
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi mori pjesë ditën e premte në takimin e grave socialiste të Njësisë Administrative Drenovë, në Bashkinë Korçë, ku theksoi edhe njëherë qëllimin e Partisë Socialiste që brenda qershorit të ardhshëm, të tejkalojë dyfishin e anëtarësisë aktuale.
“Vëmendja e Partisë Socialiste për gratë dhe të rejat nuk është e rastësishme, vijmë nga një nismë tepër e guximshme në zgjedhjet e kaluara, ku me anën e disa ndryshimeve ligjore, u garantuam grave 50% të përfaqësisë në këshillat bashkiak. Të jesh pjesë e një partie nuk është vetëm angazhimi gjatë fushatave elektorale, por është një punë dhe përgjegjësi e vazhdueshme që të gjithë anëtarët dhe anëtaret e vjetër e të rinj duhet të bëjnë për të çuar zërin dhe nevojat e komunitetit pranë qeverisë qendrore apo asaj lokale, me qëllimin për t’u bërë protagonistë të përmirësimit të jetesës së të gjithëve”, tha Peleshi.
Sipas njoftimit të Partisë Socialiste, fushata e anëtarësimeve të reja në këtë parti vazhdon në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Edhe në njësinë Administrative Drenovë ashtu si pothuajse në të gjithë rrethin e Korçës, numri i anëtarëve është duke u shtuar çdo ditë.
Më tej në njoftim thuhet se sot vëmendje zë fakti se në të gjitha zonat rurale të rrethit të Korçës, numri i grave dhe të rejave në PS është duke arritur atë të burrave, duke thyer njëherë e përgjithmonë tabunë se politika bëhet vetëm nga meshkujt.