Re: Çameria eshte shqiptar - Mesha e munguar!!!
Meshë për çamët në Kishën e Bostonit
Katedralja e Shën Gjergjit, Kisha Ortodokse Shqiptare apo Kisha e Fan Nolit, siç njihet në Boston, u zgjua zhurmshëm të dielën. Me dhjetëra dhe jo vetëm besimtarë, mbushën trotuarin dhe më pas sallën ku gjeti vendin një meshë e mohuar.
“Sot kemi në mesin tonë përfaqësues të organizatës “Çamëria”, që kujtojnë bashkatdhetarët e tyre, të cilët duruan një spastrim etnik të rëndë. Shpresojmë që të drejtat e tyre të plotësohen dhe të mos përsëriten kurdoherë këto padrejtësi që çamët, motrat dhe vëllezërit tanë kanë duruar”. At Arturi i renditi me një shqipe të kulluar fjalët, që 10 ditë më parë u refuzuan në Kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë. Nga radhët e të pranishmëve, të moshuar, mesoburra, gra, të rinj apo dhe fëmijë, Amen-i nuk ishte i paqtë si përherë. Ideja që mblodhi më shumë se 100 shqiptarë në këtë kënd të Bostonit Jugor, mbase nuk do të kishte qenë, sikur të mos ndihej deri këtu ajo mbyllja e dyerve në Tiranë.
“Ne nuk jemi çamë. Duam që çështja e tyre të zgjidhet, një arsye për të qenë këtu sot. Tjetra? Ajo puna e Kishës në Tiranë.” Kjo “puna” e Kishës në Tiranë është prej kaq ditësh shumë familjare edhe mes shqiptarëve në Boston. Bashkim Halilaj, Xhevdet Daullaj, Agim Kuçi, nuk presin të trashëgojnë apo të kompensohen për prona apo pasuri të familjeve. Nuk janë nga Çamëria. Megjithatë, dje nuk munguan. Mëritë e politikës që janë përcjellë edhe në dyert pas të cilave tentohet paqja me Zotin, këtu kanë bërë bashkë ortodoksë, katolikë e myslimanë, çamë dhe jo vetëm. Asnjëri nuk është aq naiv sa të besojë se një përgjigje e merituar për çamët, kryefjalë në një varg fushatash, do vijë nga kjo përshpirtje në Boston. As edhe nga ajo që mund të mbahej në Tiranë. Por, për të mbajtur gjallë çështjen e përcjellë qysh prej viteve ’20 të shekullit të kaluar dhe ende “muzë” për premtimet e politikës, për t’u kujtuar dhe për t’u lutur ashtu siç do të donin ata vetë dhe jo ata që “iu gatuajnë fatet”, këto bashkime paqësore nuk mund t’i gjejnë askund tjetër.
“Sigurisht që ideja lindi pasi morëm vesh refuzimin e meshës në Tiranë. Atëherë, përfaqësues të shoqatës iu drejtuan Kishës këtu. Dhe ja ku jemi sot”, - sqarojnë me pak fjalë Latif dhe Mehmet Zenelaj të lindur në Picar, Çamëri dhe prej dhjetë vjetësh jetojnë në Boston. Dhe nga të gjitha ku kanë marrë pjesë, kjo është mesha e parë që mbahet për të tillë qëllim. Edhe në këtë rast vetëm fillesa ishte çame. Më pas, disa dhjetëra të tjerë iu bashkuan nismës. Edhe fëmijë u ngritën në këmbë dje për lutjet, që pas “God Bless America”, kërkuan të këndohej himni shqiptar. Dea dhe Enea Dodi, pa mbushur 10 vjetët dëgjonin dje për spastrim etnik, vuajtje të pamerituara dhe që s’duhet të përsëriten, në fakt, fjalë dhe histori me të cilat ishin rritur në familje me të dy prindërit çamë. Sot, bashkë me prindërit bashkuan lutjen në Kishë.
Paqja ra sërish mbi ikona në mesditë, kur Kisha u zbraz. Në të tjera të diela do të piqeshin sërish. Ndoshta jo të njëjtët dhe jo të gjithë. Dhe çdonjëri në një komunikim të vetin me Zotin. Mbase asnjëherë si sot.
Artikull i marre nga Gazeta Shqiptare:
http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=16217