Re: Dialogu; Kosove - Serbi
KUSH DHE ÇKA PO BISEDON ME SERBINË?
Shkruan : Xhevat Bislimi
Dialogu hynë në radhën e “shpikjeve” të mëdha të njerëzimit. Madje mund të themi se edhe gjuha është rezultat i nevojës së njeriut për të dialoguar dhe komunikuar. Këtë të vërtetë e ka “kuptuar” dhe e ka futur si standard (kusht) të një rëndësie të veçantë për “lirinë” e Kosovës edhe “bashkësia ndërkombëtare”-Bashkimi Evropian. Për të biseduar dhe komunikuar kanë nevojë edhe palët historikisht të armiqësuara, siç janë shqiptarët dhe serbët. Puna është se bisedimet (negociatat, dialogu) duhet bërë me rend e me vend. Duhet ditur saktë: kush janë palët, që do të bisedojnë?, për çka do të bisedojnë këto palë?, ku do të bisedojnë?, kur do të bisedojnë?, kush do të ndërmjetësojë?, dhe më e rëndësishmja: a janë krijuar kushtet për të biseduar? Po i marrim me radhë.
Kush janë palët që do të bisedojnë?
Bisedimet do të duhej të zhvilloheshin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës (pa e “harruar” Tiranën). Pala serbe është përfaqësuese e shtetit dhe e popullit serb. Për të hyrë në bisedime me Kosovën kjo palë ka marrë “vizën” nga Kuvendi i Serbisë, nga Qeveria serbe, nga të gjitha partitë serbe dhe në fund edhe bekimin e Kishës serbe. Po kush janë “përfaqësuesit” e Kosovës? Holkeri, Rugova dhe Daci. I pari, Hari Holkeri, kishte dhe ka mandatin nga OKB-ja dhe Këshilli saj i Sigurimit, kurse Rugova dhe Daci nuk e kërkuan as pëlqimin e partisë së tyre për të shkuar në takimin e Vjenës, ku do të hapejë rruga për bisedime. Institucionin që i kishte zgjedhë në ato funksione, Kuvendin e Kosovës, nuk e pyetën fare. Tiranën dhe interesat e saj jetike në këtë çështje as nuk e zunë në gojë. Kështu nxirret përfundimi se ata nuk përfaqësonin as familjet e tyre atje. Ata ishin dy individë, dy njerëz, dy qytetarë, dy emra, që i duheshin dikujt për të bërë nga një fotografi, që i duhej dikujt për t’i filluar bisedimet me Serbinë për realizimin e një politike tashmë të njohur, që disa shtete po ndjekin ndaj Kosovës dhe çështjes shqiptare. Në të vërtetë Kosova hynë në bisedime si krahinë e Serbisë. Dialogun ose bisedimet në fakt i udhëheq UNMIK-u. Grupet e krijuara për bisedime “praktike” kryesohen nga UNMIK-u dhe për çfarë do të bisedohet vendoset nga UNMIK-u. Shqiptarët do të jenë stolisja ose kripa e kësaj gjelle bajate, nga e cila do të vjellin tërë jetën e tyre (urojmë të mos ndodhë kështu!).
Për çka do të bisedohet?
Sipas asaj që thotë UNMIK-u, i cili edhe i ka imponuar këto bisedime me Serbinë, do të bisedohet për energjinë elektrike, për të zhdukurit, për telekomin dhe për çështje të kësaj natyre, me demek jopolitike. Jemi dëshmitarë se Kosova prej se është vendosur sundimi i UNMIK-ut është më shumë pa energji se me të më shumë në errësirë se në dritë. Faji jetim! Por, nëse u besojmë të dhënave të UNMIK-ut dhe deklaratave të zyrtarëve të tij, për këtë çështje (për dritatë) janë ndarë mbi pesqindë milionë euro! Miliona euro janë dhënë edhe nga buxheti i Kosovës! Por, te ne vazhdon të sundojë terri! Shtrohet pyetja: ku përfunduan gjithë ato para? Pse askush nuk u mor në përgjegjësi për shpërdorimin ose vjedhjen e tyre? Dëmet e shkaktuara nga mungesa e energjisë elektrike në ekonomi, tregëti, shërbime, në shëndetin publik dhe në jetën e gjithmbarëshme janë astronomike. Secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të mendojë se e gjithë kjo katrahur, i gjithë ky dëm qenka bërë me qëllimin e vetëm: të ulemi në bisedime me Serbinë dhe ta marrë vesh Kosova se nuk mund të jetojë pa vrasësen e saj, Serbinë!
“Muhabet” në këto bisedime do të bëhet edhe çështja e të zhdukurëve, e atyre që Serbia i vrau, i masakroi dhe po mundohet t’ua humbë edhe eshtrat. Ky “muhabet” nuk i nderon UNMIK-un dhe Bashkësinë Ndërkombëtare. Gati pesë vjet pas mbarimit të Luftës Serbia nuk pranon të japë shpjegime dhe të dhëna për fatin e mijëra të zhdukurëve, nuk pranon t’i kthej kufomat e tyre! Sjellja e Bashkësisë Ndërkombëtare (Fuqive të Mëdha) ndaj kësaj Serbie (e njëjtë me atë të Milosheviçit), pavarësisht konjukturave, është vërtetë e pakuptimtë. Serbia do të duhej të shtrëngohejë, që të paktën t’i gjente të gjithë të zhdukurit, t’ua kthente familjeve. Kjo nuk është çështje pazarllëku e bisedimesh. Mirëkuptimi që ka gjeturë Serbia te disa Fuqi të Mëdha ka bërë që ajo të sillet me cinizëm dhe arrogancë ndaj kësaj çështjeje të dhimbshme. Një pjesë të fajit e ka edhe politika “jonë” e butë dhe e ëmbël si hallva.
I njëjti “muhabet” edhe për telekomin. Rrjeti i telefonisë tokësore bashkë me prefiksin është i telekomit serb. Edhe telefonia satelitore serbe është shtrirë pa pengesë në Kosovë. Prandaj, për çka do të bisedohet?
Ku do të bisedojnë?
Shumë pluhur është çuar rreth vendit ku do të mbaheshin bisedimet “teknike-praktike”. UNMIK-u propozonte dhe këmbëngulte që këto bisedime të mbaheshin në Beograd (në kryeqendër). Me këtë propozim ishin dakord edhe qeveritarët tanë, por doli problemi i dokumenteve të UNMIK-ut që nuk i njeh Serbia! Më në fund, siç e dimë të gjithë, u vendosë që këto bisedime të mbahen në Prishtinë. Institucionet tona, më falni të UNMIK-ut, pranuan që bisedimet të mbahen në Prishtinë, aty ku nuk do të duhej të mbaheshin.
Kur do të duhej të bisedonin?
Ai që vendosi se kur do të bisedohet ishte përsëri UNMIK-u, i cili kishte caktuar edhe disa data të tjera për këto bisedime, por nuk u realizuan, falë ndërhyrjes së tërthortë amerikane. Zgjedhja e 4 marsit si datë për fillimin e bisedimeve është tejet provokative për shqiptarët dhe për Kosovën. Të fillojnë bisedimet në vigjilje të 5 marsit, kur do të hapet manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, është fyerje dhe mospërfillje e ndjenjave liridashëse të kësaj pjese të Shqipërisë. Prandaj, nuk duhej pranuar.
Kush do të ndërmjetësojë?
Kjo çështje me sa duket është hequr përfundimisht nga rendi i ditës. UNMIK-u është ai që do t’i kryesojë komisionet dhe në të njëjtën kohë do të jetë ndërmjetës midis palëve që ishin në “konflikt”, midis palëve të të njëjtit shtet! Vajtjet e rregullta të Holkerit në Beograd janë dëshmia më e mirë se UNMIK-u dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së vazhdojnë t’ia njohin Serbisë “patronatin” mbi Kosovën. Kjo nuk do shpjegim!
A janë krijuar rrethanat, a janë plotësuar kushtet themelore për bisedime?
Jo. Kushti i parë, nënshkrimi i paqesë midis Kosovës dhe Serbisë nuk është plotësuar. Ne, de jure, ende jemi në luftë me Serbinë. Kushti i dytë, njohja ndërkombëtare e pavarësisë, ose më saktë e të drejtës për vetëvendosje dhe referendum, nuk është plotësuar. Vetëm pas njohjesë së kësaj të drejte (ky ishte edhe shkaku i luftës me Serbinë) mund të bisedohet për çështje kufijsh, për dogana, për tela të rrymës e të telefonit, për të zhdukurit, për pagimin e dëmeve të luftës dhe për çështje të tjera, që janë të rregulluara me norma dhe ligje ndërkombëtare. Mirëpo, Serbia dhe Bashkësia Ndërkombëtare (Fuqitë e Mëdha), lere që nuk e kanë përmbush asnjërin nga këto kushte, por ato po përpiqen ta kthejnë Kosovën në Serbi, po përpiqen ta mbajnë Kosovën të ndarë dhe të rrënuar ekonomikisht. Kërkesa për kantonizimin ose ndarjen e Kosovës u bë edhe zyrtarisht nga kryeministri i ri i Serbisë, shovinisti Koshtunica, mu në institucionin më të lartë të Serbisë, në Kuvendin e saj. Edhe kjo nuk do shpjegim! Shpjegim dhe studim do paraqitja, logjika, sjellja dhe veprimtaria e klasës politike të Kosovës, e cila mërmërit ca fraza dhe deklarata boshe, që shpeshherë as vetë nuk i kupton. Çfraë do të ndërmerr kjo klasë politike pas kërkesës zyrtare të Koshtunicës për ndarjen e Kosovës? A thua do të vazhdojnë të përkunden në djepin e bisedimeve “teknike-praktike”? A thua do ta kuptojnë se Serbia nuk është e interesuar për bisedime të tilla të kota, por, të paktën, për ndarjen e Kosovës, meqë të tërën nuk e kapërdinë dotë, sepse do ta pëlciste. A thua e kuptojnë se Serbia këtë synim strategjik mund ta realizojë me ndihmën e Fuqive të Mëdha? A thua kujtohen këta politikanë se ka edhe një çështje tjetër me Serbinë, çështja e Luginës së Preshevës? A thua…