Kutitë, ogur i zi për hajdutët e votës

Kutitë, ogur i zi për hajdutët e votës

Opozita zhvilloi dje protestën e radhës në qytetin e Shkodrës duke bërë thirrje për një bashkim të madh për votën e lirë. Pas, Tiranës dhe Shkodrës, kryetari i Partisë Socialiste kërkoi nga qyteti i Shkodrës hapjen e kutive të votimit si një e drejtë themelore që i takon çdo qytetari ndërsa garantoi se nuk ka asnjë tërheqje nga kërkesa për transparencë. Por sipas tij, refuzimi i mazhorancës për të pranuar kërkesën e opozitës do të thotë se është tjetërsuar vota dhe Berisha i fshihet kësaj të vërtete. “Ajo që dua të them sot me sigurinë më të madhe është se asnjë qytet në Shqipëri nuk mund ta ndiejë më shumë se Shkodra rrezikun e afrimit të një regjimi të ri. Por Shkodra nuk e rrëzoi regjimin e diktaturës së Enver Hoxhës për të mbajtur në kurrizin regjimin e një sekretari ordiner të regjimit të Enver Hoxhës”, tha ai. Rama shpjegoi se kërkesa e opozitës është një e drejtë elementare, e drejta e çdo qytetari për të parë votën e vet në dritën e diellit, për ta parë votën e vet në bazë të së drejtës që u jep ligji, sepse vota është investimi i secilit për të ardhmen e vet. “Ne skërkojmë të përmbysim pushtetin me dhunë. Në 20 nëntor ne do të jemi më shumë se asnjëherë dhe nuk kërkojmë gjë tjetër, një të drejtë që nuk na e mohon dot as Berisha as pushteti. Nëse ka një mundësi të vetme që hapja e kutive të votimit ajo është ogurzezë vetëm për ata që kanë grabitur votat dhe jo për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka ogur më të mirë sesa të ndahen një herë e mirë nga tradita e zgjedhjeve të kontestuara”, vijoi Rama. Rama i ftoi qytetarët shkodranë ti bashkohen protestës në Tiranë më 20 nëntor, e cila sipas kreut socialist do të jetë shprehje e qartë e këmbënguljes për të kërkuar atë që ai e quajti “të drejtë themeltare që nuk e ndalon dot as Sali Berisha”. “Berisha është një Kryeministër që po tenton të qëndrojë në pushtet për interesat e një familjeje të vetme. Ky është pushteti i grabitësve të votës, që është një pushtet familjar që ka përqendruar të gjitha fuqitë dhe energjitë në përmbushjen e interesave të veta”, tha Rama. Ky pushtet, vijoi ai, që buron nga ajo e vërtetë e fshehur, nuk mund të qeverisë Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ne do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës duke mbrojtur votën sovrane. Nuk do të hyjmë në Parlament për tu bërë bashkëfajtore dhe për të mbyllur sytë dhe të mendojmë se kushedi se kur në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, shtoi Rama. Ndërsa kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e cilësoi qeverinë aktuale si qeveri të paligjshme. “Kjo është një qeveri e jashtëligjshme, atmosfera e krijuar është e padurueshme dhe duhet të veprojmë për ti dhënë fund kësaj gjendjeje”, tha ai ndërsa fajësoi qeverinë për papunësinë në këtë qytet. “Papunësia në Shkodër tregon abuzimin e këtij pushteti që ka manipuluar votat tuaja për interesat e tij. Le ta detyrojmë këtë qeveri të hapë kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit”, u shpreh Ngjela. Në fjalën e tij, deputeti socialist, Pandeli Majko vërejti se protesta është mjeti i vetëm për të bërë të mundur hapjen e kutive. “Kërkojmë hapjen e kutive të 28 qershorit për të parë moralin e kësaj qeverie. Këtë protestë nuk e bëjmë për destabilizim, por për të nxjerrë të vërtetën e votës së vjedhur”. Majko e cilësoi qytetin e Shkodrës si qytetin që di të masë temperaturën e çdo regjimi dhe për këtë arsye protesta është ndalur pikërisht në Shkodër. Shkodra është termometër për çdo regjim. Ne jemi në Shkodër, sepse nuk duam regjim në Shqipëri, por dialog”, theksoi Majko, në fjalën e tij.(Shqip)</p>
MQnTfdylpCY

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24703. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24703
 
Top