Një President ndryshe

Një President ndryshe

Ka një të kaluar prej revolucionari, flet më shumë si fshatar, sesa si një politikan dhe shkon në Parlament me “Vespa”. Jose Pepe Mujica mund të jetë Presidenti i ardhshëm i Urugait…

Gjëja që Pepes i pëlqen më shumë, është të shijojë natyrën. Por, prej disa kohësh nuk mund tu përkushtohet aq sa duhet luleve dhe fushave. E kanë detyruar me forcë të pranojë një “changa” dhe meqë u ka dhënë fjalën, nuk mund të kthehet pas. Në vendet e Amerikës Latine, një “changa” është një punë që nuk të ndodh ta kesh shpesh dhe ajo e Pepes është të garojë për presidencën e Uruguait si kandidat i “Frente amplio”, koalicioni i partive të majta. Jose Pepe Mujica është 74 vjeç dhe është i lumtur që punon në fermën e tij të quajtur “Puebla”. Aty mbjell perime dhe bimë medicinale, merr fasule dhe bizele në dimër dhe domate, kunguj e misër në verë. Me pantallonat e përthyera mbi këpucë, me çorape të grisura, një bluzë të vjetruar dhe një kapele krejtësisht jashtë mode, ka treguar për të disatën herë se nuk ka shumë dëshirë të bëhet President i një vendi që disa kohë më parë e quajti “pil” (”budalla”), pasi eksporton më shumë se 90 për qind të farave që prodhon, në vend që ti përdorë për popullsinë e tij. Për më tepër, një herë tjetër pati thënë: “Uruguai është një vend i madh, gjynah që është plot me uruguaianë”. Por, nuk i ngelet zgjidhje tjetër, përveçse të pranojë “changa”-n. Pepe është i vetmi që mund të sigurojë qëndrimin në qeveri të “Frente amplio”, që erdhi në pushtet për herë të parë në vitin 2004 me Tabare Vazquez, Presidentin që është aktualisht në detyrë. Vazquez është politikani më popullor i vendit, por Kushtetuta nuk e lejon më që të rikandidojë sërish. Me 54 për qind të preferencave në zgjedhjet e 28 gushtit, Mujica mposhti pa problem Danilo Astorin, ish-ministrin elegant të Ekonomisë, rektor universiteti që në moshën 32-vjeçare. Astori, djali i Presidentit aktual, është një njeri i pasionuar pas xhazit, përveçse një intelektual i nderuar. Në zgjedhje, Mujica mundi edhe Marcos Carambula, një prej guvernatorëve, me suksesin më të madh në qeverinë e parë të majtë, por që arriti të merrte vetëm 18 për qind të votave. Lucia Topolansky është gruaja e Mujicas. Pepe është shumë spontan në bërjen e gjërave, por një strateg brilant i komunikimit. Me një gjuhë prej fshatari, më shumë sesa prej politikani, pesë vjet më parë arriti të bëjë për vete popullin, duke u bërë politikani më i votuar në vend me 330 mijë preferenca. Aq sa, i vetëm kaloi edhe votat e marra nga Partia Colorados, që e ka qeverisur Uruguain pothuajse pa ndërprerje që prej 1830-ës, kur vendi mori pavarësinë.

Kandidati

Pepe Mujica dhe Lucia Topolansky janë, të paktën për momentin, senatorë të Lëvizjes së Pjesëmarrjes Popullore. Të dy jetojnë në një shtëpi modeste pranë fushave të tyre në Rincon del Cerro, një lagje rurale në periferi të Montevideos, kryeqytetit të vendit. Jetojnë si eremitë, mes projektligjeve dhe bishtajave të fermës së tyre. Mujica ka thënë shumë herë se nëse zgjidhet President, do ti pëlqente të qeveriste nga Puebla. Thotë se ka një mori idesh që kërkon ti zbatojë menjëherë. Mujica ka propozuar të diskutojë për pronën private, për bonuset bankare, “të importojë” peruanë dhe bolivianë të punojnë në tokat e Uruguait, meqë vetë uruguaianët nuk duan ta bëjnë. Po ashtu ka propozuar që doktorët dhe mësuesit e rinj të sapodiplomuar të shkojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në zonat më të thella të vendit, ndërsa mendon se ata që janë vartës ndaj drogave të ndryshme, “duhen marrë prej veshi dhe të punojnë tokën”. Për më tepër, dy nga idetë e tij kanë shkaktuar polemika të mëdha: ai kërkon të shtojë shkollat me kohë të plotë dhe ta çojë universitetin publik jashtë kryeqytetit. Kur flet, Mujica të sheh drejt e në sy. Thotë se nuk është një revolucionar i zbuluar, që tani ka kaluar nga ana e kapitalizmit. Nuk është nga ata që besojnë se neoliberalizmi është mbretëria e lirisë. “Aspak. Ka padrejtësi të tmerrshme. Duhet të luftosh për të gjetur rrugë të tjera. Por nuk dua të bëj gabimet e së kaluarës, sepse kjo do të thotë që nuk ke mësuar asgjë”. Teksa rregullon kapelën, i duken gishtat gjithë baltë. Thotë se dëshiron tu garantojë të gjithëve akses ndaj kulturës, se është shumë mosbesues, se tani që është plakur është bërë më skeptik dhe i sheh gjërat më larg. “Një nga avantazhet e pleqërisë është se mund të thuash atë që mendon. Dhe kur dikush shprehet lirshëm, gjithmonë bëhet një zhurmë e madhe, sepse jetojmë në një botë ku njerëzit thonë vetëm gënjeshtra, nën moton Kjo nuk mund të thuhet, as kjo. Liria është e hipotekuar”. Kur e pyet nëse ndihet gati për presidencën, nis të qeshë: “Të gjithë e bëjnë këtë një çështje madhore. E vërteta është se të jesh një President i mirë, mbi të gjitha do të thotë të zgjedhësh një grup të mirë ministrash. Janë ata që punojnë shumë dhe e kanë vazhdimisht lakun në fyt”. Vitin e shkuar, përkrahësit e Vasquez, Presidentit aktual, organizuan një mbledhje firmash për një reformë kushtetuese që të lejonte rizgjedhjen e Presidentit. Edhe Mujica deklaroi se do ta mbështeste këtë iniciativë. “Por projekti dështoi dhe opsioni Pepe nisi të forcohej. Njerëzit nisën të bënin presion dhe ai e kuptoi se nuk mund të tradhtonte besimin e atyre militantëve. Tani na duhet ta luajmë ndeshjen deri në fund”, tregon gruaja e tij, Lucia. Pepe lexon vazhdimisht gazetat, për të parë se çfarë shkruajnë për të dhe fushatën e tij elektorale. Është gjithmonë në udhëtim dhe mban fjalime deri natën vonë. Pavarësisht kësaj, nuk heq dorë kurrë nga një orë pushimi pasdite. Natyrisht që nuk përdor celular, nuk ka kartë krediti dhe nuk është ai që shkruan dhe poston materiale në blogun e tij. Në shtëpinë e tij në fshat nuk ka piktura me vlerë dhe as mobilie të stilit të Luigjit XV. Është një shtëpi tipike e njerëzve të shtresës së mesme. Mbi një komedinë ka me dhjetëra libra. Mujica është një shembull i ndryshimit politik që po ndodh në Amerikën Latine. Ai mund të bëhet Presidenti i Uruguait në moshën 74-vjeçare, me një të kaluar prej guerilieri, një bark të rrumbullakosur dhe një gjuhë më shumë si fshatar, sesa si politikan apo President. Është e vështirë të imagjinosh një “kokteil politik” të tillë. Prej disa vjetësh në Amerikën Latine po ndodhin ndryshime radikale, që duhet se po tërheqin mjaft vëmendjen e politologëve. Tani mund të jetë radha e Mujicas. Por edhe nëse do të humbë, nuk do të ishte tragjedi: mund tu dedikohet luleve dhe perimeve të tij. Më në fund do të jetë një fshatar me kohë të plotë.

Më 25 tetor, në Uruguai zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe legjislative. Kandidati për President nga “Frente amlio”, koalicioni që mbështet Presidentin aktual, Tabare Vazquez, është Jose Pepe Mujica, një ish-guerilier. Kundërshtari i tij më i madh është Luis Alberto Lacalle, i Partisë Nacionale, një konservator. Kandidati i Partisë Colorados, formacioni politik që ka qeverisur vendin pa ndërprerje që prej 1830-ës, është Juan Maria Bordaberry

Sipas sondazheve të fundit, Mujica është në avantazh ndaj Lacalles, por shumë larg 50 përqindëshit të votave të nevojshme për të fituar në raundin e parë. Balotazhi i mundshëm do të zhvillohet më 29 nëntor.(Shqip)

9bxNFFy9jzM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24643. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24643

Top