Raporti i OSBE, Bosch: PS ka përgjegjësinë të kthehet në Kuvend

Raporti i OSBE, Bosch: PS ka përgjegjësinë të kthehet në Kuvend

Kreu i misionit raporton para Këshillit të Përhershëm. Cilat nga pretendimet e opozitës nuk qëndrojnë</p>


Raporti i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që u lexua dje nga ambasadori Robert Bosch para Këshillit të Përhershëm, i kërkon opozitës të luajë rolin e saj konstruktiv në Parlament. OSBE hedh poshtë disa prej pretendimeve të ngritura nga opozita në atë çka e cilëson rezultat të papranueshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke iu referuar zgjedhjeve, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 “përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së” dhe “shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore”. Megjithatë, thotë Bosch në raport, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, të mos e realizonin plotësisht “potencialin e Shqipërisë për tiu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”. Pa dyshim, thotë Bosch, eliminimi de facto i dukurisë së “Dushkut” dhe i rirenditjes paszgjedhore të kandidatëve u panë si një tjetër hap përpara. “Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, për të parën herë, lista e zgjedhësve u nxor nga baza e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Me gjithë pretendimet e Partisë Socialiste, partisë më të madhe opozitare, për shumë pasaktësi në këto lista, duket se numri dhe natyra e rasteve të raportuara i hidhnin poshtë këto pretendime. Cilësia e këtyre listave u përmirësua ndjeshëm deri në ditën e zgjedhjeve”, thotë raporti. Sa u përket dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, procesi i drejtuar nga qeveria për pajisjen e shtetasve me karta identiteti vlerësohet në pjesën më të madhe të tij i suksesshëm. “Shqetësimet e PS-së rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara, ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike (PD) në procesin e kartave të identitetit”, thotë raporti. Ambasadori Bosch mendon se, megjithëse pretendimet e PS-së, se disa të burgosurve iu dha liridalje e posaçme në mënyrë selektive, ishin shpesh të bazuara, prezenca nuk ishte në gjendje të vërtetonte se këta njerëz u përfshinë në fushatën zgjedhore të PD-së. “Deri tani, PS-ja ka zgjedhur që ti bojkotojë të gjitha seancat e Kuvendit të ri, pas vendimit që ajo ka marrë për ta kushtëzuar hyrjen e saj në Parlament me plotësimin e disa kushteve të lidhura me procesin zgjedhor, i cili, sipas PS-së, ishte i pandershëm. Deri më sot, nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky bojkot. Në përgjigje të bojkotit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, zyrtarë të shumtë të qeverisë, një varg figurash brenda PS-së dhe shumë aktorë ndërkombëtarë (përfshirë këtu edhe Prezencën), si në Tiranë, ashtu edhe në kryeqytetet përkatëse, kanë theksuar, në mënyrë të përsëritur, faktin se PS-ja ka përgjegjësinë për tu kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si “opozitë konstruktive”, aq më tepër kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen”, thuhet në raport. Raporti i ambasadorit Bosch thotë se, ndonëse seancat e Kolegjit Elektoral, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, vendimmarrja u duk disi e nxituar. “Megjithëse nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë, fillimisht, në disa zona, fletët e votimit të kutive të caktuara, identiteti i të cilave ishte përcaktuar qartë, ose nuk u numëruan, ose rezultatet e nxjerra prej numërimit të tyre nuk u hodhën fare në tabelën përfundimtare të rezultateve”, thotë raporti. OSBE mendon se për shmangien e problemeve të kësaj natyre në të ardhmen, vlen të merret në konsideratë fshehja e shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhja e shortit për radhën e numërimit të tyre.(Shqip)</p>
03wx4crQMd4

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24632. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24632
 
Top