Re: Falimentimi i Greqise dhe Shqiperia
Më 23 dhjetor, Parlamenti grek do të miratojë buxhetin e ri antikrizë, që futi vendin fqinj në zgjedhje të parakohshme, si rrugëdalja e vetme për t’i ikur një falimenti shtetëror. Qeveria e re e socialistit Papandreu, e cila kontrollon 160 prej 300 vendeve në Parlament, ka bërë me dije se deficiti buxhetor i vitit 2009 do të jetë 12,7% ose gati trefishi i asaj që pritej në fund të këtij viti. Sipas Paktit të Stabilitetit dhe Paktit të Rritjes, Bashkimi Evropian pranon që vendet anëtare të tij të kenë një deficit buxhetor jo më shumë se 3%. Sipas Bloomberg, brenda hapësirës evropiane Greqia renditet e fundit në vlerësimin ekonomik. Ministri grek i Financave, Jorgos Papaconstantinou, tha se “qeveria po procedon me një plan për ta ulur deficitin buxhetor në 9.1% brenda vitit 2010”. Ai garantoi: “Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për ta zvogëluar këtë deficit në terma afatmesëm”. Irlanda, gjithashtu një vend në recension të thellë prej më se një viti, deklaroi se do të ulë shpenzimet buxhetore me 6% për t’iu përgjigjur një situate të ngjashme. Ky hap është i pashmangshëm edhe për Greqinë, e cila rrezikon të humbë mbështetjen e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) pas renditjes BBB+ që Fitch Ratings i dhanë bonove të thesarit grek, me të cilat bankat e nivelit të dytë në Greqi mund të gjenerojnë para nga ECB. Sipas termave të garancisë bankare, bonot e thesarit që shërbejnë si kolateral për një bankë pranë ECB për të marrë para duhet të jenë minimalisht të kuotura A-. Edhe pse me mjete politike, Greqia i ka të gjitha shanset të mos përjashtohet nga mbështetja e Bankës Qendrore Evropiane, përsëri kostoja e parasë për qeverinë Papandreu do të jetë shumë e lartë dhe efektivizimi i tyre do të kërkojë masa drastike për të rivendosur atë që Kryeministri grek e quan “besueshmëria e Greqisë”, e cila aktualisht ka humbur. Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore nga qeveria greke së pari do të prekë të paktën 250 mijë qytetarë shqiptarë, të cilët për arsye të pastra ekonomike (dhe në pak raste edhe politike), kanë pranuar të regjistrojnë një origjinë të re etnike, në mënyrë që të marrin nga Banka Bujqësore Greke një pension, i cili varion mes 250 – 480 euro në muaj. Kështu, qeveria greke do të kursente menjëherë më se 87 milionë euro në muaj vetëm nga skema suplementare e pensioneve për mbështetje “etnike”, shumica e të cilave arrijnë në Shqipëri. Qeveritë shqiptare deri më sot jo vetëm nuk kanë mbledhur të dhëna zyrtare për këto hyrje, por kanë refuzuar të informohen edhe për motivet që e kanë ndërtuar këtë skemë. Shkurtimet buxhetore nënkuptojnë njëkohshëm ngushtimin e shumë investimeve publike, të cilat gjenerojnë punë për një numër të madh emigrantësh shqiptarë. Shumica e tyre punojnë në ndërtim me një pagesë mesatare 1,300 euro në muaj, sektor që njohu një boom gjatë përgatitjeve për lojërat olimpike në Athinë. Më së paku, qeveria greke do të përpiqet të rrisë shanset e punësimit për qytetarët e saj, duke ngushtuar - ashtu siç ndodhi në Itali apo vende të tjera, hapësirat e veprimit për popullatat migratore. Është e pritshme që recesioni grek të kthejë në atdhe të paktën 1/3 e emigrantëve shqiptarë ose 1/4 e atyre që janë ligjërisht të regjistruar si rezidentë me letra. Kjo shifër bën jo më pak se 150 - 200 mijë persona ose, e thënë ndryshe, rreth 100 mijë familje, që do të kërkojnë të gjejnë në Shqipëri atë që kanë humbur në vendin fqinj. Kur skema e ndihmës sociale në Shqipëri deri më sot numëron jo më shumë se 98,000 familje që mbështeten me një vlerë minimale sa për mbijetesë, është e domosdoshme që qeveria shqiptare të përgatitet të paktën teorikisht me përgjigjet e nevojshme ndaj kësaj situate. Zhvillimi më i shpejtë i burimeve të brendshme është njëri nga këto drejtime. Përshpejtimi i aksionit të qeverisë “Berisha 1” për investimin e 6,000 km rrugë rurale, projekt në zbatim prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe agjencive të linjës, duhet përshpejtuar dhe mbështetur me politika konkrete për thithjen e investimeve të huaja dhe të brendshme në rajonet e pasura me burime lëndësh të para dhe ndihmëse, në mënyrë që sa më parë dhe në mënyrë të studiuar, këto burime të shndërrohen në potenciale eksportesh dhe në mjete që balancojnë deficitin e pagesave. Shkurtimi i procedurave administrative për dhënien e koncesioneve, si përgjigje ndaj krizës, për të rritur aftësinë absorbuese të investimeve të huaja direkte, mbetet një sfidë politike që shumica politike duhet ta marrë seriozisht në konsideratë. Me një procedurë koncesionare që zgjat minimalisht 1,5 - 2 vjet, vendi ka pak shanse të gëzojë fryte konkrete investimesh, të cilat në rajon gjejnë një mirëkuptim burokratik shumë më thelbësor. Kjo sfidë nënkupton edhe një ridimensionim të sovranitetit politik të vendit përballë institucioneve financiare ndërkombëtare. Politikat zhvillimore rajonale do të shmangnin edhe një seri degradimesh sociale, duke penguar krijimin e bidonvilëve të rinj pranë qyteteve të mëdha apo dobësimin e parametrave të sigurisë në tërësi. Në kushtet e mungesës akute të likuiditeteve në sistem, në gjykimin tim, është imperative për Bankën e Shqipërisë që të ndalojë filialet e bankave greke në Shqipëri për të transferuar fitimin e tyre tek bankat mëmë në Athinë. Një qasje e ngjashme me efekte të përkohshme mund të aplikohet edhe ndaj shoqërive tregtare greke, që veprojnë si filiale të shkëputura nga firma qendrore. E njëjta qasje mund të adoptohet me të gjithë ato shoqëri që vijnë nga vende me risk të lartë financiar, prej krizës. Mikrokreditë duhet të eksplorohen si një mjet me potenciale shpëtimtare në këto kushte. Është parësore që qeveria t’u japë njerëzve shpresë dhe dinjitet, përmes një skeme që mbështet një sistem efikas mikrokreditimi. Ministria e Financave është në kohë që të përgatisë një strategji funksionuese të mikrokredisë, mbështetur mbi një kërkim profesional tregu. Brenda kësaj qasjeje, qeveria mund të angazhojë përmes grantit konkurrues pushtetin vendor, që të garantojë pa kolateral mikrokredinë, duke planizuar mbi parime tregu një sistem licencimi të shërbimeve tregtare lokale. Edhe pse Shqipëria nuk ndodhet në kushtet e një recesioni ekonomik, duhet të jemi të qartë se kriza ekonomike botërore ka imponuar një staniacion të pashmangshëm për shumicën e ekonomive kombëtare, që i mbijetuan pa shumë efekte negative krizës. Shqipëria nuk duhet të ketë komplekse në këtë drejtim që të adoptojë çdo masë mbrojtëse apo parandaluese, duke bërë hapur dhe pa drojë prognoza realiste për një krizë, e cila në çdo rast është e importuar, edhe pse globale.
(Gazeta Standard)