Braktisja e femijeve

gazetarja_turke

Forumium praecox
Braktisja e femijeve

<font color="blue">Braktisja e femijeve

Një grua hyri në oborrin tim dhe mbante me vete një çantë të madhe, unë arrita të shoh edhe makinën e taksisë e cila po e priste me derën hapur dhe e ndezur gati për nisje – filloj rrëfimin Ermira.Shpejtova, por e gjeta vetëm çantën e madhe që ajo kishte lënë. Në çantë ishte një fëmijë, i mbështjellur në një batanije të hollë, në të cilën nëna e kishte shkruar emrin e fëmijës. Gjaku që i kishte mbuluar kokën jepte të kuptoje se ishte i posalindur.
Mu desh shumë pak kohë të arrija tek çanta, por do të më duhet pafundësisht kohë, që nëse është e mundur, ta harrojë ngjarjen më të keqe që më ka ndodhur ndonjëherë në jetë – shton Ermira.
Ajo lajmëroi policinë dhe e tërë ngjarja përfundoi në gjyq, ku u sqarua se nëna e kishte braktisur fëmijën e saj për shkak se babai potencial e kishte braktisur gruan në muajin e nëntë të shtatëzënisë.
Çfarë po ndodh me këtë problem të shoqërisë demokratike? Në radhë të parë pse ndodh kjo dhe a ka tendenca të rritjes së kësaj dukurie negative të shoqërisë këtu në Kosovë, gjegjësisht në Gjakovë? A duhet të ekzistojë arsyeja për braktisjen e fëmijëve ?
Burimet nga Qendra për Punë Sociale, spitali dhe policia në Gjakovë e nënvizojnë faktin se zakonisht braktisjet e fëmijëve ndodhin nga vajzat e reja, në raste të shumta edhe nga të miturat, pasi që për ato lindje nuk është në dijeni familja e vajzës, apo nuk e pranon atësinë mashkulli dhe ky fëmijë për femrën shëndërrohet në një fëmijë të padëshiruar.
Ata poashtu treguan se këto lindje të padëshiruara nga vajzat e Gjakovës zakonisht kryhen në qytete tjera dhe anasjelltas. Përderisa ka njerëz që i braktisin fëmijët, ka edhe të tillë që në mënyrë vullnetare dhe me plot dashuri i strehojnë ata deri në adoptim apo në kthim në familjen biologjike. Këto janë të ashtuquajturat familje strehuese që sipas drejtorit të QPS-së në Gjakovë, Ali Selimaj mbajnë në strehim familjar fëmijët e braktisur. Strehimi familjar, sipas tij, bën pjesë në mbrojtjen e fëmijës, është i përkohshëm dhe është një lloj pragu për pregatitjen e fëmijës për dërgim në familje adaptuese ose për kthimin në familjen e tyre biologjike.
N.N., nga komuna e Gjakovës që në familjen e saj iu ofron strehim fëmijëve të braktisur thotë : “Në fillim ka qenë punë bestytnie, ku unë kam vendosur që të strehojë një fëmijë me rastin e festës së Kreshmes, që është një festë katolike e sakrificës.Me strehimin e fëmijës,- vazhdon ajo- unë kam realizuar dëshirën time 20 vjeçare. Unë kam dy fëmijë të mijë biologjik, një vajzë 18 vjeçare dhe një djalë 16 vjeçar,por kjo nuk më ndalon të kujdesem për fëmijët e braktisur dhe deri më tani kam strehuar tre fëmijë: Diamantin për dy muaj e gjysmë, Lirakun për katër muaj, kurse Elsen e kam strehuar që tre muaj”. Kur ne e lutëm zonjën që intervistën ta regjistronim, ajo me sytë e mbushur lotë na tha se nuk mundet ta përballojë këtë gjë, pasi që e kaplojnë emocionet sa herë që flet për “fëmijët e saj”, sepse ashtu i quan ajo nga dashuria. Ajo dhe familja e saj nuk munden ta pranojnë faktin se pas një kohe të kaluar në shtëpinë e tyre, fëmijët e strehuar duhet të tërhiqen nga aty për të shkuar në familje adoptuese apo për tu kthyer tek familja biologjike. Ndarja me fëmijët është shumë e rëndë për ta , bile në rastin e parë N.N. tregon se vajza e saj i ishte sëmurë kur ishte ndarë me fëmijën e parë të strehuar. Për shpenzimet e fëmijëve familjet strehuese paguhen nga MPMS me 90 € për një fëmijë, por siç tha N.N.e tërë kjo është çështje e vullnetit të mirë, e dashurisë dhe e humanizmit dhe në këtë mes nuk hyjnë fare të hollat.
Para se fëmijët e braktisur të kalojnë në strehim familjar nga organet kompetente duhet të ndiqet një procedurë. Në radhë të parë procedurën e fillon spitali pasi që aty edhe braktisen fëmijët në të shumtën e rasteve edhe pse sipas burimeve të lartëpërmendura ka raste kur fëmijët braktisen edhe në vende të pazakonshme si në rrugë apo afër kontinjerëve, raste këto që janë shumë të pakta.
Sipas punëtores sociale në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë , Shaindere Tabaku, procedura që ndiqet zgjat tre muaj. Gjatë këtyre tre muajve merren deklarata të shumta nga nëna që dëshiron të braktisë fëmijën, babai i fëmijës, nëse ai arrihet të identifikohet, pastaj nga familjar të vajzës etj. Procedura zgjat tre muaj pasi që vajza mund të jetë e traumatizuar nga rasti dhe të mos mendoj objektivisht. Në fund ajo definitivisht duhet të vendos se a do ta mbajë fëmijën apo do ta braktisë, përderisa gjatë këtyre tre muajve
ne vazhdimisht mundohemi ta bindim nënën dhe familjen e saj që ta mbajë fëmijën. Këto deklarata nuk merren vetëm nga ne por edhe nga policia dhe punëtori social I QPS-së,- shton Tabaku.
Kur e kemi fjalën për QPS-në, shefi i shërbimeve sociale të këtij institucioni, Jakup Hasi pohon procedurën e lartëpërmendur dhe shton se posa QPS-ja të merr lajmin e braktisjes së një fëmije dhe bashkë me të të dhënat për rastin, intervenon menjëherë dhe e shikon mundësinë e vendosjes së fëmijës në institucionet përkatëse apo në strehim familjar. Një tjetër organizatë që strehon fëmijët dhe kujdeset për ta është SOS Kinderdorf në Prishtinë.
“Fatmirësisht në Gjakovë- sipas punëtorit social në QPS, Rexhep Qarri, ka më së shumti familje strehuese, janë gjashtë sosh. Për këtë gjë institucioni ynë ka marrë mirënjohje nga Ministria për Mirëqenie dhe Punë Sociale.Këto familje,- vazhdon ai, janë vullnetare dhe janë të trajnuara nga profesionistët për të ushtruar detyrën e strehuesit familjarë”.
Fenomeni i braktisjes së fëmijëve vazhdon dhe paraqitet në rrethanat nga më të ndryshmet. Burime në QPS, polici dhe spital pohojnë se ka raste kur femra që braktisë fëmijën nuk e pranon faktin se fëmija është i saji pasi që frikësohet nga reagimi i familjes së saj ose pasi që mashkulli, në këtë rast babai potencial i fëmijës nuk e pranon fëmijën si të tijin. Mirëpo, ka edhe të tilla raste kur femra që e lind fëmijën në spital paraqitet me identitet të rrejshëm dhe kur ky mashtrim zbulohet nga mjekët, atëherë kërkohet ndihma e policisë, ku në kuadër të njësisë së komunitetit është një ekip i veçantë për raste të tilla. Rasti më tutje hulumtohet nga policia deri në gjetjen e identitetit të vërtetë të nënës dhe pastaj fillojnë proceduarat e cekura më lartë. Sido që të zhvillohen rrethanat e braktisjes, fëmijët e braktisur qëndrojnë në spital për 38 deri në 40 ditë.
Se si arrinë QPS-ja t’i mbulojë rastet e braktisjes së fëmijëve,punëtori
social Rexhep Qarri shpjegon se janë gjithsejt tetë punëtorë social dhe secili e ka terenin e vet të punës në të cilin mund të veprojë
“Unë personalisht-vazhdon ai, i kam në teren timin 18 rrugë dhe 18 fshatra dhe për çka do që ndodhë në këto vende, probleme të cilësdo natyrë qofshin ato duhet t’i zgjidh unë dhe e njëjta vlen edhe për kolegët e mi”.
Tashmë nuk gjykohet gabimisht adoptimi i një fëmije si turp apo diçka e tillë, përkundrazi do të thotë të shpëtoshë një jetë dhe t’i falësh një individi një gjë të shenjtë-familjen. Adoptimin e ka kuptuar si mision të shenjtë edhe familja me të cilën ne kemi biseduar, më saktësisht kryefamiljarja e familjes M.M.
“Disa të njohur na treguan për një familje që dëshironin të braktisnin fëmijën e tyre të posalindur për shkak të kushteve të këqija ekonomike. Meqë ne qëndrojmë mirë ekonomikisht vendosëm ta adoptojmë atë fëmijë, pra vajzën , edhe pse ne i kemi dy djem. Shumë shpejt jemi lidhur me vajzën dhe fatmirësisht edhe djemt e mi e duan shumë si të ishte motra e tyre biologjike.
M.M.është optimiste se askush nuk do t'ia tregojë vajzës të vërtetën kur ajo të rritet, sepse citon ajo: “Vajza kishte një javë që kishte lindur, kurse unë me familjen time kishim dy ditë që ishim kthyer nga mërgimi dhe të gjithë mendojnë se vajza ka lindur gjatë kohës kur ne ishim në mërgim. Sa i përket familjes biologjike të vajzës ne iu kemi mundësuar që çdo të shtune e të dielë ata të vinë e ta vizitojnë vajzën e tyre dhe të ndihen si në shtëpi të vetë, por ata kanë edhe një kusht për të plotësuar, kushtin që asnjëherë në të ardhmen të mos i tregojnë vajzës të vërtetën, që asnjëherë të mos I thonë se janë familja e saj biologjike, sepse ne e kemi birësuar atë dhe e duam sikur të ishte vajza e jonë.”
Braktisja e fëmijës nuk është zgjidhje e problemit të shtatëzanisë së padëshiruar, por përkundrazi është një tjetër problem në vete.


***Shënim:
Të gjitha faktet dhe burimet e lartëpërmendura janë të vërteta, por për shkak të konfidencialitetit ka raste kur nuk i kemi përmendur emrat, edhe pse këta emra egzistojnë si dokumente në redaksinë tonë.


ME MATERIAL TË GJURMUAR NGA: Ermira Kyqyku, Sandra Jaka, Nertila Qarri, Vlona Zhaveli, Edona dhe Arbnora Kurhasku, në punëtorinë e gazetarisë hulumtuese nën organizimin e Zeki Vehapit.

SHKROI:
Gazetarja_Turke-Ermira KYQYKU
</font>
 

gangsterja

Primus registratum
Te braktisesh nje femije eshte gjeja me etmerrshme qe mund te beje nje person.Femija te zbukuron jeten pale dhe ate te qeshuren qe i zbukuron fytyren qe shnrit si nje yll i vogel ne hapesiren e pafund.Edhe nese nuk e ke me deshire qe ta mbash bej sakrifice per te sic ka bere prindi yt per ty duke te ti plotesuar te gjitha tekat edhe nese s'ka pasur mundesi.Kete gje e tregon edhe teksti i mesiperm.
 
Top