Kriza politike, tre skenarët e zgjidhjes

Kriza politike, tre skenarët e zgjidhjes

Opsionet, që nga tërheqja e opozitës, deri te zgjedhjet e parakohshme në vend

Sot shënohen 51 ditë qëkurse opozita deklaroi bojkotin zyrtar të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk ka bërë ende betimin dhe Parlamenti funksionon vetëm me 74/75 mandate të mazhorancës. Në një kohë kur asnjë prej ligjeve kryesore që bëjnë pjesë në ato kategori, që cilësohen reforma të domosdoshme integruese, nuk kalon pa shumicë të cilësuar votash, situata bëhet edhe më e papritur. Ajo çka duket qartazi është kriza politike që kërkon një zgjidhje. Në korridoret politike kanë filluar të qarkullojnë skenarët e mundshëm të zhvillimit të situatës.

Skenari 1

Ky opsion parashikon vazhdimin e palëkundur të bojkotit të Partisë Socialiste. Deputetët nuk do të shkojnë në seanca duke i mëshuar idesë së hapjes së kutive të votimit. Sipas këtij skenari, ka gjasa që një numër deputetësh të partisë kryesore opozitare të thyejnë bojkotin e deklaruar. Grupi më i prirur për të ndërmarrë një veprim të tillë është ai i pesë deputetëve të grupuar në atë çka cilësohet “Lëvizje e Mendimit Ndryshe” brenda Partisë Socialiste. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani dhe Marko Bello kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë djegien e mandatit të tyre. E përkthyer në terma kohore, kjo deklaratë do të thotë se nëse Partia Socialiste vazhdon të bojkotojë Kuvendin edhe në muajin e gjashtë, deputetët do të futen në seancë. Një opsion i tillë do të përforconte pozitat e mazhorancës dhe do krijonte premisa për thyerje të tjera të bojkotit nga deputetët socialistë. Veprim që do të çonte në çorientim të selisë rozë dhe arritje të shumicës së detyrueshme për miratimin e ligjeve, pjesë të paketës së reformave.

Skenari 2

Ditët e fundit ka filluar të qarkullojë edhe një skenar i cili nuk do të kënaqte plotësisht as kërkesat e opozitës dhe as ato të mazhorancës. Një zgjidhje e tillë do të duhej të kishte me patjetër edhe një presion të madh ndërkombëtar. Partia Socialiste ka bërë gati projektligjin që parashikon mbledhjen e firmave ndër qytetarë që kërkojnë hapjen e kutive të votimit. Depozitimi i kësaj nisme në Kuvend do të rriste ndjeshëm presionin politik dhe shoqëror ndaj mazhorancës në pushtet. E ndodhur në një situatë të tillë dhe përballë një hapjeje të kutive të votimit, mazhoranca mund të preferojë më shumë kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një pakt i tillë mund të çojë në një terren të përshtatshëm për përgatitjen e reformës zgjedhore dhe organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Moshapja e kutive do tu ruante partive aksionet e larta në bursën politike duke evituar ndëshkimin publik për ata që kanë futur duart në vota. Veprim që sipas të gjitha gjasave e kanë kryer të gjitha forcat politike që kanë pasur mundësinë e përfaqësimit në komisione. Duke preferuar një zgjidhje politike, do mund të anashkalohej hapja e kutive dhe palët do angazhoheshin për rregullat e lojës elektorale e më pas rezultatin. Në një skenar të tillë, zgjedhjet lokale të vitit 2011 mund të bashkoheshin me zgjedhjet parlamentare.

Skenari 3

Nisur nga pozicionimi i deritanishëm i dy aktorëve kryesorë, Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, ky mund të cilësohet skenari më i vështirë për tu arritur. Një zgjidhje e tillë do të parashikonte detyrimin e mazhorancës për të pranuar hapjen e kutive të votimit. Një hapje qoftë e pjesshme apo e plotë duket se do të shfrytëzohej më së miri nga Partia Socialiste. Ajo çka duket se i intereson selisë rozë është hapja e kutive të votimit, të paktën në Qarkun e Tiranës. Partia më e madhe e opozitës pretendon se mandati i marrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim në këtë qark nuk bazohet në vota reale por të deformuara. Rrjedhimisht nëse do të arrihej të faktohej se mandati i Ilir Metës nuk është i rregullt, Partia Socialiste do të garantonte provat maksimale për të kontestuar legjitimitetin e qeverisë. Pavarësisht se PS në qëndrimet publike ka insistuar se nuk synon ndryshim të pushtetit në tavolinë, diçka e tillë duket se do të ishte pasojë e një reaksioni zinxhir. Edhe kjo skemë do të çonte në krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.(Shqip)

S_f0oiEf5R0

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24947. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24947

Top