Marrëveshja me Greqinë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare

Marrëveshja me Greqinë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare

Analiza e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Raste të ngjashme janë zgjidhur nga arbitrazhi i huaj

Nocioni i mbrojtjes nga shteti është një argument i përhershëm për çdo program qeverie dhe ai buron nga atributet që i japin qytetarët e manifestuar në delegimin e forcës dhe resurseve të nevojshme për plotësimin e këtij misioni. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik i drejtohet ligjeve e institucioneve të tyre për të mbrojtur shoqërinë shqiptare nga kërcënimi i vetë qeverisë.

Edhe pse të gjithë pranojmë se shteti ndërtohet më shumë për të mbrojtur të drejtat tona sesa të abuzojë me to opininoni i përgjithshëm është se në balancë shteti nuk i mbron ato. Edhe pse e minuar në mënyrë të vazhdueshme nga një shtet koroziv që inkurajon ekzaktësisht atë sjellje të papërgjegjshme që në fakt duhet të luftojë, morali i shoqërisë shqiptare mbetet mbrojtësi më i mirë i interesave jetike të kombit tonë.

Debati i sotëm rreth projekt-marrëveshjes per delimitimin e kufirit detar me fqinjin tonë tregon në mënyrë të trishtueshme hendekun dhe mosbesueshmërinë reciproke shtet-shoqëri.

Ndërsa opinioni publik nëpërmjet zërit të përfaqësuesve të saj që janë media, studjuesit, shkencëtarët, historianët, artistët, e intelektualë të tjerë si dhe pjesëmarrjes masive të drejtpërdrejtë në forumet e rrjeteve elektronike të komunikimit kundërshtojnë pragmatizmin dhe papërgjegjshmërin e qeverisë në negociatat dhe konkluzionet e arrituara në një çështje kaq të rëndësishme, kjo e fundit vazhdon të konservojë apatinë dhe mungesën e profesionalizmit duke e distancuar veten edhe më shumë nga interesat e kombit.

Në trajtimin e një çështjeje kaq delikate, ku për hir të së vërtetës duhet pohuar edhe ngarkesa e saj emocionale që rrjedh nga faktorë të shumtë historikë, u kërkua me forcë transparenca e shtetit.

Por ta bësh atë transparente nuk do të thotë të ftosh Ramën në Ministrinë e Jashtme e t’i ofrosh atij mundsinë e revizionimit të marrëveshjes dhe detajeve të saj. Një ftesë e tillë mbart në vetvete cinizëm dhe politikë të tillë që synon kredibilitet me qeverinë e vendit fqinjë në kurriz të opozitës.

Ajo synon të prezantojë këtë të fundit si element të destruktivizmit në marrëdhëniet e vendit tonë me vendet fqinje. Së pari, drejtuesi i opozitës nuk është ekspert i fushave që mbulojnë marrëveshjen e delimitimit dhe së dyti, perpara se t’i dërgohet ftesa atij do të duhej që ftuesi t’i kërkonte falje publike për dizinformimin e publikut dhe elektoratit jo më larg se disa muaj më parë, ku marrëveshja në fjalë u anatemua prej partisë që ai drejtonte si anti-kombtare dhe që shiste interesat e Shqipërisë.

Kjo do të thotë që në mënyrë të ndershme të pranojë se atij, si gjithmonë, i flet goja përpara mendjes dhe aktivitetin e kësaj të fundit në mënyrë konstante e ka penguar shumë virusi i “gripit” të pushtetit.

Të bësh transparente marrëveshjen e shumëpërfolur nuk do të thotë të aktivizosh median pro-qeveritare e të mundohesh nëpërmjet trukeve televizive të rrëzosh personalitetin e një individi, ish-ushtarak i karierës, që larg çdo pasioni politik apo përfitimi personal, mundohet të sqarojë teknikisht faktorët që nuk janë konsideruar nga pala jonë në negociatat me palën tjetër e që për rrjedhojë na kanë çuar në pozita të disfavorshme, duke humbur pasuri të konsiderueshme në pozitat ekonomike dhe strategjike që na ka falur natyra.

Nuk është aspak e ndershme që në vend të bërjes publike të hartës zyrtare që është produkti final i marrëveshjes e ku secili me pak njohuri nga fusha e topografisë dhe hartografisë mund të lexojë parimet e ndjekura prezantohen copa letrash e skicash që s’bëjnë asgjë tjetër veçse e mjergullojnë edhe më shumë situatën e i lënë vend hamendjeve e dyshimeve që mesa duket po kthehen në të vërteta.

Prandaj publikimi i hartës zyrtare të marrëveshjes është mëse e domosdoshme për të krijuar të plotë e saktësisht si është bërë demarkacioni i hapësirës ujore midis dy vendeve. Nëse ajo nuk ekziston, apo institucionet përgjegjëse të shtetit për një arsye apo më shumë hezitojnë ta bëjnë publike atë kjo minimalisht do të thotë se është shteti shqiptar ai që hodhi një “gur” në pus e shoqëria që ai përfaqëson ndjehet e zhgënjyer.

Nëse i referohemi eksperiencës së shteteve të tjera do të shohim se vende me karakteristika të ngjashme gjeografike kanë doktrinë të posaçme për delimitimin e hapësirave ujore ndërsa ne, papërgjegjësinë më të vogël, nuk jemi serioz as dhe në elementët më formalë të një marrëveshjeje.

Mbi të gjitha, nëse shteti ndjen vërtet obligimin për të qenë transparent ndaj publikut do të duhej të falenderonte e të ishte mirënjohes ndaj një populli që ka ditur të ruajë ndjenjat kombëtare pavarësisht nga ngjyrimet politike që ka marrë pushteti në Shqipëri.

Të jesh transparent do të thotë të pranosh me kurajë se nëse ke hyrë në tratativa marrëveshjeje dhe nuk je udhëhequr nga parimi i fitimit (siç u deklarua nga negociatorët) ke dështuar që në embrion të hapave të ndërmarra.

Nuk ka marrëveshje, njëpalëshe apo shumëpalëshe, ekonomike, politike apo ushtarake qoftë kur nuk hyhet për të fituar. Ndryshe nuk do të kishte të tillë ose jepja palës tjetër ta formulojë atë dhe ti jepi validitetin me autoritetin që të kanë dhënë ata që të kanë besuar mbrojtjen e tyre. A ka ndodhur kështu në marrëveshjen në fjalë?

Të hysh për të fituar ndershmërisht nuk do të thotë aspak se kërkon të përfitosh diçka të padrejtë e që s’të takon.Historiani Xhufi saktësisht shprehej se hapësira e ujërave që diskutohet është aq e vogël si çdo humbje, qoftë edhe minimale, do të ishte katastrofike për ne.

Prandaj, kur kërkohet të hidhet dritë mbi metodat e përdorura në delimitimin e tyre mbi të gjitha kërkohet verifikimi se si është bërë demarkacioni i sipërfaqes së detit konvencional që ne ndajmë me fqinjin.

Më konkretisht, përpos të tjerave, publiku kërkon të verifikojë se si janë trajtuar karakteristikat gjeografike dhe topografike të bregut tonë e sidomos të gjireve. Për të gjithë është e qartë se përcaktimi i ujërave territorialë, zonës së vazhdimësisë, zonës eksluzive ekonomike dhe shtratit kontinental varen nga përcaktimi i vijës bazore nga ku matet dhe vazhdimi i detit.

Atëherë pyetja themelore që akoma s’po merr përgjigje nga ata që kanë vepruar në emër të shtetit është se si janë përfundimet nëse skicimi (delimitimi) i kësaj vije bëhet duke aplikuar metodën e thellësisë? Si metoda e baraslargësisë (equidistance method, e aplikuar në marrëveshjen në fjalë) po ashtu dhe metoda e barazisë (equitable solution, dukshmërisht e neglizhuar në negociatat) janë të akomoduara nga Ligji Ndërkombëtar.

Akoma deri më sot, nuk janë bërë të qarta për publikun analizat e faktorëve të rëndësishëm që janë konsideruar nga shteti ynë si të tillë ndërsa negocionte marrëveshjen e që kanë të bëjnë me trajtimin e konfiguracionit të bregdetit tonë, strukturat fizike dhe gjeologjike të shtratit kontinental, efektet e parimit të porpocionalitetit që trajton, raportet midis shtrirjes së shelfit kontinental dhe gjatësisë së bregdeteve të Shqipërisë dhe Greqisë si dhe delimitimi me Italinë që ndodhet pranë kësaj zone.

Eksperienca e shumë vendeve të huaja tregon se për shkak të implikimeve të mësipërme, delimitimi është vendosur në Gjykatën Ndërkombëtare dhe shpesh edhe kur është perdorur vija e baraslargësisë ajo është korigjuar (axhustuar) mbi bazën e parimit të barazisë.

Në arbitrazhin e vitit 1985, kur u shqyrtua delimitimi midis Guinea-Guinea Bissau Gjykata vendosi refuzimin e përdorimit të metodës së baraslargësisë sepse ajo çonte në pozita të pabarabarta të palëve në kontrollin e hapësirave ujore.

Po kështu, në rastin e delimitimi të kufirit midis Danimarkës dhe Norvegjisë, në zonën midis Greenland dhe Jan Mayen, Gjykata Ndërkombëtare, pasi vendosi vijën mesore të përkohshme, e korigjoi atë mbi bazën e parimeve të barazisë, duke konsideruar porpocionalitetin e bregdeteve si dhe rëndësinë ekonomike në peshkim.

Raste të tilla të ngjashme janë paraqitur shumë në oponencën e z. Pashaj dhe ato meritojnë vëmendje për të kuptuar rëndësinë e vështrimit dhe analizën e shumë faktorëve që ndikojnë në rastin tonë.

Po kështu, neglizhenca e treguar në trajtimin e gjirit të Sarandës nuk flet për seriozitet dhe këmbëngulje në mbrojtjen e interesave të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Trajtimi ligjor i një gjiri është mjaft i komplikuar për vetë natyrën e lidhjeve gjeografike intime që krijojnë ujërat në të me tokën që e rrethon dhe që në përgjithësi është parë si faktor vendimtar në pohimin e sovranitetit territorial, duke diskurajuar kundërshtimet e të huajve.

Po t’i referohesh një enciklopedie në përshkrimin e saj dhe kjo të shërbejë si bazë për të dëmtuar interesat e tua në atë zonë është e pafalshme dhe amorale. Ndoshta jo shumë e përshtatshme për këtë diskutim, por e vlefshme për referencë, ka edhe enciklopedi të tilla që e fusin Shqipërinë si aleate në boshtin nazi-fashist të Luftës së Dytë Botërore.

A mund të pajtohemi ne me një deformim të tillë absurd të së vërtetës kur vendi ynë luftoi përkrah fuqive antifashiste e bëri sakrifica të jashtëzakonshme për t’u çliruar nga okupatoret?

Jemi ne ata që së pari bëjmë historinë e vendit tonë dhe ajo bëhet mbi bazën e të vërtetave të pakundërshtueshme. Në këtë kuptim, është po ashtu detyra e gjithsecilit prej nesh e sidomos e historianëve t’u tregojnë të huajve (fqinjët e njohin mirë) përdorimin historik të gjireve tona dhe pandashmërinë e tyre nga jeta e vetë kombit tonë.

Tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të bëjë interpretimin e marrëveshjes dhe besimi është i tillë që larg çdo motivimi politik por bazuar vetëm në të drejtat tona kombëtare t’i thotë jo asaj dhe t’i hapë rrugën diskutimeve serioze e mbi parimin e barazisë së plotë.

Çdo interpretim, bazuar në ngjyra politike apo interesa meskine dëmton interesat tona të përbashkëta dhe ashtu si në raste të tjera, ne duhet të ngrihemi mbi to kur çështja prek një komb të tërë. Të kundërshtosh një marrëveshje të tillë dhe të kërkosh rinegociata nuk mund të prishë marrëdhëniet me vendin fqinj gjë e cila nuk është e dëshirueshme nga askush.

Konventa e Ligjit të Detit, ku të dy vendet bëjnë pjesë, kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim reciprok për të siguruar barazi dhe përdorim eficient të resurseve detare, duke kontribuar për drejtësi, paqe dhe progres të përbashkët.

Edhe në rastin më të keq, nëse ka mosmarrëveshje teknike, nuk është aspak e jashtëzakonshme kërkesa për t’u dëgjuar në arbitrazh. Edhe vende me demokraci më solide se tonat kanë zgjidhur çështje të delimitimit të kufijve detare në Gjykatën Ndërkombëtare.

Të tilla janë rastet e arbitrazhit të vitit 1977 për vendosjen e kufirit detar midis Francës dhe Anglisë apo rasti i delimitimit të zonës ekskluzive të peshkimit dhe shtratit kontinental midis SHBA-së dhe Kanadasë në zonën Gulf of Maine në vitin 1984.

Që të behet kjo, duhet që shteti të marrë plotësisht rolin e mbrojtësit të interesave tona dhe servantet e tij të kuptojnë se janë atje jo për të abuzuar me to. Dhe çelësi i suksesit në mbrojtjen e të drejtave tona është jo “puthja” e pushtetarëve apo gjykatësve, por qëndresa ndaj pushtetit sa herë ai paraqitet i korruptuar.

Pavarësisht nga ngjyrat politike, qeveritë synojnë të zgjerojnë pushtetet e tyre në kurriz të të drejtave tona. Pushteti është veçanërisht i interesuar në apatinë e qytetarëve dhe besimi i tepërt ndaj tij çon në skllavërinë tonë.

Është shoqëria shqiptare, janë grupet e interesit, janë intelektualët ata që duhet të balancojnë forcën në rritje të pushtetit dhe të bëhen barrierë ndaj papërgjegjshmërisë dhe pragmatizmit të patolerueshëm.

Reagimi

“Duhet bërë thirrje që shteti të nxjerrë hartën”

Një nga oponentët kryesorë të Paktit Detar me Greqinë, koloneli në rezervë Myslim Pasha, në një deklarim dje për “Shekullin” në linjë telefonike, i pyetur lidhur me deklarimet e ministrave Meta dhe Basha i bëri sërish thirrje shtetit që të nxjerrë hartën: “Këto ditë duhet të bëhet thirrje për të tjera gjëra. Duhet bërë thirrje që shteti të nxjerrë hartën.

Thirrja duhet shkruar me gërma të mëdha bashkë me kërkesën tjetër të ligjshme: “Shteti të kryejë testin përfundimtar të përpjestueshmërisë, për opinionin shqiptar”. “Shteti të bëjë Testin e Përpjestueshmërisë” – 1 km bregdet shqiptar, fiton 10.2 km2 sipërfaqe detare. 1 km bregdet i Republikës së Greqisë, fiton 15.4 km2 sipërfaqe detare – tha z. Pasha.

Reagimi i Pashës erdhi dje pas daljes publike të ish-ministrit të Jashtëm Basha, i cili me patos mbrojti në një emision televiziv Paktin Detar me Greqinë.

Studimi i kolonelit Pasha

Pasha: Pse jemi të pabarabartë?

Gjatë gjithë kësaj kohe është hedhur argumenti i vijës mesore. Pra i baraslargësisë. Ky është një parim i rëndësishëm në proces të ndarjes së kufijve detarë, por që në fakt eklipsohet në rëndësi nga ndryshimet që iu bënë UNCLOS në vitin 1982.

Më lejoni të shpjegohem: Barazlargësia – Konventa e vitit 1958 e përcakton “equidistance line” (vijën e baraslarguar) si vijën, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta, nga të cilat matet gjerësia e detit shtetëror, ndërmjet dy shteteve”.

Por, roli i privilegjuar i kësaj metode u godit rëndë nga disa vendime të Gjykatës Ndërkombëtare, të cilat nuk e morën për bazë këtë metodë në gjykimin e tyre, pasi kjo metodë çonte në pabarazi.

Diskutime të shumta u bënë, por goditja e metodës së baraslargësisë shkoi aq larg, sa në Konventën e vitit 1982 ky nocion (pra baraslargësia) hiqet fare nga nenet 74 (që ka të bëjë Hapësirën e veçantë Ekonomike = Exlusiver Economic Zone) dhe neni 83 (Shtratdeti Kontinental= Continental Shelf) të Konventës dhe mbeten vetëm në nenin 15 (që ka të bëjë vetëm me detin Shtetëror).

Ja ç’thotë neni 74 i Konventës: Delimitimi i Hapësirës së Veçantë Ekonomike (Exlusive Economic Zone) ndërmjet shteteve me brigje përballë apo ngjitur, do të kryhet sipas marrëveshjes, bazuar në Ligjin Ndërkombëtar, siç referohet në nenin 38 të statutit të Gjykatës Ndërkombëtare, me qëllim që të arrijë në zgjidhje të BARABARTË (EQUITABLE SOLUTION). Po kështu edhe neni 83, paragrafi i parë përdor të njëjtën gjuhë.

Pse është futur ky nocion (Nocioni i BARAZISË). Ky nocion është futur pikërisht sepse mesorja, nëse merret verbërisht, çon në pabarazi. Vet koncepti i barazisë (Equity) bazohet në atë që është e drejtë, e ndershme, e barabartë. Ky është elementi final i çdo procesi ndarjeje detare.

Sidomos, kjo bëhet shumë e rëndësishme kur kemi pikërisht rastin e veçantë shqiptar, kur ka bashkësi ujëdhesash të vogla (shkëmbinj etj) që ndikojnë në ndarjen e kufirit.

Ky është pikërisht, rasti që mesorja mund të çojë shpesh në pabarazi. Si test për BARAZINË përdoret koncepti i PROPORCIONALITETIT = PËRPJESTUESHMËRISË. Ky është testi që shikon raportin e ujërave të përfituara nga delimitimi, krahasuar me raportin e vijës bregdetare relevante të të dy shteteve.(Shekulli)

4nNJHv2ZqrE

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24975. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24975

Top