Amnisti fiskale - momenti 0
Amnistia fiskale dhe hordhia e administratorëve banditë
Mustafa Nano
Në një shkrim të para dy ditëve, Zef Preçi hidhte idenë e një amnistie të studiuar fiskale. Nuk e di, nëse i ka mëshuar herë të tjera kësaj ideje, por di që të tjerë e kanë bërë këtë gjë. I pari ka qenë ish-presidenti Rexhep Meidani, e më pas kanë vijuar zëra të tjerë. Të gjitha objeksionet ndaj kësaj teze, edhe pse kanë munguar të shprehen publikisht, kanë pasur të bëjnë me faktin, që shteti i sotëm shqiptar është shumë i dobët për të marrë përsipër aplikimin e suksesshëm të një amnistie fiskale. Me fjalë të tjera, strukturat dhe institucionet ekzistuese të shtetit shqiptar nuk janë në gjendje të ndërtojnë një sitë adekuate, nëpër të cilën të kenë mundësi të kalojnë, e rrjedhimisht të formalizohen, të gjitha sipërmarrjet private të ngritura mbi praktika të pranueshme të informalitetit, (evazion, privatizime të parregullta, lidhje të shkurtra me pushtetet, by-pass-im të ligjeve, pasurime të paverifikuara e të paverifikueshme njerëzish pa precedentë penalë etj., etj.) e sipër të cilës të mbeten krundet e bizneseve egërsisht informale (para kriminale që kanë ardhur prej kontrabandës e prostitucionit mizor, prej tregtisë së drogës, të armëve, të qenieve njerëzore etj., etj).
Në një bisedë rastësore private që kam pasur me Ridvan Boden (në kohën, kur sapo ishte zgjedhur ministër), dëgjova prej gojës së tij të njëjtin objeksion. Bode e pranonte si të nevojshme e të shëndetshme idenë e një amnistie të gjerë e të studiuar fiskale, por e konsideronte të parakohshme, ngaqë administrata publike e struktura të tjera shtetërore nuk ishin të përgatitura për ta çuar deri në fund aplikimin e një aksioni të tillë shumë kompleks. "Një gjë e tillë mund të bëhet pas dy-tri vitesh", mbaj mend të më ketë thënë Bode atë mot. Mirëpo, dy vite pothuaj kanë kaluar. Dhe jo vetëm që s‘është hedhur ndonjë ide e tillë, por kam frikë se frika e Bodes është bërë tashmë dhe frika ime. Shteti është bërë akoma më i dobët. Ndokush, i nisur nga protagonizmi retorik, nga qasjet furacake e nga bubullimat verbale të qeverisë, mund të jetojë me besimin, se shteti është ku e ku më i fortë, por ky s‘është veçse një iluzion. Është e vërtetë e kundërta: qasja furacake e qeverisë ka bërë që ne sot të kemi struktura të tëra shtetërore, të cilat janë ngritur e funksionojnë me logjikë partizane. Dhe kur institucionet e strukturat shtetërore janë të tilla, atëherë shteti mund të konsiderohet pa frikë i dobët. Sa më partizane të jenë këto struktura, aq më e brishtë bëhet e gjithë ngrehina shtetërore, gjë që u vërtetua në mënyrë spektakolare në krizën e vitit‘97. Është për të ardhur keq, që po ecet sërish në këtë drejtim.
Përveç kësaj, qeveria "Berisha" nuk ka pikën e dëshirës për të sendërtuar amnistinë fiskale, pasi kjo amnisti do të krijonte një moment "zero" e do të krijonte një start të ri për botën e tregut, pas të cilit do të ndërpriteshin në një masë të madhe hapësirat e veprimit për një qeveri arbitrare. Amnistia fiskale, e cila mund të shihet fare mirë si një purgator gjigant, do t‘i bënte më mendjefjetur, më të qetë e më në fund më kurajozë të gjithë ata biznesmenë, që mezi e presin këtë shans për t‘u pastruar nga mëkatet në purgatorin e amnistisë fiskale e për t‘u futur kështu në "parajsën" e tregut formal, dhe është bash kjo situatë, së cilës u tremben të gjitha qeveritë mujshare e zullumqare. Qeveria "Berisha" pra synon ta largojë sa më shumë në kohë këtë moment "zero", që do të çlironte energji pa fund të sipërmarrjes hë për hë të trembur e të ndrojtur shqiptare.
Në rrethana të tilla, Kryeministrit tonë nuk do t‘i toleroheshin kollaj raid-e verbale e jo verbale kundër biznesmenëve, të cilët ai i sheh si kundërshtarë për vdekje; në rrethana të tilla ai nuk do të mund të mobilizonte ushtrinë partizane të tagrambledhësve kundër sipërmarrjeve armike. Prandaj, ai është i interesuar që ta konservojë këtë gjendje, në të cilën është i lirë të shtjerë në punë të gjitha instrumentet qeveritare e shtetërore për të goditur e asgjësuar çdolloj biznesi (po të dojë, edhe bizneset më korrekte në treg). Nëpërmjet sulmeve të tilla, ai mundi të bllokonte e të dëmtonte aktivitetin tregtar të kompanisë "Olim". Pas kësaj, iu qep kompanisë së fluturimeve ajrore "Albatros", të cilën e bëri të falimentonte e të dilte nga tregu. Paralelisht me gjeste të tilla brutale kundër tregut, janë vënë re përpjekje për të krijuar biznese nga hiçi apo për t‘u dhënë një dorë (duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh) bizneseve miqësore me qeverinë. Kjo ka bërë që bota e sipërmarrjes të tulatet sa s‘ka ku të shkojë. Gati të gjithë biznesmenët e kanë qepur gojën, me shpresën se Kryeministri e hordhitë e tagrambledhësve të tij nuk do t‘i ngasin në punët e tyre. Një pjesë janë hedhur hapur në prehrin e qeverisë, ose duke i krehur bishtin kësaj të fundit, ose duke financuar aktivitete e fushata të partive të mazhorancës.
Kush ka provuar të rezistojë, i është dashur t‘i bëjë hesapet me goditje të njëpasnjëshme të qeverisë. Ja, shihni se ç‘po ndodh me "Top-Media"-n! Kryeministri i është qepur me bukë në trastë. Pas kontrollesh disa mujore nga ana e administratës së tatimeve, Berisha e të tijtë kanë shkarkuar nga puna një numër nëpunësish të kësaj administrate, ngaqë nuk kanë mundur të evidentojnë shkeljet e kërkuara prej eprorëve ("Shqip"-i i djeshëm jepte një informacion të dokumentuar lidhur me këtë gjë). Dhe historia nuk mbaron këtu. Duke qenë se këto kontrolle kilometrike nuk po japin rezultate, sulmi qeveritar ka marrë përmasa të tjera, ku shkulja e antenave të transmetimit të "Top-Channel"-it është gjëja më e parëndësishme. Po ushtrohet presion ndaj klientëve tregtarë të kafesë "Lori", me synimin për t‘i dekurajuar këta në lidhjen e kontratave me kompaninë e kafesë, e cila zotërohet nga pronarët e "Top-Media"-s (këtë informacion nuk e kam marrë vetëm nga burime mediatike. Ma konfirmoi në telefon në mënyrë konfidenciale edhe një shef lokal i Drejtorisë së Tatimeve, emrin e të cilit nuk mund ta përmend për arsye që merren lehtë me mend).
A mund t‘i lihet në dorë pra kësaj qeverie banditeske akti i një amnistie fiskale? Afërmendsh jo, pasi do ta shfrytëzonte për të formalizuar e favorizuar me ligj sipërmarrje "mike" me qeverinë" e për të penalizuar njëherë e mirë sipërmarrje "armike". Një aksion i tillë i mbetet opozitës për ta bërë. Por opozita së pari duhet ta kuptojë nevojën e domosdoshmërinë e një amnistie fiskale të studiuar në detaje, e së dyti duhet ta përgatisë të gjithë strukturën ligjore e institucionale (në letër hë për hë), e cila duhet të garantojë pastrimin jo partizan të tregut prej informalitetit. Amnistia fiskale është një nga gjërat e para që duhet të bëjë një mazhorancë e një qeveri e re. Objeksioni i shtetit të dobët është një alibi, që maskon mosveprimin. Është më mirë në fund të fundit të kemi një amnisti fiskale të aplikuar keq, sesa këtë gjendje, në të cilën sipërmarrjet janë të terrorizuara e në të cilën qeveritë janë arbitrare e hakmarrëse.
http://www.gazeta-shqip.com