Histori te emigranteve

juxhoxhjaj

Primus registratum
Histori te emigranteve

Shume here kur jam takuar me e emigrant shqiptar nga cdo vend i botes te gjithe tregonin nga nje histori sa e dhimbshme por edhe interesante ku here pershkruanin rrugen drejt perendimit ose ngjarje qe u kane ndodhur atje,ju ftoj te shkruani dhe ju.



kjo eshte nje histori nga nje emigrant afrikan qe me pelqeu edhe po e postoj,eshte marre nga gazeta-shqip.com ,kjo eshte shume here me ndryshe pasi ndryshon nje i ri nga familje evropiane(shqiperia) dhe me nje afrikan.


Dëshiroj t‘ju tregoj historinë time, por nuk dua t‘ju tregoj emrin tim. Njerëzit thonë se kjo është jetë qeni, ndaj nëse doni mund të më thërrisni "Qen". Vij nga Afrika, por nuk dua të them se nga cili vend. Babai u nda nga nëna ime kur isha fare i vogël, ndaj nuk e mbaj mend mirë, sepse ai kurrë nuk u kujdes për mua. Mamaja u përpoq të më jepte më të mirën. Ajo punonte si shitëse frutash në një supermarket, por prapë ishim shumë të varfër. Në Afrikë nëse nuk ke para nuk mund të shkosh në shkollë, kështu që unë nuk shkova kurrë, nuk mësova kurrë të shkruaj apo lexoj. Kur isha i vogël, mamasë sime shpesh i duhej të largohej për shumë kohë nga shtëpia, ndërsa mua më linte te disa të afërmit tanë që nuk më trajtonin mirë. Madje nuk më jepnin as për të ngrënë. M‘u desh të lypja në rrugë qëkur isha vetëm pesë a gjashtë vjeç. Më dukej sikur ishte shkruar që në fillin se duhej të vuaja gjithë jetën ose ndoshta Zoti donte të më përgatiste për atë që mund të më ndodhte më vonë. Në fakt, nga njëra anë e ndiej veten me fat, sepse mamaja ime ishte një grua e shkëlqyer. Më deshi, më qëndroi pranë gjithmonë dhe më mësoi vetëm gjërat e mira të jetës: puno shumë, mos vidh dhe beso në Zot. Por, një ditë ajo nuk u kthye më. Nuk lashë vend pa pyetur dhe kërkuar, ndërsa të afërmit e mi nuk më treguan për një kohë të gjatë se çfarë i kishte ndodhur. Në fund, në ditën më të trishtuar të jetës sime më thanë se kishte vdekur. Isha vetëm dhjetë vjeç. Edhe pse nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite, nuk ia di akoma varrin apo se kush pagoi për funeralin e saj. Ngela vetëm. Vendosa të rrija te të afërmit e mi, ndërsa për të jetuar më duhej të lypja. Një ditë, ndërsa kisha dalë në rrugë si zakonisht, në vendin ku rrija përditë nga mëngjesi e deri në mbrëmje, një burrë më kërkoi që të shkoja të blija diçka për të. Ishte një burrë i zi, francez, jo afrikan dhe pas mësova se ishte një biznesmen francez. Me një zë të ëmbël më pyeti se përse nuk kisha shkuar në shkollë, ndërsa unë i tregova gjithë historinë. Pas kësaj, sa herë që vinte në vendin tim mundohej të më gjente punë të lehta. U bë vërtet një mik për mua. Kishin kaluar rreth dy vjet nga miqësia jonë, kur një ditë më tha: "Ti je një fëmijë i zgjuar, që duhet të shkosh në shkollë. Do të çoj unë në shkollë. Do të marr me vete në Evropë". Nuk kisha më asgjë në vendin tim, kështu që vendosa të shkoja me të në Evropë. Nuk e mora vesh kurrë se si arriti t‘i bënte dokumentet për të më marrë me vete. Nuk kam pasur asnjëherë asgjë timen aty. E mendoj shpesh dhe them se ndoshta ka thënë se isha djali i tij. Sidoqoftë, nuk patëm asnjë problem. Shkova në Francë, në Paris. Biznesmeni më çoi te shtëpia e një mikut të tij që quhej Paul. Ishte vetëm një dhomë e vogël, me një krevat dhe televizor, ndaj më duhej të flija në dysheme. Në krevat flija vetëm kur Paul nuk ishte aty. Që prej asaj kohe, biznesmeni vinte shpesh të na vizitonte. Një ditë e pyeta se kur do të nisja shkollën, se kur do të nisja punën, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Ndoshta e kishte të vështirë t‘i bënte dokumentet e mia. Fatkeqësisht në Evropë duhet të bësh dokumente për çdo gjë. Vendosa të qëndroja në shtëpinë e Paulit. Kujdesesha për të, punoja si shërbëtor dhe ai më jepte ushqim e veshje, por jo para. Shpesh shkoja nëpër kafenetë poshtë shtëpisë dhe u kërkoja njerëzve të më jepnin ndonjë para. Kishte edhe nga ata që u vinte keq dhe më jepnin ndonjë qindarkë, me të cilat blija ndonjë gjë të mirë për të ngrënë. Zakonisht njerëzit më thoshin se i mësoja shumë shpejt gjërat, por në Francë nuk ndodhi kështu. Edhe pse ndenja goxha vite aty nuk mësova të flisja frëngjisht mirë. Nuk e di përse, ndoshta ngaqë isha i trembur. Francezët janë popull shumë krenar për gjuhën e tyre dhe nëse dikush nuk e flet mirë e kanë shumë të vështirë për t‘u hyrë në zemër. Kaluan disa vite dhe biznesmeni nuk po vinte më të na takonte. Edhe Paul nuk dëshironte të më mbante më. Një ditë më tregoi se i duhej të largohej nga Parisi dhe se unë nuk mund të shkoja me të. Vendosa të qëndroja vetëm në dhomën e tij. Vetëm disa ditë më vonë erdhi dikush që filloi të më bënte një sërë pyetjesh se kush isha apo me kë jetoja? U largova nga ajo dhomë për të mos u kthyer më kurrë. Isha vetëm 16 vjeç. Në vitet e tjera që pasuan m‘u desh të endesha dhe të jetoja nëpër rrugë, në Paris dhe qytete të tjera evropiane. Lypja që të mund të ushqehesha, ndërsa për t‘u larë dhe pastruar as që bëhej fjalë. Flija nëpër stacionet e autobusit ose në diskot ku hyrja ishte e lirë pas mesnatës. Megjithatë, kujtoja çdo ditë nënën time: nuk bëra kurrë asnjë krim. Ndonjëherë pija alkool, e kisha të nevojshme të pija, por nuk kam pirë kurrë drogë. Nuk jam ai lloj njeriu. Atëherë isha rreth 20 vjeç. E ndieja që jeta po më ikte pa e kuptuar, ndaj nuk doja të jetoja më rrugëve. Më duhej të përgatisja një plan për jetën time. Vendosa të shkoja në Angli, sepse gjuhën e kisha mësuar mirë. Më pëlqenin anglezët që kisha takuar, më pëlqente shumë edhe futbolli i tyre. Ah, meqë ra fjala, mendoj se skuadra më e mirë në botë është Mançester Junajtid. Vendosa të flisja me disa miqtë e mi, që më treguan se Anglia nuk ishte si vendet e tjera të kontinentit dhe se më duheshin dokumentet për të shkuar atje. Po ashtu, ata më thanë se mundësitë për të gjetur një punë atje ishin më të mira. Në të vërtetë, më ndihmuan, më dhanë një pasaportë holandeze dhe një biletë avioni. Ndalesa e parë ishte në Belfast. Policia e kuptoi se në atë kartë identiteti nuk ishte fotografia ime. U tregova se kërkoja azil politik, ndërsa ata m‘u përgjigjën se nuk mund të merrja azil në Mbretërinë e Bashkuar. Më futën në burg për katër ditë, pastaj më kthyen sërish në Holandë. I tregova mikut tim se çfarë kishte ndodhur. Më dha një kartë të re identiteti dhe një biletë të re, por kësaj radhe treni. Këtë herë nuk pata asnjë problem. Oficerët britanikë të emigracionit kontrolluan kartën time të identitetit në tren dhe më thanë: Udhëtim të mbarë, ndërsa unë u përgjigja me një frymë: Faleminderit. Ishte pikërisht kjo hera e fundit që bëra një bisedë të këndshme për emigracionin. Ah! Kur treni ndaloi pyeta disa njerëz përreth se ku ndodheshim. Jemi në Londër më thanë. Nuk kishte lumturi më të madhe. Nuk kërkova azil politik, sepse në Belfast më thanë se nuk mund të më jepnin. Në fakt nuk doja azil, doja vetëm të punoja dhe kaq. Kësaj radhe misioni im nuk ishte të rrija sërish rrugëve, por të mbështesja vetveten, të mbijetoja. Nuk humba kohë dhe shkova në një agjenci për të kërkuar punë. Ishte e vërtetë, Anglia të ofronte një shumëllojshmëri punësh. Por, edhe unë jam një djalë punëtor, kudo që kam punuar të gjithë më kanë dashur dhe respektuar. Nuk kishin kaluar veçse pak javë kur kjo agjenci më ofroi një punë dhe kohë të plotë. Nuk duhej të flija më në karrige. Mora një shtëpi me qira dhe për herë të parë kisha mundësi të flija në krevatin tim. Pikërisht kështu, për herë të parë në jetën time po jetoja në një shtëpi timen. Tani çdo gjë që kisha ishte vetëm e imja. Tani mund të kisha një punë të vërtetë. Vendosa ta pranoja, sepse nëse do të thosha jo mund të humbisja gjithçka. Mora parasysh rrezikun. Dhashë kartën time të identitetit në qendrën e punës, ndërsa ata më kërkuan edhe një "NI number" (National Number). Më thanë se duhej të kthehesha pas një jave. Shkova shtatë ditë më vonë, por sërish asgjë. Katër muaj rresht shkoja vazhdimisht, por ata më thoshin se ishin duke hetuar dhe verifikuar kartën time të identitetit. Megjithatë punoja çdo ditë, ndonjëherë edhe jashtë orarit. Blija gjëra të mira, gjëra cilësore dhe për herë të parë kisha mundësi të shijoja jetën. Kisha mundësi t‘i paguaja të gjitha llogaritë e mia, qiranë, nevojat personale, taksat e gjithçka. Taksa e bashkisë ishte një "copë e majmë" për mua, megjithatë nuk pata asnjë problem. Isha i kënaqur që e paguaja, madje krenar. I paguaja të gjitha faturat dhe nuk i mora kurrë borxh askujt. Isha i bindur se nuk po bëja asgjë të gabuar. Më në fund caktova një takim për të marrë numrin tim të regjistrimit. Shokët më thanë të mos shkoja, sepse ndoshta do të më arrestonin për punë të zezë. Nuk u besova. Nuk mendova se ajo që po bëja ishte diçka e gabuar. Nuk u largova dhe prita me qetësi ditën që më kishin caktuar takimin. Pikërisht atë mëngjes policët erdhën dhe më arrestuan. Më akuzuan për mashtrim, duke me akuzuar njëkohësisht se kjo që kisha bërë quhej krim.

Nga ajo ditë u quajta kriminel. Por çfarë kisha bërë? Unë nuk kisha lënduar dhe vrarë askënd. Thjesht kisha punuar për të mbijetuar. Por policia më thoshte se kisha bërë krim. Oficerët e policisë që merreshin me çështjet e emigracionit erdhën dhe më morën në intervistë. Pikërisht njëri prej tyre më tha se mund të prisja në shtëpi deri në ditën që do më caktohej gjyqi, ndaj vendosa të mos largohesha. Isha i bindur se nuk kisha bërë asgjë. Ndenja në shtëpi 6 javë pa shkuar në punë. Isha me fat që e kisha paguar padronin një muaj në avancë. Kur ia thashë këtë gjë oficerit ai u çudit. " Ti je një djalë shumë i mirë. Nuk kam parë njeri si ty. Të kërkova të mos largoheshe dhe ti nuk e bërë. Kërkon me çdo forcë të tregosh se nuk ke bërë asgjë të keqe", më tha. Pas procesit gjyqësor më dënuan me 12 muaj burg. Ishte vërtet diçka shumë e vështirë për t‘u pranuar. Nuk më pëlqen burgu (besoj se askujt nuk i pëlqen). Ai arrin të fshijë kujtimet, por unë e njoh mirë veten, nuk jam kriminel. Megjithatë më duhej të bindesha. Nuk bëra kurrë sherre dhe nuk u ngatërrova kurrë në trazira. Mëngjeseve shkoja në shkollë, studioja anglisht dhe kompjuter, ndërsa pasditeve punoja, paketoja mallra dhe i ngarkoja nëpër makina. Kur përfundova burgun kisha fituar 300 paund. Kisha punuar shumë. Oficerët më pëlqenin shumë, ndaj dhe më trajtuan mirë. Ndoshta e kuptuan se nuk isha kriminel. Kur isha në burg, erdhi një grua nga Croydon dhe më tha që të kërkoja azil politik. Iu përgjigja: "Është e sigurt që ju nuk do të ma jepni, kështu që pse humbni kohë kot me mua?" Por gruaja simpatike më tha se kjo ishte procedura që duhej ndjekur. Kështu që u binda. Dhashë intervista të tjera. Gjithmonë intervista, intervista, intervista, aq sa iu betova Zotit se nuk do të jepja më asnjë të tillë në jetën time. Kisha bërë gjashtë muaj dhe autoritetet vendosën që të më ulnin dënimin me gjashtë muaj për shkak të sjelljes së mirë. Gjykimi im kishte përfunduar. Erdhi dita kur do të më lironin. E kujtoj gjithmonë se sa shumë kam qarë atë ditë. Kur shkova te porta disa gardianë me trup prej gjiganti më thanë: "Jo. Nga Ministria e Brendshme sapo erdhi urdhri se duhet të kthehesh sërish". I pyeta përse. Ata nuk më treguan, por më vonë e kuptova se kjo kishte ndodhur, pasi në qendrën e refugjatëve nuk kishte asnjë vend të lirë. Kujt i duhej kjo, Ministrisë së Brendshme apo mua? Kujt i shërbenin edhe gjashtë muaj të tjerë në burg, Ministrisë së Brendshme apo mua? Pas një muaji më dërguan atje. Në të vërtetë ishte pak më mirë se në burg. Të paktën aty mund të bëje telefonata, mund të dilje edhe xhiro jashtë. Por jo gjithçka ishte aq e mirë sa dukej. Nuk mund të bëja para si në burg, madje më morën dhe ato që kisha. Një kartë telefoni kushtonte rreth 3.50 paund, ndërsa ata të merrnin 5. Telefonatat me celulë jashtë kushtonin 15 paund, ndërsa aty të merrnin 30-të. Shpesh pyesja veten se cili ishte ndryshimi mes një qendër refugjatësh dhe burgut? Në të vërtetë nuk ekzistonte. Njerëzit edhe aty monitoroheshin, vendosnin për ne, merrnin gjithçka, fotografitë, shenjat e gishtave, ADN-në dhe pavarësinë. Nuk kishe asgjë tënden aty. Madje, disa nga policët këtu ishin më të këqij se në burg. Megjithatë, disa ishin të mirë, të sjellshëm dhe u përpoqën të më trajtonin mirë, ndryshe nga disa të tjerë që na trajtonin keq dhe na thoshin se ishim kafshë. Ne ishim të gjithë të huaj aty dhe britanikët nuk i pëlqejnë të huajt. Nëse ju jeni ilegalë, ju nuk mund të konsideroheni si qenie njerëzore në Britani. Pikërisht këtu qëndronte problemi. Qëndrova në qendrën e refugjatëve për gjashtë muaj dhe për çdo muaj merrja njoftime nga zyra e emigracionit. Gjatë gjithë kohës prisja me padurim për dokumentet. Ajo që ndryshonte ishte data. U bëra si i çmendur, të gjithë aty ishim bërë si të çmendur. Në atë qendër nuk i dihet kurrë, se sa mund të rrish, ndoshta edhe mund të vdesësh aty...
 
Top