A ka ndryshuar kursi i nderkombetareve?

Adriatik

Primus registratum
A ka ndryshuar kursi i nderkombetareve?

Duket se reagimet e fundit te nderkombetareve, vecanerisht te Bankes Boterore nuk ishin ashtu sic do ti pelqenin qeveritareve tane.

Ervin Qafmolla - 07/03/2005

E braktisur në altar

Marrëdhëniet e tyre të admirueshme ndoshta shiheshin me sy të keq nga të tjerët, por deri vonë së paku, në dukje ushqeheshin me mirëkuptim e dashuri të ndërsjelltë nga ata vetë. Historia e tyre qe një histori pak a shumë si të tjerat, me të përpjeta e të tatëpjeta. Si një telenovelë rozë popullore ajo ndiqej me kërshëri nga shumëkush - përkëdheljet, zënkat, flirtet e vogla me të tjerë sikur ia shtonin lezetin kësaj dashuriçke, ndaj dhe vetë media nuk ia kurseu komentet.
Përse përkëdhelen kaq shumë, përse u acaruan për këtë çështje dhe si u pajtuan kaq shpejt!?
Ajo që nuk pritej ishte që një ditë të ndodhte gjëma. Dhe ndodhi pikërisht kur ishin marrë të gjitha masat: tapeti i kuq qe shtruar, organo qe akorduar, madje edhe kamerat ishin prenotuar (ndoshtë blerë) të filmonin vetëm kurorëzimin e kësaj romance. Por ndodhi vërtet qeveria shqiptare u braktis në altarin elektoral nga mbështetësi i saj kryesor, faktori ndërkombëtar, i paraqitur rëndom me emra e kostume të ndryshme që i shtonin paraqitjes së tij, shpesh ekzotike, me raste edhe një sharm 007-e. Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, pasi sedra e saj (qeverisë) sapo qe përkëdhelur nga komplimentet e Olters-it të FMN-së, Mohammed-i i Bankës Botërore deklaroi hapur ndarjen, fundin e romancës, shembjen e planeve të qeverisë për një të ardhme të lumtur bashkë. Dhëndri nuk doli siç e imagjinuan disa.
Duke e lënë humorin mënjanë, pasi nuk shkon të bësh gaztorin në zinë e tjetrit, Banka Botërore ndoshta edhe krejt rastësisht u kujtua vetëm pak muaj para zgjedhjeve të publikonte rezultate të hidhura, të nxjerra nga këqyrja disavjeçare e qeverisjes socialiste. Në një raport që, siç e përmendi edhe ministri i Financave, përmbante emra nobelistësh, ishin renditur të gjitha ato çështje që diheshin dhe që media i kishte ngritur shpesh, duke hasur në qëndresën e paepur të qeverisë. Lajmi më i keq: një ekonomi që përkundet rrezikshëm mbi një fill të hollë ekuilibri, me të ardhurat nga emigrantët dhe rritjen tipike të pastranzicionit në njërën anë, dhe prirjen rënëse të këtyre të ardhurave e të rritjes ekonomike në anën tjetër.
Morali: mbetet shumë pak kohë për të vepruar, përndryshe? Gjithashtu, qeverisje e keqe, korrupsion marramendës, pengmarrje e shtetit nga interesa private, kriminalitet dhe skamje në vendin që qeverisja e suksesshme e këtyre viteve për pak e shndërroi në analet e Europës, në vendin ku kontinenti i vjetër së fundmi kërkonte madje të shkarkonte edhe jashtëqitjet e tij.
Por a është i rastësishëm ky publikim tronditës, vetëm pak kohë para altarit elektoral?
Duke hedhur një sy të shpejtë mbi filozofinë e instrumenteve të Perëndimit, rasti konkret mund të konsiderohet, pa dyshim, më i rastësishëm se njohja e emrit zyrtar të Maqedonisë nga administrata Bush, vetëm dy ditë para referendumit famëkeq. Shembuj të tjerë të kësaj natyre mund të paraqiten, por filozofia dhe morali mbetet po ai. Në një mënyrë të ngjashme, Banka Botërore publikoi grafinë fizike dhe morale të qeverisjes së këtyre viteve, duke na treguar jo se ç'kurorë duhet të përkrahim, por cilën nuk duhet të mbështesim.
Ndaj është për t'u kuptuar paraqitja e ndjerë e ministrave të kësaj qeverie, si dhe e disa miqve të tyre të huaj, të cilët nuk kishin harruar të visheshin sportivë, si për të dëshmuar se prania e tyre në atë seancë para gjyqit nuk ishte aspak zyrtare, por me karakter spektatori dashamir. Ndoshta, të vendosur përballë (ata që kanë asistuar apo që e kanë parë mirë në TV më kuptojnë) kanë këmbyer shikime si te filmi ?Ballë për ballë?, të ngarkuara me ligjërata të heshtura të tipit unë as nuk e dija se ç?do të ndodhte apo unë e bëra timen, llafet e mira t'i thashë kur m?u dha rasti?. E dhimbshme mënyra si disave iu desh të viheshin në ballë, për të dëgjuar t?u thuhej Ju e bëtë këtë!? Mbresëlënës fakti se si disa funksionarë të lartë ishin fshehur thellë mes radhëve të spektatorëve bashkëvuajtës, në përpjekje ti shpëtonin këndit të objektivëve të kamerave, ndërsa direkt apo indirekt flitej edhe për ta. Mbresëlënëse edhe reagimet e tronditura të disa ekspertëve të pavarur të ekonomisë, që sigurisht këto punë i dinin fort mirë, por ndoshta nuk e pritnin një publikim të tillë, në një formë kaq troç, madje të projektuar në mur me gërma të mëdha si ato të parullave politike të para 90-ës. Spektatorët me ndërgjegje të parënduara nga komplekse bashkëfajësie panë syçapëlyer tu vërtitej atdheu nga një skaj në tjetrin (sipas valencës së vlerësimeve), nëpër polet ekstreme të hitparade-it të niveleve mjerane të arsimit, të korrupsionit e të shpërdorimeve të tjera.
Megjithatë, marketingu, marketimi dhe trafikimi i mirë i interesave qeverisëse bëri që kjo ngjarje të përmendej shkarazi apo të mos përmendej fare në ekranet e shumicës së mediave. Raporti më i fundit i Bankës Botërore, me ndonjë përjashtim, u tentua të kalohej në heshtje, madje tërheqja e trupave siriane nga Libani, bashkë me rezultatet e ndeshjeve të Bundes Ligës gjermane, u kualifikuan më të rëndësishme se ky publikim. Kjo të bën të mendosh se megjithëse diçka u thye, duke lëshuar zhurmë shungulluese, dikush ende ka shpresa se mos e ngjit prapë, ndoshta duke besuar se edhe kjo mund të jetë një zënkë e radhës dhe gjërat mund të rregullohen përsëri.
Diçka është e sigurt, këmbanat po bien, por prej kaq larg vështirë ta thuash me plot gojën: martesë apo funeral?
 
Top