Dy vjet burg për politikanët që fshehin pasurinë

Erison700

Forumium maestatis
Dy vjet burg për politikanët që fshehin pasurinë

TIRANË – Nga 6 muaj deri në 2 vjet burg për të gjithë ata zyrtarë që nuk do të deklarojnë ose do të bëjën deklarim të rremë të pasurisë së tyre. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Po kështu, anëtarët e komisionit miratuan edhe një shtesë të Kodit Penal, që penalizon të gjithë personat dhe subjektet që sipas ligjit nuk e deklarojnë, e fshehin, ose bëjnë deklarim të rremë të pasurisë. Kjo shtesë ishte propozuar më parë nga vetë kryetari i komisionit të Ligjeve Spartak Braho, i cili kërkoi edhe mendimin e ministrit të Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në një përgjigje që i kishte dërguar me shkrim ministri i Drejtësisë sqaronte se vlerësonte këtë shtesë që kërkohej të bëhej në Kodin Penal, prandaj priste që këtë ta diskutonte komisioni i Ligjeve. Sipas kryetarit të komisionit, Spartak Braho, projektligji i miratuar dje, "synon detyrimin e nëpunësve publikë për të deklaruar pasuritë e tyre dhe rrugët me anë të të cilave është vendosur kjo pasuri". Ligji për deklarimin e pasurive është diskutuar për një periudhë të gjatë kohe në komisionin e Ligjeve, por deri më tani nuk është miratuar një ligj për këtë çështje. Gjithashtu, komisioni kërkoi hartimin sa më shpejt nga qeveria të një projektligji të posaçëm lidhur me konfliktin e interesave. Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike në komision Fatos Beja, theksoi se çështja e konfliktit të interesave, e përfshirë në projektligjin aktual, nuk pasqyrohet në mënyrë të plotë. Ai shtoi se vetëm një ligj i posaçëm do të godasë drejtpërdrejt këto lloj konfliktesh.

Shekulli
 
Top