Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

Vis Elbasani

Forumium praecox
Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

<span style="font-weight: bold">Votën time duhet ta meritoni</span>


Pjesëmarrja tejet e ulët në votime e shqiptarëve gjatë dy zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, si edhe në do zgjedhje të pjesshme, ka alarmuar, siç duket, një pjesë të mirë të kozmopolitëve, globalistëve dhe antinacionalistëve, shqiptarë e të huaj. Ky bojkot i heshtur i pjesës më të madhe të votuesve ka dëmtuar imazhin e atyre që hyjnë e dalin nëpër dyert e ambasadave ndërkombëtare e nëpër organizmat e tjera ku aplikohet për donacione e investime. E këta janë duke u përpjekur që llumin social, politik e ekonomik, në të cilin kombi shqiptar është zhytur, ta paraqesin si të dëshirueshëm nga një shumicë e mirë e shqiptarëve, ta legjitimojnë, si një gjendje të pranuar me vetëdije e në mënyrë ligjore. Kuptohet, këtë synojnë ta arrijnë duke i kërkuar votuesit shqiptar tetëmbëdhjetë vjeç e lart që të bëjë e ta gjykojë si të dojë garën elektorale apo luftën demagogjike të këtyre muajve të fundit, mjaft që ai të dorëzojë më 3 korrik 2005 votën e tij, të drejtën e tij sovrane në shërbim të gjendjes kaotike që jetojmë sot.
Sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, ata që gëzojnë shtrirje të madhe në mjetet e ndryshme të shtypit të përditshëm, atij shtypi që i bën lavazh truri një pjese të mirë të kombit shqiptar në këto kohë moszhvillimi ekonomik, kanë filluar të pëshpërisin se ky moszhvillim ekzistoka sepse nuk paskësh dalë ndonjë forcë e tretë politike, krahas të përhershmëve PD e PS. E gjitha kjo fillesë me pëshpëritje, këtu e katër-pesë vjet më parë, për të ashtuquajturën “forcë e tretë” vlente për t’u hedhur hi syve votuesit mospjesëmarrës në votime se ai nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje vetëm sepse kishte përballë vetëm dy forca politike dhe, me këtë rast, do të ishte e ndershme që votuesi të dilte në kërkim të “forcës së tretë shpëtimtare” që meritonte votën e munguar të shqiptarëve. E kështu partizanët e vjetër ia behën, përpara se të afronin zgjedhjet e 2005 (zgjedhjet e radhës), me krijimin e do organizmave “ndryshe” shqiptare, të tilla si “Klubi 2002” apo “Mjaft”, mjete propaganduese që nxisnin dhe nxisin përfshirjen sa më të përgjithshme dhe pa krye të shqiptarëve në politikë. Qëllimi i vërtetë i organizmave të këtij tipi, të cilët vetëmburren ende sot për intelektualë dhe opinionbërës, ka qenë dhe mbetet errësimi i arsyes së shqiptarëve me anë të propagandës ngatërruese të politikës, ku gjithçka është e errët dhe e pakutpimtë me përjashtim të politikës, ku marrja me politikë dhe mosmarrja me punë dhe arsim është gjëja më me vlerë që një shqiptar mediokër duhet të bëjë. Pas këtyre organizmave që e ndiejnë se e kanë të lehtë të depërtojnë në mendimin shqiptar, pasi justifikohen se janë jashtë çdo partie, partizanët e vjetër Alia, Berisha, Godo e Nano, arritën që të krijonë dhe të forcojnë pozitat edhe të ndonjë partie tjetër të re, të fryrë si tullumbace, të tilla si Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo parti në dukje e re, të thotë që nga emri që mban se nuk është aspak e mëvetësishme si ideologji partiake, por se mbetet një bijë e mbesë bastarde e Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe e Partisë së Punës së Shqipërisë (të mos harrojmë, ish-Partia Komuniste e Shqipërisë). Është pikërisht kjo lëvizje që shitet për braktisëse e Partisë Socialiste, që ka marrë flamurin e të fortpriturës “forcë e tretë” e që na numëroka rreth 40.000 anëtarë brenda pak muajve, pikërisht siç bën një tufë e stërmadhe dhensh sapo bariu u fut do qen të zotë në mes…
Ndërkohë, pavarësisht fushatës legjitime të zgjedhjeve kuvendore të 2005-ës, pavarësisht garës së ndershme apo të pandershme të partive e partiçkave synuese për asgjë më tepër se një kolltuk milioneri, janë pikërisht opinionbërësit ata që nuk i zë gjumi natën se si do të shkojnë zgjedhjet më 3 korrik. Ata e kanë filluar përgatitjen e tyre muaj e muaj më parë. Jo më kot patëm grindje mes organizmash ndërkombëtare që merren me sondazhe, si ai GALLUP. Si të mos mjaftonte një, sondazh mbi zgjedhjet paskësh kryer edhe organizmi tjetër ndërkombëtar NDI. Po sa sondazhe ende të papublikuara janë kryer përë t’u blerë mendjen shqiptarëve nëse do të votojnë apo jo në masë këtë herë? Shtetin shqiptar, ai që është, vazhdojnë ta qeverisin organizmat ndërkombëtarë, si ambasadat, OJQ-të, fondacionet e tjera multimilionere, lobet e ndryshme joshqiptare, bashkësitë e ndryshme fetare e kozmopolite, si dhe agjensitë e pafundme të shërbimeve sekrete joshqiptare.

<span style="font-weight: bold">Nga ksenofobia në ksenofili</span>

Me sistemin kriptokomunist të qindvjetëshit të kaluar, populli shqiptar u ushqye me ndjenjën e frikës ndaj të huajve, ku i huaji i fundit për t’u mbajtur pranë ishte kinezi i largët, por që edhe ky u bë imperialist, revizionist dhe i padëshirueshëm. Si rrjedhim, lindi ai që në patologji quhet “kompleksi i superioritetit”. Kjo ideologji e sëmurë bëri që shqiptarët të zhgënjehen shumë në rastin e parë kur kontaktuan me të huaj pas 1990-ës, jashtë apo brenda Shqipërisë. Menjëherë, neokomunizmi i shitur për demokraci pas 1990-ës bëri që të huajt të shiheshin si të vetmit njerëz të denjë për t’u ndjekur si model apo nënshtruar si vartës, duke qenë se kushdo udhëheqës apo qeveritar shqiptar dështonte në qeverisjen e tij apo tradhtonte linjën e premtuar. Ne mund ta vëmë re sot se taktika e vetme që PD-ja (një parti e majtë me program antikombëtar dhe e dështuar në çdo aspekt politik e intelektual) po përdor gjatë fushatës në debate dhe fjalime të ndryshme është se aksh organizëm i huaj dhe aksh institucion amerikan apo perëndimor ka kritika të forta ndja qeverisjes aktuale të PS-së, ndaj edhe paskësh ardhur koha për ndryshim, siç del e paraqitur në moton e Partisë Demokratike. Lind një pyetje paksa naive: “Po Partia Demokratike vetë, me intelektualët dhe përvojëtarët e shumtë që mëton se i ka në kreun e bazat e saj, pse ia la organizmave të huaja ta shpallnin këtë gjysmë-platformë politike dhe pse nuk qe e zonja vetë ta shpallte e para pa përmendur dhe pa i mëshuar gjithnjë faktit se kështu thotë edhe BE-ja, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe FMN-ja, në lidhje me korrupsionin që ka kapluar sot shtetin tonë?” Çka është më kryesore, pse PD-ja i përdor si armë kryesore ankesat dhe përfundimet e organizmave ndërkombëtare mbi korrupsionin dhe mosqeverisjen efikase gjatë këtyre viteve të fundit, kur është po kjo Parti Demokratike e cila ngriti e para në majë të Korabit kultin e korrupsionit, të servilizmit partiak, të demagogjisë, të mosqeverisjes dhe që vazhdon ende sot të thithë në parti pikërisht ata njerëz që e lanë partinë nga ku dolën sepse donin të shkatërronin jo vetëm partinë e tyre po edhe shtetin shqiptar, kombin shqiptar? Nëse do ta përdorte këtë arsyetim, të themi, LSI-ja, do të ishte disi më korrekte, sepse ka qenë deri diku larg përlyerjes me kultin e korrupsionit dhe mosqeverisjes efikase për një kohë të gjatë. Por këtë e përdor PD-ja sepse nuk i ka mbetur asnjë fytyrë dhe ide politike për t’u shitur shqiptarëve nëpër tribuna me çmim shumice, pasi ka dështuar e tëra, përsa kohë kreu i PD-së kultivon servilizëm që i siguron atij një pushtet partiak të përhershëm. A nuk ishte kjo edhe idologjia e Partisë së Punës së Shqipërisë? Kush me një mendje të kthjellët e arsye të fortë mund të pohojë sot që Partia Demokratike është një parti e djathtë dhe që ka një program kombëtar? Krerët e PD-së janë gjithnjë të gatshëm të presin në sofrat e tyre çdo Nikolas Gejxh dhe çdo antishqiptar tjetër të shpallur, me qëllimin e vetëm që t’u tregojnë shqiptarëve se ksenofilia dhe shkelja e interesave kombëtare janë vlera dhe jo siç e do logjika, antivlera. Për PD-në mjaft që të bindësh të huajt dhe të duash t’ia dish vetëm për të huajt, s’ka gjë se s’i jep llogari zgjedhësit shqiptar…
Nga ana e saj, LSI-ja e ka shpallur veten si një parti e bindur e majtë, por që është shkëputur përgjithmonë nga Partia Socialiste, e cila paskësh dështuar në rrugën e saj drejt një qëlllimi sipas Lsi-së madhor. Ky qëllim madhor, sipas kësaj force politike të majtë, nuk na qenkësh aspak çështja kombëtare, bashkimi i kombit shqiptar dhe integrimi në familjen shumëkombëshe evropiane apo botërore nëpërmjet fillimisht bashkimit kombëtar, POR krejt e anasjellta, integrimi me çdo kusht, edhe pse me sy mbyllur e në rrugë të verbër, në familjen evropiane kundër bashkimit kombëtar, kundër njohjes së vetes, integritetit dhe dinjitetit shqiptar, pro poshtërimit kombëtar dhe jashtë çdo linje që nuk mban firmë evropiane. Kështu, ksenofilia e LSI-së fshihet pas maskës së shumëpërfolur të integrimit, përfshirjes pa kushte në politikat evropiane të cilat synojnë në radhë të parë çrregullimin e Ballkanit, siç kanë bërë për qindra vjet, dhe sidomos copëtimin e pafund të trojeve shqiptare dhe mbajtjen e tyre peng si plaçkë e cilësdo luftë që mund të shpërthejë, qoftë ushtarake, qoftë ekonomike. Kjo duhet të jetë “forca e tretë” që synon të përfshijë me zell votuesit shqiptarë në këto zgjedhje të manipuluara pa filluar ende?

<span style="font-weight: bold">Arratisje nga e tashmja</span>

Që njeriu shpesh arratiset apo i ikën lirisë së tij, këtë e dimë nga psikanaliza dhe shkenca, por ja që shembullin më të mirë të kësaj arratie na e jep Prof. Dr. Sali Berisha! Me të drejtë mund të arrihet në përfundimin e patundshëm që Berisha jeton edhe pa pushtetin jashtë partie, atë qeveritar, por nuk bën dot pa pushtetin e brendshëm partiak, si e vetmja gjë që mund të ushqejë psikopatinë e tij delirante që do të ngatërronte çdo psikanalist, përveçse analistët e politikës. Me dështimet e njëpasnjëshme, me intrigat dhe poshtërsitë e tij politike e ligjvënëse, Berisha ka qenë herë pas here i lirë të dilte qoftë edhe përkohësisht nga skena politike, të themi siç bëri Mejdani, Meksi e ndonjë tjetër. Por ky vetëdijshmërisht nuk ka pranuar, sepse jashtë kreut të podiumeve, jashtë faqeve të gazetave dhe jashtë kolltukëve me drita të studiove televizive e ka parë veten një viktimë të neokomunizmit, një viktimë të politikës, pa të cilën është i mbaruar. Me siguri Berisha do të dalë nga politika kur të dalë nga jeta…
Mirëpo lirinë e tij, sidomos pas djegies së shtetit shqiptar më 1997, e ka shijuar dhe po e shijon më shumë nga të gjithë, plot herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano. Ky është i ndërgjegjshëm se liria për të vepruar është me të vërtetë një top që nuk do shqelmuar kot, siç bën Berisha e ndonjë tjetër, sepse ku më mirë mund ta kuptosh lirinë sesa në burg, ku Nano ka qenë deri më 1997? Por arratisja e Nanos na shfaqet në një tjetër mënyrë, që flet edhe njëherë e më shumë për demagogjinë dhe politikën antikombëtare që Partia Socialiste shpall. Kushdo nga ne i ka ndjekur spotet e shumta me temë zgjedhore, sa në televizione, sa në radio, ku Partia Socialiste zotëron më shumë hapësirë, edhe për arsyen se ka derdhur më shumë të holla në mjetet e shtypit që, në fund të fundit, mbahen nga reklamat. Por nëse në spotet e LSI, PD, LZHK e ndonjë partie tjetër kemi parë do formulime të shkurtra mbi linjën e partisë apo përfaqësuesit partiak në fjalë, në spotet e PS-së kemi vënë re se më shumë aty flitet se çka bërë Berisha gjatë dhe deri më 1997-ën; mjafton pastaj vetëm ndonjë fjali përmbyllëse që i kujton votuesit se ja pse u dashkësh votuar për PS-në, e cila nuk qenkësh PD-ja. Partia Socialiste dhe qeverisjet e saj me Nanon, Metën, Majkon e Finon ua kanë bërë jetën dritë shqiptarëve vetëm pak muaj para zgjedhjeve të radhës. Kini parasysh që vetëm tani Tirana dhe Durrësi po ndryshojnë disi faqe, vetëm disi ama, kurse qytetet apo zonat e tjera janë akoma në baltovinën që e katandisi regjimi i Hoxhës dhe nuk kuptohet lehtë nëse jetohet në 2005, në 1992 apo në 1982. Mirëpo, përveç këtyre, sllogani shëmtaraq i PS-së është “Mbro të ardhmen”, që i drejtohet votuesit si shok, në numrin njëjës dhe i kujton të mbrojë kë??? – të ardhmen!!! Votuesi ende nuk po sheh se ç’pasuri të madhe paskësh sot për sot në dorë, të tillë që do mbrojtur në të ardhmen, duke votuar për Partinë Socialiste. Si rrjedhim, kjo e bën të besojë që e kaluara ka qenë Berisha/PD dhe e ardhmja është Nano/PS. Por votuesi shqiptar pyet veten se kush është e tashmja? A ekziston në të vërtetë e tashmja? Kjo është një pyetje që i do përgjigjur PS-ja. Por ja përse shërbejnë votimet në Shqipëri dhe ja përse ne nuk jetojmë një demokraci, sepse kjo që jetojmë është një anarki dhe vetëm në anarki lulëzojnë njerëz që ndërrojnë parti si të ndërronin çorapet. Vetëm në anarki e tashmja është aq e hidhur sa nuk ia vlen ta kujtosh apo që kërkon ta fshish fare nga kujtesa e përditshme. Ja se si Nano shfrytëzon të kaluarën për t’u hedhur tek e ardhmja duke fshirë të tashmen e tij dështake! Dhe natyrisht që do të dështosh nëse ti shkel me këmbë vlerat e tua, vetëdijen tënde kombëtare, duke u bërë vasal i interesave shoviniste të qeverive greke, italiane, franceze apo serbe. Por e tashmja ekziston dhe një pjesë e kësaj është edhe 3 korriku, ku zgjedhësi shqiptar është i ftuar me kuç e me maç që t’ia dorëzojë votën e tij kujt të dojë po vetëm ta dorëzojë. Dhe nëse e tashmja është vetëm dhe vetëm dorëzimi i votës, dorëzimi i asaj gjëje të vetme që nuk mund të ta vjedhë asnjë parti nga dora jote, e nëse e tashmja është asgjë më tepër se një vijë e hollë e kufirit mes së kaluarës së madhe dhe mes së ardhmes së pafund, atëherë çdo shqiptar është vërtet i lirë të dorëzojë votën e tij në ditën e vetme të së tashmes, në ditën e zgjedhjeve, në një të tashme që zgjat vetëm disa orë, dhe ku e pret e ardhmja, e panjohura e përjetshme që nuk ka kurrë një pikë kulminante dhe që mbetet veçse… e ardhme!
Por ja që do kolopuçë që i stërvitin ambasadat dhe entet e tjera të huaja e shqiptare, të tilla si “Mjaft”, na dalin sot, në të tashmen tonë që nuk ekziston, me do slloganë të tilla si ato që na shohin sytë në TV, në internet dhe në rrugë: “Çfarë do të mbash mend nga tetëmbëdhjetëvjetori yt? Shkunde votën!” Edhe këta bij mendimesh kozmopolite nuk duan ta argumentojnë faktin pse pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk pranon ta shkundë votën. Këtyre u intereson vetëm dorëzimi pa kushte i të vetmit dinjitet që u ka mbetur shqiptarëve, votës. Me këtë politikë trushpëlarëse, këta pionierë të globalizmit duan ta bindin shqiptarin që në moshën e adoleshencës se gjëja më e rëndësishme për një të ri nuk është as dashuria, as gjendja ekonomike, as shoqëria, as dëfrimi, as arsimimi, as krenaria, as integriteti, por vullnetarizmi politik! Marrja me politikë në atë moshë qenkësh e vetmja gjë e denjë për t’u mbajtur mend te një djalë a një vajzë shqiptare tetëmbëdhjetëvjeçare. Lëvizja rinore “Mjaft!” doli fillimisht në skenë për t’i thënë “mjaft!” korrupsionit, vuajtjes, poshtërimit kombëtar, etj., kurse tani na kërkon t’i themi po këtyre gjërave “Vazhdo!”, përderisa kërkon që sidomos të rinjtë të marrin pjesë në këto palo-votime, edhe pse shumë pak të rinj janë në gjendje të kuptojnë poshtërsitë politike që luhen nga interesat antishqiptare me gurë shahu me gjak shqiptar dhe joshqiptar. A thua se gjëja më e bukur që një shqiptar do të mbajë mend kur të rritet është dita kur jetonte tetëmbëdhjetëvjetorin dhe kur mori pjesë në votimet e radhës, ato të 2005-ës!!! Pra, edhe “mjaftistët” e papërgjegjshëm për çka punojnë janë në një mendje me hienat e politikës shqiptare PD, PS, LSI, etj. Ata të ofrojnë vetëm një gjë me siguri, arratisjen nga e tashmja, pakuptueshmërinë e gjendjes që sot jetojmë, të qenit larg analizave të mjerimit ku është katandisur kombi shqiptar, largimit të vëmendjes nga Çështja Kombëtare Shqiptare.
Kurse Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, sado që fshihet pas personazhit të Leka Zogut, po na paraqitet në fushatë si një luan, por mbetet një shtojcë e karvanit të fëlliqur të hienave neokomuniste e anarkiste që kanë marrë plot krekosje udhën drejt legjitimitetit të pushtetit që ata tashmë e kanë ndarë. Edhe përfaqësuesit e LZHK-së fshihen pas slloganit “Ne bëjmë shtet”, për të na kujtuar se si e bëri shtetin Ahmet Zogu. E kaluara e lavdishme e Ahmet Zogut do të mbahet mend nga shqiptarët dhe do të trashëgohet brez pas brezi, por Ahmet Zogu nuk pati nxënësit e zellshëm të Berishës që ka sot përkrah Leka Zogu. Ahmet Zogu ishte zot i të tashmes së tij dhe nuk i ikte asaj. Përkundrazi, ai pa pasur asnjë të kaluar vendosi t’i merrte frenat e vendit në dorë duke u shpallur në mënyrë të habitshme mbret i shqiptarëve. Kjo i dha të drejtë. Ndaj shtetin nuk mund ta bëjë kurrsesi një lidhje partish që është krijuar vetëm dy muaj para zgjedhjeve të radhës. Si rrjedhim, LZHK është e dështuar që kur ka vendosur të marrë pjesë në këto zgjedhje, automatikisht. LZHK-ja duhet t’i shpjegonte fillimisht votuesit shqiptar, para se t’i kërkonte vot, se nuk mund të pajtohet me këtë politikë zgjedhore që e kanë krijuar PD, PS e simotra të tyre, duke dhënë të kuptohet se mospjesëmarrja në votime e tyre ishte një ndarje e dhimbjes me zgjedhësin shqiptar për të tashmen dhe vetëm për të tashmen që jetohet sot. Sipas një mendimtari të madh, ai që lufton kundër përbindshave duhet të ruhet për të mos u bërë ai vetë përbindësh, ndërsa kur vështron gjatë në një humnerë, edhe humnera të vështron brenda. Kështu, përfaqësuesit e LZHK-së kanë marrë përsipër të luftojnë njëkohësisht kundër PD-së, PS-së e LSI-së, por a mund t’i luftosh këta përbindsha politikë vetëm me shpatë? Do të ishin më të ndershëm drejtuesit e LZHK-së nëse nuk do të konkuronin fare në këto zgjedhje, duke i dhënë të kuptojë zgjedhësit shqiptar se neokomunizmi mund të luftohet vetëm duke u thelluar brenda nacionalizmit shqiptar e jo me një palë zgjedhje të radhës. Përfaqësueit e LZHK-së nëse janë të interesuar të përpiqen të përtërijnë traditën shtetformuese të mbretit Zog, duhet t’i japin të kuptojë popullit shqiptar se nuk janë të interesuar kryesisht për votat e tyre, se nuk janë të interesuar për thjesht sasinë e vendeve të Kuvendit, por për ndërgjegjësimin e të kuptuarit gjendjen e sotme kombëtare. Pa kuptuar të tashmen, si mund të jetohet e nesërmja? Do të ishte një e nesërme e zymtë dhe dështake.
Ndaj pjesëmarrja në votime më 3 korrik mbetet një pajtim me gjendjen e tashme ku jemi sot, sepse pas 3 korrikut vjen “e ardhmja”, diçka abstrakte dhe e paprekshme, e si e tillë askush nuk mban përgjegjësi. Përkundrazi, nëse bojkotimi i ndërgjegjshëm i pjesës më të madhe shqiptare i zgjedhjeve të radhës është një shenjë shëndeti e kombit shqiptar, që tregon ndërgjegjshmëri për të tashmen të mjeruar dhe që padit politikat antikombëtare që kanë sjellë këtë pellg të ndotur shoqëror, ekonomik e, natyrshëm, edhe politik. Vajtja në plazh, pjesëmarrja në punë apo leximi i një libri të vlefshëm janë do gjëra që vlejnë më shumë se çdo rrekje automatësh në kutitë e kalbura të votimeve të organizuara nga fashistë që do të çirren të nesërmen, sidoqë të shkojnë punët…

<span style="font-weight: bold">Vis Elbasani</span>

(Ky shkrim do te botohet ne nje nga ditet qe vijojne ne nje nga mjetet e shtypit shqiptar, me nje titull tjeter. Botohet per here te pare ne Albforumi.)
 

Poseidon

Primus registratum
Re: Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

Iluzion i kote....
Te mos votosh do te thote to keep your mouth shout edhe ne rastin me te mire...
Ndersa ne Shqiperi ndryshon puna, ka nje politike qe synon ti mbaje njerezit larg kutive te votimit, pra dashur padashur voten tende e ke hedhur per njeren pale ne zgjedhjet shqiptare(EDHE DUKE MOSVOTUAR e kam fjalen)... se per ke vlen ajo (mos)votim vrite mendjen vete.
I nderuar me nje llaf perseri jane TALLUR akoma me keq me ty vetem se nuk je akoma koshient.
 

Jo anarkist

Primus registratum
Re: Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

Ka disa arsye baze per te mos votuar:
E para: Je njeri qe nuk beson te demokracia, (mund te mbeshtetes teorine e shtetit te filozofeve, psh).
E Dyta: Je njeri qe beson se jo te gjithe votuesit jane te pergjegjshem per voten qe hedhin dhe rrjedhimisht, nuk te pelqen te barazohet verdikti yt me ate te te tjereve.
E treta: eshte pikerisht arsyeja pse une nuk do te shkoj te votoj keto zgjedhje. Po shof se asnje nga partite politike nuk synon t'i marre votat me platforme, por t'i kerkoje kundrejt favoreve apo pageses, si ne rastin e PS-se, apo ne kembim te zemerimit te natyrshem kunder kesaj qeverie, si ne rastin e PD-se.
Kjo politike do te mbetet legjitime per sa kohe nje pjese me shume se 50 % e popullates do te shkoje te votoje.
Nuk ka shance qe kjo politike te ndryshoje, d.m.th te mos vjedhje.
Nuk ka shanse qe nje force e re politike te krijohet dhe t'i shpetoje kontrollit te ketyre te vjeterve, t'i shpetoje financimeve te tyre apo sherbimit sekret.
Ne kete situate te pashprese, te mos votosh me synimin qe t'i delegjitimosh, do te thote te kryesh veprimin e vetem te llogjikshem.
 

OROSHI

Primus registratum
Re: Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

Ne momentin qe ndodhet populli shqiptar,me nje qeveri kuislinge,gjeja me e mire eshte TE VOTOSH!!
 

Vis Elbasani

Forumium praecox
Re: Bojkoti si pjekuri e zgjedhësit shqiptar

Mirmrama,

Ne keto caste qe po shkruaj ora sapo ka kaluar 19.00, ore kur kutite e votimit jane per t'u mbyllur.

Me lart mund te keni pasur durimin te lexoni do rreshta te shkrimit tim per te bojkotuar keto votime. Deri tani, ora 19.10, perqindja ne votime eshte dicka te 50%, sipas deklarimeve te KQZ-se.
<span style="font-weight: bold">POPULLI SHQIPTAR I BOJKOTOI ZGJEDHJET! MIREPO TANI FILLON MASHTRIMI I MADH I NDRYSHIMIT DHE I SE ARDHMES!!!
smash.gif
SAPO U DHA URDHRI QE TE SHTYHET MBYLLJA E QENDRAVE TE VOTIMIT, NESE JASHTE QENDRAVE QENDRON PER TE VOTUAR EDHE NJE VOTUES. PRAKTIKISHT, NESE EDHE NJE VOTUES I VETEM, MILITANT I FLAKTE I DERDHJES SE VOTES, KA VENDOSUR TE VOTOJE DHE ESHTE KOMANDUAR QE TE QENDROJE PER TE SHTYRE MBYLLJEN E KUTIVE TE VOTIMIT, AI TANIQENDRON JASHTE QENDRES DHE, TA ZEME, HA BYREK. KESHTU QE QENDRA E VOTIMIT NUK MUND TE MBYLLET...</span>

<span style="font-style: italic">NDERKOHE, ANDEJ NGA HASI APO KELCYRA ESHTE E SIGURT QE PJESEMARRJA NE VOTIME DO TE DEKLAROHET RETH 80-95%, PER TE MBUSHUR VAKUUMIN E LENE BOSH NEPER QYTETE SI TIRANA, ELBASANI, DURRESI, FIERI, SHKODRA, ETJ., KU ME SIGURI ESHTE VOTUAR NE NJE PERQINDJE TE ULET, NEN 50%</span>

&lt;img src=&quot;/pf/images/graemlins/smile.gif&quot; alt=&quot;&quot; /&gt; PERFUNDIMISHT, ZGJEDHJET REALE U BOJKOTUAN NGA SHUMICA E SHQIPTAREVE. ZGJEDHJET VIRTUALE, ATO QE DO TE SHPALLEN TE NESERMEN, DO TE NXJERRIN NJE PERQINDJE RRETH MBI 65%, SI PERHERE, SEPSE PIKERISHT NE KETO CASTE, DHJETRA KOMISIONERE TE DEVOTSHEM QE KANE PRANUAR TE JENE ANETARE TE qv-VE VETEM PER TE MARRE ATO 1500 LEKE TE NDYRA QE TE BLEJNE PAKETEN E DUHANIT PER JAVEN E ARDHSHME, PO MBUSHIN <span style="font-weight: bold">(NE ZONA TE IZOLUARA NE VERI E JUG TE VENDIT)</span> MIJERA FLETE VOTIMI, QOFTE EDHE TE PAVLEFSHME, VETEM E VETEM PER TE NGRITUR ARTIFICIALISHT NUMRIN E VOTUESVE[/i]

<span style="font-weight: bold">RROFTE CESHTJA KOMBETARE SHQIPTARE! POSHTE KUISLINGET DHE MBI TE GJITHA POSHTE INJORANTET E NAIVET!</span>
 
Top