Re: Ditar, ne te cilin shenohen zullumet e antarve te PD-se e Berish-rrumpalles
Mbërriti koha për ndryshim
24 Prill 2005
Kuvendi i PD, një manifestim i shkëlqyer i qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë.
Fjala e kryetarit të PDSH, Prof. Dr. Sali Berisha, mbajtur në Kuvendin e 8-të Kombëtar, në Pallatin e Kongreseve
Nga Sali Berisha
Zonja dhe zotërinj,
Kuvendi ynë mblidhet në një moment kur në të katër anët e vendit, nga thellësitë e shpirtit të miliona shqiptarëve, burra dhe gra, djem dhe vajza, të rinj dhe të moshuar, të papunë dhe të punësuar, intelektualë dhe punëtorë, ushton, jehon fuqishëm një thirrje, një SOS, një kushtrim kombëtar: Koha për ndryshim.
Sot është koha për ndryshim dhe ne hapim Kuvendin kur Shqipëria po pret me etje të madhe dhe me padurim ndryshimin, dhe kur shqiptarët, me një ujdi të gjerë sociale kombëtare, e kanë firmosur atë si një agim të bardhë të ri kombëtar, për vete dhe fëmijët e tyre.
Partia Demokratike vjen në këtë Kuvend si një parti e hapur që ndryshoi veten për të ndryshuar Shqipërinë, vjen si lokomotivë e fuqishme e ndryshimit të mbarë që presin shqiptarët.
Për këtë qëllim, ajo shpalli linjë kryesore politike të saj hapjen dhe partneritetin e ngushtë me shoqërinë civile, botën akademike, universitare, mediat dhe biznesin e ndershëm. Fryt i këtij partneriteti ishte fitorja mbarëkombëtare në zgjedhjet lokale, është krijimi i Komitetit të Orientimit të Politikave të Partisë Demokratike, të përbërë nga personalitete të shquara të institucioneve prestigjioze të kësaj shoqërie, nga drejtues të katedrave dhe fakulteteve të universiteteve tona. Gjatë disa muajve, ata kanë paraqitur para shqiptarëve softin e reformave të thella, alternativat më të besueshme të luftës kundër korrupsionit, reformës fiskale, arsimore, të mjedisit, shëndetit, bujqësisë, turizmit, energjisë, rendit, sigurisë, integrimit.
Sot është koha për ndryshim dhe Partia Demokratike paraqet para shqiptarëve projektin më të shkëlqyer për ndryshimin e Shqipërisë, projektin e reformave të mëdha në të cilin ka vend për çdo shqiptar. Ndryshimi që vjen duhet të jetë një fillim i bukur, që vezullon nga thellësitë e pastra të zemrës së qytetarëve që duhet të gëzojë dhe ta gëzojnë mbarë shqiptarët. Le të bashkohemi të gjithë rreth vlerave të mëdha që ndajmë dhe të pastrojmë së bashku shtëpitë tona nga intoleranca, hakmarrja, babëzia, abuzimi, nepotizmi, brutaliteti, polarizimi, përjashtimi. Për ne nuk ka të shmangur, askush nuk do të mund të mbetet në mes të rrugës apo buzë saj.
Me ne për ndryshim. Së bashku të ndryshojmë Shqipërinë.
Zonja dhe zotërinj,
Sot është koha për ndryshim. Projekti ynë i ndryshimit është projekti i epërsisë së vlerave dhe liria është ylli i tij polar, familja, puna, paqja, toleranca, mirëkuptimi, besimi i thellë tek njëri-tjetri dhe tek Shqipëria, integrimi në BE, janë nenet themelore, konstelacioni i tij.
Fuqia transformuese e lirisë është edhe forca e projektit tonë të ndryshimit.
Prandaj dhe sot pohojmë edhe një herë zotimin, përkushtimin tonë për garantimin e Lirive dhe të Drejtave themelore të Njeriut, zgjerimin e tyre, konsolidimin e infrastrukturës së demokracisë, shtypit të lirë, partive politike, shoqërisë civile, universiteteve autonome, sindikatave të pavarura.
Sot, 15 vjet pas rënies se Murit të Berlinit, janë në zhvillim dhjetra procese penale dhe civile nga qeveritarët kundër gazetarëve dhe mediave.
Unë garantoj pushtetin e katërt dhe parlamentarët e fjalës së lirë se pas zgjedhjeve, mazhoranca e re heq dorë nga çdo e drejtë padie civile dhe penale ndaj mediave, dhe se liritë, pavarësia, mosdiskriminimi i tyre do të respektohen plotësisht.
Shqipëria sot është vendi i tolerancës së shkëlqyer fetare. Unë, në emër të PD-së, dua t'i siguroj përfaqësuesit e lartë të besimeve fetare se ne, duke iu përmbajtur sekularizmit si parim fondamental të shtetit tonë, jemi shumë mirënjohës për rolin e tyre në ndërtimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit dhe do të respektojmë plotësisht lirinë e besimit.
Ne zotohemi për kthimin dhe kompensimin e plotë dhe me përparësi të madhe të pronave të komuniteteve fetare, dhe mendoj se shoqëria shqiptare duhet t'u garantojë mbështetjen e tyre financiare.
Ne krenohemi dhe i falemi Zotit për besimet tona.
Në projektin tonë të ndryshimit, unë, në emër të qeverisjes se re, i garantoj anëtarët e pakicave greke, arumune, rome, egjiptiane, sllave se liritë dhe të drejtat e tyre, origjina dhe besimet e tyre do të respektohen me rigorozitet të plotë, në përputhje me konventat ndërkombëtare mbi pakicat. Në veçanti më lejoni të garantoj egjiptianët dhe romët se nuk do të jenë më jetim të njerkës, por do të ndjehen krenarë me origjinën, kulturën dhe qytetërimin që trashëgojnë. Brenda 6-mujorit të parë, pas zgjedhjeve, qeveria do të miratojë një program të veçantë afirmativ për shkollimin, strehimin, punësimin e tyre.
Koha për ndryshim, me ne për liritë dhe të drejtat tuaja.
Votoni për ndryshimin!
Zonja dhe zotërinj,
Koha për ndryshim do të thotë për ne përgjegjësi të reja ndaj emigracionit shqiptar, kudo që ndodhet. Ne zotohemi se:
Do të garantojmë të drejtën e votimit të emigrantëve, të rinj dhe të vjetër shqiptarë, kudo që ndodhen në Itali, Greqi, Alaskë, Zelandën e Re.
Do të krijojmë kuadër ligjor lehtësues, për t'i mundësuar ata të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
Do të hapim qendra kulturore dhe në përputhje me ligjet e vendeve ku jetojnë, do të lehtësojmë me mësues dhe libra mësimin e gjuhës shqipe, sikundër do të hapim shkolla verore në Shqipëri për fëmijët e tyre.
Konsullatat dhe ambasadat tona do të jenë të hapura çdo fundjavë për plotësimin e kërkesave të tyre.
Do të mbrojmë, në përputhje me konventat ndëerkombëtare, liritë dhe të drejtat e tyre, do të punojmë për legalizimin e tyre dhe bashkimin e familjeve, si dhe për një mjedis miqësor ndaj tyre në vendet ku jetojnë.
Unë shfrytëzoj rastin për të falenderuar qeverinë e zotit Karamanlis për ligjin e ri për legalizimet, për qëndrimin që mban ndaj tyre.
Emigrantët janë malli ynë i pashuar. Ne i duam shumë ata.
Zoti i bekoftë kudo që janë!
Zonja dhe zotërinj,
Koha për ndryshim, për ju dhe për mua, do të thotë forcim i familjes si qendër e jetës së njeriut, themeli i shoqërisë si kushti më thelbësor që çdo fëmijë të gëzojë sigurinë, ngrohtësinë, edukimin, dashurinë prindërore. Mirëpo sot, për shkak të emigracionit dhe divorceve, janë me mijëra e mijëra vogëlushë që jetojnë pa baba ose jetojnë në mëshirë të fatit. Droga, analfabetizmi dhe tregtia si skllever janë fati i tyre.
Në projektin tonë për ndryshim ne zotohemi:
- Asnjë fëmijë nuk do të braktiset, çdo fëmijë do të ketë kujdesin që meriton.
- Kujdes të veçantë për fëmijët me paaftësi dhe prindërit e paaftë që rrisin fëmijë.
- Ndihmë për familjet e fëmijëve që iu mungon prindi dhe atyre me shumë fëmijë, kurse kualifikimi, grante, kredi për familjet e reja dhe ato me shumë fëmijë.
Familje e fortë, shoqëri e fortë, është motoja jonë.
Vota për ndryshimin është vota për familjen tuaj.
Ne do të fitojmë.
Zonja dhe zotërinj,
Sot është koha për ndryshimin dhe shqiptarët kanë vendosur ndryshimin, por unë dhe ju e dimë mirë se ata kanë marrë këtë vendim jo se duan ndryshim për ndryshim. Jo dhe jo. Por ata kanë marrë këtë vendim para së gjithash, se ata duan mirëqenie dhe punë, duan që vetë dhe familjet e tyre të jetojnë si qytetarë europianë. Shqipëria sot, megjithë pasuritë e mëdha natyrore, ka mbetur në Europën e pasur ishulli i varfërisë dhe mjerimit. Çdo vit, 100 mijë shqiptarë, forcat më aktive të shoqërisë, emigrojnë jashtë dhe së bashku me ta, energjia dhe e ardhmja e saj, rinia.
Projekti për ndryshim i Partisë Demokratike ka si shtylla të tij kryesore:
- Rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë dhe zhdukjen e mjerimit në Shqipëri
- Krijimin me shpejtësi të vendeve të punës, uljen e papunësisë në nivelin mesatar të vendeve të zhvilluara, rivlerësimin e punës dhe njeriut (punëtor).
Për Partinë Demokratike, ekonomia e tregut të lirë është porta e prosperitetit të individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi.
Prandaj ne, rritjen e mirëqenies dhe punësimin e bazojmë në makinerinë dinamike të iniciativës së lirë dhe garantimin e lirisë së tregut, konkurrencës së lirë dhe shanseve të barabarta për suksesin e individit si sipërmarrës, rritjen e shpejtë ekonomike. Ne do të ndezim motorrët e rritjes së shpejtë ekonomike, nëpërmjet:
-Privatizimit të plotë dhe të shpejtë të ndërmarrjeve të mëdha, duke përdorur edhe letrat me vlerë, dhe shndërruar shqiptarët në pronarë të pasurive të tyre kombëtare.
-Shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe të vendit, në rajon dhe më gjerë, me qëllim jo dyfishimin, por shumëfishimin e investimeve të huaja katër vitet që vijnë.
Për të realizuar këtë qëllim, ne garantojmë:
-Zbatimin me rigorozitet të ligjeve të konkurrencës antimonopol, ligjit të konçensioneve dhe prokurimeve, amendimin e tyre për t'i sjellë ato plotësisht në standartet ndërkombëtare. Konkurrenca e ndershme dhe e lirë është zotimi ynë.
-Zgjidhje përfundimtare të problemeve të pronësisë së tokës, amendim i ligjit aktual për të hequr kufizimet e tij klasore, rikthim kur është e mundur, kompensim i plotë në të gjitha rastet e tjera, me para ose me troje turistike, sipas çmimeve të tregut. Kombi, sytë nga deti, është deviza jonë.
-Uljen e rëndësishme të taksave dhe thjeshtimin e sistemit fiskal, unifikimin e institucionit të doganave dhe tatimeve. Në qeverisjen tonë, askush nuk do të paguaje taksa më shumë se 1/3 e të ardhurave të tij. Ne kemi shpallur uljen e TVSH për ushqimet, energjinë në masën 70% dhe rreth 25% për të tjerat, uljen e sigurimeve shoqërore në masën 25%, ulje prej 15% të taksës së mbifitimit.
-Thjeshtimi i të gjitha procedurave ligjore, administrative dhe instalimi i praktikës një ndalim në një sportel për regjistrimin e bizneseve.
-Krijimi i zonave të lira dhe parqeve industriale, si gjenerator të fuqishëm punësimi, prodhimit dhe thithjes së teknologjive të reja.
-Shumëfishim i nivelit aktual të ulët të kreditit dhe funksionimi i bursës.
-Krjimi i një mjedisi pro eksport, orientimi i kapitaleve të huaja dhe të vendit drejt prodhimit dhe eksportit, aplikimi i stimujve mikroekonomikë, zgjerimi i praktikave duty free për eksportet, linja krediti të favorshme për eksportet e siguruara, shërbime mbështetëse për eksportin e vogël dhe të mesëm.
-Ndërtimi i infrastrukturës së rrugëve Durrës, Morinë, Lushnje, Vlorë, garantimi i furnizimit me ujë, energji elektrike, shtrirjen e internetit dhe telekomunikacionit në mbarë vendin, liberalizim të plotë të tregut të tyre.
-Krijimi i data base kombëtar të informacionit.
-Shkurtimin e shpenzimeve administrative dhe rritjen e nivelit të investimeve publike.
-Zhvillimi i burimeve njerëzore, potencialit intelektual, si burimin më të fuqishëm të të gjitha zhvillimeve. Ne zotohemi që të përshtasim plotësisht shkollat tona me kushtet dhe kërkesat e tregut. Ne do të krijojmë Komitetet Kombëtare të Burimeve Njerëzore dhe do të hartojmë programe të posaçme për mbajtjen, thithjen dhe rikthimin e trurit në Shqipëri.
Ndryshim për ne do të thotë mirëqenie. Ndaj ftojmë shqiptarët të votojnë për mirëqenien e tyre.
Ne do të fitojmë!
Zonja dhe zotërinj,
Përveç rritjes së shpejtë ekonomike, lehtësimin dhe nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës, ne projektin tonë për ndryshim e bazojmë:
-Në vendosjen e marrëdhënieve favorizuese për punësimin me punëdhënësit privatë.
-Caktimi i një primi që do t'i paguhet sipërmarrësit për çdo të punësuar rishtas, mbi bazën e kërkesës së tregut dhe lehtësim të ngarkesave që rëndojnë direkt çmimin e punës, duke marrë përsipër kualifikimin dhe sigurimet shoqërore të të punësuarve rishtas. Përparësi në punësim do të kenë të rinjtë, familjet që nuk kanë njeri në punë, si dhe ata që janë prej kohësh pa punë.
-Përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël, çka do të thotë dy herë para në xhepat e qytetarëve, kontot e afaristëve dhe krijim vendesh pune.
-Kredi me kushte të favorshme dhe lehtësi fiskale shtesë për ndërmarrjet e prodhimit, në përputhje me numrin e të punësuarve rishtas.
-Decentralizim të buxhetit duke rritur 4 herë, pra nga 6 në 25% të ardhurat e komuniteteve lokale nëpërmjet reformës fiskale.
-Zhvillimi i shpejtë i turizmit si përparësi kryesore e qeverisë sonë, me objektiv dyfishimin e numrit të turistëve brenda tre vjetëve.
-Hapja e tregjeve për prodhuesit shqiptarë.
Së fundi, për të hapur portën e prosperitetit dhe për të krijuar vende pune për shqiptarët, ne do të shembim monopolet private të qeveritarëve që sipas Bankës së Shqipërisë, kanë shkatërruar 196 mijë vende pune. Vetëm ryshfeti që biznesi i paguan administratës dhe qeveritarëve arrin në 1.4 miliard dollarë në vit. Unë jam këtu për t'u zotuar para jush, se duart e pastra dhe forca e ligjit do të jenë "leva e Arkimedit" për të shembur muret dhe monopolet, dhe për të hapur për shqiptarët dyert e begatisë dhe punësimit.
Me ne për duar të pastra. Ne do të fitojmë.
Zonja dhe zotërinj,
Në projektin tonë të ndryshimit, ne zotohemi të rivlerësojmë punën, njeriun punëtor. Në këtë kontekst, ne:
Nuk mund të pranojmë paga që janë qartas nën minimumin jetik.
Nuk jemi për egolitarizëm, por nuk mund të pajtohemi me raportin cinik të pagave 1:20 në sektorin publik dhe me pensionet qesharake me të cilat pensionistët nuk mbyllin dot javën. Jo dhe jo. Ne zotohemi për:
Rritjen e pagave mesatare dhe dyfishimin e pagave të ulëta, derisa diferenca në paga në sektorin publik të zbresë 1:5.
Dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre mbi minimumin jetik.
Të shpërblejmë mundësitë dhe suksesin personal, shkëlqimin e individit më shumë se sa e lejon statusi i tyre. Merita do të jetë themeli i shpërblimit për funksionet publike.
Ndryshim për ne do të thotë punë për shqiptarët, respekt për punën e tyre.
Zonja dhe zotërinj,
Në projektin tonë të rritjes së mirëqenies, një vend qendror zënë zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe bujqësor. Sot, në fshat jetojnë 55% e popullatës. Të ardhurat mesatare për frymë në fermat shqiptare janë 50 lekë të reja në ditë. Partia Demokratike konsideron zhvillimin e qëndrueshëm rural, shndërrimin e fermave tona nga ferma vetëmjaftimi në njësi biznesi, vendimtar për zhvillimin e vendit në tërësi, daljen nga varfëria, krijimin e vendeve të punës. Projekti ynë parashikon:
- Ngritjen e infrastrukturës në fshatra dhe zona rurale, furnizimin e tyre me ujë, energji elektrike, asfaltimin e katër mijë kilometra rrugë rurale.
- Sistem kreditimi të leverdisshëm në mbarë vendin për fermerët dhe agrobiznesin, nafta me çmimin 40lekë/litër për fermerët.
- Nxitjen e kulturave më fitimprurëse sipas rajoneve, duke u dhënë përparësi perimeve, ullirit, vreshtave.
- Krijimin e qendrave të grumbullimit dhe marketingut të prodhimit bujqësor, grumbullimin me çmim botëror të bimëve të arave.
- Ristrukturimi i plotë i sistemit të kullimit dhe vaditjes.
- Ngritja e rrjetit të shkollave bujqësore në mbarë vendin, do të subvencionohen farërat, shërbimet veterinare.
- Respektim i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, por edhe rinegocimi i këtyre marrëveshjeve, sipas instrumentave të tyre ligjore.
- Barazim i pensioneve të fshatit me ato të qytetit.
Mbrojtja e tokës nga erozioni, betonimi, pyllëzimi masiv do të jenë përparësitë tona madhore.
Vota për ndryshim është votë për fermat tuaja.
Ne do të fitojmë. Zonja dhe zotërinj,
Gara e dijes është gara e zhvillimit.
Sot është koha për ndryshim, sepse vetëm reforma e thellë do të shndërrojë shkollën tonë në një vatër të dijes, profesionit, kulturës qytetare demokratike dhe identitetin kombëtar. Sot, përqindja e fëmijëve analfabetë po rritet me shpejtësi dhe po kështu edhe numri i shkollave që nuk i mësojnë nxënësit. Mesatarja e viteve të arsimit të shqiptarëve ka rënë nga 11.6 në 9.2, janë mbyllur 85% e shkollave të mesme në zonat rurale, shpenzimet për shkollimin e fëmijëve tanë nga 4.2% në vitin 1996, kanë rënë në 2.8% të GDP. Rreth 30-70% e stafit akademik është larguar nga universitetet, autonomia e tyre është vetëm në letër.
Për reformimin e sistemit arsimor dhe modernizimin e shkollës sonë në të gjitha ciklet, në projektin tonë të ndryshimit ne zotohemi:
Dyfishim të buxhetit për arsimin publik, me qëllimin për ta nxjerrë atë zërin e parë në buxhet.
Nxitje, inkurajim dhe lehtësira për arsimin privat në të gjitha nivelet.
Shtrirjen e arsimimit parashkollor në 80% të fëmijëve të grupmoshave përkatëse.
Frekuentimi i arsimit të detyruar nga 100% e fëmijëve të grupeve përkatëse, toleranca zero ndaj analfabetizmit.
Internet dhe anglisht në çdo klasë, në mënyrë që fëmijët të klikojnë në moshën e imagjinatës së tyre, dhe të përgatiten si qytetarë të ardhshëm të BE.
Dyfishim i numrit të nxënësve në shkollat e mesme për të ndjekur objektivin e BE-së, që kërkon që 88% e 22-vjeçarëve gjer në vitin 2010, të kenë kryer arsimin e mesëm.
Modernizimi i mësimdhënies, teksteve, zvogëlim në 25-30 i numrit të nxënësve në klasa, shkolla të pajisura me të gjitha mjetet.
Rritja 50% e rrogave të mësuesve që dy vitet e para dhe dyfishim i tyre vitin e katërt të mandatit që vjen.
Reformim të arsimit të lartë, sipas një masterplani të hartuar nga Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë dhe të miratuar nga parlamenti.
Hapja e dyerve tetorin që vjen për të gjithë ata që duan të ndjekin shkollat e larta. Objektivi ynë do të jetë dyfishimi i numrit të studentëve, shpenzimeve për çdo student dhe investimeve për arsimin e lartë.
Nivelim i diplomave dhe zbatim i kërkesave të Kartës së Bolonjës.
Respektim i plotë i autonomisë së shkollave të larta, hapja e degëve të reja në universitetet tona, sipas kërkesave të tregut.
Programe të veçanta për stafet universitare, si ato të 1000 shkencëtarëve të rinj të talentuar dhe programin e grupeve të ekselencës për studentët e shkëlqyer që kanë përfunduar studimet brenda dhe jashtë vendit, dhe për studiuesit e doktoruar jashtë. Ne do të përdorim kreditin afatgjatë për transformimin e sistemit të arsimit të lartë.
Vota për ndryshimin është vota për shkolla moderne për fëmijët tanë.
Zonja dhe Zotërinj,
Punësimi dhe rritja e mirëqenies përbëjnë thelbin e paktit social të Partisë Demokratike me shqiptarët. Shteti social është shteti që themeloi Partia Demokratike dhe duam të konsolidojmë.
Rritja e cilësisë së shërbimeve është objektivi ynë. Ne konsiderojmë emergjencë zgjidhjen e furnizimit të pandërprerë me energji dhe ujë të pijshëm.
Furnizimin e energjisë ne do ta bazojmë së pari, në menaxhim më të mirë të saj, zvogëlimin e humbjeve. Aplikimin e depozitimit të përkohshëm dhe importin e saj, jo me kontratë korruptive me çmim 45 cent kilovati, kur në bursë shitet me 21 cent, krijimin e burimeve të reja në jug dhe veri të vendit, duke respektuar plotësisht potencialet turistike të qyteteve tona. Brenda 9 muajve do zhdukim sistemin e gjobave aforfe, do bëjmë zero TVSH-në e energjisë elektrike dhe do të ulim çmimin e saj.
Shqipëria është vend plot me ujë dhe që vuan më shumë se çdo vend tjetër për ujë. Ne zotohemi për ndryshim rrënjësor në furnizimin me ujë të popullatës, së pari, duke disiplinuar me mjete ligjore shpërdorimin e ujit të pijshëm, zgjidhur problemet e menaxhimit efiçent dhe ndërtuar ujësjellësa të rinj.
Brenda vitit të parë qytetet turistike, nga Saranda në Velipojë, do të kene ujë për 24 orë dhe në vitet në vijim, ujë pa ndërprerje për të gjitha bashkitë e vendit dhe përmirësim të rëndësishëm në të gjitha komunat e Shqipërisë.
Për ne ndryshim do të thotë dritë, ujë për shqiptarët.
Sot është koha për ndryshim. Në projektin tonë ndryshim do të thotë politikë e qëndrueshme për strehimin e qytetarëve, e cila sot ekziston vetëm për zyrtarët.
Partia Demokratike angazhohet për një politikë aktive strehimi qëndrore dhe lokale, e cila duhet të garantojë, së paku pesë mijë apartamente banimi në vit për qytetarët. Realizimin e këtij objektivi e bazojmë në:
- ristrukturimin e Entit të Banesave,
- vendosjen e sistemit të kredive të buta hipotekore të banesave,
- ndërtimin e banesave me tender të hapur nga sektorët privatë në trojet publike dhe përqindja që i takon qeverisë vendore, pronare e truallit, t'ju shitet me kredi të buta ose t'ju jepet me qera simbolike qytetarëve.
Për ne ndryshim do të thotë strehim.
Unë sot dua të garantoj të përndjekurit politikë, se qeveria e ardhshme merr përsipër dëmshpërblimin e tyre në përputhje me ligjet e vendit, Kodin Penal të Shqipërisë dhe se përveç kësaj një program të veçantë për këtë shtresë në mënyrë që jetët e tyre të barazohen me të shqiptarëve të tjerë.
Koha për ndryshim në projektin tonë do të thotë, rinia shqiptare, energjia, por edhe përparësia e projektit tonë të ndryshimit. Sot, mijëra të rinj dhe të reja shqiptarë që duan që Shqipëria të jetë shtëpia e ëndrrave të tyre më të bukura rinore, marrin çdo ditë me dhimbje dhe mall të madh, rrugët e botës, vetëm e vetëm se nëna e tyre e lodhur, fole nuk u jep. Ne garantojmë të rejat dhe të rinjtë shqiptarë se qeverisja e ardhshme do të hartojë një program, një politikë aktive, shkollim, punësim, shlodhje dhe dëfrim, mjedise sportive për të rinjtë tanë.
Një vëmëndje e veçantë do t'i kushtohet problemeve të narkomanisë dhe trajtimit të saj, SIDA dhe patologji të tjera. Ne me rreptësinë më të madhe dhe forcën e ligjit do të ndëshkojmë trafikun e fëmijëve dhe vajzave të reja, duke e barazuar si vepër penale me krimet e rënda kundër njerëzimit.
Ndryshim do të thotë për ne mbrojtje e fëmijëve tanë.
Sot është koha për ndryshim. Cilësi shërbimi shëndetësor më të mirë për çdo njeri është motoja jonë.
Rritja e cilësisë së shërbimit falas, rritja e shpenzimeve dhe investimeve, lufta kundër korrupsionit, parandalimi i sëmundjeve, mbrojtja e shëndetit publik, kontrolli rigoroz i ilaçeve, zhvillimi i tregut të sigurimeve të shëndetit dhe sëmundjes, ulja e vdekshmërisë foshnjore në mesataren e vendeve të zhvilluara, që sot është 45% kujdesi për të moshuarit, të gjitha mjekimet falas për pensionistët, bashkëpunim me sektorin privat janë objektivat tona në fushën e shëndetit.
Sot, është koha për ndryshim, sepse ndotja e mjedisit është alarmante. Sot, ndotja në Sheshin "Skënderbej" është shumë herë më e lartë se në metropolet e tjera të Europës. Po kështu, Shqipëria sot është vendi me biodiversitetin më të madh në Europe, por edhe me shkallën më të lartë të shkatërrimit të tij.
Për projektin tonë mjedisi është jeta, mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i tij, në përputhje me standartet ndërkombëtare, është objektivi ynë.
Ligje të reja që mbrojnë të drejtën e autorit, lirinë e krijuesve në përshtatje me kushtet e tregut, subvencionim i institucioneve kulturore kombëtare, veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare të shkrimtarëve dhe artistëve tanë, janë disa nga premtimet tona për kulturën shqiptare.
Sot, është koha për ndryshim, dhe për ne ndryshim do të thotë sporti si qendër jetike e formimit të të rinjve dhe zhvillimit të shëndetit do të jetë një përparësi e qeverisjes sonë. Ne mbështesin sportin si një veprimtari për të gjithë si dhe sportistët e mirëfilltë apo profesionistët, veprimtaritë e tyre. Ne do të investojmë për qendra dhe impjante sportive, terrene sportive në shkolla në mbarë vendin.
Zonja dhe Zotërinj,
Koha për ndryshim kërkon që rendi, siguria, lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit do jenë përparësia jonë madhore.
Sot, terrorizmi ndërkombëtar është rreziku dhe armiku numër një i paqes, sigurisë, jetës së popujve. Lufta kundër tij, është për mazhorancën e re, përparësi e dorës së parë.
Shqipëria vendi më i sigurtë në rajon është objektivi ynë.
Ne do të garantojmë rendin nëpërmjet:
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, trafiqeve kriminale, goditjen e tij me të gjithë forcën e ligjit.
Reformë e Forcave të Rendit dhe institucioneve të zbatimit të ligjit për të rritur aftësitë, profesionalizmin, guximin, kualifikimin, shpërblimin e anëtarëve të tyre, depolitizimin e plotë dhe krasitjen e segmenteve të inkriminuara të tyre.
Vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar me të gjitha agjensitë e specializuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimin e ligjit.
Vendosjen e një pakete ligjore antikrim për figurat e krimit të organizuar në të cilën veprat penale do të kenë një nivel të prerë dënimi.
Krijimi i xhandarmërisë si armë e fuqishme për shtypjen e krimit.
Vendosjen e policisë në blloqe dhe lagje në zonat me kriminalitet të lartë, natyrisht jo për qëllime personale të ministrisë.
Integrimi i Policisë Kufitare në Policinë e Rendit, duke i garantuar autonominë e nevojshme dhe mbrojtje të integruar rajonale dhe sigurim të kufijve tokësor, detarë dhe ajrorë, si kusht përcaktues për luftën kundër kontrabandës, trafiqeve kriminale dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Sot, terrorizmi ndërkombëtar është rreziku dhe armiku numër një i paqes, sigurisë, jetës së njerëzve dhe sigurisë kombëtare të vendeve të lira. Shqipëria ka dhënë dhe do të japë një ndihmesë reale në luftën kundër terrorizmit. Por, në rast se Durrësi dhe portet e tjera të Shqipërisë shndërrohen në porte private të klaneve mafioze të qeverisë, siç janë sot ato për shkak të lidhjeve potenciale të krimit të organizuar me terrorizmin, bëhen një kërcënim real madhor për sigurinë e vendit dhe më gjerë.
Ndryshim për ne do të thotë rend, qetësi, siguri. Ne ftojmë shqiptarët të votojnë për sigurinë e tyre.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, është koha për ndryshim. Në Shqipëri, treguesi i zbatimit të ligjit, është vetëm 0.17, pra në kufijtë e shtetit të dështuar, tre herë më i ulët se sa ishte në vitin '96 dhe katër herë më i ulët se sa është në Mongoli. Kjo, sepse ligji për qeveritarët dhe për zyrtarët nuk ekziston.
Në projektin tonë të ndryshimit ne zotohemi për barazi të plotë të të gjithë qytetarëve para ligjit, duke filluar nga kryeministri, deputetët dhe drejtuesit e të gjitha institucioneve të tjera gjer tek roja i shkollës në Vermosh apo fermeri në Vurg.
- konsolidimin dhe respektimin e institucioneve kushtetuese, dhe kushtetuetshmërisë dhe ndarjes së pushteteve
- drejtësi të pavarur, vetëkontrolle të pushtetit gjyqësor, zbatim rigoroz të vendimeve të gjykatave, reforma të thella të institucionit të akuzës.
Funksionimi i shtetit ligjor, për mua dhe për ju, është kushti më vendimtar për sigurimin e jetës dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, zëvendësimin e sistemit të korrupsionit me sistemin e vlerave të demokracisë, garantimin e konkurencës së lirë dhe shanseve të barabarta, thithjen e investimeve të huaja dhe të vendit, shkëputjen nga varfëria, luftën kundër krimit të organizuar terrorizmit, integrimin e vendit në BE dhe NATO, garantimin e të ardhmes sonë dhe fëmijëve tanë në Shqipëri.
Koha për ndryshim, për ne do të thotë sundim i ligjit, barazi e plotë e qytetarëve para tij.
Në projektin tonë për ndryshim ne zotohemi për qeveri të vogël, eficente dhe në dietë të plotë. Historia ka provuar se kur qeveria zgjerohet liria për qytetarët ngushtohet.
Sot shpenzimet e ministrive janë 6 herë më të larta se në vitin '96. Përgjysmimi i shpenzimeve është zotimi ynë.
Në këtë kontekst deklaroj se kam patur dhe kam respekt të veçantë për qindra dhe mijëra punonjës të administratës aktuale, të cilët kanë bërë çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, dhe reformave. Qëndrimi ynë ndaj zyrtarëve aktualë, sikundër ndaj atyre që do të vijnë do të përcaktohet tërësisht:
nga qëndrimi dhe përkushtimi i tyre ndaj ligjit, ndaj reformave.
Koha për ndryshim do të thotë, për mua dhe për ju, koha e reformave të bllokuara, ngadalësuara apo "a la karte" merr fund. Alfa dhe Omega e projektit tonë të ndryshimit janë reformat e gjithanshme, të cilat kanë për ne shqiptarët rëndësinë jetike që ka ajri për fluturimin e zogut.
Me ne për reforma është thirrja jonë.
Ne do të fitojmë!
Decentralizimi i pushtetit në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues dhe përmirësimet që do t'i bëhen, është një kusht tjetër vendimtar për, afrimin e shtetit me qytetarin, zhvillimin e qëndrueshëm rural, luftën kundër varfërisë dhe korrupsionit, nxitjen e punësimit, zbatimin e reformave të arsimit, shëndetësisë, të shërbimeve ndaj qytetarëve, vendosjen nën kontroll dhe administrimin në përputhje me ligjet të territorit.
Koha për ndryshim kërkon legalizimin e banesave, administrimin dhe vënien nën kontroll me emergjencë të territorit. Ne jemi të vendosur që në një hark kohor prej 6 muajve të përfundojmë procesin e legalizimit të banesave, bazuar në projektin:
- shteti merr përsipër kompensimin e pronarëve për tokën e zënë nga të shpërngulurit në të gjithë vendin.
- qytetari i shpërngulur paguan një tagër 100-400 mijë lekë për procesin e legalizimit të banesave dhe për të fituar pronësinë mbi tokën e zënë.
- legalizim i shtesave të pallateve në qytete, duke përcaktuar si tagër 4% të çmimit të tyre.
Ndryshim do të thotë legalizim. Vota për ndryshim është votë për legalizim. Ne do të fitojmë!
Zonja dhe Zotërinj,
Sot, është koha për ndryshim dhe ndryshim të shpejtë, sepse procesi i integrimit të vendit në BE dhe NATO, ëndrra më e bukur e shqiptarëve de facto është e ngrirë. Kjo ëndërr ka ngrirë jo se BE dhe NATO ka mbyllur dyert për Shqipërinë. E kundërta është e vërtetë, ato janë të hapura, por të bllokuara nga muri i korrupsionit qeveritar, monopolet e tyre private, dhunimi sistematik i vullnetit politik të qytetarëve, trafiqet kriminale, nga bllokimi i reformave apo reformat në letër.
Prandaj ne zotohemi, duke përmbushur kriteret, të firmosim pas zgjedhjeve Marrëveshjen e Associim-Stabilizmit dhe të shpejtojmë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.
Ne, demokratët që përfaqësojmë vokacionin perëndimor të kombit që shembëm perden e hekurt në Shqipëri, që anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Europës, Partneritetin për Paqe dhe që me kompromisin e zgjedhjeve të vitit 2001, bëmë të mundur hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Asociimit, shpallim sot publikisht se interesi kombëtar madhor i shqiptarëve është integrimi i tyre ne BE dhe NATO.
Projekti ynë i shndërrimit të ëndrrës europianë të shqiptarëve në realitet, përcakton plotësimin me rigorozitet të kritereve dhe standarteve të integrimit në BE dhe NATO nëpërmjet reformave të thella politike sociale, ekonomike dhe institucionale. Ne zotohemi që mandatin e ardhshëm:
Shqiptarët të votojnë si gjithë qytetarët e Europës, në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Hapësira të reja për rolin e opozitës së ardhshme në Parlament dhe kudo që ajo përfaqësohet,
Decentralizim real i pushtetit në përputhje me Konventën Europiane të Autoriteteve Rajonale,
Fund i diskriminimit të bashkive dhe komunave sipas përkatësisë partiake të të zgjedhurve,
Liri dhe pavarësi të vërtetë për mediat, legjislacioni, për të cilat do të jetë i standarteve më të mira europiane.
Garantimi i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, në përputhje me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare për pakicat.
Mbështetje të plotë dhe respekt për pavarësinë e organizatave të të Drejtave të Njeriut dhe Avokatit të Popullit që mbikqyrin sjelljen e forcave të rendit.
Ndryshimi i shpejtë i situatës dramatike në sistemin e paraburgimit.
Interpretim korrekt i imunitetit dhe heqje kolektive e tij për veprat e korrupsionit dhe krimit të zakonshëm.
Garantimin e funksionimit të shtetit ligjor, pavarësisë dhe transparencës në sistemit gjyqësor, luftën eficiente kundër korrupsionit dhe monopoleve dhe shkëputje nga varfëria,
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar,
Garantimin e sigurisë së kufijve,
Reformën e institucionit të akuzës dhe institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit,
Përafrim i legjislacionit tonë me atë të vendeve të BE.
Shqipëria ka një bashkëpunim ushtarak të qëndrueshëm me NATO-n. Ne jemi të vendosur të plotësojmë me rigorozitet kërkesat e Kartës së Atlantikut të Veriut, e Kartës së Adriatikut në rrafshin politik dhe ushtarak.
Reformat në ushtri kanë njohur progres real. Sot, njësi të forcave tona të armatosura janë të integruara me njësitë e NATO-s dhe Euroforca në Bosnje dhe Afganistan. Njësitë tona gjenden krah trupave aleate në Irak. Nga kjo platformë, në emër tuaj, dua t'ju dërgoj një përshëndetje të përzemërt ushtarëve tanë në tërësi dhe në veçanti atyre që ndodhen jashtë atdheut, t'ju shpreh mirënjohjen për detyrën dhe misionin që përmbushin, t'i garantoj se ne jemi krenarë me misionin e tyre, e mbështesim plotësisht atë dhe se do të bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të anëtarësohet së më shpejt në NATO.
Për ne ndryshim do të thotë integrim. Vota për ndryshimin është votë për integrim.
Me ne drejt Europës është ftesa jonë.
Ne do të fitojmë!
Zonja dhe Zotërinj,
Shqipëria faktor paqe, bashkëpunimi, miqësie dhe stabiliteti në rajon anëtare e BE dhe NATO është parimi drejtues i plotikës sonë të jashtme. Në këtë kontekst, ne besojmë se konributi më madhor i yni në rajon dhe në tërësi është përmbushja e kërkesave dhe standarteve të integrimit euroatlantik dhe shndërrimi i Shqipërisë në portën e perëndimit për Ballkanin.
Ne jemi të vendosur për zhvillimin e miqësisë dhe bashkëpunimin rajonal me vendet për rreth, Greqinë, Turqinë, Maqedoninë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, dhe Serbinë. Ne përshëndesim konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit, si marrëveshje paqe dhe stabiliteti në Maqedoni. Partia Demokratike konsideron zgjidhjen e statusit të Kosovës si një kusht jetik për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne mendojmë se kjo zgjidhje duhet të bazohet në marrëveshje me garanci ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, njohja e kufinjve aktualë ndërkombëtarë të Ballkanit dhe Kosovës, vendosja e statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj për vetvendosje dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, dialog konstruktiv dhe bashkëpunimi midis Prishtinës dhe Beogradit. Shqiptarët dhe serbët duhet të ndjekin shembujt e kombeve të tjera në Europë që kanë arkivuar armiqësitë e zgjatura dhe zhvilluar miqësi dhe bashkëpunim në emër të integrimit euroatlantik.
Për mazhorancën e ardhshme një rëndësi të veçantë do kenë marrëdhëniet me vendet e mëdha të BE-së Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe vendet mike si Austria dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së. Ne angazhohemi të hapim përfaqësi diplomatike në të gjitha këto vende dhe të intensifikojmë bashkëpunimin e gjithanshëm me këto vende.
Partia Demokratike konsideron prioritare bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e miqësisë me SHBA, vendin kampion të lirisë, vendin që udhëheq triumfin e ndërgjegjes në vendet ish-komuniste dhe çlirimin e Kosovës. Ne kemi qenë për 45 vjet populli më i shtypur dhe kemi vuajtur për liri më shumë se kushdo tjetër, ndaj dhe kemi mbështetur dhe do të mbështesim plotësisht doktrinën e Presidentit Bush zgjerim të hapësirës së lirisë në botë. Ne kemi qendruar dhe qëndrojmë të palëkundur përkrah SHBA-së në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Zonja dhe Zotërinj,
Sot, ne demokratët, jemi para një misioni të madh - misionit të rilindjes së shpresës dhe besimit, pastrimit të horizontit, vizionit të qartë për çdo shqiptar. Kjo, sepse frika për të nesërmen, frika nga papunësia, nga sëmundjet dhe spitalet e rrënuara, frika nga krimi dhe dhuna e rrugës, për vehten dhe fëmijën tënd, dobësia e madhe fizike dhe shpirtërore që sjell varfëria tek njeriu, kanë venitur shpresën dhe mbjellë zhgënjimin dhe dëshpërimin tek mjaft qytetarë.
Megjithë këtë, ata sytë i kanë tek ne, si promotor kryesorë i këtij ndryshimi. Por, për të përmbushur misionin tonë, ne duhet të gjendemi midis tyre, para së gjithash, midis atyre që janë më të dëshpëruar, më në nevojë, më të vetmuar. Ne duhet të pushtojmë mendjet, zemrat e tyre, të shkrijmë ngricën e ndrojtjeve që ata kanë, të ndajmë me ta shpresën dhe besimin tonë.
Ne së bashku le t'i sigurojmë shqiptarët se projekti ynë, para së gjithash, është projekti i ringjalljes së shpresës dhe besimit për çdo qytetar, i shpresës së rilindur për ata që e kanë humbur, por edhe i shpresës për të gjithë.
Punë, arsimim dhe sukses, mundësi për çdo qytetar për të fituar një jetë më të mirë, një mbështetje më të sigurt për familjen e tij, një shpërblim dhe respekt më të merituar për karierën e tij.
Për ne, ndryshim do të thotë të kthesh tek shqiptarët shijen e suksesit, ta bësh këtë të fundit një objektiv real, të mundshëm, të prekshëm, të parashikueshëm për të gjithë. Ndryshim do të thotë ndarje më e mirë e pasurive ekzistuese, krijim i pasurive të reja dhe ngushtim i hendekut të tmerrshëm që ndan sot dy Shqipëritë: Shqipërinë e pakicës qeveritare dhe klaneve të tyre, që rrezatohen tërë ditën në diellin e prosperitetit dhe pasurisë që krijojnë edhe duke fjetur, dhe Shqipërisë e qytetarëve të thjeshtë, të ndershëm, patriotë që jetojnë në të ftohtin Siberian të varfërisë.
Për ne, ndryshimi që vjen duhet t'i përkasë secilit, pavarërisht nga e shkuara, bindjet apo vendi ku jeton. Me ndryshimin ne duam të hedhim bazat e forta të unitetit kombëtar. Le të lemë mbrapa kundërshtitë e shkuara, të bashkuar do të fitojmë, do të ndryshojmë Shqipërinë. Le të punojmë të gjithë së bashku, pa paramendime, për të ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen tonë, për të shndërruar ndryshimin në mbarësi të madhe, në dritë dhe shpresë të vërtetë për veten, fëmijët tane dhe mbarë shqiptarët.
Prandaj dhe ju ftoj: së bashku drejt horizontit të ri për të shndërruar ëndrrën tonë në realitet.
Zonja dhe Zotërinj,
Projekti ynë i Shqipërisë shpresëdhënëse ka në epiqendër të tij qytetarin shqiptar me hallet, dertet, familjen, të ardhmen e tij.
I pari qytetari, është thelbi i vërtetë i projektit tonë të ndryshimit.
Unë i siguroj qytetarët shqiptarë se si një njeri që kam kaluar çerek shekulli në shërbim të përpjekjeve, dhimbjeve, vuajtjeve, përballjes së tyre me sëmundjen dhe me të keqen, instikti im më i thellë është të gjendem midis shqetësimeve dhe derteve të tyre dhe në shërbim të tyre. Në politikë kam hyrë, ju e dini, si njeri i zemrës, i tillë mbetem gjithnjë. Vendimi më i rëndësishëm i jetës sime është të jetoj me problemet, dhimbjet, sakrificat, gëzimet e qytetarëve shqiptarë.
Prandaj dhe unë zotohem se do të shkoj në shkolla dhe universitetet ku mësojnë dhe studiojnë fëmijët e tyre, në spitalet ku mjekohen njerëzit e tyre, në ndërmarrjet ku ju punoni, do të dialogoj me opozitën e ardhshme, me partnerët socialë, njerëzit e kulturës, biznesit, mediat, shoqërinë civile, fermerët, punëtorët, studiuesit, nxënësit, studentët, të rinjtë, të rejat, nëpunësit për të gjetur ide të reja, për të imagjinuar rrugë të reja, për të ndërmarrë reforma të reja, për të zbatuar projektin e ndryshimit, projekti do të bashkojë të gjithë shqiptarët.
Kështu që, unë ftoj çdo qytetar shqiptar të më gjykojë mua nga ndjeshmëria ime, respekti, dashuria ndaj qytetarit.
Ju më keni dëgjuar ndonjëherë të ngre zërin në Parlament, të bëhem i ashpër dhe të tregoj me gisht apo të vë ndonjë nofkë. Unë ju betohem se kurrë nuk e kam bërë për inatin personal, por vetëm e vetëm nga dhimbja, ndjeshmëria që kam ndaj varfërisë të pamerituar, që mbyll para syve tuaj dyert e të ardhmes. E kam bërë këtë se për mua, atje ku ka vuajtje ka një lëndim, atje ku ka vështirësi ka një detyrim. Unë dua të jem i sinqertë me ju, zërin e kam ngritur dhe kam treguar me gisht, edhe sepse nga të gjitha rrobat e trupit, dorashkat janë të vetmet sa herë i kam blerë nuk i kam veshur ndonjëherë.
Unë gjithashtu, nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë korbi grabitqar, zogu vetmitar që do të fluturoj lart mbi ju. Largohuni me shpejtësi nga unë, po u shpalla i tillë para jush. Unë jam Sali Berisha, gjithmonë midis jush, i etur për të ndarë me ju entuziazmin, energjinë, shpresën, përkushtimin, ndershmërinë, dashurinë, respektin për ju, për familjen, për punën, për kombin, për Shqipërinë.
Unë nuk fluturoj mbi ju
, por qëndroj me këmbë në tokë, marr forcë nga forca juaj, ndriçim nga mendja juaj
, besim nga besimi juaj, vizion nga idetë tuaja, frymëzim nga karakteri juaj
. Ju e dini, gjatë këtyre 15 vjetëve në politikë, së bashku përmbysëm diktaturën komuniste më të egër në Europë, nxorrëm Shqipërinë nga bunkeri i izolimit orvellian, me reformat më të thella hodhëm bazat e sistemit demokratik, mbrojtëm, pavarësisht nga çmimi në opozitë, vlerat dhe parimet që besojmë. Por, unë dua t'ju rrëfej se nuk kam punuar për asnjë çast, asnjë orë apo ditë për historinë. Historia ime janë liritë, mundimet, dhimbjet dhe të vërtetat e qytetarëve të thjeshtë dhe tuajat në tërësi. Në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk jam ndarë nga ju, nuk kam fluturuar dhe nuk do të fluturoj mbi ju, nuk jam shmangur as dhe në vendet e tjera, në çdo situatë kam qëndruar para ose midis jush.
Prandaj, unë ju ftoj ju të më gjykoni para së gjithash, nga qëndrimi im ndaj problemeve tuaja, projekti që paraqes për zgjidhjen e tyre, qëndrimet që kam mbajtur dhe mbaj ndaj interesit tonë kombëtar e të më gjykoni nga fjala e dhënë.
Ndryshim për mua do të thotë që fjalët e mira t'i shndërrosh në punë të mira. Ju garantoj se në qeverinë e ardhshme, qeveritarët që nuk mbajnë premtimet do të largohen. Unë nuk mund të pranoj që ata që ju iu besoni votën, ta përdorin atë për mashtrimin tuaj.
Përgjegjësia për premtimin do të jetë përgjegjësia e parë për të cilën do përgjigjet qeveria e ardhshme.
Unë besoj se detyra supreme e kryeministrit dhe kabinetit të ardhshëm është të mbrojë qytetarët shqiptarë nga korrupsioni dhe me duart e pastërta sterile të kirurgut, forcën e drejtë të ligjit, rrezen e diellit të transparencës, të shkulë nga trupi i lodhur i shoqërisë sonë këtë kancer që po shkreton, than shëndetin, bukurinë, imagjinatën, jetën e fëmijëve, të rinjve, burrave e grave, të moshuarve, por edhe të familjes dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.
Nga kjo platformë unë garantoj shqiptarët se, beteja e parë që do të fitojmë së bashku do të jetë beteja kundër tij. Premtimi im është duar të pastërta dhe forca e ligjit dhe transparenca e plotë në mbrojtje të pasurive tuaja private dhe publike.
Ligji i parë që do të amendohet është ligji i konfliktit të interesit. Unë zotohem para jush se asnjë qeveritar apo zyrtar në administratën e ardhshme nuk do mund të përdorë pushtetin, nuk mund të përdorë imunitetin për pasurimin e paligjshëm të tij apo familjes së tij, pa u përballur me rreptësinë e ligjit. Unë ju siguroj ju, se asnjë qeveritar apo zyrtar nuk do të mund të fshehë, transferojë pasurinë e përvetësuar nëpërmjet pushtetit tek familjarë dhe aq më pak bashkëshortja e tij. Ata mund ta kapërcejnë edhe ylberin apo të bëjnë edhe lifte, por nga puna do të largohen dhe me ligjin do të përballen.
Duar të pastërta, barazi para ligjit - është zotimi ynë.
Ne do të fitojmë!
Zonja dhe Zotërinj,
Shqipëria e sotme ngjet me një nënë në prag lindjeje, që është plot ndruajtje dhe jo pa dhimbje, por plot shpresë dhe gëzim, që mezi pret të lindë fëmijën e saj, ndryshimin për të gjithë shqiptarët.
Prandaj, ajo sot ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen, dashurinë, besimin, përkushtimin tonë. Prandaj ftoj shqiptarët le ta duam më shumë Shqipërinë, sepse kështu do të duam më shumë vehten, fëmijët dhe të ardhmen tonë. Së bashku në betejën elektorale të ndryshimit të madh, fillimit të madh. Ndryshimi do të thotë mbarësi, shpresë, mirësi, punë, prosperitet, shkolla moderne, rend, siguri, integrim, dinjitet, faqe të bardhë për çdo shqiptar dhe për Shqipërinë.
Gjenerata jonë jetoi shtypjen më të egër. Me kurajon, guximin tonë, ne u bëmë njerëz të lirë, realizuam ëndrrën e lirisë. Me kurajon tonë le të realizojmë ëndrrën e bukur të demokracisë dhe integrimit.
Axhenda jonë është fitorja e ndryshimit, fitorja e ideve të projektit tonë, e të gjithë atyre që kanë nevojë për mirëqenie dhe punësim, rend, siguri, dinjitet, e shkollimit, e fitores së integrimit në BE dhe NATO, e fitores së atyre që u qëndruan besnik këtyre parimeve, e fitores së atyre që duan të shohin përpara, e fitores së fëmijëve, vajzave, djemve, burrave, grave që duan ta shohin Shqipërinë - shtëpinë më të bukur të të gjithë shqiptarëve.
Ne të gjithë jemi para një takimi të madh, takimi me ndryshimin, shpresën, fitoren dhe të ardhmen. Së bashku drejt tyre!. Suksesi, thotë Dysrale, është fëmija i guximit. Ne do të fitojmë!
Le të ecim ne më të bashkuar se kurrë me shpirtin e modestisë drejt fitores. Fitorja jonë nuk është fitore e partisë, është fitore e shqiptarëve dhe e Shqipërisë.
Zoti i bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!