Gjuha e ilirëve

Albforumi

Primus registratum
Gjuha e ilirëve

Është për të ardhur keq, që ne kemi njoftime shumë të pakta mbi gjuhën e ilirëve. Por fatmirësisht këto kohët e fundit janë bërë vrojtime, të cilat na kanë hedhur paksa dritë mbi gjuhën dhe karakterin popullor, e që pastaj ato na japin shpresë, se paskëtaj do të mund të nxjerrim përfundime më të plota.

Gjuhën ilire, sikurse edhe trakishten nuk e mirrnin vesh grekët; por ajo qe një gjuhë indoevropiane, sikurse janë trakishtja, keltishtja, greqishtja, latinishtja, gjermanishtja, sllavishtja e baltishtja. Duke marrë parasysh madhësinë e vendit; format e ndryshme të tij, vështirësitë e udhëtimit; duke marrë në kujdes se ilirët pjesërisht mbetën të pa përçarë, e pjesërisht u përzien me trakasit e me keltët, kuptohet lehtazi, se edhe ilirishtja ka pasur dialekte të ndryshëm, e se ilirët gjuhësisht kanë pasur ndryshime jo të vogla në Alpet lindore (në Tirol, Stiri, etj) në Venedik, në Italinë e poshtme e në gadishullin e Ballkanit, madje edhe në Azinë e Vogël.

Njoftimet tona mbi gjuhën e përgjithshme të ilirëve i kemi prej disa fjalëve ilire, të cilat na janë transmetuar prej autorëve klasikë, si për shembull, prej fjalës sabaja, me të cilën këtillohej birra, prej mbishkrimeve e prej emrave të vendeve e njerëzve. Mbishkrimet u gjetën në Venedik e në Italinë e poshtme, por kanë mbetur deri më sot gati fare të paezauruara.

Emra vendesh ilirisht janë ruajtur mjaft, e shumë ndër ta njihen prej prapashtesës që kanë, si për shembull grumbulli i fjalëve që mbarojnë me shtesën ona, të cilat kishin për të qenë: Emona, Albona, Flanona, Promona, Scardona, Narona e Dodona, të cilat shihen edhe në perëndim të Adriatikut; e të ndërmendnin emrat e qyteteve Ancona, Cremona e Verona. Një grumbull tjetër gjendet me prapashtesën este, si: Tergeste (Trieste e sotme), Bigeste e Aeste (Este e sotme në Italinë e epërme). Një grumbull i tretë na paraqet mbaresën ntum, si bie fjala: Dalluntum, Salluntum, Tarentum e Hyrdruntum (Tarento e Otranto në Italinë e poshtme) e Carnuntum (pranë Vjenës). Përmbledhja e caktimi i këtyre grumbujve emrash të vendeve është me rëndësi të posaçme, pse ne me ndihmën e tyre shpesh herë nxjerrim njoftime mbi përhapjen e ilirëve.

Këtë mund ta themi edhe për emrat e maleve e të lumenjve. Këta të fundit patën një jetë të gjatë; e shumta e tyre kanë ruajtur deri më sot, me një ndryshim të vogël, emrat e moçëm. Kështu bie fjala kanë rrjedhje ilire Oenus (lumi Inn në Tirol), Dravus (Drava) e Savus (Sava) në Kroaci, Oeneus (Una), Urpanus (Vrbas), Basanus (Bosnja), e Drinus (Drina) në Bosnje, Timacus (Timok) në Serbi, Naro (Naretna) në Hercegovinë, Tara e Lim në Mal të Zi, Drinus ose Drilo (Drini), Bunus, Asum e Aoos në Shqipëri, etj., etj.

Përgjithësisht edhe emrat e njerëzve njihen lehtësisht. Shumë prej tyre mbarojnë me o, si fjala vjen Verzo, Testimo, Bato, Dasto, Paijo, Pino, Tato, Tito, etj. Por gjenden edhe plot emra të tjerë që mbarojnë me një zanore tjetër ose edhe me një bashkëzanore, çka i shkonte për shtat asaj gjuhe që mund të quhet sot e vdekur, (po të mos kemi parasysh shqipen, e cila mbahet dhe hulumtohet si vazhduese e saj) si fjala vjen Temeia, Tattuia, Tafia, Teuta, Teuda, Mandeta, Brisussa, Zorada, Dezas, Andes, Panes, Pinnes, Tattaris, Scerdis, Zanatis, Agirrus, Plassus, Temus, Plator, Slator, etj., etj.

Për tu vërejtur është, se edhe gratë kishin të njëjtët emra si dhe burrat. Emrat këso dore ishin Aplo, Cato, Trio, Tritano e Panes. Gjë me rëndësi është edhe se ilirët kishin shumë emra, që kishin dhe romakët; kështu bie fjala quheshin si ilirë dhe romakë me emrat Caius (Kajo) Cato, Titus, e Varro.

Përveç këtyre njoftimeve gjuhësore, këto kohët e fundit janë gjetur të dhëna më të reja, të cilat përmbajnë e nja japin përfundime me rëndësi të përvetësuar.

Në Lisiçiqi afër Konjëc-it në Hercegovinë, në fushën e Narentës, janë gjetur tre mbishkrime varrezash, të cilat janë shkruar latinisht, por në fjalët autoktone kanë shkronja ilire të posaçme, për ata tinguj, për të cilët alfabeti latin nuk kishte shenja përkatëse. Pra ilirishtja kishte disa tinguj që nuk i kishte latinishtja.

Mbi të gjitha provat, ajo që flet më shumë se gjithçka, është gjuha e sotme shqipe, që sot në botën linguistike në shkallë ndërkombëtare e shkencore mbahet si vazhduesja e vetme e ilirishtes.

E qëndrimi i patundur i gjuhës na tregon edhe një ndërgjegje të fortë kombëtare. Ky përfundim vërtetohet edhe prej një lajmi shumë të mëvonshëm; Shën Hieronimi, një shkrimtar i cili lindi rreth vitit 350 e.s në kufirin verior të Dalmacisë në vendin Stridon, e që vdiq në Betlem në vitin 420, na lajmëron, se në kohën e tij në Dalmaci e në Panoninë kufitare, flitej barbarisht, që d.m.th jo latinisht.

Latinishtja qe në Iliri, sikurse edhe në Spanjë, Gali e Gjermani, etj., gjuha zyrtare, tregtare, dhe gjuha që përdorej në jetën e përditshme, në zyrat shtetërore e qytetare, në ushtri, në tregti të jashtme, ndërmjet të huajve dhe vendësve, që ishin romanizuar dhe e mbanin veten për romakë. Latinishtja përdorej edhe për monumente e gurë varresh, sepse ky zakon erdhi nga jashtë, si dhe për faktin se punëtorët e tyre nuk ishin vendas, prandaj përdornin gjuhën e tyre për të tilla mbishkrime. Ilirishtja ishte gjuha e popullit, sidomos në katunde, por edhe në qytete përdorej në marrëdhëniet shtëpiake e private. Por këtë gjuhë e përdorën edhe shumë ilirë, që morën kulturën romake e që patën nëpunësira botore të larta.

Bashkëpërdorimi i këtyre dy gjuhëve pati edhe një bashkëndikim, ato influencuan tek njëra tjetra. Të dyja patën ndryshime, të cilat rrotull njëqind vjetëve formuan një gjuhë, po themi në mënyrë hipotetike iliro-romake, sikurse edhe në pjesët e tjera të perandorisë Romake, si fjala vjen në Spanjë e Francë. Gjuha iliro-romake quhet edhe gjuha dalmate, pse deri sot vetëm atje është gjetur. Kjo gjuhë dyfishe ka vdekur tani vonë. Më i mbrami njeri që diti këtë gjuhë, qe shërbëtori i kishës Anton Udina-Burbur në ishullin Veglia, i cili vdiq në vitin 1898 prej shpërthimit të një bombe.

(Karl Patsch, Ilirët, fq 62-69)

burimi: forumi vargmal

Ky artikull eshte marre nga: http://abcshqip.com/?p=316. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://abcshqip.com/?p=316

Top