Ahmed Aboutaled

Albforumi

Primus registratum
Ahmed Aboutaled

Kryetari i Bashkisë së Roterdamit është bir i dy emigrantëve marokenë. Zgjedhja e tij ishte një goditje e rëndë për të djathtën ksenofobe, që nuk humbet rastin për ta penguar

Një holandez i vërtetë

Ahmed Aboutaled i kujton me përpikëri ditët kur braktisi vendin e tij për të shkuar në vendet e ulëta. Ishte 17 tetori i vitit 1976, ora nëntë e mëngjesit. Ahmed nuk ishte më shumë se 15 vjeç. Pas vdekjes së gjyshit u nis për rrugë së bashku me nënën, motrat dhe vëllezërit, duke lënë pas fshatin e varfër Beni Sidel në Rif, zona malore e veriut të Marokut, për të shkuar tek i ati që punonte punëtor i thjeshtë në Aja.

“Vendimi për të emigruar nuk të lë zgjedhje tjetër. Është një eksperiencë shumë e vështirë dhe e paguan shtrenjtë”, është shprehur Aboutaled gjatë një interviste me një gazetar të Volkskrant në vitin 2004.

Në atë kohë, Aboutaled pranonte ende të fliste pak për veten, por qëkur është bërë kryetari i Bashkisë së Roterdamit, e mendon mirë çdo fjalë që flet. Pas zgjedhjes së tij, më 31 tetor 2008, ai kërkoi fillimisht të takohej me qytetarët dhe të fliste me ta, për të parë reagimin e një qyteti që konsiderohet i vështirë dhe rebel. Nuk u zë shumë besë mediave dhe ka frikë se mos kundërshtarët e tij mund të shfrytëzojnë premtimet e dhëna nga ai dhe hapat e gabuar. Në fakt, kryetari i ri bashkisë ka shumë armiq, si holandezë ashtu dhe marokenë.

Që prej disa vitesh, në vendet e ulëta ka lindur një debat mbi islamin, integrimin, identitetin kombëtar dhe praninë e të huajve. Në këtë kontekst, Aboutaled, që është pagëzuar me emrin “Mr. Allochtoon (Zoti i Huaj)”, është një figurë emblematike. Por jo të gjithë janë dakord që ta administrojë ai qytetin e dytë më të rëndësishëm të vendit (Roterdami ka 600 mijë banorë, por nëse llogaritet edhe periferia, arrin në 2 milionë) dhe që të jetë kryetari i parë i bashkisë me origjinë marokene i një metropoli europian.

Partia e Punës (PVDA) ku Aboutaled bën pjesë, e ka fituar Roterdamin vetëm më 2008-n, pas disa vitesh qeverisje të së djathtës ekstreme ksenofobe. Lideri populist, Pim Fortuyn, e kishte filluar triumfin e tij pikërisht nga ky qytet. Triumf, që u ndërpre brutalisht në vitin 2002, kur Pim u qëllua për vdekje nga një militant i çështjes për mbrojtjen e kafshëve. Pas vdekjes së Fortuyn, lëvizja e tij humbi konsensusin në të gjithë vendin, përveçse në Roterdam, ku lista “Leefbaar Rotterdam” (Roterdami i banueshëm) mbajti 14 nga 45 vendet e këshillit bashkiak (18 komuna i mori e majta socialdemokrate).

Populistët, e larguar nga opozita, humbën edhe postin e kryetarit të bashkisë. Tani presin me padurim gabimin e parë të atij që, sipas tyre, është “njeriu i gabuar në vendin e gabuar”. Këtë inxhinier nuk e durojnë dot nga mënyra e rezervuar dhe e sjellshme, që i sheh në sy kundërshtarët e tij. Për këtë arsye e vunë në lojë, kur me rastin e festivalit të poezisë që u zhvillua në Roterdam, rrëfeu se e adhuronte poetin Adonis dhe pohoi se kur ishte i ri donte të bëhej shkrimtar.

Pasi u transferua në vendet e ulëta, djaloshi Ahmed la mënjanë çdolloj romanticizmi. Një mysliman jo shumë i devotshëm (për të shmangur kritikat, tani nuk shkon më në xhami), Aboutaled nuk e konsideron veten vetëm një person konkret: kur është vetëm reflekton shpesh mbi tema si rasti, “big bang”, ose parapërcaktimi.

“Aboutalizmi”

Jeta e tij profesionale dhe politike karakterizohet nga një element tepër holandez: rendimenti. “Nuk më pëlqen ta idealizoj rininë time. E di çfarë kam lënë pas, varfërinë”, është shprehur ai menjëherë pas zgjedhjes si kryetar bashkie në tetor të 2008-s. Për Aboutaled fondamentale është të punohet, të bëhen nderime, të ndihmohen njerëzit në nevojë. “Ndërtimi i urave” dhe “rifitimi i besimit” janë shprehjet e tij të preferuara, historiku i asaj që gazetarët holandezë e quajnë “aboutalizëm”, një doktrinë që shpërfill përkatësinë politike në favor të zgjedhjeve të qarta.

Fillimisht si zëvendëskryetar i Bashkisë së Amsterdamit, më pas si sekretar shteti për çështjet sociale, Ahmed nuk ka pasur kurrë frikë ti thyejë tabutë dhe të sfidojë diskutimet e së majtës, që sipas tij, ndonjëherë janë tepër konformiste.

Kështu, Aboutaled i fton prindërit e fëmijëve të huaj të denoncojnë fëmijët nëse kryejnë krime. Gjithashtu, nuk ka frikë të tregojë se nëpër statistikat kriminale të Roterdamit ka shumë të rinj me origjinë të huaj. Ka propozuar të heqë ndihmat sociale për ata që janë nën moshën 27-vjeçare dhe denoncon fundamentalistët që fshihen nëpër shkollat islamike.

Në vitin 2004, pas vrasjes së regjisorit Theo Van Gogh, që u ekzekutua nga një ekstremist i ri islamik me origjinë marokene, Aboutaled ka mbajtur një fjalim tepër “energjik”. Duke folur nga një xhami, i ka ftuar të gjithë ata që nuk i respektojnë vlerat e shoqërisë demokratike “të marrin avionin e parë për në Afganistan ose për në Sudan”. Pas këtij fjalimi, kryetari i bashkisë ka marrë shumë kërcënime dhe si pasojë iu desh të ndërronte shtëpinë.

Sulme nga të gjitha anët

“Babi je heroi im, por nuk dua që të vdesësh”, i tha një ditë njëri prej katër fëmijëve. Kishte parë foton e tij në faqen e parë të një gazete, që publikonte listën “e të dënuarve me vdekje”, nga ana e një qelize lokale të Al-Kaedës. Pavarësisht kësaj, Aboutaled ka vazhduar rrugën e tij, duke denoncuar si viktimizimin e myslimanëve, ashtu dhe topitjen e holandezëve që nuk e pranojnë suksesin e emigrantëve. Ahmed-it i pëlqen të theksojë se në vendet e ulëta shumë të rinj e të reja me origjinë të huaj arrijnë rezultate të shkëlqyera, sidomos në shkollë dhe punë.

Aboutaled është një njeri mjaft i ekuilibruar, por që do të përfundojë “ose nga e majta ose nga e djathta”, siç ironizon Dries Mosch, një eksponent i listës “Leefbaar Rotterdam”. Mosch dhe shokët e tij të partisë mezi presin rastin që Aboutaled të bëjë ndonjë gabim. Por kryetari i bashkisë preferon të mos u përgjigjet kritikave. Pas shumë muajve heshtje, ka pranuar të takohet me disa gazetarë të huaj në sallën e këshillit bashkiak. “Pres të gjykohem për punën time, jo për origjinën”, ka thënë Aboutaled. Pastaj prek një tjetër çështje, ku ai është vetë protagonist, duke recituar disa vargje: “I huaji që dëshiron të punojë, punon aq shumë sa të marrë vendin e mbretëreshës”.

Biografia

Ahmed Aboutaled lindi më 29 gusht 1961 në Bedi Siden, Marok. Në vitin 1976 u transferua në vendet e ulëta me të ëmën, motrat dhe vëllezërit. Më 1998-n u bë drejtor i “Forumit”, një organizatë që merret me kulturalizmin. Më 27 shkurt 2007 – 12 dhjetor 2008 ishte sekretar i Shtetit për çështjet sociale. 5 janar 2009 emërohet kryetari i ri i Bashkisë së Roterdamit.(Shqip)

pD104yBEjT4

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=22462. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=22462

Top