Hani mut, pa problem, qeras qeveria...

  • Thread starter Anxhela Çikopano
  • Data e fillimit
A

Anxhela Çikopano

Guest
Kam pak pa shkruar po nuk ka qenë çështje frymëzimi, se për frymëzim në Botën e Çudirave jemi përditë gjer në fyt, kam pasur një problem të vogël teknik: më është menderosur kompjuteri i shtëpisë...
Nuk di ta përshkruaj zemërimin që më ka kapur me këtë çështjen e qumështit. Kur e dëgjova lajmin një çast mendova: Uh shyqyr, unë kurrë nuk blej qumësht kutish, e urrej atë qumështin që nuk ka shije qumështi dhe që do një javë të prishet (e kush qumështi që në kohë të Enverit ishte kaq i shenjtë, sa edhe kur pritej - që do të thotë prishej për hiçgjë - mamatë na e bënin gjizë pa kripë). Mirëpo miqtë më kujtuan që Dukat-rat e Fast-rat i kisha pirë nëpër macchiato çdo mëngjes, por të them të drejtën nuk është se ma ndjeu shumë: U qyqja, ne kemi ngrënë me shije të madhe puretë bullgare në 1986, kur Bullgaria i hodhi se ishin me ndotje reaktive nga Çernobili (mjerë ne, çoç hanim atëherë, kush e dinte hilen...), që do shkojmë shpejt për kumblla këtë e kam të qartë.
Por më e keqja s'kish ardhur akoma, më ra tavani kur lexova që qumështi është tërhequr nga çerdhet e kopshtet dhe aty u kujtova që fëmijët e mi, pavarësisht fiksimit tim për të mos blerë qumësht kutie, kishin pirë sa ishin shkepur nga ky qumësht, sepse qeveria e kishte të sigurt që ishte i mirë për popullsinë, ca më shumë për fëmijët.
Epo mua këto qeveritë e Shqipërisë më kanë ardhur aty ku nuk mban më, që të gjitha! Më kujtohet që gjithë jetën kam qenë kavje eksperimentale: e filluam me puretë e Çernobilit, e vazhduam me gjithëfarëlloj ndihmash që zbrazën magazinat e ushtrive në mbarë botën: pluhur qumështi, pluhur veze, kotoleta të thata që mufateshin me ujë, mish me llokma të habitshme tuli, kuti mishi a sallami a një-Zot-e-di-ç'ishte (ju kujtohen këto në vitet e para kur ndërroi sistemi), pastaj hynë farat e frutave, zarzavateve, grurit e misrit OMGJ (Oh My God! do të thosha), luleshtrydhet prej hekri, të mëdha sa grushti dhe pa pikë shije, kur të freskëtat prishen lëndinave të veriut, gjithë mallrat "dashamirës" të Serbisë, që gjasme ulën çmimet e ushqimeve në treg, ilaçet, sapunët, shampot, kozmetikat e fabrikave që prodhojnë me 3 standarde, madje ishte fitore e madhe, kur ato që importoheshin në Shqipëri kaluan nga niveli i vendeve të botës së tretë tek ato të botës së dytë...
Më vjen të ulërij, dua të zhdukem nga ky vend që po më bën edhe fëmijët kavje, dua të shkoj në mes të acarit, në atë vend ku një prej shumëkombësheve më të fuqishme në botë njerëzit si unë e si ti ua derdhën qumështin mu para turinjve në mënyrë publike, sepse gjetën gjurmë antibiotikësh dhe qeveria i mbështeti, duke e ndaluar; dua të shkoj në skajin më të largët të botës, të jetoj me indianë e fshatarë, me maori, siuks, inkas ato 50, 60, 70, 80 vjet mjeranë të jetës sime, po të jetoj si njeri e të mos jem në dorë të një vargani qeverish, që ushqejnë fëmijët e tyre si bllokmenët dikur, me taksat që paguaj unë, me shëndetin, gjakun, jetën e fëmijëve të mi...
Nuk di t'ju them si (mbase edhe di, por nuk më takon, se kjo është diçka që gjithësecilit i lind nga brenda), por ju lutem lëvizni, mos i lini vetëm në batall zërat që ngrihen, bëjeni në mos për vete, për fëmijët tuaj...


Blogun dhe aktivitetet e Tiranës mund t'i ndiqni edhe tek TiranaXXL http://tiranaxxl.com/

Continue reading...
 
Top