Re: Fanariotet dhe grekerit.
Nuk eshte forum... megjithate lexoni:
Përpjekjet për Kishën Shqiptare të Stambollit
Shqiptarët nuk shkonin në kishë nga frika e mallkimeve. Patriarkana i mbante shqiptarët nën kontroll dhe punonte për greqizimin e tyre.
Patriarkana i mbante shqiptarët nën kontroll dhe punonte për greqizimin e tyre. Një pjesë e mirë e ortodoksëve shqiptarë në Turqi kishin ardhur këtu të pamartuar. Në mungesë të vajzave shqiptare, ata ishin martuar me vajza greke. Në këto rrethe influenca e Patriarkanës ishte e fuqishme dhe shumë nga këta elementë pengonin përpjekjet e patriotëve shqiptarë për krijimin e kishës shqiptare.
Patriarkana e Fanarit kishte Sinodin, që përbëhej prej 12 dhespotëve. Shqiptarët nuk kishin asnjë përfaqësues në të. Për të lehtësuar konvertimin e shqiptarëve në shtetas grekë, qeveria greke mori një vendim të posaçem. Ajo udhëzoi konsullatën greke në Turqi që t`u jepte shtetësinë greke edhe atyre personave, të cilët nuk kishin jetuar fare në Greqi, gjë që më parë kishte qenë krejtësisht e palejueshme. Ky vendim fshihte qëllime të largëta politike. Politika greke përfitoi edhe nga statusi jo i qartë dhe i pafavorshëm i emigracionit ortodoks shqiptar në Turqi. Në bazë të legjislacionit turk, qeveria turke nuk u jepte shtetësinë turke shqiptarëve ortodoksë. Kjo ishte njëra nga arsyet që, shumë shqiptarë kishin marrë shtetësinë greke. Nga martesat e disa shqiptarëve ortodoksë me gra, që kishin shtetësinë greke, kishin ndodhur shumë konflikte pronësie. Gratë me shtetësi greke ishin ndarë nga burrat dhe u kishin marrë pasurinë e tyre, duke i lënë pa asgjë. Për të gjetur një rrugëdalje, shqiptarët po shtyheshin të merrnin shtetësinë greke, sepse vetëm me shtetësi shqiptare atyre nuk u njihej e drejta e trashëgimit apo zotërimit të pasurisë. Në emigracionin ortodoks shqiptar ishin krijuar kushte që të depërtonte influenca greke dhe fëmijët e tyre frekuentonin shkollat greke.
Greqia po punonte në emigracionin ortodoks shqiptar ndërsa qeveria turke, sipas diplomatëve shqiptarë në Turqi, ishte sjellë shumë ashpër kundrejt tij. Në këto qëndrime kishte ndikuar tensioni dhe ndjenjat armiqësore ndaj Greqisë. Në kohën e ngjarjeve në Qipro në vitet 1954-1955, gjatë incidenteve që ndodhën në Stamboll me emigrantët grekë, u goditën edhe shqiptarët ortodoksë, të cilët pësuan dëme të mëdha. Në këto rrethana, vetëm hapja e kishës ortodokse autoqefale shqiptare në Turqi do ta përmirësonte situatën dhe do t`i hiqte zbulimit grek mundësinë e veprimit me anë të Patriarkanës greke.
Për të plotësuar ndjenjat dhe dëshirat e gjithë emigracionit shqiptar ortodoks në Turqi, një grup shqiptarësh ortodoksë në dhjetor të vitit 1958, i kërkuan qeverisë turke lejen që të krijonin një komunitet fetar të ndarë nga Patriarkana e Fanarit. Mundësitë për krijimin e këtij komuniteti ekzistonin, për arsye se në Turqi kishin patur kishat e tyre edhe emigrantë të kombësive të tjera, si rusët, grekët, bullgarët etj. Sipas të dhënave, që kishte ambasada shqiptare, në Turqi dhe kryesisht në Stamboll gjendeshin 15000 shqiptarë ortodoksë. Ky numër ishte aq i rëndësishëm, saqë po të krijohej kisha shqiptare do të rrezikonte ekzistencën e Patriarkut grek në Stamboll. Sipas një marrëveshje midis Turqisë dhe Greqisë, ai qëndronte atje në bazë të një numri të caktuar besimtarësh ortodoksë. Ky numër plotësohej pikërisht me shqiptarët ortodoksë, të cilët nga kisha greke konsideroheshin qëllimisht si grekë. Mirëpo, qeveria turke nuk e përfilli këtë kërkesë në këtë kohë, duke nxjerrë disa pretekse të ndryshme.
Situata ndryshoi në vitin 1960. Pas acarimit të krizës së Qipros, autoritetet turke, në kuadrin e masave për të izoluar dhe ngushtuar rrezen e aktivitetit të Patriarkanës, dhanë sinjale se do t`i përkrahnin ortodoksët shqiptarë me qëllim që t`i shkëpusnin ata nga Patriarkana. Turqit dëshironin largimin e Patrikut grek nga Stambolli. Funksionarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit Turk u kërkuan ortodoksëve shqiptarë që të mobilizoheshin për formimin e Komitetit Ortodoks Shqiptar, duke i këshilluar që të mos e lejonin legatën e Shqipërisë të përzihej në këtë çështje dhe të zhvillonte propagandën e saj në koloni. Legata e Shqipërisë, nga ana e saj, dha udhëzime që të shfrytëzohej, pikërisht kjo rrethanë, për të hapur kishën shqiptare. Gjithashtu, për hapjen e kishës ortodokse shqiptare ishin të interesuar edhe shqiptarët myslimanë të Turqisë, të cilët premtuan se do të ndihmonin materialisht. Por përfaqësuesit e kolonisë shqiptare të Stambollit mendonin se për hapjen e kishës shqiptare duhej marrë më parë pëlqimi i Patrikut të Stambollit. Pa këtë miratim, shqiptarët nuk guxonin të shkonin në kishë, sepse u trembeshin mallkimeve të tij. Megjithkëtë, në fillim të vitit 1962 ata nisën të mblidhnin firmat e nevojshme dhe të kërkonin lejen nga autoritetet turke. Legata shqiptare e mbështeti këtë iniciativë dhe i nxiti drejtuesit e kolonisë të nxitonin për të marrë lejen e çeljes së kishës nga autoritetet turke, në këtë situatë të favorshme të marrëdhënieve të tendosura turko-greke. Hapja e kishës gjykohej si një sukses, i cili do të sillte pastaj hapjen e një shkolle ose kolegji shqiptar. Por MPJ nuk e lejoi legatën në Stamboll që të ndërhynte drejtpërdrejt tek autoritetet turke për ta mbështetur këtë iniciativë.
Në pranverë të vitit 1962 u arritën disa suksese fillestare. Vatikani dha pëlqimin për t`u dorëzuar shqiptarëve një kishë unite, e cila atëherë ishte e mbyllur. Patriku i Stambollit, Athenagorasi, premtoi se do të bënte bekimin e kësaj kishe. Por nën dhe, ai, nëpërmjet agjentëve grekë, vijoi përpjekjet për sabotimin e krijimit të kishës shqiptare. Ai thirri në Stamboll Marko Lipen, i cili ndodhej në SHBA, për ta vënë në krye të kishës së re, por me sa duket ky nuk pranoi. Kështu, në verë të vitit 1962 Athenagora u shtërngua të jepte lejen për çeljen e kishës shqiptare. Edhe autoritetet turke e dhanë aprovimin, por paralajmëruan shqiptarët se, po të kërkonin që të hapnin ndonjë shkollë ose kurs në gjuhën shqipe, ndaj iniciatorëve do të merreshin masa.
Me intensitetin, që po ecnin përpjekjet për hapjen e kishës shqiptare, dukej se çdo gjë do të përfundonte si më mirë. Por në nëntor të vitit 1962 ndodhi një kthesë e papritur. Policia e Stambollit urdhëroi shpërndarjen e Këshillit të Komunitetit Ortodoks, i cili kishte marrë iniciativën për hapjen e kishës shqiptare. Shkaku i këtij ndryshimi ishte ndërhyrja energjike e qeverisë greke. Këtë gjë ua thanë iniciatorëve autoritetet turke. Përfaqësuesi i Këshillit protestoi ndaj këtij vendimi dhe deklaroi edhe një herë se, këshilli i komunitetit ortodoks shqiptar ishte formuar që të luftonte përpjekjet greke për greqizimin e ortodoksëve shqiptarë. Shefi i sigurimit të Stambollit shfaqi keqardhjen dhe i shpjegoi atij se ndaj qeverisë turke kishte patur protesta nga ministri i Jashtëm grek, kur ai kishte vizituar herën e fundit Turqinë dhe se, Turqia nuk donte t`i acaronte më tej marrëdhëniet me Greqinë, për arsye se ishin aleatë në NATO. Ai i këshilloi shqiptarët që të gjenin forma të tjera të qëndresës për të penguar veprimtarinë greke dhe premtoi se sigurimi turk nuk do t`i pengonte.
Beqir Meta, Shqipëria dhe Greqia (1949-1990)
METROPOL 23-02-2005