Lajme ekonomike!

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Korçë, ndërtuesit kërkojnë të hyjnë brenda qendrës historike të qytetit

Kryebashkiaku ofron një projekt pilot për ndërtime të përqendruara në zona të veçanta

Ndërtuesit e Korçës kanë kërkuar më shumë hapësira nga ana e pushtetit lokal, lidhur me zhvillimin e këtij sektori që ka qenë i bllokuar për shkak të lejeve të ndërtimit. "Biznesi i ndërtimit tkurret sa herë që ka ndryshime pushtetesh dhe ne si ndërtues nuk shfrytëzojmë as 30 për qind të kapacitetit të ndërtimit, duke e kthyer Korçën në një qytet të ngurtë në këtë drejtim", tha kryetarja e shoqatës së ndërtuesve, Lida Kushe. Nisur nga fakti se së fundi biznesi i ndërtimit është ndier më i tkurrur edhe për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit në zonën e qendrës historike dhe muzeale, kanë qenë vetë ndërtuesit që i kanë bërë të ditur kreut të bashkisë, se duhet të rishikohen marrëdhëniet për t‘i dhënë hov zhvillimit të ndërtimeve të reja. Në një takim të ndërtuesve korçarë me kryebashkiakun Niko Peleshi, ky i fundit ka hedhur edhe idenë e projektimit dhe të studimit urbanistik të një zone model, e cila të jetë një zonë e veçantë, ku të përqendrohen ndërtimet e reja në vazhdimësi. Peleshi që e ka konsideruar këtë projekt si të ardhmen e qytetit, ka kërkuar që të diskutohet ideja e një zone e cila të caktohet në mirëkuptim me firmat e ndërtimit, por edhe me pronarë të trojeve, ku pas gjetjes së sipërfaqeve të mëdha për një zonë pilot, aty të përqendrohen blloqe banimi, por edhe qendra tregtare. Peleshi ka bërë të ditur se, në bazë të një studimi, ndërtimet e reja do të përqendrohen duke krijuar një bllok modern dhe bashkëkohor, por njëkohësisht duke ruajtur edhe tradicionalen. "Firmat ndërtuese për këtë zonë pilot do të konsultohen për zonën e caktuar dhe më pas të vendoset për të kryer edhe një studim urbanistik", tha Peleshi. Biznesi i ndërtimit i cili do t‘i afrohet sa më shumë qendrës, duke mos qenë i kufizuar dhe i detyruar për të ndërtuar vetëm në zona periferike, ka kërkuar të rishikohet nga ana e pushtetit lokal edhe ndërhyrja në zonën e qendrës.

Sipas numrit një të bashkisë së Korçës, ai nuk është kundër ndërtimeve brenda zonës karakteristike, por gjithmonë duke ruajtur parametrat për të mos cenuar veçantinë urbanistike dhe karakterin tradicional, ku sipas tij kufizimet në këtë rast do t‘i referohen lartësisë së ndërtesave të cilat duhet të jenë brenda natyrës së kompleksit, ose thënë ndryshe të mos ketë ndërtime shumëkatëshe, që ndryshojnë karakterin e zonës muzeale dhe historike. Nga ana tjetër, edhe stili arkitekturor do t‘i përmbahet traditës. "Jam kundër konceptit të kufizimeve të ndërtimeve, por në zonën e vjetër të qytetit duhet të respektohet ruajtja e karakterit tradicional dhe historik, me qëllim që kjo të mos jetë zonë në konservim, por zonë në zhvillim. Nga ana tjetër propozoj një projekt pilot me mbështetje edhe të specialistëve arkitektë dhe urbanistë dhe të ndërtuesve, që ndërtimet të përqendrohen në një zonë të caktuar, ku të gjenden sipërfaqe të mëdha për një bllok ndërtimesh", tha Peleshi.

Nga ana e tyre, ndërtuesit kanë rënë dakord në parim për të rishikuar edhe një herë në një mbledhje të ardhshme idenë e përcaktimit të një zone, ku të përqendrohen ndërtimet e të gjitha firmave. Ndërkohë, nuk është përjashtuar as mundësia e gjetjes së këtyre hapësirave sa më afër qendrës. Ndërtuesit kanë kërkuar gjithashtu që të zhbllokohen tri zona të cilat janë brenda qendrës dhe ndërtimet të mos jenë të përqendruara thjesht në periferi. Këto zona ndodhen brenda hapësirës që konsiderohet muzeale dhe historike, por sipas ndërtuesve lejet e ndërtimit këtu janë mbajtur peng nga pushteti lokal. Me idenë se ka ardhur koha që të ndërtohet sa më shumë, ndërtuesit kanë kërkuar të favorizohen në këtë drejtim, pa pasur kufizime.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Toka

Tapitë e fshatarëve, peng i fondit 3 mln lekë

Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga pajisja e fermerëve me aktin e marrjes të pronësisë, nuk është bërë ende regjistrimi i kësaj pasurie në zyrën e regjistrimit të pasurive. Sipas shefit të zyrës së administrimit dhe mbrojtjes së tokës bujqësore në Berat, Venetik Çela, shkak për këtë gjendje është bërë mungesa e një fondi prej 3 milionë lekësh, që nuk jepet nga kryeregjistruesi në qendër. Çela thotë se në pronësi të 1,400 fermerëve në Berat janë 1,500 hektarë tokë bujqësore, e përqendruar kryesisht në rajonin e Uznovës dhe në ullishtën kurorë të qytetit. Ai thotë gjithashtu se çdo ditë në zyrën e tij paraqiten fermerë që kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi, por zyra e administrimit të tokës është e pafuqishme.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Tatimet

Berat, regjistrohen 300 biznese të fshehura

Policia bashkiake në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Tatimore po kalojnë në sitë të gjitha subjektet tregtare që ushtrojnë aktivitetin në qytet. Nga kontrollet e ushtruara janë regjistruar 300 subjekte të ndryshme, të cilat i ishin fshehur regjistrimit në degën e tatim-taksave. Lajmin e bën të ditur drejtori i policisë bashkiake, Sokrat Godo, i cili tha se ky bashkëpunim permanent, ndërmjet dy policive, asaj bashkiake dhe tatimores, ka bërë që 300 subjekte tregtare të ndryshme që kryenin aktivitet të jashtëligjshëm të regjistrohen. Ndërkohë, këto subjekte do të duhet të paguajnë detyrimet tatimore edhe për kohën gjatë së cilës kanë funksionuar ilegalisht. Kontrollet do të vijojnë në të ardhmen në periferi të qytetit.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Në këtë mënyrë parashikohet të shtohen paratë në arkën e shtetit nga sigurimet dhe tatimi mbi të ardhurat

Pagat, qeveria fundos privatët

Vendimi detyron bizneset të shumëfishojnë rrogat e punonjësve

Qeveria ka vendosur një nivel të ri referimi për pagat e privatëve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ky është vendimi i ri brenda një muaji për përcaktimin e pagave referuese në sektorin privat. Vendimi i parë që u bë publik në fund të marsit dështoi, për shkak se qeveria nuk arriti ta zbatonte. Përcaktimet e reja në vendimin e djeshëm të qeverisë shërbejnë që tatimet të llogarisin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore, si dhe tatimin mbi të ardhurat për çdo punonjës të sektorit privat. Vendimi i qeverisë vjen pas deklaratave të vazhdueshme të Kryeministrit, se ekonomia shqiptare noton në informalitet. Rezultati final i këtij vendimi është një rritje e pagave referuese për punonjësit e sipërmarrjeve private, pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, çka do të thotë rritje e tatimeve mbi të ardhurat dhe sigurimeve shoqërore e atyre shëndetësore për këta punonjës. Kryeministri Berisha e cilësoi të një rëndësie të veçantë vendimin për përcaktimin e pagës referuese mujore. Duke përgëzuar Ministrinë e Financave, Berisha tha: "Me anë të këtij vendimi synohet të barazohet kontributi i personave me paga të ulëta, që përfshin kontributin e tyre në sigurimet shoqërore, shëndetësore apo dhe detyrime të tjera fiskale me të tjerët, që përfitojnë paga të tjera". Në relacionin shpjegues të projektvendimit, Ministria e Financave shprehet se ky nivel pagash është vendosur mbi bazën e investigimeve të bëra nga tatimet, që, sipas tyre, kanë vërejtur shkallë të lartë abuzimi dhe mosraportimi real me listëpagesat e punonjësve. Por kjo deklaratë e financave bie ndesh me vetë sistemin fiskal, që bazohet mbi vetëdeklarimin e subjektit, çka do të thotë se janë subjektet ato që përcaktojnë dhe zyrtarizojnë pagën dhe jo administrata tatimore. Tatimeve u bie barra t‘i vërtetojnë deklarimet e punëdhënësve dhe jo të gjykojnë apriori se sa mund të jetë me hamendje një pagë.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Uashington

Banka Botërore, hetime për TEC-in e Vlorës

Selia Qendrore shqyrton procedurat e zyrës së saj në Tiranë

Banka Botërore me qendër në Uashington ka konfirmuar se do të nisë hetimet për mënyrën e miratimit nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë, të projektit për ndërtimin e termocentralit të Vlorës. Në faqen zyrtare të BB-së, në sektorin e kërkesës për inspektim, konfirmohet se paneli i inspektimit në këtë institucion është njohur me vërejtjet e bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, për cilësinë e projektit dhe mënyrën e miratimit të TEC-it të Vlorës. Në web-in e BB-së bëhet e ditur gjithashtu se shumë shpejt një grup i saj do të mbërrijë në Tiranë. Bordi i inspektimit pranë bankës është njohur me këto vërejtje në 2 maj dhe sipas zëvendëssekretares së këtij bordi, Dilek Barlas, bordi do t‘i përfundojë procedurat e inspektimit deri në fillim të qershorit. Më pas, sikundër konfirmon edhe Barlas, do të programohet një vizitë në Vlorë, ku të dërguarit e Bankës Botërore do të kërkojnë të marrin më shumë informacion për shqetësimet që Aleanca e Vlorës ka për ndërtimin e TEC-it. Aleanca për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, prej më se dy vjetësh ka qenë kundër ndërtimit të këtij TEC-i, jo vetëm se cenon turizmin në këtë zonë, duke krijuar ndotje të mëdha, që sipas tyre janë në përmasa skandaloze, por edhe se ka pasur mjegullnajë në mënyrën e miratimit të këtij projekti. Aleanca pretendon edhe se projekti apo dhe studimet e fizibilitetit nuk janë bërë publike përpara miratimit të projektit dhe fazat për miratimin e tij kanë qenë të mbuluara deri në mister. Janë pikërisht këto arsye, që e kanë bërë selinë e Bankës Botërore në Uashington të reagojë dhe të marrë nën shqyrtim procedurat e miratimit të TEC-it të Vlorës.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

BSH-ja, gati rritja e normës së interesit

Burime nga Banka Qendrore thanë se vendimi do të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës së Këshillit

Frika nga inflacioni ka vënë në lëvizje Bankën e Shqipërisë, e cila pritet që së shpejti të njoftojë një rritje të normës bazë të interesit. Aktualisht, norma bazë e interesit është 5.5 për qind. Por, burime nga Këshilli Mbikëqyrës i Autoritetit Qendror Monetar në vend thanë për gazetën "Shqip", se rritja do të jetë nga 0.25 deri në 0.5 për qind dhe se ajo mund të vendoset që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, e cila pritet të mbahet pas dy javësh. Rritja me 70 për qind e kreditimit të ekonomisë gjatë vitit që lamë pas, e cila ka vazhduar me të njëjtin ritëm edhe për tre muajt e parë të këtij viti, ka bërë që në treg të ketë tepricë të monedhës vendase, ndërsa në banka likuiditeti të jetë në nivelet më të ulëta. Për një periudhë afatshkurtër, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të sjellë një zhvlerësim të mëtejshëm të lekut në krahasim me euron, aq më tepër në një kohë kur euro po forcohet kundrejt të gjitha monedhave të tjera. I gjithë ky cikël do të provokonte një rritje të inflacionit, i cili aktualisht rrotullohet rreth shifrës 3 për qind. Në fakt, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kanë qenë në dilemë që në mbledhjen e kaluar, e cila u zhvillua 3 ditë më parë për të lëvizur normën bazë të interesit, por pas një analize të gjatë konkluduan në shtyrjen e vendimit për rritjen e normës së interesit në mbledhjen e radhës. Sinjalet e para inflacioniste tashmë janë prezente. Pritshmëritë janë për forcimin e presioneve inflacioniste gjatë muajve në vazhdim. Kjo, sepse stina e verës është një stinë që zakonisht provokon inflacion. Por, jo vetëm kaq. Ashtu si çdo vit tjetër, edhe për këtë vit pritet që përqendrimi i investimeve publike të jetë më i lartë në gjashtëmujorin e dytë.

Efektet e zhvlerësimit të lekut

Zhvlerësimi i lekut kundrejt euros ka efekte të drejtpërdrejta në ekonominë e vendit, pasi shtrenjton produktet që Shqipëria importon nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat, në një pjesë të mirë të tyre janë lëndë të para, duke ulur kështu konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. BE-ja është partneri më i madh tregtar i vendit tonë, me mbi 70 për qind të totalit të importeve. Pavarësisht se zhvlerësimi i lekut kundrejt euros mund të jetë një lajm i mirë për eksportuesit, në tërësi efektet e këtij fenomeni janë negative për ekonominë shqiptare. Kjo, pasi shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me jashtë luhaten në raportin 1 me 4, në favor të importeve. Si rrjedhojë, rezultati përfundimtar i gjithë kësaj do të ishte një thellim i mëtejshëm në vlerë i deficitit tregtar. Në përgjithësi, për vendet në zhvillim, ashtu si Shqipëria, ekspertët përkrahin idenë e një inflacioni të moderuar, që do të thotë norma inflacioni më të larta në kufijtë e 5 përqindëshit, me qëllimin për të stimuluar investimet. Rritja e normës bazë të interesit për të ulur rreziqet inflacioniste sjell një përqendrim të parasë në arkat e bankave dhe për pasojë frenon investimet në ekonomi.

Rritja e normës

Efekti fillestar i një rritjeje në intervalin nga 0.25-0.5 për qind të normës bazë të interesit do të ishte shtrenjtimi i lekut. Për pasojë, interesat e depozitave do të jenë më të larta, por edhe për të marrë një kredi do të duhet të paguash më shumë interesa në bankë. Rreth dy vjet më parë, me uljet e normës së interesit, Banka e Shqipërisë ceku kufirin minimal historik, çka ishte edhe një test se çfarë do të ndodhte në treg. Ky moment u kalua lehtë, por tani banka, nëse vendos të rrisë normën e interesit, i afrohet kufirit maksimal të pakapur më parë dhe kjo do të sillte një situatë tjetër të re, të paprovuar për mënyrën se si do të reagojnë tregjet. Në këto momente, tani të gjithë aktorët e tregut janë sy e vesh nga Banka e Shqipërisë. Vendimi i saj do të përcaktojë një të ardhme, që nëse menaxhohet nuk do të jetë kaq i pasigurt.
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rritet çmimi i naftës

Nafta shitet me 5 lekë më shumë. Grosistët, asnjë ulje për 2 vjet me rradhë

Çmimi i naftës në tregun vendës ka pësuar rritje me 5 lekë. Kështu dhe kësaj here grosistët vendas kanë përfituar nga rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar para disa ditësh për ta reflektuar direkt tek konsumatorët shqiptarë. Kështu, në shumicën e pikave të karburantit nafta tregtohet, me 125 lekë. Por në tregun ndërkombëtar çmimi i saj ka filluar të bjerë. Kështu dje çmimi i një fuçie naftë ka shkuar në 64 dollarë, duke shënuar një rënie prej 1 USD. Rrija e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar ka ardhur si pasojë e rritjes së kërkesës së konsumatorit më të madh në botë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mes të janarit të këtij viti çmimi i naftës në tregun vendas vazhdonte të mbetej i lartë edhe pse çmimi në tregun ndërkombëtar pat pësuar një rënie të madhe. Pas uljes që pësoi çmimi i naftës në vend para një muaji grosistët e rritën përsëri me justifikimin se ajo është rritur në tregun ndërkombëtar. Ky çmim është fiksuar tashmë në 125 lekë për litër, nga ky sigurisht importuesit po përfitojnë padrejtësisht në kurriz të konsumatorëve
Fitimi gorsistëve
Sipas llogaritjeve të bëra, importuesit tashmë e marrin një litër naftë, në tregun ndërkombëtar me 0.98 cent dollarë, dhe e shesin në treg me 1.25 $. Ndërkohë që pikat me pakicë llogaritet që të marrin vetëm 0.5 lekë për litër fitimi kryesor i shkon importuesve. Sipas specialistëve, edhe pse në vend operojnë disa kompani në importin e karburanteve, ky treg është i deformuar. Ata shprehen se fakti që çmimi në tregun shqiptar nuk ndikohet sa herë që ulet çmimin ndërkombëtar i naftës, tregon që nuk ka konkurrencë. Në fakt, kur ndodh rritja e çmimit në bursat ndërkombëtare, grosistes vendës nxitojnë ta pasqyrojë këtë rritje menjëherë. Ata parashikojnë që nafta bruto do të tregtohet me një mesatare 60-65 dollarë për fuçi, edhe për këtë vit.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bojaxhi pret energjinë VIP-ave në Kukës

A.Xhikneli
Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi , ishte i pranishëm dje në aksionin e Policisë Elektrike të rrethin e Kukësit për ndërprerjen e energjisë elektrike konsumatorëve të parregullt. Në rrethin e Kukësit, paguajnë energjinë elektrike rreth 9 përqind e konsumatorëve familjarë e rreth 76 përqind e atyre privatë. Drejtori rajonal i filialit të KESH-it, Naim Shehu, tha se "ndërprerja e energjisë elektrike do të vazhdojë derisa të gjithë konsumatorët t'i kthehen arkës së KESH-it, vetëm se tani nuk do të ndëshkohet asnjë konsumator i rregullt, por vetëm ata që janë debitorë". Ai u shpreh se "veçanërisht shqetësues është fakti se debitorë rezultojnë të jenë prej kohësh, apo me lidhje dyfishe të paligjshme, pjesa më e madhe e drejtuesve të pushtetit lokal e të ndërmarrjeve e institucioneve shtetërore". "Në këto kushte s'ke çfarë ndihme t'u kërkosh këtyre drejtuesve kur edhe vetë janë debitorë, apo kryejnë lidhje dyfishe", thotë Shehu. Ndërkohë, pas aksioneve të Policisë Elektrike, shumë prej qytetarëve i janë drejtuar arkës se KESH-it. Përsa i përket lidhjeve të paligjshme dhe debitorëve ndaj KESH, problemi ka qenë i njohur, duke u ngritur herë pas here shqetësim dhe në mbledhjen e prefekturës nga drejtuesit lokale. Po ashtu, në këtë rreth, nga 740 biznese private që kanë kontratë me KESH-in e furnizohen me energji elektrike, paguajnë vetëm rreth 580 prej tyre. Ndërsa, niveli i humbjeve ne rrjet aktualisht arrin në mbi 44 për qind. Bëhet e ditur se aksioni i ndërprerjes së energjisë elektrike nën drejtimin e drejtuesve të KESH-it do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Drejtori i ri i KESH, ka nisur një aksion në shkallë të gjerë në të gjithë vendin, ku ka ndërmarrë iniciativa për ndërprerjen e energjisë në shumë zona që më parë konsideroheshin dhe bastione partiake. Duket se Bojaxhiut i është dhënë akses nga vetë kryeministri Berisha kur u emërua në detyrë për të vepruar edhe në ato zona të cilat janë bastione të PD-së por që nuk paguajnë energjinë elektrike.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Të gjithë fajin e kanë pensionistët

Debatet e javës së fundit mbi projektligjin e qeverisë për vendosjen e sistemeve të referimit të pagave në sektorin privat, përveç ambicieve afatshkurtra për mbushjen e arkës së buxhetit, ngërthejnë një problem të madh të sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Rreth 600 mijë pensionistë numërohen në Shqipëri ndërsa skema e sigurimeve shoqërore ka pësuar ndryshime të shpeshta në varësi të fushatave elektorale dhe premtimeve për rritje të pensioneve. Skema është deformuar dhe ndryshe nga raportet mesatare evropiane që të paktën katër të punësuar paguajnë për një pensionist, në Shqipëri raporti është një me një. Kjo ka sjellë dhe barrë të madhe për të punësuarit të cilët kanë gjetur forma nga më të ndryshmet ti shmangen detyrimeve të sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër pensionet mbeten në nivele minimale dhe të papërballueshme për shumicën e fashos së personave në moshë të tretë.
Parë në këtë këndvështrim, nisma e qeverisë duket pozitive sepse synon të rregullojë njëherësh dy gjëra me fekte pozitive: të rrisë të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat, ku Shqipëria mbetet në nivele të ulta(4 % e GDP-së) krahasuar me rajonin(12-13 % e GDP-së). Dhe nga ana tjetër të krijojë mundësinë e më shumë të ardhurave në buxhet për të rritur fondet mbështetëse të buxhetit që shkojnë për sigurime shoqërore e që aktualisht kapin shifrat e 500 milionë dollarëve aq sa janë afërsisht investimet publike në një vit.
Por, para këtyre qëllimeve pozitive, fshihen instrumenta të gjetur keq dhe që me shumë mundësi do të japin efekte të kundërta me qëllimin. Pra do të rrisin informalitetin kur synohet zvogëlimi i tij. Arsyeja është e thjeshtë. Specialistët e sigurimeve shoqërore ta llogarisin pensionin duke u mbështetur në kontribuar gjatë 5-10 viteve të fundit ndaj dhe për të punësuarit nuk ka asnjë rëndësi nëse gjatë 35 viteve të tjera në marrëdhënie pune kanë të deklaruar paga minimale. Ndaj dhe prirja e tyre do të vazhdojë të jetë e njëjtë, të painteresuar për të deklaruar pagën reale ose në rastin më të mirë të vetdeklaruar si “puntorë të pakualifikuar”. Edhe punëdhënësit nuk nxiten në drejtim të deklarimit të pagave të larta madje shumë prej tyre kanë filluar të mendojnë skemat e reja para se ligji të hyjë në fuqi. Punë me honorare, kompani VIP me një të punësuar apo hotele me vetëm administratorë që bën edhe pastrimin e dhomave, pritet të sjellë ligji i ri. Ndaj dhe thelbi i ndryshimit duhet të kishte prekur skemën e sigurimeve shoqërore ku pensioni të llogaritej mbi bazën e kontributeve gjatë gjithë periudhës së marrëdhënieve të punës.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

KESH, Ruli bind FMN-në për 200 milionë dollarë

Ministri i Ekonomisë merr ok për subvencionin e buxhetit për blerjen e energjisë

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, ka bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar për të marrë 200 milionë dollarë për të kaluar krizën e Korporatës Elektroenergjetike. Kështu, dje ministri Ruli tha se "me FMN kemi diskutuar gjatë këto ditë, për të racionalizuar impaktin në buxhet për importin e energjisë elektrike." Ai shtoi se "FMN ra dakord me qëndrimin që kemi mbajtur, se për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike gjatë gjithë vitit, e kemi të nevojshme që gati rreth 50% të energjisë elektrike, ta marrim nga importi".
Por edhe pse blerjet nga importi të energjisë elektrike në këto nivele dhe me konjukturën e çmimit që është sot, e rrisin mjaft koston financiare të blerjes së saj, ministri i METE-s, Ruli u shpreh se "ato do të jenë të përballueshme. KESH përveç të ardhurave të veta, do të ketë edhe një kontribut nga buxheti i shtetit". Gjatë takimeve me FMN është diskutuar edhe rreth shifrave konkrete rreth sasisë së importit të energjisë elektrike,-tha ministri Ruli. Për këtë problem, ai u shpreh se "kemi arritur në një konsensus për një shifër të përafërt, që nuk mund të jetë fiske, pasi varet shumë edhe nga situata klimatike që do të kemi gjatë verës, për të ditur se do të kemi një impakt nga 18-20 miliardë lekësh për importin e energjisë". Ministri Ruli u shpreh optimist lidhur me situatën financiare, të cilën e quajti "të përballueshme financiarisht, pasi KESH është në fazën e një përmirësimi dinamik të treguesve të mbledhjes së të ardhurave, duke qenë padyshim dhe garancia e parë e përmirësimit financiar të tij, se sa ndihma që do të jepet nga buxheti".
Kriza e KESH
Çmimet e larta të energjisë elektrike gjatë fundvitit 2006 si dhe gjatë dimrit të këtij viti, ka thelluar gropën financiare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kjo e ndihmuar dhe me thatësirën që karakterizoi këtë periudhë. Por ajo që është më e rëndësishme në thellimin e krizës është që përveç çmimeve rekord të importit të energjisë elektrike deri tani, është dhe kriza e menaxhimit të KESH i cili ka dështuar në të gjitha planet e masave të vendosura nga donatorët. Niveli i arkëtimeve të Korporatës, është nga më të ulëtit si dhe humbjet në rrjet kanë shkaktuar dëme miliona dollarë për korporatën. Por kriza ende është pranë pasi thatësira vazhdon dhe niveli Liqenit të Fierzës është ende i ulët, gjë që do të thotë për të furnizuar vendin me energji duhet që importi të jetë i vazhdueshëm. KESH, nga ana tjetër, nuk ka para të tijat për të blerë energji elektrike. Kështu ai detyrohet si kurdoherë të drejtohet nga buxheti i shtetit. Por kësaj radhe, gropa e KESH është aq e madhe sa do t’i duhen plot 200 milionë USD për t’a kaluar. Duket se FMN, do ta tolerojë KESH-n të marrë para në buxhetin e shtetit pasi është e vetmja alternativë, edhe pse kjo do të deformojë disi buxhetin e qeverisë i cili që nga viti 2007 nuk duhet të merrte më subvencione nga qeveria. Por kriza energjetike i lë pasojat më thellë në ekonomi e kështu, falë keqmenaxhimit të KESH deri tani, FMN sheh se zgjidha e vetme është ndihma nga buxheti.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

“Borgjezë me kadillak, por me rrogë proletari”

Berisha projekti për pagat është mbështetur nga biznesi dhe ekspertët?!

Kryeministri ka gjetur aleat biznesin për projektligjin më të ri të vendosjes së pagave në sektorin privat. Në fakt asnjë nga shoqatat apo organizmat e biznesit nuk e ka mbështetur nismën që t’iu caktojë qeveria rrogat. Por kreu i mazhorancës iu tha dje deputetëve të tij se “sapo u ndava nga një takim me një grup ekspertësh, të cilët më thanë se qeveria po vepron mirë, sepse ky është i vetmi vend që mund të gjesh borgjezë me kadillak, por me rrogë proletari”. Në fakt Berisha nuk bëri me dije se cilët ishin ekspertët që e përshëndetën nismën e tij, ndërkohë që të gjitha grupet e interesit kanë reaguar duke kundërshtuar projektin e vendosjes së pagave të larta për qëllime të marrjes se 10 % të tatimit mbi tëe ardhurat. Në të njëjtin fjalim Berisha pranon se nuk është takuar me biznesin dhe ndërkohë thotë që “Vendimi i fundit i qeverisë për të nxjerrë në dritë rrogat është mirëpritur gjerësisht nga biznesi”.
Dialogu me biznesin
Kryeministri tha dje se ende s’është konsultuar me biznesin por e ndjen që nismat e tij do të mbështeten. Në fakt eksperienca me ligjin për gjobat tregoi të kundërtën. “Ne shumë shpejt do të takohemi me biznesin, do të vendosim që të gjitha borderotë të funksionojnë nëpërmjet bankave. Një vend me një sistem të zhvilluar bankar duhet të përfitojë nga të gjitha produktet që ofrojnë bankat”. Së pari, tha ai, me këtë vendim jo vetëm që nuk është rritur rroga minimale, por është modifikuar vendimi i para 4 muajve i cili kishte përcaktuar rrogën minimale nga 180 në 220 mijë lekë. Me kërkesën e biznesmenëve, në mirëkuptim me ta, kjo rrogë u zbrit nga 140 deri në 170 mije lekë të vjetra. Së dyti, thekson Berisha, qeveria po vendos taksën e sheshtë, taksa e interesit absolut për biznesin. “Por qeveria po përgatitet të mbrojë plotësisht punonjësit me rroga të ulëta. Unë dua t’i siguroj punonjësit me rroga të ulëta se kjo taksë nuk do të rëndojë mbi ta. Ajo do të vendoset, por ne po përpunojmë ndërhyrje të tjera, ku 10 përqindëshi t’u merret atyre që ka arsye për t’u marrë dhe jo punonjësve me rroga të ulëta. Në këtë mënyrë, ne edhe inkurajojmë më tej prodhimin, punësimin. Kjo nismë është pritur shkëlqyer në tërësi”, theksoi kryeministri.
Vetë FMN kishte shfaqur rezerva se taksa e sheshtë nuk është urgjente por kryeministri tha dje se “po shkojmë drejt finalizimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo për të cilën dua t’ju informoj është se FMN dhe qeveria ndajnë të njëjtin mendim se Shqipëria po shkëputet drejt një zhvillimi ekonomik të pakrahasueshëm”.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rama: Ligji “Për pagat” rrit informalitetin

Kreu i opozitës: eksperimentet e Berishës po i kostojnë Shqipërisë

Partia Socialiste nuk mund të pajtohet me nismat konfuze dhe eksperimentale të Qeverisë Berisha, të cilat vazhdojnë ende të rrisin tensionin dhe të përkeqësojnë klimën e biznesit në vend. Kështu u shpreh dje kreu i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një komunikimi me media. Opozita ka reaguar me vonesë dhe jo shumë qartazi për projekt-ligjin e caktimit të pagave të biznesit nga qeveria. Që të enjten mediat po kritikojnë projektin e qeverisë i cili paracakton paga të larta për punëmarrësit dhe rrit ngarkesën fiskale mbi pagat e vogla, por opozita reagoi vetëm dje ndaj projektit. Madje opozita e majtë i la kohë kryeministrit edhe të “korigjojë” thelbin negativ të ligjit që me zëvendësimin e sistemit progresiv të tatimit mbi të ardhurat me taksën e sheshtë, thellonte pabarazitë në mbledhjen e të ardhurave. Berisha e korrigjoi projektin duke marrë masa mbrojtjëse, siç i quan ai për punonjësit me paga të ulta dhe duke krijuar “gunga” në sistemin e taksës së sheshtë.
Goditja e biznesit
Sipas Ramës, “pas nismës absurde të të ashtuquajturit “Ligji i Gjobave”, tashmë kjo qeveri, në vazhdim të politikave për goditjen e biznesit, inicioi nismën të rradhës për miratimin e një vendimi që merr përsipër caktimin e pagave në sektorin privat, gjoja në emër të aplikimit të taksës së sheshtë, pagesës së sigurimeve shoqërore dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi”. Opozita thotë se nuk mund të jetë dakort me këtë vendim sepse asnjë përvojë e ngjashme në vendet e tjera nuk dëshmon për ndërmarrjen e një nisme të tillë duke caktuar pagat në sektorin privat me diktatin e ekzekutivit. “Një veprim i tillë, jo vetëm që nuk redukton informalitetin në ekonomi por e nxit bisnesin për të gjetur rrugë të tjera jashtë kornizave ligjore, duke rritur në mënyrë të pashmangshme informalitetin”, theksoi kreu i opozitës. Sipas tij draft-ligji thellon vështirësitë e funksionimit dhe veprimtarisë së sipërmarrjes, duke imponuar kosto shtesë për të dhe duke çuar drejt falimentimit një numur të madh të tyre dhe nxit konkurrencën e pandershme dhe ndikon negativisht duke deformuar arbitrarisht tregun e punës. Rama tha para medies se projekti zbulon qartë synimin e kësaj qeverie që këto veprime synojnë thjesht dhe vetëm synimin e marrjes së të ardhurave për buxhetin, gjendja e të cilit po vështirësohet nga mos çelja ende e fondeve për investime për këtë vit.
Në fund Rama e ka mbyllur me një deklaratë përgjithësuese se “Partia Socialiste shpreh bindjen se një politikë e re për menaxhimin e financave publike është tashmë jetësore duke e adresuar atë drejt nevojave dhe sfidave të zhvillimit të sotëm ekonomik e social”.

E Marte, 08 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Bode: Për KESH vetëm 50 milionë USD

Ndryshe nga sa ka kërkuar ministri i Energjetikës Ruli për të subvencionuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare me 200 milionë dollarë, ministri i Financave është shprehur se qeveria do ti janë vetëm 50 milionë USD. Bode është shprehur se programi i hartuar me KESH-in, me BB dhe misionin e FMN-së, nënkupton që me financimin subvencion, që në fakt nuk është tërësisht subvencion por janë edhe disa elementë të tjerë, që ne do t’i bëjmë kësaj Korporatës prej 5 miliard lekësh, është e mjaftueshme për t’i krijuar kushte KESH-it që të vazhdojë të funksionojë si një ndërmarrje e mirëfilltë që operon të treg. “Nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë një rritje të re të çmimeve, sepse KESH-i nuk administron mirë kompaninë, sepse ka pjesë të popullsisë që nuk paguajnë. Kjo do të thotë që ata që paguajnë, të paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Dhe kjo nuk është një zgjidhje e mirë dhe kjo tregon që nuk jemi në një shtet të së drejtës”-ka theksuar Bode. Kështu sipas tij, masat e reja me të cilat qeveria ka rënë dakord me FMN-në, synojnë që KESH-i të jetë një korporatë eficente për të operuar si e tillë dhe ka të gjithë parametrat e mjaftueshëm që ajo të mos figurojë si një kompani me humbje por të jetë një kompani rentabël si çdo kompani tjetër. Nga ana tjetër përfaqësuesi i misionit të FMN-së Szekeley është shprehur se “Është zhgënjyese që burime buxhetore do të duhet të përdoren këtë vit për të përmirësuar pozicionin financiar të KESH-it, por është urgjentisht e nevojshme një zgjidhje më e qëndrueshme”.
Sipas tij autoritetet duhet të punojnë ngushtë me Bankën Botërore dhe aktorë të tjerë kryesorë në këtë fushë për tu siguruar që strategjia e miratuar e privatizimit do të arrihet me sukses sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë kontekst ne kemi marrë zemër nga mbështetja për një privatizim të shpejtë që shprehet nga të gjitha krahët e spektrit politik.

E Merkure, 09 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

FMN miraton në heshtje taksën e sheshtë

Pritet tjetër mision i cili do të diskutojë për detajet e taksës së sheshtë për vitin 2008

Altin Xhikneli
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë miratuar në heshtje vendimin e qeverisë për të aplikuar taksën e sheshtë nga janari i vitit që vjen. Edhe pse FMN ka qenë mjaft skeptike për zbatimin e taksës së sheshtë në Shqipëri, duket se heshtja për të është pohim. Shefi i misionit, Istvan Szekely, në një takim me presidentin Moisiu para disa ditësh u shpreh se sistemi tatimor nuk ka nevojë për të tilla ndryshime. Por duket se vendosmëria e qeverisë për të ndërmarrë këtë hap, ka bërë që përfaqësuesit e FMN-së të mos shprehen për taksën e sheshtë dhe ta zhvendosin të gjithë vëmendjen e konferencës për shtyp tek Korporata Elektroenergjetike. Megjithatë, akoma nuk ka marrë fund dhe duket se loja e kryeministrit për të promovuar taksën e sheshtë si masa shpëtimtare për informalitetin në vend, ka të bëjë shtimin e presionit kundrejt FMN-së. Por, siç bëri të ditur vetë ministri i Financave Bode, dje në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së, “Një mision tjetër i FMN-së do të vijë më vonë për të përgatitur vitin 2008”. Bode tha se “Në fushën e administrimit të taksave po ashtu janë programuar një sërë hapash dhe reformash të cilat do të mundësojnë rritjen e kapaciteteve për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe për të garantuar barazinë e bizneseve para ligjit”. Në mbrojtje të taksës së sheshtë ministri Bode tha se politika fiskale e qeverisë është e deklaruar dhe pritet të ndërmerret në korrik. “Është një mirëkuptim i përgjithshëm që duhet shkuar drejt taksës së sheshtë, si një hap i cili përmirëson administrimin dhe krijon kushte për një ambient më nxitës për biznesin. Asnjë ulje taksash nuk ka kuptim, për aq kohë sa gjysma e ekonomisë qëndron në informalitet”-tha Bode. Megjithatë, masat shoqëruese, si vendosja e pagës minimale në sektorin privat, që po ndërmarrin financat për përgatitjen e taksës së sheshtë janë kundërshtuar si nga aktorët e biznesit në treg ashtu dhe ato politikë. Por ky reagim pritet të bëhet më i fortë kur ligji të hyjë në fuqi dhe tatimorët të fillojnë ta zbatojnë tek bizneset.

“Paguajmë të gjithë nga pak”
Ishte mesazhi i ministrit të Financave në konferencën e djeshme për shtyp. Bode u shpreh se qeveria po shkon në dy drejtime, pakësimin e informalitetit, zgjerimin e bazës tatimore, që do të thotë që të gjithë të paguajmë dhe për ta lehtësuar këtë proces të gjithëpërfshirës po ulim taksat që të gjithë të paguajmë nga pak. “Kjo është strategjia që po përdorim dhe nga kjo strategji sigurisht që nuk do të kemi ulje të vëllimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit. do të kemi përfshirje të të gjithë tatimpaguesve në skemë, do të kemi zbatim të barabartë të ligjit, që do të thotë mundësi shumë më të mëdha për ta zhvilluar ekonominë me rritje më të shpejta”shtoi ministri i Financave. Sipas tij, gjithë efekti që vjen prej përmirësimit të administrimit rikthehet, sikurse duket, në formën e ripagimit të taksave për ata që paguajnë. Kështu ai u shprej se “ne marrim dhe fusim në skemën e pagimit të taksave atë pjesë që nuk paguan dhe në të njëjtën masë ne ia kthejmë këtë atyre që paguajnë. Kjo do të thotë që numri i atyre që ndihen më komod në treg vazhdon të rritet. Dhe numri i atyre që ankohen nga pagimi i taksave të ulëta unë jam i bindur që do të vijë duke u pakësuar”-përdundoi Bode.

E Merkure, 09 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

KESH i heq dritat PS dhe PD

Deputeti i PD paguan faturat nga “frika” e KESH-it. Ndërprerje dhe për biznesin

Agim Blloshmi
Deputeti i mazhorancës dhe njëkohësisht kryetari i kësaj partie për Elbasanin Aurel Bylykbashi ka treguar se edhe partitë politike veprojnë si subjekte informate. Është dashur aksioni i zonës së shpërndarjes së energjisë elektrike në Elbasan për ndëprerjen e energjisë për debitorët, që deputeti Bylykbashi të derdhë në arkën e korporatës rreth 200 mijë lekë.
KESH ka ndërmarrë ditën e djeshme një operacion të gjerë për ndërprerjen e energjisë tek të gjithë ata subjekte familjare dhe private të cilët janë debitor ndaj shtetit, për mospagesë të energjisë elektrike, por edhe të lidhjeve të paligjshme. Aksioni i ditës së djeshme ka prekur edhe mjaft institucione, siç janë prerja e energjisë elektrike në Selinë e Partisë Demokratike, Partisë Lidhja e Legalitetit, Partisë Socialiste, etj. Në këtë aksion mori pjesë vetë Drejtori i Përgjithshëm i Divizionit të Shpërndarjes Elektrike Seit Dollapi. Aksioni, deklaroi Artur Topi për “ABC” është përqendruar në dy partitë politike më të mëdha ku vlera e debisë për PD është rreth 200.000 lekë të reja dhe ajo e PS 400.000 lekë të reja. Ndër të tjera Topi ka deklaruar se- “ pagesa e energjisë elektrike duhet të paguhet, ndryshe çdo subjekt shtetëror, privat apo familjar qoftë do të përballet me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Biznesi i madh
Debitorët më të mëdhenj ndaj KESH janë, Kompania “ELBER” sh.p.k, se kjo kompani ka dy muaj që I është ndërprerë energjia elektrike dha aktualisht kjo kompani punon me pompa. Ndërkaq vlera e debive ndaj KESH vetëm në qytetin e Elbasanit arrin në shifrën e 67.186,489.25 lekë. Pavarësisht arkëtimit të kuotave të mira që ka qyteti I Elbasanit në rreth 100%, numri i debitorëve ka ardhur vetëm 3 muajt e fundit, dhe sipas Topit,- “ është një sasi prej 5% debitorësh të cilët quhen debitorë të prapambetur, dhe janë pikërisht këta debitorë të cilëve po u pritet energjia ditën e sotme”. Në operacion nuk ka ndërprerje të energjisë së VIP-ave, dhe pjesa më e madhe janë subjekte familjare dhe shumë pak private”.por ka edhe shume njerëz të fuqishëm që nuk i bën të ditur për media Topi, por lë të kuptosh se së shpejti do të bier sëpata edhe për ta.

E Merkure, 09 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Berisha “noterizon” hidrocentralin e Nanos

Rifirmoset kontrata me italianët e Bechetti-t 10 vjet pasi ishte nënshkruar nga Nano

Gert Osmani
Kryeministri Berisha ka nënshkruar dje përsëri një kontratë me firmën italiane Bechetti për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Në fakt një kontratë të ngjashme kishte nënshkruar 10 vite më parë ish-kryeministri Nano por deri më tani asgjë nuk është realizuar. Në fund të vitit të kaluar, ministry I Energjetikës Genc Ruli tha se “projekti i Kalivacit nuk ka ecuri të mirë. Është një projekt qe ka 10 vjet qe ka nisur dhe faktikisht ka një minimum investimesh te kryera”. Ministri Ruli duket se është investuar fuqishëm në zgjidhjen e këti projekti që mendohet se do të zgjidhë jo pak probleme në furnizmin me energji të rajonit. Sipas tij “padyshim që koncesioni i Kalivaçit mund të ishte një nga projektet energjetike më të mëdha në Shqipëri dhe është padyshim pika më e mirë e Vjosës për të ngritur një hidrocentral”, deklaroi Ruli në fund të muajit nëntor. Më pas Ministria e Energjetikës i kërkoi firmës koncensionare që të rikonfirmojë të gjithë kapacitetet teknike dhe financiare që ajo ka për ta vazhduar këtë koncesion. “Në rast të kundërt, ne do të detyrohemi të ndërrojmë kontratën”, pati kërcënuar Ruli. Dhe presioni pati efekt.

Kontrata e re
dje kompania italiane "Bechetti" dhe partneri i saj "Dojçe Bank", kanë firmosur kontratën për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në Jug të vendit. Kryeministri Sali Berisha tha dje se kjo kompani zotohet se brenda 6 muajve, do të nisi zbatimin e projektit, në përputhje me kushtet e kontratës së re, pasi, realisht, ky projekt ka nisur të zbatohet dhe një përqindje e punimeve janë kryer. Por vështirë të ezaurohen punimet në 6 muaj kur kompania ka patur rreth 10 vite kohë në dispozicion për zbatimin e kontratës dhe ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. “Kontrata, tha Kryeministri, ka përcaktuar rregulla dhe kushte të reja, të cilat do të bëjnë të mundur përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme energjetike brenda 36 muajve. Kompania është angazhuar për një përfundim të parakohshëm. Ky është HEC-i, i parë që nis ndërtimin mbi lumin Vjosa. Negociatat, tha Kryeministri, kanë qënë proces i zgjatur. Negocimet e para kanë nisur ne vitin 1996, kontrata është firmosur në 1997 dhe është amenduar kontrata në vitin 2000. “Por shqyrtimi i kontratës nën dritën dhe klauzolave të ligjit të ri të partneritetit publik-privat, tha kryeministri Berisha, i ka dhënë asaj formën më të përshtatshme dhe në përputhje me interesat e të dy palëve, ka krijuar një situatë, në të cilën, fiton gjithsecili”, citoi Berisha.

E Merkure, 09 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Raiffeisen hyn me kredi në tregun e banesave

Raiffeisen Bank ka nënshkruar dje marrëveshjen e parë me një agjenci imobiliare (për shitjen e pronave të patundshme) dhe një kompani ndërtimi për shitjen e 200 apartamenteve, duke përdorur produktin e kredisë për shtëpi. Marrëveshja u nënshkruar nga Robert Wright, Drejtor i Biznesi dhe Anetar Bordi si dhe Erjona Cela, Drejtore e Kredive Konsumatore për Raiffeisen Bank, Ludovick Levanture, përfaqesues i Agjencisë Imobiliare "Balkimo" dhe Agim Abazaj, përfaqësues i Tirana Konstruksion sh.p.k. Ndërtuesi ka rënë dakort që të mbulojë me kolateral kreditë për shtëpi që do t’u jepen blerësve potencialë të ardhshëm nga Raiffeisen Bank.
Agjencia Imobiliare “Balkimo” ka marrë eksluzivitetin e shitjes së apartamenteve në Kompleksin Rezidencial “Fortesa” i cili është i pozicionuar në Fushë Mëzez pranë Kthesës së Kamzës. Ndërtuesi ka rënë dakort që të mbulojë me kolateral kreditë për shtëpi që do t’u jepen blerësve potenciale të ardhshëm nga Raiffeisen Bank. Faza e parë do të përfshijë shitjen e 200 apartamenteve që do të thotë procedura më fleksibel dhe kohë më e shkurtër disbursimi e kredive. Në Kompleksin Rezidencial Raiffeisen Bank do të ketë një analist kredi për shtëpi i cili do të procesojë kreditë në vend duke lehtësuar më shumë të gjithë procesin dhe duke shkurtuar kohën e nevojshme.

E Enjte, 10 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Rikthehet në Rinas edhe Swiss Air

Nënshkruhet marrëveshja me zviceranët që pritet të risjellë fluturimet e Swiss Plus

Aeroporti i Rinasit mund të ketë së shpejti edhe një tjetër kompani të fuqishme ajrore. SwissAir, e konvertuar në SwissPlus pas krizës financiare që pati kompania ajrore zvicerane mund të rikthejë fluturimet drejt dhe nga Tirana. Lajmi mbetet ende I pakonfirmuar zyrtarisht por dje mes Shqipërisë dhe Zvicrës është nënshkruar një marrëveshje e transportit ajror që do t'i hapë rrugë bashkëpunimit dhe operimit midis dy vendeve në këtë fushë. Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe Ambasadori Zvicerian në Tiranë Erich Pircher. Olldashi theksoi rënëdësinë e kësaj marrveshje, e cila do të rinovojë implementimin e standarteve, sigurisë dhe termave të menaxhimit. Kërkesa për rinovimin e marrëveshjes ajrore, bërë nga pala Zviceriane, është e lidhur me përfshirjen në Marrëveshje të standarteve të reja, të cilat aplikohen në përputhje të plotë me kerkesat e Organizatës Botërore të Aviacionit Civil (ICAO), Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC), Organizatës Evropiane të Sigurisë së Navigimit Ajror (EUROCONTROL),etj. Marrëveshja në fushën e transportit ajror me Zvicrën dhe rifillimi i operimeve ajrore midis dy vendeve, sipas burimeve të kësaj ministrie, është i leverdisshëm për palën Shqiptare për shkak të kapaciteteve në fushën e aviacionit që posedon pala zvicerane, lidhjeve të saj të shumta me aeroportet evropiane dhe botërore, si edhe shkëmbimit të eksperiencave në operimin ajror me një vend me cilësi të larta në fushën e menaxhimit të kapaciteteve ajrore.
Shumë shqiptarë e kujtojnë kompaninë zvicerane për cilësinë e lartë të shërbimit dhe sigurinë në udhëtim dhe e kanë përdorur atë për linjat direkte me Gjenevën dhe për lidhjen nëpërmjet saj me vende të ndryshme të botës deri në SHBA e Kanada. Swiss Plus do të shtojë numrin e kompanive që kanë në hartën e destinacioneve aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Më parë gjatë këtij viti filloi operimin ajror Shoqëria "British Airways", ndërsa disa ditë më parë, më 2 Maj 2007, edhe shoqëria gjermane "Lufthansa".

E Enjte, 10 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

5 banka garë për 220 milionë euro

Ofertë dhe nga dy banka. Qeveria borxh pa marrë “notën” e rrezikut të kredisë

Dje ka përfunduar afati i fundit i Ministrisë së Financave për financuesit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kështu, sipas burimeve zyrtare në këtë ministri, deri dje në këtë tender kanë marrë pjesë 5 banka ndërkombëtare për të financuar projektin e qeverisë. Sipas ministrisë së financave fituesi do të përzgjidhet pas 2 javësh. Aktualisht kanë paraqitur interes Reiffeisen Bank, Deusche Bank, Citibank, Merrill Lynch dhe HSBC.
Borxhi pa vlerësim
Por qeveria është nxituar për të marrë një borxh kaq të lartë pasi duhej më parë të priste vlerësimin e kompanisë ndërkombëtare Moody. Rrjedhimisht kjo do të sjellë që borxhi që do të marrë qeveria nga bankat e huaja të jetë me normë interesi më të lartë, pasi nuk ekziston një vlerësim se sa i aftë është shteti shqiptar për ta kthyer këtë borxh. Kjo kompani është kontraktuar dhe po bën vlerësimin riskut të borxhit të Shqipërisë. Pritet që së shpejti kompania të shpallë rezultatin përfundimtar i cili kategorizon riskun e kthimit të borxhit nga shteti shqiptar. Ky vlerësim bëhet, pasi nëse qeveria e një vendi kërkon të marrë borxh në tregun bankar ndërkombëtar, atëherë kredidhënesit në bazë të vlerësimit të të ashtuquajturit “Credit Rating” ose risku i borxhit përcaktojnë normat e interesit të kredisë. Në fakt, kur u përzgjodh kjo kompani për të bërë vlerësimin e riskut të borxhit, u bë për faktin se qeveria kishte vendosur të merrte kredi me terma tregtare në tregun ndërkombëtar për financimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Ky vlerësim kjo ishte e domosdoshme pasi vendi ynë është nga të paktit në rajon që nuk e ka një “notë” për borxhin.
5 banka në garë
Duket se interesi i bankave të huaja ëshë rritur pas shtyerjes së afatit të ministrisë për shpalljen e rezultatit të fituesit. Qeveria shqiptare duke qenë se nuk ka mundësi financiare, të financojë këtë projekt me burime të brendshme, do të marrë borxh në tregun bankar ndërkombëtar. Shuma e cila kërkon qeveria për këtë segment është rreth 200 milionë euro dhe do të përdoret gjatë vitit 2007-2008. Gjithësesi kjo shumë nuk mjafton për të financuar të gjithë segmentin Rrëshen-Kalimash pasi ai kushton më shumë. Janë 5 banka të huaja të cilat kanë dorëzuar dokumentacionin pranë ministrisë, ku ndër to janë Raiffeissen International, CitiBank dhe DeuscheBank, Meril Lynch. Por zarfet nuk janë haptur ende nga komisioni i vlerësimit të ofertave për shkak të shtyerjes së afatit. Pritet që normat e interesit për këtë kredi me terma tregtare të jetë e lartë dhe kjo do të ndikojë në koston e borxhit të jashtëm të qeverisë. Gjithsesi qeveria segmentin më të shtrenjtë të korridorit Durrës-Kukës-Morinë do ta financojë me burime të huaja për shkak se nuk ka të brendshme. Ky segment i Autostradës Rrëshen – Kalimash ka një gjatësi 60 km dhe përfshin ndërtimin e një tuneli me gjatësi afërsisht 6 km. Punimet do të kryhen nga firma Bechtel International. Shuma e kredisë që ka nevojë qeveria është 200-230 milion euro t’u disbursuar sipas një skeduli. Kështu sipas programit të qeverisë, gjatë vitit 2007, qeverisë i nevojiten deri në 110 milion EURO. Ndërkohë që pjesa tjetër prej 95 milionë euro kërkohet për vitin 2008.

E Enjte, 10 Maj 2007
 

forwardi

Primus registratum
Re: Lajme ekonomike!

Vendimi për pagat, antikushtetues

Kontabilisti Dhamo: Do rritet informaliteti dhe do të penalizohen bizneset e rregullta

Gert Osmani
Eksperti në fushën e tatimeve, Sotiraq Dhamo, ka deklaruar se vendimi për kategorizimin e pagave përbën në thelb një shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, sepse nuk i trajton të gjithë individët si të barabartë përpara ligjit. “Vendimi për kategorizimin e pagave në biznes, që në thelb konsiston në vendosjen e një page minimale për çdo sektor privat është një shkelje e kushtetuës. Këtu ka një disbalancim midis sektorit privat dhe atij shtetëror, sepse i pari detyrohet të paguajë kontributet në bazë të një skemë të hartuar nga qeveria”, tha kontabilisti i njohur për Monitor. Dhamo thekson se në thelb, çdo vendosje e një kufiri minimal nuk është normal, sepse çon në një mosrakordim të deklarimit të të ardhurave.

Rritet informaliteti
“Ata që vërtet e pësojnë më shumë nga ky vendim janë ata që kanë paga të ulëta dhe detyrohen të paguajnë kundrejt një page më të lartë. Por nga ana tjetër vendimi detyron që edhe ata kanë paga më të larta sesa është përcaktuar nga qeveria të paguajnë më pak kontribute sesa duhej të derdhnin normalisht”. Eksperti në fushën e tatimeve thekson se përpos një “çorientimi” në tregun privat të punës, vendimi i qeverisë do të nxisë akoma më shumë shkallën e informalitetit. “Vendosja e një kufiri minimal do të çojë në rritjen e ekonomisë së zezë, sepse bizneset do të hyjnë në tratativa me inspektorët tatimorë për t’i korruptuar ata, me qëllim për të paguar sa më pak detyrime”.

Të humburit e 10 %
Sipas Dhamos, ata biznese që do të dalin më “të humbur” nga ky vendim do të jenë pikërisht të rregulltit, që nuk ngurojnë t’i paguajnë shtetit detyrimet e tyre. “Vetëm ata biznese që paguajnë rregullisht do të rrisin të ardhurat në arkën e shtetit, ndërkohë që bilanci për të tjerët do të jetë i njëjtë. Nuk besoj se do të kemi ndonjë rritje të madhe të të ardhurave në këtë drejtim”. Për të “shëndoshur” arkën e shtetit, Sotiraq Dhamo, thotë se e vetmja mënyrë është që të kalohen në një situatë realiste dhe jo të bazohemi mbi një kufi minimal. “Shteti duhet të përpiqet të punojë mbi një realitet më të saktë, ku pagat e punonjësve të kontrollohen në bazë të kontratave apo të investigimeve të vetë tatimorëve. Përpjekjet për të luftuar informalitetin janë të drejta, por duhet të gjenden metoda të drejta për ta bërë këtë gjë”.

E Enjte, 10 Maj 2007
 
Top