Dëshmitë nga Shkodra: Gomonia e dytë mbërriti në Itali

fati

Primus registratum
Dëshmitë nga Shkodra: Gomonia e dytë mbërriti në Itali

SHKODER (21 Janar) - Ka pasur gomone të dytë që i ka shpëtuar tragjedisë. Ka ikur me 9 janar dhe 12 shkodranë kanë mbërritur në Itali. Në Bahçallëk të Shkodrës 10 janari ka sjellë festë të rrallë në një familje. "Jam gjallë, kam mbërritur". Biseda telefonike e ka kthyer gjëmën në dasëm. Vetëm 4 km larg qytetit të Shkodrës, në Bahçallëk ndodhet familja fatlume ku babai ka marrë telefonatën e lumtur nga djali. Kjo ka ndodhur 40 orë pas nisjes së 9 janarit 2004. Babai kërkon të mbetet anonim, pasi nuk do t'i hapë telashe të birit 20 vjeçar, pas asaj tragjedie. Ai i ka thënë të atit "kam mbërritur shëndosh e mirë". I ati flet duke treguar dëshminë e telefonuesit nga Italia, që zbardh sekretin e gomones së dytë. Ajo ka mbërritur në Itali, ka shkarkuar njerëzit. Babai pohon atë që i ka treguar djali: "Dy gomonet janë nisur bashkë. Në momentin kur kanë nisur problemet për gomonen e tragedisë, gomonia jonë është përballur me dallgët. Drejtuesit e saj, ustallarë të vërtetë, nuk kanë tentuar të kthehen sërish në Vlorë, nga janë nisur, por janë ndaluar prej detit dhe kanë ndryshuar drejtim. Kanë ecur afro 2 orë dhe nuk di ku kemi ndaluar, afër Dhërmiut, Palasës, Himarës, pasi nuk e njihnim atë zonë, se ishim gjithë shkodranë. Pastaj u kthyem. Skafistët kishin ngarkuar dhe drogë në gomone. Hashash a marijuanë nuk e dimë asnjëri se ça ishte se s'të linte kush ta prekje mallin. Pamë se gomonia tjetër kishte defekt. U afruam për t'i ndihmuar por nuk arritëm dot. Pastaj ata na thanë se kemi lajmëruar për ndihmë policinë dhe janë duke ardhur për të na marrë. Kështu që skafi ynë i la ata dhe u nis për në Itali. Udhëtimi i gomones së dytë ka zgjatur shumë, prej detit me dallgë. Nuk mbaj mend sa kemi qëndruar atje, por ferri i asaj natë ka marrë fund në të gdhirë, kur dhe kemi mbërritur në bregun tjetër të detit, në Itali ku dhe u hodhëm të gjithë ne dhe malli i skafistëve." Po, kanë thënë familjarët e Bahçallëkut, Dukagjinit, etj, ka pasur një gomone të dytë dhe se ajo ka pasur shkodranë në të. Të afërmit thonë se "në atë gomone kanë qenë 12 të rinj nga zonat e Shkodrës". Madje saktësisht të tregojnë dhe fshatrat dhe lagjet nga kanë qenë ata. Sipas tyre, 3 të rinj janë nga Dukagjini, 3 nga qyteti i Shkodrës dhe katër nga zonat vetëm 3-4 km larg qytetit. Të gjithë kanë mbërritur të gjallë dhe kanë folur prerazi me familjet. "Kemi mbërritur, mos flisni se kemi frikë se na kapin në Itali". Të afërm të njerezve fillimisht kanë folur, por më pas janë tërhequr duke menduar se mund t'u bëjnë keq njerëzve të tyre të cilët janë matanë detit, si dhe frika se mos duhet të ndeshen me policinë e cila do të kërkonte lidhjet me sekserët. Një nga familjarët që ende vazhdon të shkojë të presë në Vlorë, mos deti nxjerr trupin e nipit të tij ka rrëfyer disa ditë më parë një rast të ngjashëm. Vuksan Leka ka pohuar se të shtunën, me 10 janar, njoftimi ka mbërritur në Shkodër. "Kemi qenë, ka pohuar familjari afro pesëqind shkodranë duke pritur. Një djalë i një këngëtari shumë të njohur në Shkodër ka telefonuar të shtunën dhe u ka thënë të tijve: jepjani lekët atij njeriut se unë kam mbërritur në Itali. Jemi nisur gati një çerek ore, apo njëzet minuta para gomones tjetër dhe kemi mbërritur në Itali". Kaq ka thënë njeriu fatlum që kishte arritur gjallë natën e ferrit të 9 janarit 2004 ku 21 bashkëqytetarë të tij humbën jetën. Gjithashtu janë dhe dy numra celulari italianë që kanë qenë në gomonen e vdekjes dhe që ende vazhdojnë të jenë në përdorim nga dikush që përgjigjet ndonjë rast në shqip: Kë kërkoni? ro/ro (GazetaShqiptare/BalkanWeb)
 
Top