Sa na kushton shërbimi spitalor...

Sa na kushton shërbimi spitalor...

Fillimisht mendova ta postoja tek rubrika "Trupi dhe Shendeti", por pastaj gjykova se eshte me e drejte te qendroj ketu.
Njihuni me tarifat qe aplikohen neper spitalet tona "publike", qe ta beni mend mire kur te mendoni per spitalet

Sa na kushton shërbimi spitalor...
Tarifat nisin nga 200 lekë deri në 50 mijë lekë të reja

Lorina Mixha - Gazeta Shqip

Kur ndodhesh në një emergjencë spitalore pacienti harron zbatimin e ligjit dhe mjeku bashkë me të harron edhe betimin e Hipokratit.
Ndërsa spitali "de jure" është publik dhe "de facto" është privat, nën petkun e shërbimit shtetëror jep shërbim me para.

Nëse korrupsioni në çdo fushë të jetës do të përflitej hera- herës, në shëndetësi pacientët ia "bëjnë hallall" ato para që japin nën dorë, pasi bluzat e bardha në spital të kanë në dorë jetën. Madje, ky proces "respekti" për mjekët duket se është bërë një edukatë për qytetarët, që kundrejt një vizite, ndërhyrjeje apo ekzaminimi e quajnë turp faktin e mosdhënies së parave.
Rreth 80 për qind e pacientëve në tri spitale të vendit kanë pranuar se kanë dhënë para në këmbim të shërbimit spitalor.

Shoqata "Për një demokraci në shëndetësi" në një studim që ka kryer me rreth 800 pacientë ka nxjerrë mesatarisht koston e një pacienti për shërbimet spitalore. Sipas studimit, brenda një dite pacienti duhet të paguajë nga 200 deri në 500 lekë të reja infermieren brenda pavijonit. Ndërkohë që infermierja në sallë paguhet nga 500 deri në njëmijë lekë të reja. Tarifa që i jepet mjekut anestezist është pesëmijë lekë të reja. Ndërkohë që tarifën më të lartë e kanë mjekët kirurgë, të cilët për një ndërhyrje marrin nga 1500 deri në 30 mijë lekë të reja.

Sipas studimit të "Për një demokraci në shëndetësi" 80 për qind e pacientëve të anketuar mendojnë se pagesat nën dorë janë të lidhura me një trajtim më të mirë në shërbimin shëndetësor publik. 20 për qind e të sëmurëve kanë deklaruar se personeli mjekësor kërkon para nënë dorë. 80 për qind e pacientëve kanë deklaruar se kanë ofruar para nën dorë, duke menduar se vetëm kështu mund të ofrohet nga mjekët dhe infermierët shërbimi i kërkuar. Rreth 40 për qind e pacientëve mendojnë se pagesa është e nevojshme për një trajtim të mirë dhe 49 për qind mendojnë se pagesa është abuzive.

Veç këtij studimi, gjatë këtyre viteve edhe pacientët kanë folur nën zë për të gjitha këto padrejtësi. Nga ana tjetër, ata nuk i njohin të drejtat e tyre, të cilat, sipas rregullit, duhet të afishohen në ambientet spitalore. "Lidhur me faktin e korrupsionit, i cili është bërë pjesë e shoqërisë, Ministria e Shëndetësisë është angazhuar në luftën e ryshfetit, duke përkrahur dhe duke stimuluar shoqatën "Për një demokraci në shëndetësi". Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rregullin për afishimin e kartës së pacientit në ambientet e qendrave spitalore", tha zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Iavanaj. Sipas tij, deri tani nuk janë konstatuar raste ankesash nga pacientët, të cilët kanë qenë viktima të korrupsionit. Sipas zv/ministrit, nëse raste të tilla do të evidentohen, patjetër që do të merren masa. Por, edhe në këto raste është e vështirë që pacientët të denoncojnë apo të ankohen, pasi për penalizimet ligji thotë që: "Dënohet edhe personi që e jep ryshfetin edhe ai që e merr".

"Pavarësisht nga fasada, retorika dhe hipokrizitë politike mjekësia shqiptare ka vite, që për shkak të financimit të pamjaftueshëm nuk po funksionin si mjekësi publike në kuptimin e vërtetë të fjalës", thotë kreu i Qendrës Kombëtare të Akreditimit të Mjekëve dhe institucioneve shëndetësore, Isuf Kalo. Sipas tij, mjekësia shqiptare progresivisht po shkon drejt kolapsit funksional dhe nën presionin e tregut, madje e përçudnuar si "centaur" është bërë tashti si një "hibrid" gjysmë publik e gjysmë privat ose më saktë as publik e as privat. "Nga një anë nuk është vërtet mjekësi publike dhe ‘falas‘, sepse realisht funksionon me pagesa të paligjshme në dorë dhe nën dorë, që jepen, kërkohen nga të sëmurët", sqaron Kalo.

Tarifat "e shpallura" de facto

Në shëndetësi:

Roja i derës 50-100 lekë
Infermierja 200-500 lekë
Anestezisti 5000 lekë
Mjeku 50000 deri 200000 lekë

Sa kushton një lindje në maternitet

E veçanta në shërbimet publike, për sa i përket fushës së shëndetësisë, është se tarifat e tyre janë gati të njëjta në të gjithë vendin, pavarësisht kostos së jetesës:

Lindje e rregullt:

Mjeku 10000 lekë
Infermieret (në grup) 5000 lekë

Lindje me ndërhyrje kirurgjikale (operacion)
Mjeku 20000-40 000 lekë
Anestezisti 5000 lekë
Infermieret (në grup) 5000 lekë

Tarifat

80 për qind e pacientëve pohojnë se kanë ofruar para në dorë për të marrë një shërbim korrekt nga mjekët dhe infermieret

30 mijë lekë është pagesa mesatare, që i ofrohet një mjeku kirurg për një operacion të kryer për sëmundjet e brendshme

20 për qind e pacientëve deklarojnë se vetë mjekët u kanë kërkuar atyre para në dorë, për t‘iu dhënë shërbimin e nevojshëm

6,6 për qind e pacientëve deklarojnë se kanë dijeni për ekzistencën e kartës së të drejtave të pacientit

99 për qind e pacientëve mendojnë se është e nevojshme një strukturë joshtetërore për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve

25 për qind e pacientëve dëshmojnë se kanë ndjerë pabarazi gjatë shtrimit në spital, për shkak të pagesave në dorë
 

Erind

Forumium maestatis
Re: Sa na kushton shërbimi spitalor...

Absurdja eshte se po kalon si dukuri e tuteluar me norma. Artikulli sjell edhe tarifat e rregullta qe nje familjar apo pacient duhet te paguaj kemishave te bardha, bashke me perqindjet sipas kategorise! Shume ironike dhe e hidhur!
 
Top