BeRaTsi_MiZeRje
Aktivist i AlbForumi

Vitet e fundit, diva e muzikës i ka munguar skenës. Adelina Ismaili ka vendosur të rikthehet, ashtu si di të bëjë vetëm ajo, me zhurmë.
Në një rrëfim të sajin për televizionin kosovar “RTK”, Adelina ka shpjeguar arsyet e mungesës së gjatë. Jeta e këngëtares tashmë është në Zvicër, krah partnerit, Valit. Shumë e çlirët shprehet se nga Kosova i mungon vetëm familja, asgjë tjetër. Gjenerata e re për të po degradon ditë pas dite. “Shumë shpejt ky vend do të prodhojë lavire dhe kriminelë”, - shpreh me keqardhje Adelina. Nga ana tjetër flet edhe për muzikën. “Është një dashuri e madhe e imja, por jo një prioritet tashmë”. Dashuria është ajo çfarë e ka transformuar divën e muzikës shqiptare. Historia me Valin po përjeton ditë të qeta, larg zhurmës së jetës së natës. Megjithatë, për të gjithë fansat ka vendosur të rikthehet. Në planet e këngëtares është një duet me motrën e vogël, Zanfinën. “Jam në negociata me Zanfinën, edhe pse do të zgjasin më shumë se negociatat me Serbinë”, - shprehet Adelina për këngën e ardhshme.

Ke munguar për një kohë të gjatë nëpër emisione dhe nuk ke qenë prezente në media. Pse?
Kam munguar me dëshirë dhe vetëdije të plotë. Ka një arsye. Nuk e shoh të udhës që në këto kohë moderne të vazhdoj t’u jap shpjegime njerëzve, sidomos pas çerek shekulli karrierë. Besoj se e kam merituar të jetoj ashtu siç dua unë. Kam gjithë jetën që gjithçka ia kam dhënë këngës. Ka ardhur koha të kënaqem të jetoj si një person ‘gjysmë i zakonshëm’. Por edhe në Zvicër ku jam vendosur, nuk jam totalisht anonime, pasi atje ka mbi 300 mijë shqiptarë. Vij zakonisht gjatë verës, sepse më merr malli të këndoj, megjithëse është e vështirë ta shpjegosh. Në verë, unë e Vali shëtisim në të gjithë Europën dhe në fund ndalemi në Kosovë. Aty fillojnë thirrjet për koncerte, duke na thënë ‘dikë e ke pasur mik kur ke qenë në karrierë’, një këtu e një atje, e kështu bëhen shumë koncerte. Derisa lodhem e pastaj iki. Kështu ka ndodhur edhe sivjet, që më shumë janë bërë koncertet për shkak të këtyre ndërhyrjeve. Sado që ka insistime, prej njerëzve nuk do të kisha pranuar, por është malli e janë fansat, të cilët unë preferoj t’i thërras miq. Ata kanë shumë vite me mua e patjetër që duan të dëgjojnë diçka. Është kënaqësi, se unë, as kur kam qenë vajzë e re nuk kam dalë shumë nëpër club-e.

Sa ke arritur të ambientohesh me jetën e re në Zvicër?
Kam vendosur të jetoj në Zvicër brenda 10 minutave. Në një moment të caktuar ka qenë shumë e vështirë për mua të rri në Kosovë, ka qenë e pamundur që të vazhdoj e të jetoj në vendin tim. Kam menduar se çfarë është më mirë për mua: shëndeti emocional e psikik, apo një farë karriere në Kosovë... Kam qëlluar në Zvicër e kam menduar të rri dy javë për ta provuar, e, nëse s’do të më pëlqente, mundesha gjithmonë të kthehesha. Po aty dashuria e bëri të veten, dhe shigjeta e saj ka ndikuar shumë. Jam ambientuar shumë mirë. Zvicra është Zvicër! Nuk dua t’i bëj reklamë e të dukem si një njeri që ka zbuluar ujin e nxehtë, po e ka të vetën. Pavarësisht se ata janë shumë paragjykues ndaj shqiptarëve dhe, ndoshta, deri në një farë mase edhe nuk kanë faj. Faleminderit Zotit që tani kemi vajzat e reja e djemtë e rinj që janë integruar e po prosperojnë. Kam pasur fatin të integrohem shpejt dhe mirë. Është shumë e lehtë, mjafton t’i bësh gjërat mirë dhe mbarë e gjithçka ka rezultat. Tani kam vendosur të reklamoj vetëm gjërat që unë i quaj shumë të mëdha e duhen reklamuar, pasi jam konsultuar edhe me Valin si menaxher. Tashmë e ruaj me xhelozi jetën time profesionale e personale atje. Muzika, këndimi, nuk është prioritet për mua momentalisht, por do të jetë në vjeshtë.

Çfarë do të ketë në vjeshtë?
Besoj që do të ketë një këngë të bukur. Nuk dua të bëj deklarata-bombë, se do të dridhet apo do të shkundet njerëzia, se njerëzit tani janë shkundur prej megahiteve, gigahiteve. Ndaj, sa më shumë me këmbë në tokë, aq më mirë më duket. Jam në një stad të jetës, ku modestia po më duket me të vërtetë cilësia më e madhe e një njeriu.
I dashuri yt, Vali është tip shumë më i qetë se ti. Mos ka ndryshuar tani që jeton me ty në Zvicër e ti je bërë më e qetë se ai?
(qesh) Unë e Vali, pikërisht për këtë e plotësojmë njëri-tjetrin. Ai është shumë më stabël si tip. Është e çuditshme, sepse jemi edhe e njëjta shenjë horoskopi, gjë që nuk e kam ditur kur jam njohur me të. Unë kam qenë shumë më ekspresive, por ka ndikuar mënyra e jetës dhe Vali që më ka bërë t’i shoh ca gjëra komplet me një perspektivë tjetër. Për shembull, në Zvicër nuk është turp që të punosh e të fitosh para. Tek ne është e turpshme, pasi në shumicën e rasteve njerëzit që kanë shumë para i kanë fituar në mënyrë të turpshme. Por Vali nuk është më aq i qetë sa ka qenë, sepse edhe unë kam ndikuar tek ai. Besoj që, edhe eksperienca, mosha dhe mënyra e jetesës atje, tani e kanë bërë të veten. Jam më e qetë.
U shprehe se, në Kosovë, jetën e natës ta kanë zëvendësuar koncertet në club-e. Po në Zvicër, a del për jetë nate?
Jo. Kam dalë në fillim aq shumë, sa nuk e di a ka mbetur diskotekë ku nuk kemi qenë unë e Vali. Isha totalisht e uritur të përjetoja një adoleshencë që nuk e kisha jetuar kurrë dhe më duket se jam ngopur. Tani nuk dal shpesh, sepse është më në trend jeta në natyrë, në liqen e det gjatë verës, dhe në mbrëmje në qendra apo në bjeshkë gjatë dimrit. Jemi bërë pak më seriozë. Megjithëse Vali është shumë më i dhënë se unë në këtë aspekt.
Sa të mungon Kosova?
Nuk dua të gënjej; përveç familjes dhe miqve, shumë pak më mungon. Janë njerëzit e mi që i dua, ata që më bëjnë të kthehem, asgjë tjetër. Tani s’më lidh më kurrgjë. Ky vend më ka dhënë shumë dhimbje, por më ka dhënë edhe shumë gjëra të bukura. Kryesorja për largimin tim ka qenë mungesa e kushteve. Kam shkuar të këndoj me orë muzikë ‘house’ në club e nuk kam pasur ujë, apo kam mbetur në trafik. Në Kosovë jeta është e vështirë dhe këtë e dinë të gjithë, prandaj kam bërë këtë zgjedhje në jetë. Nuk bëhem kurrë pishman, edhe pse ka momente kur më kap dhimbja dhe malli që nuk përshkruhet, vetëm që të shkoj një herë e të laj varrin e gjyshes, atëherë vetëm Zoti mund të më ndalë. Janë shumë gjëra nga të cilat nuk do të mundem dot kurrë të shkëputem nga Kosova. Në përgjithësi, nuk jam hiper nostalgjike për Kosovën. Shoh që edhe gjeneratat e reja që janë integruar jashtë vendit janë përherë e shumë më pak të dhënë pas Kosovës, e për këtë më vjen keq, por besoj që kjo është logjike.
Çfarë mendon për vitet e fundit kur në treg shohim gjëra që ti i ke pasur që përpara 20 viteve?
Unë jam shumë e lumtur për këtë. Kur kam qenë fëmijë, i kam vënë vetes një mision. Më kanë ndihmuar shumë edhe rrethi që kam pasur pranë, duke nisur nga profesorët e deri tek njerëzit e thjeshtë që kam njohur, por edhe deri tek Ibrahim Rugova. Ka qenë një farë kohe kur më thonin: “Kjo je ti dhe jepe, se duhet dikush”. Këtë e kam jetuar në vitet ‘90. Po shoh që sot ka shumë mirë, por ka edhe ekstremisht keq. Është dëshirë jo vetëm e imja, por e të gjithve, që të gjendet një mes i artë, por prapë s’e di sa mund të jem objektive unë në këtë, përderisa ende jam pjesë e biznesit në një farë forme, posaçërisht gjatë verës. Po shoh gjëra ekstremisht të tmerrshme, degradim total që, veç kulturë e muzikë nuk mund të quhen. Pornografia bën të veten, erotika është diçka tjetër. E kam thënë që, fëmijët e paedukuar e të pashkolluar as në lagje nuk mund t’i lëshosh, e jo më përpara kameras. Ndikojnë tek gjeneratat e reja dhe, nëse vazhdohet kështu, do të prodhojmë veç kriminelë e lavire. Këtë po e them me përgjegjësi të plotë e ndoshta ky është edhe mision i dikujt që neve të na ndodhë kjo. Ka edhe gjëra aq të bukura e që është mëkat që po mbesin anash.
Thuhet se ke qenë nxënëse shumë e përkushtuar në shkollë...
S’kam dashur kurrë në jetën time të flas për këtë temë. Jam 34- vjeçare dhe kjo temë m’u hap këtë vit. Unë kam qenë nxënëse e mirë, por edukata ime është “lëre të të lëvdojnë të tjetër e mos e lëvdo veten”. Sjelljet i kam pasur në suaza të mira. Ndërsa profesioni, e kam zgjedhur. Dikush vendos të punojë që 14 vjeç, dikush 20 e dikush tjetër 25 vjeç. Unë kam vendosur të punoj 6 vjeçe, sepse më ka pëlqyer t’i kem në xhep monedhat e mia. Anën profesionale e kam shfrytëzuar që të shpreh edhe revoltat e mendimet e mia. Ndërsa shkolla për mua ka qenë e shenjtë.
Në një ndër koncertet e shumta të verës, kemi pasur mundësi të ndjekim një tjetër Adelinë. Ana juaj humanitare, të gjitha të ardhurat e atij koncerti ju ia dhuruat një fëmije në nevojë...
Njerëzit u habitën shumë me atë gjest timin. Unë kam qenë gjithnjë kështu! Të paktën që nga koha e luftës kam bërë 43 koncerte humanitare. Ishte një rast shumë prekës, sepse familja nuk kërkonte ndihmë për fëmijën e tyre. Rrugës e kam marrë vesh këtë rast dhe nuk kam menduar asgjë, gjithçka erdhi instiktive. Mora zarfin dhe shkrova sipër duke menduar për këtë familje. Nga ana ime gjithnjë do të ketë të tilla gjeste. Nëpërmjet koncerteve, nëpërmjet muzikës, gjithçka që unë di të bëj për të nxjerrë në pah anën time humanitare. Shpresoj që dhe kolegët të bëjnë të njëjtën gjë, por, pse jo, dhe Parlamenti të ndërgjegjësohet.
Si ka qenë kjo verë për ju, sa e zënë keni qenë?
Ka qenë një verë e ngjeshur me punë. Faktikisht, gjatë sezonit veror kam pranuar të marr pjesë vetëm në shtatë koncerte. Kjo, pasi nuk kam pasur një këngë të re dhe kisha dëshirë të shkëputesha disi nga skena, të jetoja më e qetë verën. Kisha nevojë për një qetësi shpirtërore.
Me çfarë risish do të rikthehet Adelina?
Aktualisht po përgatis një këngë të re, edhe pse muzika nuk është prioritet në këto momente të jetës sime. Vali ka një biznes të tijin dhe unë ‘fus hundët’ tek punët e tij. Më pëlqen që po mësoj të merrem pak me ekonomi, më duket interesante. Mund t’i shes mend vetes që jam një biznes women tashmë, edhe pse jam thjesht asistentja e tij. Vali po më mëson ato truket e biznesit dhe po më pëlqen jeta e re.
Çdo këngë e juaja përmban një mesazh në vetvete, por ajo që bie në sy është që, dhe në momentin më të vështirë ju keni zgjedhur të këndoni, madje ta shoqëroni dhe me klip. Klipet tuaja janë gjithnjë shumë të veçanta dhe shumë profesionale…
Po, është e vërtetë. Ka qenë një gjeneratë e tërë këngëtarëss, në fakt, që kanë bërë klipe shumë cilësore. Duhet vullnet në art. Kur e kam nisur, e kam marrë me shumë dashuri. Ndikon dhe gjendja ekonomike, që këngëtarët ta marrin një klip pa seriozitet. Artistët nuk i këndojnë as gjoksit dhe as të pasmeve, ky nuk është misioni i artit. Artisti ka si mision t’u shërbej të tjerëve, t’i përkrahë në rrugën e tyre. Ajo që ka rëndësi në jetën time artistike është çfarë unë i jap publikut, jo ajo çfarë marr. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Zanfina. Ajo, me një tjetër intensitet, ka zgjedhur këtë rrugë, edhe pse me profesion është juriste. Kjo është dhe në kulturën tonë familjare: duhet të japësh mirësi në atë çfarë bën.
Sa i ndiqni koleget tuaja, si i shikoni ato?
Nuk i ndjek fare. E di që është joprofesionale dhe nuk mund ta them këtë, por realisht nuk kam kohë fare t’i ndjek. Puna më merr shumë kohë, gjithashtu edhe jeta ime private, që në këto momente është prioritet për mua. Tani që kam ardhur në Kosovë, kam pasur mundësi t’i ndjek pak apo të dëgjoj për to në club-et ku jam e ftuar. Thashethemet janë ato që dëgjoj më shumë, edhe pse nuk i marr për bazë.
Çfarë mendon për gjeneratën e re të këngëtarëve?
Ne nuk jemi më ndryshe nga pjesa tjetër e botës. Nuk nis dhe mbaron gjithçka në Kosovë, ne jemi thjesht një pikë ujë në oqean, nuk jemi planet. A e dinë se tashmë jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore? Çdo antivlerë propagandohet si vlerë. Ka dhe gjëra të bukura. Ka shumë vajza të bukura që bëjnë gjëra të mira. Përmend Elvana Gjatën, ajo vajzë më magjeps. Ka dhe nga ato pastaj që lënë për të dëshiruar. Do ishte më mirë të bënin një shkollë, degë ka plot.
A do ta shikojmë Adelinën në duet? Kë do të zgjidhni, Kosovën apo Shqipërinë?
Faktikisht kam zgjedhur shtëpinë. Jam në negociata me Zanfinën, edhe pse mendoj se do të zgjasin më shumë se negociatat me Serbinë. Unë jam natyrë më ekspresive muzikalisht, ndërsa ajo është më e qetë. Kam kohë që tentoj t’i nxjerr pjesën e saj më të ashpër në muzikë dhe Zanfina po më refuzon. Gjeta rastin t’i bëj një apel publik që ta pranojë një duet me mua.