Re: Gazeta "Epoka e re"!!
KËSHTU FLASIN PËR GAZETËN QË SHTYPI 1500 NUMRA VETËM NGA SHITJA DHE REKLAMAT
Për numrin 1500 të “Epokës së re” flasin njerëzit e politikës, sigurisë, gazetarisë, aktrimit, sportit…
B. Etemaj, M. Berisha, F. Bytyqi
Prishtinë, 15 mars 2005 - Rrethanat nëpër të cilat kalon shtypi i pavarur në Kosovë dhe vështirësitë e shumta me të cilat duhet të përballet ai dhe gazetarët që e bëjnë këtë shtyp, faktikisht thuajse paraqesin motiv të mjaftueshëm për të festuar, që në një mënyrë a tjetër, çdo numër të dalë në dritë. Njëkohësisht festimi si i tillë, aq më tepër, kur bëhet fjalë për shifra jubilare, nuk mund ta ketë plotësinë e nevojshme po s’u gërshetua edhe me opinionet e lexuesve të të gjitha kategorive të shoqërisë kosovare, të cilat mund të shërbejnë si një referencë pozitive drejt thellimit të suksesit nëpërmjet ngritjes së shkallës së profesionalizmit. Nisur nga ky parim, për numrin 1500 të “Epokës…”, mikrofonin ua kemi lënë të hapur njerëzve të dijes, politikës, sigurisë, gazetarisë, aktrimit, sportit…
Qosja: “Epoka e re” është gazeta që qëllim të vetin ka të vërtetën dhe të drejtën, kurse mjet - guximin
Rexhep Qosja: “Epokës së re” ia uroj numrin e 1500-të. Dhe, i dëshiroj fat të mirë dhe jetë të gjatë. Ajo është gazeta që prej numrit të parë ka bërë betejën politike, intelektuale dhe morale për epokën e re - për epokën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë në jetën tonë.
Ajo është gazeta që prej fillimit të botimit ka mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare, prej mohuesve dhe denoncuesve partiakë në politikën tonë.
Ajo është gazeta që i ka treguar qartë demagogët, mashtruesit dhe karrieristët e ndryshëm në jetën tonë, që kanë bërë karrierë e tregti derisa të tjerët kanë dhënë jetën për Kosovën e lirë.
Ajo është gazeta që po i demaskon të korruptuarit, të cilët e kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë politikën për t’u pasuruar, derisa të tjerët janë varfëruar dhe vazhdojnë të varfërohen.
Ajo është gazeta që qëllim të vetin ka të vërtetën dhe të drejtën, kurse mjet – guximin.
E uroj “Epokën e re” që me këtë guxim – me këtë guxim për hir të të vërtetës dhe të të drejtës – të vazhdojë gjithnjë.
Demaçi: “Epoka e re” mundohet të jetë tjetërfare nga gazetat e tjera
Adem Demaçi: “Epoka e re” është një gazetë e cila mundohet të jetë tjetërfare nga gazetat e tjera, e cila i ikë shablloneve gazetareske. Mundohet t’i kapë temat e nxehta, për dallim nga gazetat e tjera.
E mira tjetër e “Epokës se re” është se ka hapësirë edhe për mendime të lira.
Thaçi: “Epoka e re” e ka dëshmuar veten si një medium stabil dhe me ndikim në opinion politik kosovar
Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së: Gjatë këtyre viteve gazeta “Epoka e re“ e ka dëshmuar veten si një medium stabil dhe me ndikim në opinion politik kosovar, në kohën kur tregu medial në Kosovë është shumë i paqëndrueshëm dhe me lëkundje të mëdha.
Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në të ardhmen.
Krasniqi: “Epoka…” një pjesë të konsiderueshme ia kushton edhe veteranëve të UÇK-së
Sherif Krasniqi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së: Kam mendim pozitiv për “Epokën e re”, është gazetë e guximshme dhe objektive, e cila një pjesë të konsiderueshme ia kushton edhe veteranëve të UÇK-së. I dëshiroj suksese dhe punë të mbarë në ditët e ardhshme.
Çeku: TMK-së kurrë nuk i ka munguar hapësira në faqet e “Epokës …”
Agim Çeku: E çmoj lart guximin e gazetës “Epoka e re” dhe kam mendim të mirë për rolin që e ka luajtur në proceset pozitive në Kosovë.
TMK-së kurrë nuk i ka munguar hapësira në faqet e “Epokës …”, edhe pse ndonjëherë mund të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim, i cili është kaluar me kohë.
“Epoka e re” është munduar ta luaj rolin e gazetës së pavarur dhe mendoj se deri dikund ia ka arritur qëllimit, sado që kjo gazetë herë herë është ndikuar nga emocionet dhe politika ditore.
E uroj “Epokën…” për numrin e 1500, uroj që të ketë jetë të gjatë dhe t’i nxjerrë edhe mijëra numra të tjerë.
Po ashtu uroj që ky jubile të shërbejë për ta analizuar punën e saj, qoftë sukseset apo ndonjë gabim që është lëshuar gjatë rrugës, e që mund të përmirësohet.
Zeneli: Stafin e gazetës “Epoka...” e uroj që të jetë në nivel të përgjegjësisë
Lulëzim Zeneli, zëdhënës i LDK-së: Stafin e gazetës “Epoka e re” në numrat në vijim e uroj që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe të jenë sa më objektiv.
Rama: Edhe Prishtina, edhe Tirana, edhe Shkupi, edhe Podgorica, kanë nevojë për të vërtetën që e shpërndan “Epoka e re”
Bashkim Rama, shef i Zyrës së Shqipërisë në Kosovë: Ua uroj festën gazetës suaj. Dëshiroj që fëmija 5-vjeçar me emrin “Epoka e re” të rritet i shëndoshë dhe krahas rritjes ta shtojë peshën dhe fjalën e mendimit, të cilat janë shumë me rëndësi për demokracinë e re dhe të brishtë të Kosovës. Mendoj se “Epoka e re” në 1500 numrat e saj e ka thënë me guxim fjalën nëpërmjet gazetarëve të rinjë dhe energjikë, jo vetëm për shoqërinë kosovare, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
Jam i bindur se edhe Prishtina, edhe Tirana, edhe Shkupi, edhe Podgorica, kanë nevojë për të vërtetën që e shpërndan “Epoka e re”. Uroj sinqerisht ta përfaqësoni me dinjitet semantikën e emrit tuaj: Gazeta juaj të bëjë Epokë dhe të jetë gjithnjë e re.
Limaj: Gazeta “Epoka e re” është ndër gazetat e pakta në Kosovë që sjell informim të vërtetë dhe të sinqertë
Demir Limaj, deputet në Kuvendin e Kosovës: Stafin e “Epokës së re” e uroj për numrin e 1500 dhe sinqerisht u dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në gazetarinë profesionale.
Uroj që edhe në të ardhmen “Epoka…” ta mbajë frymën e informimit objektiv, drejt qëllimeve të popullit shqiptar.
Gazeta “Epoka e re” është ndër gazetat e pakta në Kosovë që sjell informim të vërtetë dhe të sinqertë. Urime.
Selimi: 1500 numrat e “Epokës…” kanë qenë 1500 fakte që kanë lënë gjurmë në gazetari
Rexhep Selimi, ish-anëtar i SHP të UÇK-së: Hajde një milion e 700… ishalla. Mendoj se 1500 numrat e “Epokës…” kanë qenë 1500 fakte që kanë lënë gjurmë në gazetarinë dhe mediat kosovare, si dhe në mediat shqiptare.
“Epoka e re” është vërtet e guximshme, guximi i saj është i veçantë. Po ashtu kam mendim të mirë për gazetarët e “Epokës…”, të cilët përveç profesionit të gazetarisë ushtrojnë edhe profesion human.
Haxhiu: “Epoka e re” e ka definuar pozicionin e saj - është gazetë me qëndrim
Baton Haxhiu: E kam një përshtypje ndryshe për gazetarinë në “Epoka e re”. Ka tri rrafshe të trajtimit: Është gazetari profesionale, pastaj gazetari me emocione të shprehura dhe ndonjëherë ka gazetari të idhët. Varësisht se kush është temë e trajtimit. Gazeta “Epoka e re” e ka definuar pozicionin e saj. Është gazetë me qëndrim. Nuk po flas për nuancat e së mirës apo së keqës, por është ndër të paktat gazeta që nuk luhatet nga qëndrimet e saj dhe nuk ka kompromise për atë që shkruan. Një pjesë e gazetarisë së saj është krejt korrekte. Është informuese dhe ndonjëherë i paraprinë problemeve.
Një pjesë e gazetarisë së saj, që i takon gazetarisë komentuese, është e idhët dhe me qëndrim goxha të sforcuar. Ndonjëherë autorët shkelin parimet e korrektësisë duke u marrë vetëm me personalen dhe komentet i ndërtojnë mbi “ad hominem”. Është gazetari e guximshme dhe e përqendruar në personalitete, e koncentruar në raste dhe prapavijë gazetarie që shumë herë e tejkalon ngjarjen duke mos e prekë fare. Botuesi i saj ka merita të veçanta në luftën për fjalën e lirë në Kosovë.
Xhemajli: “Epoka e re” gjatë 1500 numrave ka qenë objektive, e veçantë dhe interesante
Emrush Xhemajli, kryetar i LPK-së: Urime numri i 1500. “Epoka e re” gjatë këtyre numrave ka qenë e frytshme, objektive, e veçantë dhe interesante.
Bukoshi: E përshëndes punën e gazetës “Epoka e re”
Bujar Bukoshi: E përshëndes punën e gazetës “Epoka e re” dhe i dëshiroj në të ardhmen sa më shumë suksese, gazetari objektive dhe të pavarur.
Mulliqi: Guximi i gazetarëve dhe stafit redaktues të “Epokës…” është vazhdimësi e gazetës së studentëve “Bota e re”
Haqif Mulliqi, dramaturg: Vetë fakti që një gazetë ditore ia del të mbijetojë në një rrethanë kur rregullat e ekonomisë së tregut nuk respektohen gjithaq, në këto kushte kur një gazetë ekziston ekskluzivisht nga lexuesit e saj, pa e ndihmuar dhe pa donacione të ndryshme, qoftë nga brenda, apo nga jashtë, dëshmon një sukses të llojit të vetë gazetës “Epoka e re”. Jam i prirur të besoj se guximi i gazetarëve dhe stafit redaktues të kësaj gazete, i cili të thuash të artikulohet çdo ditë, është vazhdimësi e frymës së gazetës së dikurshme të studentëve “Bota e re”, e cila na impresiononte në veçanti me guximin dhe trajtim ndryshe të çështjeve problemore në Kosovë.
Në këtë sens, “Epoka e re” ishte dhe mbetet si një prietare e shumë senseve, e shumë procesëve delikate dhe vështirësive në Kosovë, për çfarë për mua justifikon edhe moton që e ka, se “Epoka e re” është gazeta më e guximshme shqiptare. Ndaj dhe i uroj shumë përvjetore gazetarëve dhe stafit drejtues të kësaj gazete.
Kurti: Gazetën “Epoka e re” nuk e karakterizon autocenzura
Albin Kurti, aktivist i KAN-it: Gazetën “Epoka e re” nuk e karakterizon autocenzura, e cila në Kosovë është përhapur sikurse murtaja. Sidomos pas ngjarjeve tragjike në marsin e vitit të kaluar. Dhe, gazetën “Epoka e re" e karakterizon respekti për përpjekjet e pandërprera dhe luftën e ndërprerë çlirimtare.
Epoka e re do të vie, edhe për shkak se ajo ende nuk është. Gazeta “Epoka e re” mund të ndihmojë për këtë.
Lajçi: Me politikën redaktuese, ia keni dashur të mirën Kosovës, sot dhe në të ardhmen
Driton Lajçi, ligjërues i Shkencave Politike dhe Administratë Publike në UP: Keni qenë të sinqertë, të vendosur, seriozë, me identitet dhe dinjitet, vizionarë, sidomos në 100-ditëshin e fundit. Me politikën redaktuese, ia keni dashur të mirën Kosovës, sot dhe në të ardhmen.
Gashi: “Epoka …” e thotë atë që të tjerët as nuk guxojnë për ta menduar
Tomë Gashi, avokat: Gazeta “Epoka e re” është me të vërtetë gazeta më e guximshme shqiptare, sepse i ka thyer barrierat e të bërit gazetë si kopje e lajmeve të dhëna në TV. “Epoka …” e thotë atë që të tjerët as nuk guxojnë për ta menduar. Mendoj se është gazetë që ka respekt në popull dhe besueshmëri shumë të madhe. I dëshiroj jetë sa malet.
Salihu: “Epoka e re” është gazetë mjaft korrekte
Aziz Salihu, sportist i shekullit: Jam shumë i kënaqur me “Epokën e re”. Çdo ngjarje e sportit, e në veçanti e boksit, e ka gjetur veten në faqet e sportit. Çdo ngjarje është përcjellë në mënyrën më korrekte. Dëshiroj që “Epoka e re” të jetë sa më shumë në duar të lexuesve, sepse vërtet është gazetë mjaft korrekte dhe i plason të gjitha infomatat në mënyrën sa më reale. Besoj se kjo gazetë edhe në të ardhmën do të vazhdojë me punën e vet profesionale.
Dervishi: Ka qenë në një nivel të duhur të profesionalizmit
Teki Dervishi, drejtor i Teatrit Kombëtar: Sa i përket rubrikës së kulturës në gazetën “Epoka e re”, ku zakonisht shkruhet për punën artistike të Teatrit Kombëtar, nuk mund të them se ndryshon nga gazetat e tjera pa përjashtim. Nuk mendoj se gazeta “Epoka e re”, as “Koha ditore”, as “Bota sot”, e as “Kosova sot” etj., e kanë ndihmuar punën shumë të mundimshme me këto kushte shumë të rënda që sot punojnë institucionet e kulturës. Mendoj se duke qenë kritikë pa fakte, kanë ndikuar që të na largohet pak publiku nga teatri, por kjo nuk vlen për “Epokën…” sa vlen për të gjitha gazetat. Sa i përket konkretisht “Epokës…”, megjithatë me ndonjë shkrim të vogël, kryesisht shumica e shkrimeve kanë qenë korrekte, nuk kanë qenë denoncuese, kanë qenë në një nivel të duhur të profesionalizmit.
Vokrri: Nuk kami ndonjë vërejtje për punën që keni bërë deri tani, vetëm vazhdoni
Fadil Vokrri, drejtor i KF “Prishtina”: Së pari i uroj pesëvjetorin “Epokës së re”. Përkrahja e gazetës suaj nuk ka munguar deri tani. Në emër të KF “Prishtina”, jam shumë mirënjohës për punën që keni bërë dhe që po vazhdoni të bëni. Besoj se bashkëpunimi do të thellohet edhe më shumë në vijim, që të dy palët të tregojnë të njëjtin konstruktivitet dhe të japim kontributin tonë në avancimin dhe sensibilizimin e sportit të Kosovës, e më këtë rast sa më shumë të punojmë në avancimin e futbollit. Nga ne mbetet që informacionet të mos mungojnë, e lexuesit të mos i mungojë lajmi. Ne nuk kemi ndonjë vërejtje për punën që keni bërë deri tani, kështu që vetëm vazhdoni me punë profesionale.
Mehmetaj: “Epoka...”, sa i përket rubrikës së kulturës, ka qenë shumë në nivel
Gani Mehmetaj, drejtor i “Kosovafilmit”: Sa i përket rubrikës së kulturës, mendoj se ka qenë shumë në nivel. I ka përcjellë të gjitha aktivitetet kulturore që kanë të bëjnë me filmin, por edhe ato të “Kosovafilmit”. Ndërsa sa i përket rubrikave të tjera nuk kisha dashur të flas fare.
Miftari: “Epoka e re” çdoherë sjellë diçka të re
Florian Miftari, basketbollist i Sigal Prishtina: Fillimisht i uroj pesëvjetorin “Epokës së re”. Mendoj se “Epoka e re” ka dhënë dhe po jep kontribut të mjaftueshëm sa i përket avancimit të sportit të Kosovës. “Epoka e re” në çdo mënyrë i ka bërë ndeshjet shumë interesante, duke ballafaquar lojtarë para çdo ndeshje, kështu që e përgëzoj redaksinë e sportit “Epoka e re”, e cila ka bërë dhe po bën mjaft për sportin e Kosovës, e në veçanti për basketbollin. “Epoka e re” është mjaft e pasuruar edhe me mesazhet e dashurisë tek sportistët e mëdhenj, dhe unë personalisht jam shumë i kënaqur, andaj uroj pesëvjetorin e gazetës dhe mund të them se “Epoka e re” çdoherë sjellë diçka të re. Shpresoj se kështu do të vazhdoni.
Salihu: “Epoka e re” dallon nga gazetat e tjera - jeni më të mirët
Milazim Salihu, drejtor i Kinemasë ABC: Jeni më të mirët, shumë të mirë jeni. Dalloni nga gazetat e tjera, me kolori dhe lajme të ndryshme nga bota e artit dhe e kulturës. Ju dëshiroj suksese.
Morina: Numrit 1500 t’i shtohen edhe dy zero
Arbnor Morina, ndihmëstrajner i KF “Prishtina”: Kam pasur fatin të jap shumë intervista në “Epokën e re”. Vetë fakti se pesë vite po jeton kjo gazetë, është dëshmi se “Epoka e re” ka bërë punë të mirë. Unë personalisht jam i kënaqur për deklaratat që i jap në mjetet e informimit, pavarësisht se për cilën gazetë bëhet fjalë. “Epokës se re” ia uroj këtë jubile dhe dëshiroj që në vitet e ardhshme numrit 1500 t’i shtohen edhe dy zero.
Spaçi: Ju lumtë - vazhdoni me këtë ritëm
Valentin Spaçi, basketbollist i Mabetexit: Besoj se gazeta “Epoka e re” gjithnjë ka qenë në avancim të sportit, e posaçërisht basketbollit. Kur është dashur të bëhen analiza të sakta, në faqet tuaja nuk kanë munguar analizat me lojtarë profesionistë. Jemi të kënaqur me “Epokën e re”, sepse çdo intervistë imja në “Epokën e re” është botuar ashtu si është më së miri. Andaj ia uroj pesëvjetorin “Epokës së re” dhe njëkohësisht uroj që të vazhdoni me këtë ritëm.
Gjoci: “Epoka e re” shkon me guxim pas të vërtetës
Blerim Gjoci, aktor: Është një gazetë që unë e lexoj me shumë endje. Më pëlqen shumë, sepse gazeta “Epoka e re” ka një këndvështrim ndryshe nga gazetat e tjera, shkon me guxim pas të vërtetës.
Uroj që t’i mbushë pesëmijë vjet të tjera.
Çelaj: Gazeta “Epoka e re” e ka luajtur rolin e një opozite
Lirak Çelaj, aktor: Është një gazetë që e ka luajtur rolin e një opozite. Ka një rol konstruktiv, prandaj kështu mendoj se e ka kryer detyrën e gazetarisë me një nivel të duhur.
I dëshiroj sukses dhe shumë vite të tjera gazetës së përditshme “Epoka e re”.