhorë perpara dhe nuk ka rëndësi se çka më ndodh mua, apo ndonjërit prej anëtarëve të Frontit. E rëndësishme është dhe ne kemi kërkuar që politika shqiptare dhe konkretisht Qeveria shqiptare, të mos bien nën ndikimin, apo lojërat e pushtuesve sllavë, qofshin këta serb, sllavo-maqedonas, malazez apo grek.
Te rasti konkret ne kemi bindjen që edhe në këtë rast drejtësia shqiptare do të tregohet e denjë, në qoftë se vërtet do të ruajë pavarësinë siç e ka ruajtur te rasti ynë, sepse përderisa është një akuzë e njëjtë që edhe në fjalën time mbrojtëse në gjyq kam thënë, se nuk ka as edhe një fakt të vetëm, ku ne te kemi nxitur urrejtje nacionale, por është mëse e vërtetë që unë jam nacionalist dhe të gjithë anëtarët e Frontit janë nacionalistë shqiptarë e jo nacionalisto-shoviniste, sepse pa qenë nacionalist nuk mund të ishim internacionalist. Unë pa e dashur popullim tim nuk mund ta dua popullin tjetër, pra fillimisht dëshiroj që populli im të jetë i lirë dhe i bashkuar në një shtet sovran e demokratik shqiptar, sepse jemi populli i vetëm në botë, shteti i të cilit kufizohet me pupullin dhe trojet e veta etnike dhe historike. Le të tregohet një rast tjetër që mund të ketë në botë, ku një shtet kufizohet me popullin dhe trojet e veta etnike. E drejta e vetvendosjes iu përket të gjithë popujve në botë, përse nuk i përket edhe populli shqiptar? Përse kjo e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, e drejtë demokratike nuk i mundësohet popullit shqiptar? Ne kemi kërkuar bashkimin kombëtar, por nuk kemi nxitur urrejtje dhe në qoftë se dikush mendon se të kërkosh bashkimin kombëtar është urrejtje, ekstremizëm, ultranacionalizëm ata e kanë gabim. Pikërisht ata të cilët mbajnë të pushtuar popullin shqiptar, zhvillojnë terror mbi të dhe e shfrytëzojnë mizorisht. Populli shqiptar në trojet e tij vazhdon të jetë i kolonizuar nga pushtuesit sllavë e grekë, në kohën kur kolonitë kanë përfunduar tashmë edhe në Afrikën e Jugut.
Kosovapress: Ju keni bërë një platformë për bashkimin kombëtar dhe punoni në këtë drejtim, mirëpo sa jeni të përkrahur nga intelektualët, akademikët që vendet tjera kanë treguar një bashkëpunim të tillë. Pra, sa janë inkuadruar dhe janë duke dhënë kontribut kjo shtresë e shoqërisë për platformën tuaj ?
Adili: Ne shqiptarët kemi dy Akademi, një të Tiranës dhe një të Prishtinës. Fatkeqësisht këto dy akademi po flejnë dhe për mendimin tim është turp për të dyja akademitë qoftë të Tiranës, apo të Prishtinës kur nuk bëjnë punën që u takon dhe për të cilët ka investuar aq shumë vetë populli shqiptar. Dihet fare mirë që Akademia e Shkencave Serbe, por edhe e shteteve të botës janë truri i politikës, kurse te ne fatkeqësisht akademikët kanë mbetur në bisht të ngjarjeve.
Ne kemi ftuar akademitë, sepse me FBKSH-në gjejnë veten anëtarë intelektualë, profesorë e doktorë shkencash atdhetare të shquar. Për t’u bindur në lidhje me këtë mjafton të shikoni shkrimet e shumta që botohen e publikohen nëpër faqet e organeve zyrtare të FBKSH-së, si ato të gazetës "Ribashkimi i Shqipërisë", e cila po punohet, redaktohet dhe shtypet në territoret e Shqipërisë Etnike, ashtu edhe të Web-faqes (www.shqiperiaebashkuar.org) zyrtare informativo-politike të strukturave të organizuara kombëtare të FBKSH-së. Ne kemi kërkuar që akademitë tona të jenë jo në Front, por të ishin truri për Bashkim Kombëtar shqiptar. Unë kam pasur takime me akademikë dhe iu kam thënë se unë jam politikan dhe pse duhet unë të merrem me platformën, pse këtë platformë nuk e keni bërë ju akademitë e shkencave?!
Megjithkëtë ne kemi bërë platformën dhe kemi porositur dhe udhëzojmë gjithnjë këshillat e Frontit që FBKSH-ja, duhet t'i hapi dyert për intelegjencën e re. Kam krijuar bindjen time personale që intelektualëve shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, fatkeqësisht iu mungon guximi qytetar, guxim që iu ka munguar edhe më parë iu mungon edhe sot.
Mbaj mend në vitin 80 në dhjetëvjetorin e Universitetit të Prishtinës, UP-ja numëronte 380 doktora shkencash dhe 400 magjistra dhe nga të gjithë këta intelektual vetëm Ukshin Hoti u prononcua në mbështetje të demonstratave, të gjithë të tjerët ruanin rrogat e tyre të majme. Pra, intelegjenca shqiptare në ish-Jugosllavi është përkundur në djepin e titizmit, kurse intelegjenca shqiptare në Shqipëri është përkundër në djepin e enverizmit.
Mua më shqetson fakti se Akademia e shkencave të Tiranës nuk u prononcua, pra nuk doli publikisht dhe pse Parlamenti i Shqipërisë nuk miratoi rezolutën për problemin e Çamërinë. Rezoluta nuk do ta zgjidhte problemin çam, ajo do të ishte në nderin e parlamentit të Shqipërisë që të dilnin me një rezolutë ashtu si dikur dilnin me rezolutën për Kosovën.
Kosovapress: Cili është qëndrimi juaj në lidhje me qëndrimin e fundit të Stejt Departamentit amerikan, i cili në një mënyrë e determinon AKSH-në si ultranacionaliste?
Adili: Po, fatkeqësisht në këtë qëndrim aspak parimor dhe aspak real kanë ndikuar jo vetëm kisha dhe politika ekspansioniste serbe, por edhe liderë, politikanë e pushtetarë shqiptarë, të cilët për hesape të tyre personale e karrieriste dhe aspak kombëtare udhëtojnë në SHBA, Evropë e gjetiu, më shumë për të shpifur për forcat atdhetare të ribashkimit kombëtar se sa për t’i shërbyer kombit të tyre. Ne kemi të dhëna të sakta për ca liderë aktualë në skenën politike shqiptare si nga Shqipëria Londineze, Kosova e IRMJ-ja, të cilët kohëve të fundit kanë rastin të takojnë institucionet e lartpërmendura ndërkombëtare, që në bisedat e tyre më shumë shqetësuese janë forcat atdhetare që punojnë dhe aspirojnë ribashkimin kombëtar se sa vetë kolonializmi sllav mbi Shqipërine Etnike. Kjo vepër e tyre është jo vetëm e turpshme dhe antikombëtare, por si e tillë e patolerueshme.
Këtij qëndrimi të pasaktë amerikan dhe gjithë atyre liderëve shqiptarë që kanë kontribuar në të, duke u bërë në këtë aspekt me politikën dhe propagandën e zezë të kishës serbe, ne iu kemi përgjigjur në Memorandumin e 31 korrikut të këtij viti drejtuar ekskluzivisht Stejt Departamentit amerikan, në të cilin kemi theksuar se Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar është bashkim demokratik forcash politike atdhetare, i cili angazhohet, punon e vepron në mbrojte të interesave të popullit shqiptar, ndërsa AKSH nuk është as ekstremiste dhe as ultranacionaliste siç pretendon ta determinojë politika kolonialiste sllavo-greke dhe nëna e tyre Rusi me miqtë e tyre historikë, por AKSH është pjesa më vitale e kombit shqiptar që lufton dhe aspiron ribashkimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një shtet të vetem të lirë, të pavarur dhe demokratik në Ballkan. Ky memorandum u është shpërndarë si njoftim edhe Parlamentit, presidentit dhe Qeverisë së Republikes së Shqipërisë, po ashtu Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës dhe gjithë masmediave te shkruara dhe elektronike, dhe aktualisht mund ta gjeni në Web-faqen zyrtare informativo-politike te struktuarave të organizuara të FBKSH-së.
Kosovapress: Diçka për fund z. Adili?
Adili: Unë falënderoj Agjencinë e Lajmeve Kosovapress që ka qenë e respektuar dhe duhet të jetë e respektuar nga i gjithë opinioni kombëtar shqiptar, sepse është krijuar në momente historike dhe njëherit është agjenci e pavarur dhe kombëtare.
Prishtinë, 20 gusht (Kosovapress) Time: 14 : 30/ intervista është bërë përmes postës elektronike/