
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me fermerët e Petovës në Fier, ku u njoh me shqetësimet e fermerëve që lidhen me çmimin e lartë të plehrave kimikë, mungesën e subvencioneve, mungesën e investimeve në kanalet kulluese dhe vaditëse, si dhe mungesën e tregut.
Basha ka bërë të ditur se fshatarët do të paguajnë vetëm një taksë, atë të pronës dhe ka theksuar se të gjitha paratë që do të mblidhen nga taksa e pronës do të shkojnë për investime në kanale kulluese dhe vaditëse.
“Taksa vetme për fshatin do të jetë taksa mbi tokën. Taksë tjetër nuk do të ketë. Taksë prej 350 lekë për dynym dhe taksë e tokës do të shpenzohet e gjitha për vaditjen dhe kullimin. Hapi i dytë është nafta pa akcizë dhe hapi i tretë që do të ndërmarrim është ulja e çmimit për të gjitha imputet”, u shpreh Basha.