Fillim Romani

Fawkey

Primus registratum
Përshëndetje,

Kam nevojë për një sy të ndryshëm kritik për një roman që kam ndërmend të shkruaj. Ky këtu poshtë është thjesht fillimi që kam menduar të bëj dhe do të doja të dija në përgjithësi nëse është ndopak interesant, do me thënë a ju tërheq, a mendoni se lexuesi do të tërhiqej ta lexonte. Ky fillim nuk shfaq asnjë gjë nga ajo që do të ndodhë më pas dhe shqetësimi im është nëse lexuesi mund ta humbasë interesin përpara se historia të futet në brazdë. Po mendoj përndryshe të vendos një parathënie përshkruese që lexuesi të tërhiqet. Mirëpres çfarëdolloj komenti që mund të keni për çfarëdo gjë që mendoni për të përmendur.

Faleminderit.

Iu ngjita shkallëve siç më kishin udhëzuar dhe u gjenda në katin e dytë të asaj hyrjeje. Në të dyja anët gjendeshin zyra të hapura me xhama të tejdukshëm që kryenin funksionin e dyerve. Nga njëra anë ishte një zyrë e vogël, ndërsa nga tjetra një sallë e madhe e mbushur me njerëz. Në vendin e pritjes gjendeshin dy tavolina të ngjitura me nga një grua që me shumë mundësi kryenin rolin e sekretareve, kurse afër shkallëve nga ku u ngjita unë ishte një akuarium i madh me disa peshq të vegjël. Hyra në të majtë aty ku ishte salla e madhe dhe me të hapur derën u përfshiva nga zhurma e pashqueshme e dhjetra të rinjve që flisnin me kufje. Vura re vajza e djem që flisnin me zell në gjuhë të huaj. Nja dy madje qëndronin në këmbë dhe ecnin lart e poshtë aq sa gjatësia e telit lidhës të kufjeve ua lejonte. Përshkova gjatësinë e sallës pa ua vënë vëmendjen asgjëje përveç tapetit të gjelbër dhe shikimeve të rralla nga njerëzit e ulur. Në fund gjendej një kthinë e vogël po me xhama të tejdukshëm dhe brenda pashë njeriun që më kishte sjellë aty. “Artan, ç’kemi!”, e përshëndeta pasi kisha hyrë. Artani ishte ulur prapa një tryeze me një kompjuter dhe dukej i përqendruar. Kur dëgjoi zërin tim, hoqi sytë nga ekrani dhe më pa pas syzeve të tij të mëdha drejtkëndore. “E gjete? Ulu.”, ia bëri me një buzëqeshje vesh më vesh. I shtrëngova dorën dhe u vendosa në karrigen para tryezës. Artani kishte një fytyrë të sertë të cilën ia zbuste herë pas here buzëqeshja që kishte zakon të bënte, më tepër prej mirësjelljes apo sikletit sesa prej një dashamirësie të sinqertë. Kjo, si dhe vragat në faqe, të jepnin përshtypjen e një vrazhdësie e cila pothuajse fshihej pasi takoje natyrën e tij të qetë. Fliste ngadalë dhe me vetinë e një djali që mban më tepër seç duhet pështymë në gojë, për pasojë të së cilës fjalët shoqëroheshin me një gurgullimë gati të papërfillshme. Megjithëkëtë, prita që ta niste ai i pari.

“Hë, si shkon?”
“Mirë.”
“Do e bësh intervistën?”
“Për atë kam ardhur.”
“Mirë, ja sa ta marr në telefon se duke ardhur do jetë.”
Nxori celularin dhe i ra dikujt. Pasi e vuri në vesh duke pritur, m’u drejtua përsëri:
“Duhet të flasësh anglisht se janë të huaj këta.”
“Ashtu? Nga janë?”
“Nga Gjeorgjia. Ashtu e flasin dhe ata, gjysma-gjysma.”
“S’e kam problem, sidoqoftë. E di shumë mirë anglishten.”
Hodha sytë nga salla që ishte në të djathtë. Gjullurdia atje vazhdonte po njëlloj.
“Goxha njerëz ke këtu.”, i thashë.
“S’janë dhe aq shumë. Ka salla andej me nga njëqind veta.”
“Po çfarë bën ti këtu?”
“Unë? Administroj. U jap çfarë të bëjnë dhe i kontrolloj.”

Kur u përgjigj ai që po merrte, foli për disa minuta me të me një anglishte të copëzuar. Nuk kishte ardhur ende, kështu që më tha që të vija prapë pas disa orësh kur kishte lënë orar me atë që foli. Përpara se të ikja më bëri një bisedë të shkurtër duke më dhënë këshilla. “E di që je i urtë kështu, po bën mirë të flasësh shumë me atë. Se ashtu i fitojnë vendet e punës, dëgjojnë që flasin dhe u thonë hajde.”, ia bëri me atë buzëqeshjen që i shtrembëronte vragat e faqeve dhe zbulonte dhembët e mëdhenj.

U ktheva atje pasi kisha ngrënë drekën, disa minuta përpara orarit të caktuar. Artani zbriti poshtë me ta lajmëruar dhe më tha ta ndiqja. Më udhëhoqi drejt një godine përbri asaj të zyrës së vet dhe hymë nëpërmjet një dere të lartë në një sallë edhe më të madhe se ajo ku kisha qenë paradite. Mirëpo në vend të zhurmës, aty gjendej një qetësi që prishej nga kërcitjet e tastierave të atyre që punonin. E gjitha ishte e mbushur me tavolina të vendosura dyshe apo treshe në kënde jo uniforme. Me aq sa vura re, ishin të gjithë femra. Artani më tha të prisja dhe unë u zhvendosa në brendësi për të parë më mirë. Aty ndesha sytë me një vajzë që njihja nga fakulteti e cila u ngrit për të më përshëndetur. Më pyeti nëse kisha intervistë dhe mora vesh se kishte tre vjet që punonte aty. E mbylli bisedën tonë të shkurtër duke më uruar fat dhe u ul prapë në vendin e saj. Nuk kisha pasur ndonjëherë një marrëdhënie të ngushtë me të, ndonëse e njëjta gjë mund të vlente për thuajse të gjitha vajzat që njihja, kështu që ritakimi ynë ishte fort i sjellshëm dhe sipërfaqësor. Iu ktheva përsëri Artanit. “Ja se dhe pak vjen. Nga e njihje atë?”, më pyeti. “Kemi qenë në klasë, në universitet.”, iu përgjigja shkurt. “Unë i njoh të gjithë këta këtu. Zëre se gjysmat i kam sjellë unë.”, tha duke qeshur.

Pas disa minutash u fut nga dera hyrëse një burrë rreth të dyzetave me një kapelë të sheshtë në kokë, nga ato që viheshin rëndom në fillim të shekullit të XX-të. Fytyra e tij të kujtonte një patate, me hundë e sy të rrumbullakët dhe faqe disi të mbushura. I buzëqeshi Artanit dhe me një shtrëngim dore i foli në anglisht duke i kërkuar falje për vonesën. Vura re që anglishten e fliste me shumë ndalesa dhe gjysmë fjalësh apo fjali të papërfunduara. Artani më prezantoi me Daton (kështu e thërrisnin) dhe para se të kthehej në punën e tij e porositi që të më merrnin vetëm nëse e meritoja. Ai u përgjigj me një “patjetër” dhe më ftoi jashtë në një bar që të flisnim. Me t’u ulur përballë njeri-tjetrit filloi të më bënte pyetje të përgjithshme pa e hequr kapelën nga koka, mbase prej të ftohtit.

“Pra, je diplomuar në ekonomi?”,
“Po, ekonomiks.”,
“Dhe ke punuar më parë.”, tha në vend të pyetjes.
“Po, kam dy vjet përvojë pune.”
“Ke punuar me programe?”,
“Sigurisht.”
“Do me thënë, di t’i përdorësh.”
“Po, patjetër.”
U mendua pak duke parë rreth e rrotull dhe tha, “Në rregull, mua më duhet që të vijë dhe dikush tjetër që të vendosim, kështu që ndërkohë mund të të bëjmë një test që të shohim sa i zoti je. Mirë?”

Bisedës sonë lakonike i erdhi fundi dhe ai më përcolli përsëri brenda ku udhëzoi një vajzë që të më vendosnin nën testim. Më ulën në një tryezë të lirë me kompjuter, që duhej t’i përkiste dikujt që kishte dalë për pushim, dhe vajza që më shfaqi ushtrimin për t’u zgjidhur më shpjegoi çfarë duhej të bëja. Nuk ishte fort i vështirë, megjithëse m’u desh pak kohë që të gjeja fillin e arsyes. Provova disa formula të ndryshme në program, kohë gjatë së cilës u shfaq gruaja tryezën e së cilës kisha zënë. I kërkova falje që po vonohesha dhe që po e lija pa punuar, por u tregua e duruar, duke më thënë që të merrja kohën e nevojshme teksa qëndronte ulur me telefonin e saj në duar. Kur më në fund isha i bindur që e kisha zgjidhur saktë, pas rreth një ore, lajmërova vajzën e mëparshme që ta kontrollonte, mirëpo nën thirrjet ankuese se kishte tepër punë, u ngrit një vajzë tjetër afër saj. Ajo ishte e gjatë dhe tërheqëse, ose këtë përshtypje të jepte për shkak të takave që kishte veshur. Mbante një palë syze që i jepnin hije në formë drejtkëndore me skelet ngjyrë portokalli. Teksa isha duke pritur derisa të më drejtohej, ajo erdhi rrotull me një hap femëror në anën time të djathtë dhe u përkul në nivelin e syve të mi duke buzëqeshur. Fillova menjëherë t’i flisja shqip.
“Shiko pak, kam këtë kolonën këtu..”
“Hm, hm, vetëm anglisht.”, më ndërpreu në gjuhë të huaj serioze në fytyrë.
“Oh, nuk qenke...”, u habita duke kthyer gjuhën, “Në rregull.”.
Kisha marrë me mend se ishte shqiptare për shkak se e kisha dëgjuar të fliste shqip në telefon pak më parë. Vazhdova t’i shpjegoja arsyetimin tim për zgjidhjen e ushtrimit dhe i tregova rezultatet. Ajo vëzhgoi ekranin me vëmendje dhe pas disa sekondash ia bëri, “Është e saktë.”, si dhe njëherë tjetër me zë të lartë pasi kishte drejtuar trupin duke qeshur për t’ia bërë të ditur të tjerëve. Më buzëqeshi edhe një herë dhe më pas shkoi të ulej në vendin e saj. Në atë çast Dato, pa kapelën që i fshihte kokën pa flokë, ngrihet nga tryeza e vet dhe më zhvendos në një kompjuter tjetër të pazënë, kësaj rradhe të dikujt që duhej të kishte mbaruar punën për atë ditë dhe kishte shkuar në shtëpi. Testi nuk kishte mbaruar dhe mua më duhej të zgjidhja një ushtrim tjetër. Një vajzë e ndryshme nga dy të tjerat, pakëz e bëshme, dukshëm e shtuar në peshë vetëm kohët e fundit, por tërheqëse sidomos në fytyrë, u ngrit nga vendi i saj ku rrinte ulur gati si burrë, me kokën në vend të shpinës të mbështetur tek mbajtësja përkatëse e karriges dhe këmbët e hapura poshtë tavolinës të ngulura në tokë në kënd të drejtë. Ajo vendosi ushtrimin në kompjuter dhe më shpjegoi gjerësisht hollësirat dhe se çfarë duhej të bëja. Ky ishte më i vështirë se i pari dhe me disa herë më shumë të dhëna. Për shkak të këtyre m’u desh më shumë kohë që ta zgjidhja, aq sa kur Dato erdhi për të parë ecurinë, nuk kisha përfunduar as gjysmat e kërkesave. Ai kontrolloi formulat që kisha përdorur, pa rezultatet e tyre dhe më tregoi dy gishta duke vënë buzën në gaz. Menjëherë më pas, me shumë mundësi nën udhëzimin e tij, vajza e parë, si duket e çliruar gjatë asaj kohe nga punët që e kishin zënë, vjen me një letër ngjitëse dhe stilolaps dhe më kërkon emrin duke më thënë që do të më njoftonin. Pavarësisht shenjës mirëbesuese të Datos, kjo marrje emri pa kërkimi të një mjeti kontakti, më bëri të mos mbaja shpresa. Dola prej aty duke menduar se u përcolla me të mirë. Me sa duket u zgjata më shumë se ç’duhej në zgjidhjen e testit dhe ata kërkonin dikë më të shpejtë.
Kisha bërë vetëm disa hapa jashtë kur dëgjova Daton të më thërriste nga mbrapa. Po mbante derën e hyrjes disi hapur me dorën e majtë duke qëndruar në pjesën e jashtme, teksa me të djathtën ma bënte me shenjë që të prisja. Kishte dalë dukshëm me nxitim dhe nuk kishte marrë kapelën pavarësisht të ftohtit që tashmë ishte më i theksuar për shkak të errësimit. Futi kokën përsëri brenda duke folur gjeorgjisht me dikë dhe më tha të ulesha në një lokal aty afër përpara se të futej brenda. U vendosa në një tavolinë mu përballë derës ku nuk m’u desh të prisja gjatë derisa u hap dhe prej saj dolën dy njerëz, Datoja dhe një femër. Ajo ishte e dobët, brune, me syze dhe mbante veshur rroba të holla pavarësisht stinës. Teksa po afrohej rrotulloi rreth qafës dhe supeve një shall të trashë dhe ul bashke me Daton përballë meje duke nxjerrë një cigare të hollë prej një pakete dhe një ndezës nga xhepat e saj.

“Përshëndetje, emri im është Çina.”, tha ajo pa shprehje.
“Çina?”, përsërita unë duke menduar menjëherë se mund të ishte një emër i veçantë gjeorgjian.
“Çina, Çina.”, u nxitua për të thënë duke zgjeruar qepallat e syve, “Si Çina Çërnër.”
“Ah, Tina!”, thashë me të qeshur pasi e kuptova.

Ajo u duk pak e turpëruar për një çast, por e rimori veten dhe iu kthye fytyrës pa shprehje. Më shpjegoi se ishte kreu i departamentit dhe më kërkoi flisja për veten, gjë të cilën e bëra shkurtimisht. Menjëherë më pas, Tina më pyet për pagën që merrja në punën e mëparshme. Megjithë pakënaqësinë e pashprehur që po ndieja, iu përgjigja duke thënë vlerën në lekë. Ajo përmendi një vlerë në dollarë që nuk ishte e njëjtë dhe Dato iu kundërvu. Të dy filluan të diskutonin me njeri-tjetrin në gjeorgjisht, në pamje të parë për vlerën e saktë, por që kuptova përgjatë se duhej të ishte në të vërtetë për pagën që do të më jepnin, duke qenë se u zgjatën mjaft pa ndërprerje. Dato, ndryshe me anglishten, ishte i aftë të fliste rrjedhshëm në gjuhën e tij, ku shpesh dëgjoja tingujt e veçantë të saj që mund të përshkruhen si të nxitura nga diçka që të ngec në fyt. Pavarësisht se e dija që nuk po flisnin më për kursin e këmbimit, vendosa t’ua bëja të ditur praninë time duke iu treguar vlerën e duhur në dollarë, kështu që bëra një llogaritje të shpejtë me celular dhe ua tregova atë teksa ata tundën kokën në pohim. Me të mbaruar shkëmbimin, Tina m’u drejtua përsëri për të më thënë se kishin vendosur të më merrnin në provë për të paktën dy javë, pas së cilës do të vendosnin. Rashë dakord. Kur nuk kishte më gjë për t’u thënë u ngrita bashkë me ta dhe fillova të largohesha. “Nesër në orën dhjetë këtu.”, më foli nga mbrapa Tina dhe pasi i pohova se e kisha dëgjuar, u drejtova për në shtëpi.
 

Artin

Papirus rex
Mirë më duket, por po bëj shkurt ca sugjerime e kritika të vogla, meqë i kërkon, e që mendoj se ndihmojnë më shumë se lëvdatat.
E para, shkrimi duhet të jetë i ndarë në paragrafë, të paktën në 4-5 rreshta, se kështu si e ke bërë, është i vështirë për t'u lexuar dhe të lodh.

Nëse romani do të zhvillohet vetëm nëpër salla e zyra, nuk do të jetë shumë tërheqës, kështu që përpiqu të futësh edhe terren, domethënë (shkruhet bashkë) ngjarjet të zhvillohen edhe në vende të tjera.

Femrat dhe romancat janë gjithashtu një pikë e fortë për ta bërë romanin tërheqës dhe, për fat të mirë, në kaq pak sa lexova, kishte me shumicë. Shoqja studente që u takua pas disa vitesh, vajza e gjatë me taka që nuk dinte shqip, si dhe tjetra e shëndoshë, por me fytyrë të bukur, japin shkëndija romance dhe e bëjnë lexuesin kureshtar për vazhdimin.
 

Fawkey

Primus registratum
Shkrimi në fakt është i ndarë në paragrafë, por kur kopjohet në postim del pa hapësirat e tyre. U mundova t’i ndaja prapë, por nga nxitimi nuk e kam bërë siç duhet.

Nuk diskutohet që nuk do të zhvillohet vetëm nëpër zyra. Zyra është e thuajse parëndësishme për historinë, madje gati nuk kam ndërmend as ta përmend se për çfarë pune bëhet fjalë. Historia do të përqendrohet tek marrëdhëniet midis njerëzve.

Nuk e di pse e kam ndarë “domethënë”, ndoshta nga inercia kur përdor “në qoftë se” që shkruhet veç duke qenë se (ja një tjetër) nuk ndodhet në fjalor si fjalë më vete.

Faleminderit për përgjigjen.
 

Al-Punk

Still here
Shkrimi në fakt është i ndarë në paragrafë, por kur kopjohet në postim del pa hapësirat e tyre. U mundova t’i ndaja prapë, por nga nxitimi nuk e kam bërë siç duhet.

Nuk diskutohet që nuk do të zhvillohet vetëm nëpër zyra. Zyra është e thuajse parëndësishme për historinë, madje gati nuk kam ndërmend as ta përmend se për çfarë pune bëhet fjalë. Historia do të përqendrohet tek marrëdhëniet midis njerëzve.

Nuk e di pse e kam ndarë “domethënë”, ndoshta nga inercia kur përdor “në qoftë se” që shkruhet veç duke qenë se (ja një tjetër) nuk ndodhet në fjalor si fjalë më vete.

Faleminderit për përgjigjen.
Shumë interesant. Artin me sipër i ka prekur ca gjëra, do shtoja vetëm nevojën e një redaktori letrar. Për shembull
"U ktheva atje pasi kisha ngrënë drekën" përmban një theksim vendi të panevojshëm. Mund ta lësh jashtë fare fjalën atje ose të vendosësh sërish.

Shumë suksese!
 

snatch

Dictum Factum
Bravo Fawkey,dhe dy antareve qe cituan shkrimin tek kto lloj temash tregojne se shqiperia ka akoma nje shprese per permiresim. Sepse 90% e sitive dhe forumeve jane vetem flirte,( jo se eshte dicka e keqe, thjesht e tepert). Suksese Faw.
 
Top