Ankthi i 30 Qershorit, ultimatumi per emigrantet shqiptare ne Greqi

Klinton

Primus registratum
Ankthi i 30 Qershorit, ultimatumi per emigrantet shqiptare ne Greqi

Ankthi i 30 Qershorit


Nga Albert ZHOLI




Eshtë java e fundit e muajit Qershor. Eshtë java e fundit e dorëzimit të dokumentave të emigrantëve tanë në Greqi, për marrjen e Kartave të Blerta, ose më mirë të themi lejeve të qëndrimit. Gjithë këtë 6 mujor të parë të vitit 2003, kjo datë është lakuar, komentuar, paragjykuar, hamendësuar, krahasuar etj…jo vetëm nga shtypi dhe media vendase në përgjithësi, por edhe nga media ballkanike dhe e atyre vendeve që kanë emigrantë ekonomikë në Greqi. Ndoshta shtypi shqiptar ka qenë më i kontaktuari me këtë proces delikat dhe kaq domethënës për emigrantët tanë në fqinjin jugor. Dhe me të drejtë, disa gazeta të përditëshme shqiptare dhe javore kanë cekur herë pas here këtë problem shqetësues të vëllezërve që punojnë dhe jetojnë në Greqi. Duke pasur parasysh se, për paraqitjen e dokumentave për marrjen e Kartave të Blerta, po numërohen ditët e fundit, natyrshëm, gjithkujt që ka një të afërm në Geqi, apo ineresohet vetë për procedurat e legalizimit, i lindin një sërë pyetjesh :
Njëra ndër ato pyetje dhe që lind vetevetiu është ajo se çfarë do të bëhet me emigrantët që nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm?. Ata do të deportohen në atdheun e tyre që ditën e parë të Korrikut?. A janë fajtorë të gjithë emigrantët për mosplotësimin e dokumentacionit, apo fajtore është dhe qeveria greke?. Po qeveria shqiptare a ka faj për këtë kategori emigrantësh?. Ndërsa shpresëpahumburit po pyesin, a mos vallë qeveria greke do të nxjerrë ndonjë dekret të ri për shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumentacionit?.

Greqia dhe Presidenca e radhës
Nga muaji janar dhe deri në momentin për të cilin po flasim, (qershor 2003), Greqia ka zotëruar Presidencën e radhës së BE. Në muajin janar, ditën e marrjes së kësaj presidence, kryeministri grek Simitis, politikani karizmatik, që në sondazhe votohet edhe nga e djathta për të qënit në postin më të lartë të qeverisë, si kryeministër; deklaroi midis të tjerave se një nga prioritet e Greqisë në krye të presidencës do të jetë zgjidhja e problemit të emigracionit. Sipas platformës së qeverisë greke që iu komunikua shteteve anëtare të BE-së, javën e parë të muajit mars 2003, qendrimet e Greqisë për emigracionin jo vetëm gjatë Presidencës së radhës por edhe në vazhdim do të jenë :
1-Ndarja e barabartë e shpenzimeve ndërmjet vendeve anëtare të BE. Kontributi i buxhetit komunitar për çështjet e emigracionit dhe azilit politik konsiderohet si me rëndësi madhore për Greqinë. Athina vlerëson se, përballimi i një problemi kolektiv të BE-së, nga vendet ku shprehet trysnia më e madhe, presupozon kolektivitet në të gjitha aspektet, rrjedhimisht dhe në atë financiar. Qeveria greke thotë se, shtetet anëtare duhet të kontribuojnë për çështje që i preukupuojnë, pavarësisht nëse aktiviteti përkatës kryhet brenda apo jashtë territorit të tyre.
2-Administrim i përbashkët i kufijve të jashtëm të BE-së. Pala greke mbështet me zjarr krijimin e Gardës Kufitare Europiane.
3-Emigracioni klandestin nëpërmjet detit. Greqia konsideron të nevojshëm krijimin e një sistemi për mbikqyrjen, kontrollin dhe shkëmbimin e informacioneve dhe e gjykon si të domosdoshme financimin e përbashkët të këtyre iniciativave.
4-Luftimi i emigracionit klandestin dhe bashëkpunimi me vendet e treta. Greqia është dakort me dhënien e ndihmës ekonomike dhe teknike për zhvillimin e strukturave të domosdoshme në vendet e treta, me qëllim që këto të kufizojnë emigracionin klandestin. Po ashtu, Greqia thotë se BE duhet të ndërmarrë edhe sanksione ndaj vendeve të treta , në rast se këto nuk japin shenja bashëkpunumi esencial.
Ndërsa në gjithë takimet e radhës së BE gjatë Presidencës së Greqisë, kjo e fundit ka këmbëngulur në, "Unifikimin e politikave të vendeve anëtare të B.E për emigracionin".

A mund të arrihet unifikimi?
Megjithë dëshirën e politikës greke për emigracionin, unifikimi i politikave të vendeve të BE për thihtjen e emigracionit thuajse është e pamundur. Duke ju referuar gazetës greke "Eleftherotipia" (shtypi i lirë), theksohet se "linja europiane" që iu komunikua shteteve anëtare të BE-së më 15 Tetor 2001, me të ashtuquajturën "Bibla e gjelbër për emigracionin", sot mund të shprehet me parullën " Europa nuk është as Eldorado, as kështjellë", gjë e cila nuk po vërtetohet në praktikë. Aktualisht vendet e BE-së , duke pasur pozicione të ndryshmë gjeografike, nivele të ndryshme ekonomike, popullsi të ndryshme, kultura të ndryshme, nivele të ndryshme jetese, si dhe kërkesa të ndryshme për thithjen e emigracionit, nuk mund të arrijnë një politikë unike . Emigrantët ekonomikë apo politikë, përbëjnë cohën e kuqe (atë që përdorin teoradorët në ndeshjet me demat), sa herë që kjo çështje shtrohet për diskutim në organet komunitare. Aktualisht Gjermania, Danimarka, Italia, Anglia, Austria, Greqia thuajse nuk kanë asgjë të përbashkët në politikat e tyre qeveritare për thithjen dhe legalizimin e emigrantëve.
Greqia dhe 30 Qershori.
Në qoftë se për emigracionin në tërësi gjatë Presidencës së radhës, Greqia foli dhe preku çështje të paprekura më parë nga asnjë shtet që ka pasur këtë Presidenc në BE, ajo që ka prekur më pak dhe që si ka dhënë një zgjidhje të drejtë, sa më reale, me sa më pak strese dhe dhimbje është dhe mbetet (në ditët e fundit), se si do të veprohet me emigrantët që nuk kanë plotësuar kërkesat për legalizim. Tashmë lezuesi ynë është njohur në vijimësi se, për rinovimin e Kartave të Blerta, apo për marrjen e tyre për herë të parë, qeveria greke ka parashtruar rreth 10 kërkesa, ku midis të cilave do të veçojmë, kohëqëndrimin, sigurimet shoqërore, mospasje probleme me drejtësinë e të dy vendeve, kontratë pune etj…. Për të arritur deri këtu qeveria greke, u ka hapur udhën dy proceseve për legalizim, një në datën 2 janar 1998, dhe një në Qershor 2001. Duke parë mangësitë e këtyre dy proceseve, herë pas here qeveria greke, ka nxjerrë qarkore për shtyrjen e afateve kohore për paraqitjen e dokumentave. Një nga problemet kryesore që kanë hasur autoritetet greke në këto dy procese ka qenë mospasja e një infrastrukture të mjaftueshme për plotësimin në kohë të kërkesave të shumta në zyrat e Bashkisë, apo dhe atyre në Ministrinë e Drejtësisë…Aktualisht në Greqi janë rreth 50 mijë emigrantë shqiptarë që, ose nuk kanë mundur të plotësojnë në kohë gjithë dokumantcionin përkatës, ose nuk kanë mundur të lidhin një kontatë pune apo të sigurojnë sigurimet shoqërore të nevojshme të përcaktuara në ligj (300 ditë pune të dokumentuara). Dhe këtu flitet për emigrantë që kanë mbi 5 vjet qëndrimi në Greqi. Pra një pjesë e këtyre emigrantëve nuk kanë mundur të plotësojnë kërkesat, për faj të qeverisë greke (pra për mospasjen e një infrastrukture të plotë si zyra apo personel i nevojshëm dhe i kualifikuar), ndërsa një pjesë tjetër për faj të pronarëve grekë që nuk u paguajnë sigurimet shoqërore. (Për të qenë të saktë ka dhe një pjesë emigrantësh që kanë neglizhuar vetë për plotësimin në kohë të kërkesave). Pra kjo kategori emigrantësh, mbas 30 Qershorit sipas ligjit për legalizim shpallet e padëshirueshme dhe është e detyrueshme të deportohet?!
…dhe shteti ynë?
Gjatë kësaj periudhe 6 mujore, Ambasada Shqiptare në Greqi ka marrë kontakte të vazhdueshme me përfaqsuese të qeverisë greke për problemin e legalizimit. Ambasadori Zeneli është prononcuar disa herë në shtypin shqiptar në Greqi, por edhe në atë grek për problemet që i shqetësojnë emigrantët shqiptarë. Nga ana tjetër shoqatat e emigrantëve dhe përfaqsuesi i Sindikatave Shqiptare në Athinë z. Marta, në kontaktet dhe bashkpunimin me ambasadën kanë nxjerrë në pah problemet që shqetësojnë më shumë emigrantët në këtë periudhë kaq delikate, duke i paraqitur ato tek Avokati Grek i Popullit, në Parlamentin Grek, në atë europian etj. Kërkesat e tyre kanë gjetur përkrahje edhe nga shumë parti greke dhe shoqata kundër racizmit, apo për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve. Z. Nano në vizitën e fundit në Athinë dhe në takimin me përfaqsues të shoqatave të emigrantëve, bëri të ditur kërkesat e qeverisë shqiptare drejtuar asaj greke për legalizimin e emigrantëve dhe mori në konsideratë edhe shqetësimet e reja që parashtruan emigrantët, duke ja lënë për zgjidhje ambasadorit Zeneli. Por ajo që duhej të këmbngulte qeveria jonë në këtë drejtim ishte formimi i një komisioni të përbashkët, për shqyrtimin e kërkeave të emigrantëve, duke dhënë dhe rrugët më të mundëshme të zgjidhjes.
Lind pyetja, a ka zgjidhje…?
Po, zgjidhje ka. Në të dy proceset për lagalizmi të viteve 1998 dhe 2001, qeveria greke duke parë mangësitë në proceset e legalizmit, sidomos në kërkesat dhe kriteret që ishin mjaft të larta dhe në pamundësinë e realitetit emigrant për zgjidhje, bëri 3 herë shtyrje të afatit kohor të dorëzimit të dokumentave (dhjetor 2001, dhjetor 2002). Në këto shtyrje pati përmirësim ligjesh por edhe përgjegjësi më të madhe nga emigrantët. Ndoshta edhe këtë herë zgjidhja më e drejtë do jetë shtyrja për një afat kohoir 3-4 mujor. Kjo, për arsye se shumë dokumenta nuk janë dorëzuar në kohë jo për faj të emigrantëve. Ata nuk kanë pse të vuajnë gabimet e të tjerëve.
Deportimi i kësaj kategorie emigrantësh, pas 30 Qershorit do të jetë fatale, një dhimbje e madhe për ta. Flitet për vite të tëra në emigracion, për fëmijë në shkollë, për punë qoftë me mëditje por që siguron jetesë … Ndoshta ky 30 Qershor nuk do të jetë dita e fundit e dorëzimit të dokumentave për leje qëndrimi të emigrantëve tanë. Greqia që foli aq shumë për emigrantët, për të drejtat e tyre, për unifikim politikash në BE këta 6 muaj, nuk duhet ta mbyllë këtë Presidencë me gjuhën e kundërt të asaj që propogandoi.
 
Top