Berisha: E konsiderojmë veten pa imunitet

Berisha: E konsiderojmë veten pa imunitet

Kryeministri Sali Berisha e përforcon edhe më shumë qëndrimin e tij për të “zhveshur” nga petku i imunitetit ministrat, deputetët dhe zyrtarët e lartë. Një ditë pas deklaratës së kryediplomatit amerikan në Tiranë, John Withers, Kryeministri Berisha u tregua i gatshëm për të risjellë në Kuvend nismën e heqjes së imunitetit, por shfrytëzoi edhe rastin për të fajësuar në këtë pikë socialistët për bllokimin e këtij ligji. “Jam kundër çdo imuniteti. Kemi dërguar ligjin në Parlament, opozita nuk e miratoi”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, opozita ka qenë ajo e cila ka bllokuar këtë nismë në Kuvend.</p>


Pasi ka fajësuar socialistët për bllokimin e ligjit për imunitetin, Kryeministri Berisha ka zbuluar planin rezervë, i cili do të shkojë në zbatim të kërkesës së ndërkombëtarëve. Zgjidhja e vetme, që Partia Demokratike mundet të ofrojë në mungesë të numrave të duhur në Kuvend, është qëndrimi i njëanshëm. Cilado kërkesë e prokurorisë apo e organeve të drejtësisë për dorëzimin e imunitetit të ministrave dhe deputetëve do të pranohet në mënyrë automatike nga shumica parlamentare.</p>


“Atëherë do të praktikoj qëndrimin e njëanshëm. Që do të thotë, çdo kërkesë nga organi i prokurorisë apo gjyqësore për heqjen e imunitetit do të jetë automatikisht e pranueshme. Mazhoranca ka të drejtë të mos i njohë vetes imunitet. Siç kemi praktikuar. Nuk ndryshojmë dot ligjin, por qëndrim të njëanshëm mund të mbajmë”, tha Berisha. Pas mosbindjes së partisë më të madhe opozitare për tu kthyer në Parlament, Kryeministri ka nxjerrë në publik planin rezervë, sipas së cilës cilido ministër apo deputet do të dorëzojë imunitetin në momentin që organet kompetente ua kërkojnë një gjë të tillë. Duke fajësuar opozitën dhe duke e akuzuar atë si përgjegjësen kryesore të mos miratimit të ligjit që heq imunitetin e deputetëve, Kryeministri Berisha bëri me dije se asnjë nga përfaqësuesit e së djathtës nuk i njeh vetes imunitet. Qëndrimi i njëanshëm i PD-së do të vijë si pasojë e mungesës së opozitës në Parlament.</p>


Kryeministri Berisha sqaroi dje se do të aplikohet heqje automatike e imunitetit të deputetëve, nëse kërkesat vijnë nga autoritetet kompetente të drejtësisë. “Ne do të mbajmë qëndrim të njëanshëm. Çdo kërkesë nga organet gjyqësore për heqje imuniteti do jetë e pranueshme”, përsëriti ai. Berisha theksoi faktin se nga mungesa e opozitës në Parlament nuk është bërë i mundur ndryshimi i ligjit për imunitetin ndaj dhe mazhoranca ka vendosur që të mbajë një qëndrim të vetin. “Ne nuk mund të ndryshojmë ligjin, por ama nëse organet e prokurorisë do të kërkojnë të kryejnë hetime për zyrtarët, atëherë nuk do të pengohen”, përfundoi kryetari i shumicës. Kryeministri i bëri këto deklarata pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike dhe një ditë pas thirrjes së ambasadorit të SHBA-së, John Withers, i cili ftoi mazhorancën ta votojë në Parlament heqjen e imunitetit për deputetët, si shenjë e mbajtjes së premtimit të mëparshëm.(Shqip)</p>
XIGkoyGkIvM

Ky artikull eshte marre nga: http://www.albaniasite.net/?p=24802. Per me shume artikuj te ngjashem vizitoni: http://www.albaniasite.net/?p=24802
 
Top