Ëndrra e 17 shkurtit 2010

Albforumi

Primus registratum
Ëndrra e 17 shkurtit 2010

Kosova është vërtet e pavarur, por ëndrra jonë e 17 shkurtit ende nuk është bërë realitet!

Presidenti i Republikës së Kosovës

Të nderuar deputetë, ministra, mysafirë të pranishëm, përfaqësues të shteteve mike dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,

Është nder i veçantë për mua sot të qëndroj para jush dhe të festoj ashtu sikur kam ëndërruar shumë vite më parë. Gjaku dhe mundi i dëshmorëve, sot ka marrë kuptimin e duhur nga të arriturat tona në këtë dyvjeçar kuptimplotë. Kosova sot është më krenare se kurrë më parë, është njohur nga 100 shtete nga mbarë bota dhe procesi i njohjeve po vazhdon me ndihmën e dashamirëve vendorë e ndërkombëtarë të cilët i kemi partnerë në këtë proces.

Kosova sot ka institucionet e saja, të cilat në proces të forcimit kanë ngritur efikasitetin e sundimit të ligjit në akordim të drejtpërdrejtë me misionin e EULEX-it për trajtimin me prioritet të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ka krijuar një jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare dhe fuqishëm ka ngritur imazhin e shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve të para në Kosovën e paspavarësisë, të drejta, fer dhe demokratike është shenja më e mirë e ngritjes së kapaciteteve tona.

Fakti se procesi zgjedhor u mbyll në fund të vitit 2009, tregon se ngritja e kapaciteteve nga bashkësia ndërkombëtare dhe serioziteti ynë dhe partive më të mëdha politike në menaxhimin e këtij procesi janë për çdo lëvdatë.

Kosova në këto dy vite jo vetëm se ka arritur numër të konsiderueshëm të njohjeve (ashtu sikur edhe deklaruam para pavarësisë), por me shumë përkushtim ka arritur që më në fund ta ndihmojë diasporën tonë me ngritjen e kapaciteteve të më se 50 ambasadave dhe shërbimeve konsullore në mbarë botën. Në këtë dyvjetor, diaspora kosovare ka arsye për të festuar sepse në vendlindje do të vijnë vetëm për festë, jo më për punë administrative dhe pritje në radhë të gjatë për dokumentet personale.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, unë vërtet hoqa dorë nga postet e mia partiake duke forcuar unitetin kombëtar dhe duke përfaqësuar Kosovën si i ka hije, andaj këto dy vite të shërbimit tim për shtetin tonë ia kanë vlejtur çdo ditë të punës.

Shteti i Kosovës çdo ditë po forcohet dhe po integrohet aty ku e ka vendin, në familjen e madhe evropiane dhe respekti i shteteve mike dhe atyre jo shumë mike që është rritur për këto dy vite, tregon për punën e palodhshme të diplomacisë kosovare.

Urime Kosovë, urime Kosovarë përvjetori i pavarësisë së shumëpritur!

Kryeministri i Republikës së Kosovës

Të nderuar deputetë, të nderuar mysafirë, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me shumë kënaqësi qëndroj këtu para jush për tiu uruar dyvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky përvjetor na gjen në vazhdën e planeve dhe projekteve të cilat i kemi diskutuar dhe planifikuar aq gjatë para dhe pas shpalljes së shtetit më të ri në botë.

Sot qëndroj krenar para jush për tiu thënë se dekadat e kaluara në rezistencë paqësore dhe lufta çlirimtare për lirinë e Kosovës, janë kuptimplote dhe arsyetojnë punën, mundin, gjakun dhe djersën e gjithë atyre që nuk patën fatin të jenë sot me ne.

Jemi të lumtur që fëmijëve tanë po iu kthehet buzëqeshja, kurse varfëria në Kosovë për këto dy vite ka shënuar rënie të konsiderueshme. Jam i kënaqur që sot vetëm edhe 20 për qind e të pastrehëve kanë mbetur të pasistemuar, ndërsa jemi në proces të gjetjes së zgjidhjes për ta. Qeveria ime me përkushtim ka punuar në ngritjen e investimeve të huaja dhe vendore, andaj edhe pse kriza ka prekur rajonin, Kosova me planin e saj stimulues për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë ka shënuar një rritje ekonomike prej 10 për qind. Ekonomia joformale po shënon rënie dita ditës dhe ne gradualisht kemi vënë kontrollin në pikën veriore duke parandaluar trafikimin e mallrave dhe qenieve njerëzore. Papunësia në Kosovë ka shënuar rënie prej 8 për qind në vitin që lamë pas, duke treguar se politikat qeveritare për stimulimin e punësimit dhe uljen e papunësisë kanë shënuar një sukses të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Por, natyrisht se kjo nuk mund të na kënaqë. Para jush me përgjegjësi të plotë institucionale (të gjitha shkronjat qartë të shqiptuara) e them se i kemi gati amandamentimet e ligjeve për kthimin e mjeteve të Trustit Pensional të Kursimeve dhe Fondit të Privatizimit në Kosovë dhe bashkë me Bankën Qendrore kemi punuar në krijimin e mekanizmave të investimit të këtyre mjeteve në Kosovë. Nga shuma e kthyer e këtyre mjeteve, 40 për qind do të investohen në projekte afatgjata dhe të sigurta që për synim do të kenë ngritjen e punësimit dhe kualitetit të edukimit të profesionistëve të rinj.

Qeveria e Kosovës me kohë ka identifikuar se Bashkimi Evropian ka nevojë të konsiderueshme për profesionistë të zanateve të caktuara dhe me shumë përgjegjësi është duke negociuar me këto vende për punësim sezonal të zanatlinjve. Kosova ka përparuar që nga prezantimi i strategjisë zhvillimore dhe tani identifikohet si pikë referuese për investimet të cilat po lëvizin nga Perëndimi në Lindje, duke ngritur Kosovën 10 vende nga pozicioni i vitit të kaluar në matësin e doing business, të organizuar nga Banka Botërore.

Finalizimi i projektit Kosova e Re tregoi se ne jo vetëm që ndryshuam emrin, por ndryshuam edhe qasjen tonë ndaj investimeve të huaja dhe pronësisë së qytetarëve të Kosovës të pasurisë sonë. Fillimi i ndërtimit të këtij Termocentrali me kapacitetet e akorduara me të gjitha palët e përfshira, iu ka dëshmuar të gjithë skeptikëve se ne menaxhojmë dhe vendosim drejt për fatin e pasurisë kombëtare duke mbrojtur mjedisin për vete dhe gjeneratat e reja.

Masat e reciprocitetit që i kemi ndërmarrë me shtetin fqinj Serbinë, në raport me shkëmbimet tregtare kanë treguar një shfaqje të seriozitetit dhe respektit nga ana e tyre për të diskutuar bashkëpunimin në rrafshin ekonomik të ndërlidhur me planin tone për integrimin e minoriteteve të Kosovës. Për herë të parë, zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Serbisë kanë treguar seriozitet për biseda me Qeverinë e Kosovës, gjithmonë në interes të integrimit të pakicave.

Përpjekjet tona serioze për vënien e rendit dhe ligjit në Kosove kanë shënuar rezultate konkrete në uljen e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
Serioziteti i punës dhe funksionaliteti ynë institucional po na ofron mundësinë që ti fillojmë bisedat për liberalizim të vizave për Kosovën brenda gjysmës së dytë të vitit 2010. Jam shumë i bindur se me këtë rrugë që kemi marrë, së shpejti do të arrijmë tek një integrim i drejtë i rajonit dhe integrim i përbashkët në Bashkimin Evropian.
Ndjehem shumë i përkulur para jush, të nderuar deputetë dhe ministra të Qeverisë sime, për punën e palodhshme dhe përkushtimin që keni treguar për këto dy vite pavarësi dhe të njëjtin mendim e ndajnë edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kemi bërë krenarë të thonë se janë kosovarë.

Urime Kosovë, urime kosovarë edhe shumë përvjetorë të tjerë të suksesshëm!

Zgjimi
Mimoza, Mimoza, zgjohu se iku festa e pavarësisë! Shumë mbeturina kanë mbetur rrugëve dhe sapo të thirri një gazetar që interesohej nëse ka ndonjë lajm nga Gjykata Kushtetuese.
Kosova është vërtet e pavarur, por ëndrra jonë e 17 shkurtit ende nuk është bërë realitet!

Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.mimozakusari.com/?p=155

Top