Gjendet i vdekur në banesë gjyqtari i Krimeve të Rënda Bardhyl Dhamo

Universal

AnonymouS
Gjendet i pajetë në banesë gjyqtari i Krimeve të Rënda

attachment.php


Familjarët dhe policia shpërthyen derën e apartamentit ku banonte gjyqtari Bardhyl Dhamo, pasi nuk iu përgjigjej telefonatave që prej mëngjesit të djeshëm. Dëshmitarët: E gjetëm të pajetë në divan, mbi tavolinë kishte aparatin e tensionit. Policia: Dyshohet për vdekje natyrale si pasojë e një ataku kardiak. Gjyqtari 44-vjeçar prej dhjetë vitesh gjykonte bandat kriminale në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

bradhyl dhamoGjyqtari i Krimeve të Rënda, Bardhyl Dhamo është gjetur i pajetë në banesën e tij në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. 44-vjeçari është gjetur i pajetë nga familjarët dhe policia pasi që prej mëngjesit të djeshëm nuk i është përgjigjur asnjë telefonate. Dëshmitarët thanë se gjyqtari Bardhyl Dhamo është gjetur i pajetë në divanin e dhomës së ndenjes, ndërsa policia tha paraprakisht se vdekja ka ndodhur për shkaqe natyrale. “Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë morën njoftim përmes një telefonate të mbërritur në sallën operative, ku rreth orës 16:00 është gjetur i vdekur në banesën e tij, të ndodhur në rrugën ‘Ali Demi’ Tiranë, shtetasi Bardhyl Dhamo, 44 vjeç, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës për Krimet e Rënda Tiranë”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të Policisë së Tiranës. Sipas së njëjtës deklaratë mësohet se “grupi hetimor po kryen veprimet procedurale dhe paraprakisht dyshohet se vdekja ka ndodhur në mënyrë natyrale”. Kolegët dhe familjarët e gjyqtarit të ndjerë e kanë telefonuar atë përgjatë gjithë ditës së djeshme, pasi nuk ishte paraqitur në punë mëngjesin e djeshme. Pas mungesës së përgjigjes, familjarë e kolegë kanë shkuar në banesën ku gjyqtari 44-vjeçar jetonte i vetëm, sërish nuk kanë mundur të kontaktojnë me të. Duke dyshuar për shkak të problemeve shëndetësore, familjarët, kolegët dhe policia kanë shpërthyer derën e apartamentit të gjyqtarit dhe e kanë gjetur atë të pajetë në dhomën e ndenjes. Dëshmitarë të skenës së dhimbshme thanë për “Mapo” se gjyqtari ka qenë i ulur në divan, ndërsa mbi tavolinë ka patur aparatin e tensionit. Nisur nga ky fakt, familjarët dhe kolegët e të ndjerit dyshojnë se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, pasi edhe më parë gjyqtari 44-vjeçar kishte patur probleme shëndetësore. Kolegët e tij thonë se ai ishte ankuar disa herë për probleme në mushkëri, madje kishte bërë edhe disa konsulta mjekësore. Por nga të dhënat e para të grupit të hetimit dyshohet se vdekja e gjyqtarit ka ardhur si pasojë e një ataku kardiak. Ai ka ndërruar jetë mbrëmjen e së enjtes, ndërsa është gjetur nga familjarët dhe kolegët rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme. Grupi hetimor ka urdhëruar kryerjen e të gjitha analizave dhe autopsisë, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes. Gjyqtari Bardhyl Dhamo prej 10 vitesh ishte pjesë e trupës gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku ka marrë pjesë në gjykimin dhe dënimin e grupeve kriminale që janë përballur me drejtësinë. Këtë vit gjyqtari Dhamo ka firmosur dënimin me burgim të përjetshëm të të pandehurit Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Ndërsa pak vite më parë, gjyqtari i ndjerë dënoi me burgim të përjetshëm disa prej anëtarëve të së ashtuquajturës “Banda e Mirditës”, pjesë e së cilës ishin edhe vëllezërit Syziu, të dënuar me burgim të përjetshëm. Gjatë karrierës së tij si gjyqtar, Bardhyl Dhamo ka marrë pjesë në gjykimin e anëtarëve të bandave kriminale më famëkeqe në vend. Kjo është vdekja e tretë natyrale që ndodh në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda në harkun kohor të katër viteve. Në shkurt të vitit 2010 ndërroi jetë gjyqtari Xhelal Elezi, i cili kishte në gjykim disa prej çështjeve më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Gjyqtari Elezi ndërroi jetë në sallën e gjyqit teksa ishte duke zhvilluar një prej proceseve gjyqësore ku ai ishte kryesues. Dy vite më pas, në janar të vitit 2012, ndërroi jetë në Itali gjyqtari i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana. Prokurori Hana u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, e cila u diagnostikua vetëm dy javë përpara se ai të ndërronte jetë. Me shpenzimet e miqve dhe familjarëve, prokurori i Krimeve të Rënda u dërgua për mjekim të specializuar në Itali, por nuk mundi të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë.

MAPO
 
Top