Incidente para zgjedhjeve

Aquarius

Valoris scriptorum
24 orë para fillimit zyrtar të procesit zgjedhor ka patur incidente në disa zona të vendit. Një komisioner i Partisë Socialiste në fshatin Nange të Komunës Bicaj të Kukësit, është sulmuar në oborrin e shtëpisë së tij ku katër persona e kanë goditur me qytë pistolete dhe e kanë kërcënuar të mos flasë.

“Më kanë sulmuar me qyta pistolete në disa vend. Ti mos fol, mos e hap gojën se po fole do të të vrasim. Ky gjak nuk do të shkojë huptas! Ta dijë mirë Flamuri megjithë lagojt. Ngjarja ka ndodhur në orën 04:10 të mëngjesit të sotëm”, deklaroi zoti Hereni.

Policia e Kukësit ende nuk ka dalë me një version zyrtar të ngjarjes.

Një tjetër incident është regjistruar edhe


në Peshkopi ku një grup militantësh të Partisë Demokratike rreth orës 21:30 të së premtes kanë qëlluar me armë në drejtim të shtabit elektoral të Partisë Socialiste.

Kjo konfirmohet nga Kryetari i Partise Socialiste në këtë rreth, Ulsi Manja i cili është dhe kandidat për deputet në Qarkun e Dibrës.

“Janë dëgjuar krisma. Kemi lënë menjëherë mbledhjen dhe të gjithë drejtuesit e shtabit elektoral kemi ardhur me urgjencë tek shtabi. Këtu kemi parë militantët e Partisë Demokratike që ishin afruar në brendësi të shtabit elektoral të PS. Kemi parë njolla gjaku dhe vrima plumbi mbi dyert e shtabit. Nxitësi i incidentit ka qenë drejtori i CEZ Shpërndarje Dibër, anëtar i kryesisë së PD-së, Gafurr Gazidede dhe Drejtori i Tatimeve, Artan Selishta”, tha Manja.

Sipas zotit Manja ky sulm vjen si pasojë e tensionit të humbjes që ndjejnë drejtuesit e Partisë Demokratike në këtë zonë.

Ndërkohë një ditë më parë, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi eksplozivi në shtëpinë e kryetarit të Partise Demokratike në Shkodër, Astrit Bushati.

Lënda plasëse ishte vendosur në katin e parë të ndërtesës duke shkaktuar dëme materiale. Policia ka shoqëruar disa persona, por pa përcaktuar ende autorin dhe motivet.
 
Top